Duke pasur në konsideratë se disa nga mjetet e informimit nuk po lënë mjet e as metodë pa përdorur për të ulur, nënçmuar e degraduar personalitetin e Dr. Shefqet Krasniqit, stafi realizues i www.Krenaria.com bënë këtë reagim publik ndaj të ashtuquajturës “Gazeta Express”.
Dihet fare mirë së hoxha i nderuar ditë më parë u patë tërhequr vërejtjen publikisht të gjithë njerëzve me arsye të shëndoshë, e në veçanti besimtarëve, të mos e shfletojnë dhe mos t’i japin klikime Express, pasi ky ‘pseudo-medium’ nuk di tjetër vetëm se të shpifë, përgojojë e llomotitë pa nevojë, për çdo gjë, madje në theks të veçantë kundër muslimanëve.
Kësaj radhe, Express me sa duket u mundua të hakmerret përmes një gjesti shumë të ulët dhe qesharak duke përdorur një profil të rremë në facebook, që absolutisht që nuk ka të bëjë me Doktorin tonë të nderuar, kinse ai u paska gëzuar lajmit të vrarjes së disa bashkëqytetarëve në Siri. Nga profile të tilla të rreme kanë tërhequr vërejtjen edhe vetë ekspertët e facebook kur kemi të bëjmë me persona të rëndësishëm, gjë që për ne si staf realizues nuk përjashton mundësinë që një profil i atillë, për qëllime manipulimi, të jetë hapur nga vet Ekspres apo ‘satelitët’ e tyre për të tentuar të degradojnë imazhin e Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqit e së bashku me të edhe imazhin e islamit, i cili falë Zotit fuqiplotë dhe angazhimit të muslimanëve po rritet dhe zhvillohet përditë e më shumë.
Mu për këtë, njoftojmë dhe u tërheqim vëmendjen të gjithë dashamirësve të kenë kujdes dhe të mos bien pre e provokimeve të tilla sa të ulëta po aq edhe denigruese, si dhe të kenë në konsideratë se profili i vetëm dhe i vërtetë i Hoxhës tonë në facebook, i cili është edhe si faqe zyrtare, është ‘Të përfitojmë nga hoxha i nderuar Dr. Shefqet Krasniqi’. Ne si staf realizues dhe bashkëpunëtorë të Dr. Shefqet Krasniqit denoncojmë dhe distancohemi nga çfarëdo profil tjetër dhe nuk bartim asnjë përgjegjësi për atë që publikohet aty.
Të gjitha aktivitetet, postimet, artikujt dhe angazhimet e Dr. Shefqet Krasniqit mund t’i përcillni përmes facebook të tij origjinal, të cekur më lartë. Natyrisht, nuk i lejohet askujt të manipulojë me thëniet dhe kontributet e Doktorit të nderuar duke i keqcituar, shkëputur, keqinterpretuar apo duke i nxjerrë ato nga konteksti. Kurse me theks të veçantë të gjithë ata që duan të transmetojnë çfarëdo lajmi, artikulli apo aktiviteti që ka të bëjë hoxhën e nderuar, nga kjo apo cilado faqe tjetër, lutën që ta transmetojnë atë tekstualisht ashtu siç e ka thënë apo shkruar Hoxha i nderuar, pa shtuar dhe pa munguar asgjë.
Për fund, ne stafi realizues ju falënderojmë të gjithëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj. Nëse ju pëlqen ajo që publikojmë në këtë faqe merreni dhe shpërndajeni, e nëse nuk ju pëlqen atëherë, ju lutëm, së paku na lini të qetë ta shfrytëzojmë të drejtën tonë të garantuar të shprehjes së lirë.
Sinqerisht, Stafi Realizues i www.Krenaria.com
loading...
Lexo edhe: