Skip to main content

“Turqi: Bordi zgjedhor refuzon kërkesën për anulimin e referendumit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Turqi: Bordi zgjedhor refuzon kërkesën për anulimin e referendumit” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Turqi: Bordi zgjedhor refuzon kërkesën për anulimin e referendumit

Posted: 19 Apr 2017 09:27 AM PDT

Trupi zgjedhor në Turqi ka refuzuar kërkesën e partisë kryesore opozitare, për anulimin e rezultatit të referendumit të 16 prillit, që ia rritë kompetencat presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Partia Popoullore Republikane dorëzoi kërkesë në Këshillin e Lartë Zgjedhor më 18 prill, duke argumentuar se rezultati i referendumit ishte "i paligjshëm", për shkak të parregullsive në votim – përfshirë këtu përdorimin e fletvotimeve të pavulosura. Televizioni privat turk, NTV ka raportuar sot se 10 anëtarë të Këshillit të Lartë Zgjedhor kanë refuzuar kërkesën për anulimin e referendumit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Turqi, në mbrëmjen e 16 prillit ka thënë se 51.3 për qind e votuesve kanë mbështetur ratifikimin e 18 amendamenteve kushtetuese, të cilat mundësojnë krijimin e sistemit presidencial. Presidenti Erdogan ka hedhur poshtë pretendimet e vëzhguesve evropian se ka pasur parregullsi në votime, duke thënë se Turqia nuk "sheh, dëgjon, apo pranon raporte të motivuara politikisht", të vëzhguesve ndërkombëtarë.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mbi 26 mijë familje në Kosovë jetojnë në varfëri të skajshme

Posted: 19 Apr 2017 09:14 AM PDT

Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike që marrin asistencë sociale, në dy vjetët e fundit, nuk ka ndryshuar dhe ai, sipas të dhënave të zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, arrin në mbi 26 mijë, me rreth 108 mijë anëtarë. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rreth 17.6 për qind të popullatës që jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë. Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se asistenca sociale që këto familje marrin sillet nga 50 euro deri në 150 euro në muaj. "Aktualisht duke i referuar muajit të fundit janë 26 mijë e 375 familje me 108 mijë e 149 anëtarë të cilët kanë marrë ndihmë sociale. Në dy vitet e fundit sillet ky numër i familjeve, 25 mijë deri në 26 mijë. Vlera e parave që ata marrin varet nga numri i anëtarëve". "Po ashtu çdo familje që kanë fëmijë nga mosha 0 deri në 18 vjeç marrin nga 5 euro shtesë në emër të rritjes dhe shkollimit. Pra një asistencë sociale në disa raste mund të shkojë deri në 150 euro, që është shuma maksimale", thekson Gjocaj. Numrit prej 26 mijë familje me asistencë sociale i shtohen edhe 17 mijë familje të tjera të cilat jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike e të cilat vazhdimisht ndihmohen me gjëra ushqimore dhe veshmbathje nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Antigona Sopjani koordinatore për mirëqenie sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se vazhdimisht ka familje të cilat kërkojnë ndihmë për gjërat elementare. "Ne si Kryq i Kuq i Kosovës kemi një numër mjaft të madh të familjeve nevojtare që kohë pas kohe vinë dhe kërkojnë ndihmë në zyrat tona. Numri i cili përfshihet në listat tonë janë 17 mijë familje në tërë territorin e Kosovës, të gjitha këto familje janë të varfra dhe kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme", thekson Sopjani. Ndihmat që u jepen familjeve në nevojë konsiderohen, nga vetë ato, të pamjaftueshme. Po aq sa është vlerësuar të jetë e pamjaftueshme edhe asistenca sociale, të cilën e ofrojnë institucionet e Kosovës për familjet në nevojë që nga viti 2003. Familja 12 anëtarësh Gashi është njëra nga familjet e shumta që merr asistencë sociale. Kryefamiljarja Sevdije Gashi, në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë pak kohë më parë pati thënë se ndihma sociale prej 80 eurosh, që autoritetet qendrore ua ofrojnë, nuk përmbushin nevojat elementare të kësaj familje. "Ashtu si mundemi jetojmë. Kur ka edhe ushqehemi... kur nuk ka rrimë... Problemet janë të mëdha... sidomos për fëmijët që nuk kanë kushte. Janë të uritur, nuk kanë veshmbathje", pati thënë Sevdija. Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thekson se asistenca sociale që marrin këto familje nuk mjafton që ata të jetojnë një jetë të dinjitetshme. "Në fakt nuk mund të lëvdohemi se kemi qenë gjithmonë në trend me kërkesat që i ka Ligji i skemës të ndihmës sociale, pasi që ai ligj na obligon që çdo vit Ministria e Financave dhe Ministria e Punës të bëjnë harmonizimin e shportës së ushqimeve. Dhe nëse i referohemi i dhënave të fundit të ASK, rezulton se personit të rritur i duhen 63 euro në muaj për ushqime bazike, kështu që ne nuk jemi afër kësaj", thekson ai. Kosova radhitet në mesin e vendeve të varfra në rajonin e Ballkanit, me nivel ende të lartë të varfërisë dhe varfërisë së skajshme por edhe me nivelin e ulët të pagës minimale. Autoritetet e Kosovës qenë zotuar disa vjet më parë se do të përmbushin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi: Nëse BE na e mbyll derën, të gjithë shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme

Posted: 19 Apr 2017 08:12 AM PDT

Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Reagimi i tij, pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet. "Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor", ka thënë Thaçi. "Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik", ka theksuar ai. "Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit", ka thënë tutje presidenti i Kosovës. "Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t'u integruar pastaj tutje në familjen evropiane", është shprehur Thaçi. Ditë më herët, në një intervistë për "Politico", Edi Rama ka paralajmëruar se "Evropa mund të përballet me një makth" nëse vendet e Ballkanit "çmenden" si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së. Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera. "Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin", ka thënë Rama. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama. Në një intervistë për "KTV", ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së. "Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s'na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje", ka theksuar ai. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

GJND nuk vendos masë ndaj Rusisë, sipas kërkesës së Ukrainës 

Posted: 19 Apr 2017 08:03 AM PDT

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, tha të mërkurën se nuk do të vendos masë me të cilën do të urdhërohej Rusia të ndalonte financimin dhe pajisjen e separatistëve pro-rusë. Rasti në Gjykatë u paraqit nga Ukraina kundër Moskës. Gjykata e lartë e OKB-së tha se ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për të vendosur një masë të përkohshme, me qëllim të bllokimit të asaj që Kievi thotë se është mbështetje financiare dhe ushtarake e Rusisë për separatistët në Ukrainën lindore. "Kushtet e kërkuara për përcaktimin e masave të përkohshme", siç kërkohet nga Ukraina, në mënyrë që të bllokohet Rusia që të financojë separatistët në lindje të Ukrainës, "nuk janë përmbushur", thuhet në vendimin e Gjykatës, e cila është lexuar nga presidenti i këtij organi, Ronny Abraham. Moska mori nën kontroll Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në mars të vitit 2014 dhe ka mbështetur separatistët në një luftë që prej kur nisi shkaktoi më shumë se 9 mijë viktima në Ukrainën lindore. Kur Ukraina e dorëzoi kërkesën e saj në muajin janar, Kievi tha se Rusia kishte rritur ndërhyrjen e saj në çështjet e Ukrainës që prej vitit 2014, "duke intervenuar ushtarakisht… financuar akte të terrorizmit dhe shkelur të drejtat e njeriut të miliona qytetarëve të Ukrainës, përshirë, për të gjithë, të drejtën e tyre për jetë". Ajo tha se Ukraina po kërkon "riparim të plotë për…aktet e terrorizmit që Federata Ruse i ka shkaktuar, lehtësuar ose mbështetur", duke numëruar bombardimet e zonave të populluara dhe duke rrëzuar në korrik të vitit 2014 një aeroplan të Malajzisë MH17, me ç'rast u vranë 298 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit. Ukraina gjithashtu ka bërë thirrje që gjykata të ndalojë atë që e cilësoi "diskriminim racor" ndaj tartarëve të Krimesë dhe të ukrainasve etnikë në Krime që prej marrjes së gadishullit, që u përcoll me vendosjen e trupave dhe një referendum i cilësuar si i paligjshëm nga Ukraina, SHBA-të dhe mbi 100 vende anëtare të OKB-së Mohimi rus Ukraina akuzoi Rusinë për shkeljen e Konventës për Financim të Terrorizmit dhe të një marrëveshjeje ndërkombëtare kundër diskriminimit racor. Ajo kërkoi nga 15 gjykatësit e Gjykatës në Hagë, të vendosin se "Federata Ruse mban përgjegjësi ndërkombëtare" për "aket e terrorizmit të kryera nga mbështetësit e saj në Ukrainë". Moska ka hedhur poshtë akuzat. Ajo tha se pohimet për terrorizëm "nuk janë as të faktuara dhe as ligjore" dhe ka argumentuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka juridiksion për rastin. Rusia ka mohuar se ka dërguar trupa ose pajisje ushtarake në Ukrainën lindore, përkundër asaj se Kievi dhe vendet perëndimore thonë se kanë dëshmi të pakundërshtueshme. Meqë mund të marrë muaj për Gjykatën që të vendos madje edhe të dëgjoj një rast, Ukraina dorëzoi edhe kërkesën për masa të përkohshme mbrotjëse. Në këtë aplikacion të brendshëm, Ukraina kërkoi një urdhër të shpejtë gjyqësor me të cilën do të t'i kërkohej nga Rusia që të përmbahej nga "çfarëdo veprimi që mund të përshkallëzojë ose zgjasë mosmarrëveshje" ose ta bëjë më të vështirë zgjidhjen, përfshirë edhe ndalimin e futjes së parave, armëve, pajisjes dhe personelit në lindje'. SHBA-ja, vendet evropiane dhe vendet e tjera kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë në përgjigje ndaj ndërhyrjes së saj në Ukrainë, që dëmtoi rëndë marrëdhëniet e Moskës edhe me perëndimin por edhe me Ukrainën. Megjithëse vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë përfundimtare dhe oblgiative, ajo nuk ka mjete të zbatimit. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Britania do të mbajë zgjedhje të parakohshme më 8 qershor

Posted: 19 Apr 2017 07:52 AM PDT

Ligjvënësit birtanikë kanë miratuar planin e kryeministres, Theresa May, që zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të mbahen më 8 qershor. Parlamenti britanik sot ka votuar pro mocionit të May, për zgjedhje të parakohshme. Nga 650 ligjvënës, 522 kanë votuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Para votimit, May u tha ligjvënësve se zgjedhjet e parakohshme do t'i japin Britanisë "siguri dhe stabilitet", teksa Londra do të negociojë me Brukselin për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian. "Besoj se në këtë moment me rëndësi të madhe kombëtare, duhet të ketë uniteti në Westminister dhe jo ndarje", ka thënë May.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata e Apelit kthen në paraburgim Naser Kelmendin

Posted: 19 Apr 2017 06:22 AM PDT

Gjykata e Apelit ka vënë masën e paraburgimit prej dy muajsh për Naser Kelmendin, duke anuluar një vendim të një Gjykate Themelore në Prishtinë, që i dha Kelmendit, në prill të këtij viti, masën e arrestit shtëpiak. Naser Kelmendi u akuzua për tregti me drogë, krim të organizuar dhe vrasjen e një personi - Ramiz Delaliq - shtetas i Bosnjë Hercegovinës. Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit "i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë të EULEX-it dhe një vendor aprovoi ankesën e prokurorisë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë… duke e anuluar atë ndërsa ndaj të pandehurit është urdhëruar masa e paraburgimit prej dy muajsh, deri më 03.06.2017", thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, dërguar Radios Evropa e Lirë. Në deklaratë thuhet se 'Gjykata e Apelit ka gjetur se ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës për caktimin e kësaj mase". Kelmendi i lindur në Pejë, aktualisht shtetas i Bosnjë Hercegovinës, është arrestuar më 6 maj, 2013, nga Policia e Kosovës, në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet boshnjake dhe që nga ajo kohë është në paraburgim në Kosovë. Më 1 qershor, 2012, nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Naser Kelmendi është identifikuar nën Aktin për Bosët e Narkotikëve të Jashtëm si një trafikant i lëndëve narkotike.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Ish-ylli i futbollit amerikan ka bërë vetëvrasje në burg

Posted: 19 Apr 2017 05:44 AM PDT

Ish-ylli i futbollit amerikan, Aaron Hernandez, i cili ishte në vuajtje të dënimit të përjetsëm me burg për vrasje, ka vdekur pasi e ka varur veten në qelinë e burgut në Masaçutes, kanë thënë zyrtarët. Një zëdhënës i burgjeve tha se rojtarët sot herët në mëngjes e kishin gjetur Hernandezin në qelinë e tij dhe se ai ishte shpallur i vdekur në spital. Zëdhënësi, Christopher Fallon, tha se Hernandez e kishte varur veten duke e shfrytëzuar mbulesën e shtratit të cilën e kishte përforcuar në dritaren e qelisë. Aaron Hernandez, 27 vjeçar, ishte yll në rritje në Ligën Kombëtare të Futbollit (NFL), kur ishte arrestuar në vitin 2013, pas vrasjes së motrës të së fejuarës së tij. Ai ishte dënuar për vrasje me burgim të përjetshëm në vitin 2015.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BDI thotë se zgjidhja e krizës është në duart e LSDM-së dhe VMRO-së

Posted: 19 Apr 2017 05:41 AM PDT

Shumica parlamentare në Maqedoni e përbërë nga social-demokratët e Zoran Zaevit dhe dy partitë shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, përkundër deklarimeve thuajse të përditshme për emërimin e kryetarit të Kuvendit, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret. Nga ana tjetër, VMRO-ja e Nikolla Gruevskit mbetet në qëndrimin se me të gjitha forcat e mundshme do të kundërshtojë zgjedhjen e kryeparlamentarit për shkak të, siç thotë, platformës shqiptare me të cilën pretendon se rrënohet karakteri unitar i shtetit. Në fakt, edhe debati i dy ditëve të fundit parlamentar po zhvillohet në këtë frymë me akuza nga më të ndryshmet ashtu siç u përcoll edhe javën e kaluar, para festës së Pashkëve. "Kjo platformë, që tani po na imponohet, do të thotë ndryshim i plotë i marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe rrënimin e karakterit unitar të shtetit", ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski, i cili thuajse në çdo seancë përsërit të njëjtin qëndrim. Pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga deputetët e Lidhjes Social-Demokrate. "Nuk ka asnjë platformë, kjo që ju pretendoni nuk ka asnjë të përbashkët me realitetin. Në fakt, ishte lideri i juaj Gruevski që diskutoi pikërisht mbi bazën e kësaj platforme, por nuk arriti të formojë Qeverinë. Platforma e vetme e shumicës së re është programi mbi punën e Qeverisë", është kundërpërgjigjur deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov. Partitë shqiptare kryesisht janë të përmbajtura dhe rrallë paraqiten me fjalime. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha të martën se problemi duhet të zgjidhet mes dy partive maqedonase meqë sipas tij, BDI-ja ka kryer pjesën e saj të përgjegjësisë. "Përgjegjësia kryesore tani bie mbi dy partitë politike më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO, që ato të kapërcejnë veten dhe para tyre të vendosin interesat shtetërore. Bashkimi Demokratik për Integrim i ka bërë të gjitha veprimet e duhura që janë kërkuar dhe nuk çfarë të bëjë më tepër. Pra, vlerësoj se kjo më tepër varet nga mirëkuptimi që duhet të gjejnë dy partitë politike maqedonase. Zgjedhjet e parakohshme nuk i shohim si zgjidhje së gjendjes në të cilën ndodhemi", ka deklaruar Ahmeti. Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se përgjegjësia është e të gjitha partive të shumicës së re, të cilat duhet të marrin masa për kapërcimin e shpejtë të krizës. "Ata e kanë obligim kushtetues të formojnë institucionet e këtij shteti. Ata duhet të përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit. Po ashtu me procedura parlamentare në bazë të rregullores dhe Kushtetutës, duhet të propozohet dhe të votohet Qeveria e re. Vlerësoj se shumica parlamentare i ka të gjithë mekanizmat juridikë që të formojë Qeverinë, por mungon vullneti, pra duhet të ketë një guxim më të madh për kapërcimin e krizës", thotë profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti. Konstituimi i institucioneve po kërkohet në vazhdimësi edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ish shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt, të martën, apeloi për respektimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e organeve të reja shtetërore. Paraprakisht këtë e kanë kërkuar edhe përfaqësues të tjerë të BE-së dhe SHBA-së. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mjekët specialistë lihen pa kontrata, rrezikojnë të ikin jashtë Kosovës 

Posted: 19 Apr 2017 05:36 AM PDT

Ndonëse në sistemin publik shëndetësor në Kosovë në shumë lëmi ka mungesë të profesionistëve, megjithatë, llogaritet se janë rreth 260 mjekë specialistë, të profileve të ndryshme, të cilët punojnë ende me kontrata të përkohshme. Qeveria e Kosovës i ka ndarë një buxhet Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 220 mjekëve me kontrata të rregullta, por, ai nuk ka mjaftuar, ngaqë llogaritet se mbesin edhe 40 mjekë specialistë të profileve të ndryshme, pa punë dhe jashtë sistemit shëndetësor publik. Për këtë çështje kanë reaguar mjekët specialistë duke thënë se duhet t'u bëhet një zgjidhje e qëndrueshme. Vlora Podvorica, mjeke specialiste është duke punuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me kontratë të përkohshme. Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë u kishte premtuar se nuk do t'i lërë pa punë, por tash, sipas saj, thuhet se shumë nga ta do të mbesin pa kontrata të përhershme. "Përderisa Ministria e Shëndetësisë nuk ka ditur të llogarisë sa specialist ju duhen, ne na mbetet të dalim jashtë Kosovës për të gjetur punë. Edhe pse shteti ka investuar në mjekë, ata nuk i kanë planifikuar mirë. Ne na mbetet të kërkojmë ndonjë shtet që na përkrahë si mjekë specialistë dhe na krijon kushte. Në anën tjetër, tashmë është shpallur konkursi për specializantë, e specialistët nuk po mund ende t'i sistemojnë", ka thënë Podvorica. Ndërkaq këshilltari i ministrit të shëndetësisë, Valbon Krasniqi, ka thënë se konkursi për punësimin e mjekëve specialist është shpallur në bazë të pozitave të lejuara në buxhet, për vitin 2017. "Ministria e Shëndetësisë, në bazë të kërkesave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka shpallur konkurs muajin e kaluar për profilet e caktuara të specialistëve. Këto kërkesa kanë ardhur nga vetë drejtorët e klinikave. Ministria e Shëndetësisë ka shpallur konkursin duke ju përmbajtur në mënyrë strikte kërkesave të QKUK -së dhe nevojave që ata i kanë", ka sqaruar Krasniqi. "Ka pasur kërkesa për shembull, për profile të caktuara, për numër shumë më të madh sesa është numri i specialistëve që janë duke pritur për punë, por ka pasur specialistë duke pritur për punë, e nuk ka pasur kërkesë fare. Këtu mund ta përmend biokiminë", ka thënë Krasniqi. Sipas Valbon Krasniqit, aktualisht është duke u shqyrtuar mundësia e shpalljes të një konkursi, në mënyrë që të përfshihen të gjithë specialistët e punësuar përkohësisht në kontrata të rregullta. "Pas përfundimit, këto ditë do të bëhet një analizë sesa specialistë do të mbesin pa mundësi të aplikimit në profile të tyre, aty ku nuk ka pasur kërkesa nga QKUK-ja, dhe në bazë të analizës sesa pozita do të jenë të lira, do të rishpallet edhe një konkurs". "Por ajo që mund të them është se kontratat me afat të caktuar përfundojnë dhe Ministria e Shëndetësisë, në bazë të Ligjit për buxhetin ka bërë përgatitjet dhe ka shpallur konkurs", thotë ai. Edhe një tjetër specialist Amir Veseli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, në protestën e mbajtur ditë më parë para Qeverisë së Kosovës, se arsyeja pse ai po proteston është sistematizimi i specialistëve të rinj, e që kanë qenë deri tash të angazhuar me kontratë mbi vepër. "Një grup i specialistëve që janë të punësuar me kontrata të përkohshme, do të mbesin pa kontrata të përhershme dhe jashtë sistemit shëndetësorë. Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që mjekët specialistë të mos mbesin pa punë. Mendojmë se duhet të rishikohet konkursi dhe ndryshohet, nëse nuk janë përfshirë gjithë mjekët specialistë", ka thënë Veseli. Sidoqoftë, edhe vetë sindikalistët e shëndetësisë kanë thënë se specialistët e rinj, të profileve të ndryshme, i duhen sistemit shëndetësorë, pasi siç thonë ata, tashmë mosha mesatare e mjekëve aktualë ka arritur nga 52 deri në 55 vjeç. Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se edhe përkundër nevojës për mjekë të rinj, planifikimi nuk ka përfshirë të gjithë mjekët specialist. "Përkundër nevojave të klinikës së ortopedisë, është bërë kërkesa vetëm për 6 mjekë specialistë, por Ministria e Shëndetësisë nuk i ka planifikuar vendet, pavarësisht se ka kërkesa, sipas menaxherit". "Mendoj se duhet të sistemohen mjekët specialistë. Edhe ashtu mosha mesatare ka kaluar mbi 50 vjet, dhe specialistët e rinj, të gatshëm për punë, po na ikin jashtë vendit. Mendoj se Qeveria duhet ndërmarr hapa urgjent që mjekët e rinj të mos ikin jashtë vendit", ka thënë Selmani. Ndryshe, kuadrot mjekësorë të papunë do të ikin jashtë Kosovës, e që një gjë e tillë ka qenë debat i gjerë, ku për tre vjetët e fundit kanë ikur mbi 400 mjekë në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova, për t'i përmbushur standardet evropiane, thonë eskpertë të fushës, duhet që t'i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë, aq sa edhe nevojiten për kokë banori. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mustafa kritikon dialogun e Brukselit, kërkon ndryshime

Posted: 19 Apr 2017 05:10 AM PDT

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, ka nevojë për ndryshime, si në dinamikën e bisedimeve ashtu edhe në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë debatit të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në katërvjetorin e arritjes së Marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mustafa tha se i gjithë procesi po zvarritet, duke iu përshtatur agjendës integruese të Serbisë në Bashkimin Evropian. Andaj, ai tha se dialogu duhet të dinamizohet dhe krahas çështjeve që dakordohen të ketë edhe marrëveshje për zbatim të marrëveshjeve. "Nuk do të ishte e arsyeshme që ne të vazhdojmë me tempon e deritashme të dialogut. Do të thotë se është e domosdoshme që ta ngjeshim agjendën e dialogut në mënyrë që të merremi vesh se cilat janë temat, përkatësisht çështjet të cilat ne duhet t'i zgjidhim përmes dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe duhet të sqarojmë procedurat e zbatimit të marrëveshjeve", ka thënë Mustafa. Sqarimi i procedurave zbatuese të marrëveshjeve, sipas Mustafës, është i domosdoshëm për faktin se ka marrëveshje të cilat janë arritur katër vjet më parë, por ende diskutohet se si të zbatohen në praktikë. Nga procesi i bisedimeve, si marrëveshjet kryesore janë veçuar ajo për shuarjen e strukturave paralele serbe dhe integrimin e tyre në sistemin legal-kushtetues të Kosovës, pastaj pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet lokale dhe sidomos marrëveshja për themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo e fundit, mbetet ende në proces e sipër. Kryeministri Mustafa tha se Asociacioni mund dhe do të themelohet vetëm duke respektuar tërësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës. "Nuk kam parë kohëve të fundit ndonjë disponim të serbëve për të vazhduar për themelimin e Asociacionit, sepse i kam ftuar disa herë e ndoshta arsyeja është që atyre nuk u pëlqen të bëhet më bazë të vendimit të Gjykatës, por kjo do të bëhet vetëm sipas kësaj të fundit", ka thënë Mustafa. Mungesa e disponimit te serbët për t'i nisur procedurat e themelimit, ka vijuar Mustafa, mund të ndërlidhet pikërisht me faktin se ky organ, duhet të jetë në harmoni të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndërkohë, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se Asociacioni i komunave serbe duhet të themelohet sa më shpejt.  "Në kornizën e dialogut thuhet që Bashkimi Evropian pret që marrëdhëniet midis palëve të normalizohen tutje dhe që Asociacioni të themelohet sa më shpejt që të jetë e mundur", ka thënë Apostolova. Ajo nënvizoi se dialogu në Bruksel është në interes edhe të Kosovës, pasi që problemet me Serbinë duhet të zgjidhen përmes këtij procesi. Në anën tjetër, kryeredaktori i gazetës "Koha Ditore", Agron Bajrami tha se duke pas parasysh problemet dhe relacionet mjaft komplekse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian duhet të marrë rolin e ndërmjetësuesit dhe interpretuesit të marrëveshjeve dhe jo të lehtësuesit, siç qëndron aktualisht. Kurse sa i përket palës kosovare në bisedime, Bajrami tha se Qeveria duhet të angazhohet për konsensus të brendshëm rreth dialogut. "Qeveria e Kosovës duhet që aktivisht të nxisë një debat të brendshëm dhe të kërkojë një konsensus shoqëror dhe politik në lidhje me Asociacionin, sikurse edhe në lidhje me çështjen e përgjithshme të dialogut me Serbinë", tha Bajrami. Po ashtu, edhe Beogradi, ka vijuar Bajrami, duhet ta kuptojë që Asociacioni i komunave serbe nuk është autonomi për serbët e Kosovës, ngase nëse shihet si e tillë, kjo marrëveshje nuk do të zbatohet asnjëherë. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është iniciuar nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i procesit. Sipas Brukselit, ky dialog ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kusht për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Nga bomba masive janë vrarë shumë militantë të jashtëm

Posted: 19 Apr 2017 04:56 AM PDT

Nga bomba masive e Shteteve të Bashkuara, e hedhur kundër një kompleksi të shpellave të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në Afganistan, janë vrarë luftëtarët militantë nga Pakistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Rusia, India dhe vendet e tjera, ka thënë Ministria e mbrojtjes e Afganistanit. "Shumica e militantëve të vrarë në sulm ishin nga Pakistani, India, Filipinet dhe Bangladeshi", tha mbrëmë, Mohammad Ramanish, zëdhënës i Ministrisë së mbrojtjes së Afganistanit. Bomba e tipit, GBU-43, së cilës i thuhet edhe "nëna e të gjitha bombave", e hedhur më 13 prill, i ka vrarë 96 militantë të Shtetit Islamik, përfshirë edhe katër liderë të lartë të IS-it, kanë thënë Pentagoni dhe zyrtarë afganë. Sipas tyre, është shkatërruar, po ashtu, një sistem i shpellave i gjatë 300 metra, së bashku me sasi të mëdha të armatimit të lehtë e të rëndë dhe municion.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Parlamenti britanik voton lidhur me planin për zgjedhje të parakohshme

Posted: 19 Apr 2017 03:49 AM PDT

Parlamenti britanik sot do të votoj lidhur me planin e kryeministres, Theresa May, për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme më 8 qershor. Konsiderohet se kërkesa e zonjës May për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme pritet që të mbështetet nga dy të tretat e nevojshme në parlament. Para votimit, May tha se me këto zgjedhje do të forcohet pozicioni i saj në "pikën më madhore" për bisedimet e Britanisë me Bashkimin Evropian për dalje nga ky bllok. Partia Laburiste opozitare dhe ajo Liberal Demokrate, i kanë mirëpritur zgjedhjet e parakohshme, derisa Partia Kombëtare Skoceze, u ka sinjalizuar deputetëve të vet që të abstenojnë në votim. Votimet e rregullta në Britani janë të parapara për vitin 2020.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vëzhguesit dyshojnë për manipulim votash në referendum në Turqi

Posted: 19 Apr 2017 03:01 AM PDT

Anëtarja e misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës në Turqi, Alev Korun nga Austria, tha të martën se më se 2.5 milionë vota mund të kenë qenë të manipuluara në referndumin e kontestuar, me të cilin janë zgjeruar kompetencat e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe i cili i mundëson atij që në presidencë të mbetet deri në vitin 2029. Monitoruesja, Alev Korun, njëherësh anëtare e Parlamentit të Austrisë, tha se manipulimi i mundshëm i votave pothuajse e kishte dyfishuar diferencën në favor të fitores së Erdoganit, në referendumin e mbajtur më 16 prill. "Kjo ka të bëjë me faktin se aktualisht ligji lejon vetëm zarfe zyrtare votuese", tha Korun dhe ka shtuar se "autoriteti më i lartë zgjedhor megjithatë ka vendosur, ashtu siç ishte, kundër ligjit – se zarfet pa vulë zyrtare duhet pranuar". "Ekziston dyshimi se deri në 2.5 milionë vota kanë mundur të jenë të manipuluara", i tha ajo radios ORF. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila ndaras ka pasur mision observues, tha se Ankaraja nuk ka bashkëunuar në hetimin lidhur me mashtrimin votues. Opozita kërkon anulim, por kryeministri kërkon respektim të rezultatit Partia kryesore opozitare në Turqi formalisht ka kërkuar anulimin e rezultatit të referendumit, por kryeministri, Binali Yildirim, tha se forcat politike duhet ta respektojnë rezultatin zyrtar të referendumit. Zëvendëslideri i Partisë Popullore Republikane (CHP), Bulent Tezcan, ka shpallur se dje e ka plotësuar kërkesën në Bordin e Lartë Elektoral, duke arsyetuar se rezultatet e referendumit për ndryshime kushtetuese janë "jolegjitime" për shkak të parregullsive në votim. Ky kundërshtim nga kjo parti sekulare u bë për shkak të shqetësimeve në rritje të partive opozitare dhe monitoruesve ndërkombëtarë për parregullsi madhore në referendum. Kritikët e presidentit Erdogan thonë se reformat do t'i japin autoritet të gjerë 'njeriut me prirje në rritje autokratike, derisa do të mbeten pak kontrolle dhe balance në Turqi'. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se "secili duhet ta respektoj rezultatin, e veçanërisht opozita kryesore", pasi "vullneti i popullit është reflektuar në kutitë e votimeve dhe debati ka përfunduar". Por, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Turqia që të inicojë "hetime transparente" për dyshimet për parregullsi në votime dhe të bëjë përpjekje për ta bashkuar kombin e ndarë. "U bëjmë thirrje autoriteteve të Turqisë ta shqyrtojnë hapin e ardhshëm në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të synojnë konsenzus sa më të gjërë të mundshëm kombëtar pas referendumit", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas. Erdogan i ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se Turqia nuk "i shikon, i dëgjon ose i njeh, raportet e motivuara politikisht" të monitoruesve ndërkombëtarë. Mijëra njerëz kanë protestuar parmbrëmë në Stamboll dhe në disa qytete të tjera të Turqisë kundër rezultateve të referendumit. Ata kanë shprehur zemërim për ndryshimet e minutave të fundit në procedurat e referendumit, pasi Bordi i Lartë Elektoral vendosi t'i lejoj si të vlefshme, më tepër se një milion fletëvotime pa vulë zuyrtare. Putin dhe Trump e uruan Erdoganin Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për fitore në referendum, ka njoftuar Kremlini. Presidenca e Rusisë tha se Putin i ka telefonuar Erdoganit dhe e ka uruar për "udhëheqjen e suksesshme" të referendumit. Presidenti amerikan, Donald Trump, po ashtu, e ka thirrë presidentin Erdogan për "ta uruar atë për fitoren aktuale në referendum" dhe për të diskutuar për situatën në Sirinë fqinje. Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka theksuar shqetësimet e observatorëve dhe ka kërkuar që Turqia t'i respektoj pikëpamjet e ndryshme dhe "të mbajë një dialog politik kumptimplotë" me opozitën. "Ne kërkojmë nga Qeveria e Turqisë që t'i mbrojë të drejtat fundamentale dhe liritë e të gjithë shtetasve të vet, pavarësisht" se si kanë votuar ata, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shtuar se "Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe vazhdojnë ta mbështesin zhvillimin demokratik të Turqisë, ku esencial mbetet përkushtimi për sundim të ligjit dhe media të lira dhe të ndryshme". Përgatiti: Fatmir Bujupi    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rakiq urdhëron ndalimin e punimeve në urën e Ibrit

Posted: 19 Apr 2017 02:45 AM PDT

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ka urdhëruar 'ndalimin e punimeve në urën kryesore mbi Ibër duke kërkuar nga organet ndërkombëtare dhe ato lokale të sigurisë që të garantojnë sigurinë e qytetarëve. Rakiq i tha Radios Evropa e Lirë se arsyeja e ndalimit të punimeve "ishin një numër incidentesh në Mitrovicën veriore". Ai tha se ka kërkuar nga përfaqësuesi i BE-së respektimin e marrëveshjes së Brukselit dhe garantimin e sigurisë për qytetarët. Kryetari i Mitrovicës së veriut i bëri thirrje forcave paqeruajtëse KFOR që të shtojnë praninë në pjesën veriore të qytetit dhe nga policia që të përforcojë kontrollet në qytet posaçërisht në pjesët e qytetit me popullatë të përzier. Rakiq tha se sulmet e fundit që kanë ndodhur duhet të dënohen dhe kryesit e tyre duhet të kapen dhe të sillen përpara drejtësisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdojnë protestat kundër Vuçiqit

Posted: 19 Apr 2017 01:43 AM PDT

Më 18 prill kanë rinisur protestat në Serbi, kundër zgjedhjes së Aleksandar Vuçiqit presindet, pas një pushimi gjatë festës së Pashkëve.Protestat në qytetet në Serbi, nisën pas zgjedhjeve presidenciale më 2 prill, për të kundërshtuar rezultatin zgjedhor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pence: Premtim për përgjigje “gjithpërfshirëse” ndaj Koresë Veriore

Posted: 19 Apr 2017 01:13 AM PDT

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i ka tërhequr vërejtjen Koresë Veriore për të mos e testuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara, duke premtuar se Uashingtoni do ta bëjë një përgjigje "gjithpërfshirëse dhe efektive" ndaj çfarëdo sulmi. Mëtutje, duke folur sot në aeroplanbartësin amerikan, USS Ronald Reagan, në Japoni, zoti Pence tha se Koreja Veriore është "kërcënimi më i rrezikshëm dhe më urgjent për paqen dhe sigurinë në rajonin Azi-Paqësor". Ai tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do të vazhdoj të "punoj në mënyrë të zellshme" me vendet e tjera, për të ndërmarrë presion ekonomik dhe diplomatik kundër Phenianit, por theksoi se Shtetet e Bashkuara "gjithnjë do të synojnë paqe". Pence është shprehur se "mburoja qëndron në mbrojtje, ndërsa shpata qëndron e gatshme". Këto komente u bënë një ditë pasi dështoi një lansim raketor i Koresë Veriore. Gjatë viteve të fundit, Pheniani i ka përshpejtuar testet e veta atomike dhe raketore, përkundër dënimit ndërkombëtar dhe sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin e uron Erdoganin për fitore në referendum

Posted: 19 Apr 2017 12:43 AM PDT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për fitore në referendum, me të cilin do të zgjerohen kompetencat e tij, ka njoftuar Kremlini dhe kanë raportuar mbrëmë mediat shtetërore turke. Presidenca e Rusisë tha se Putin i ka telefonuar Erdoganit dhe e ka uruar për "udhëheqjen e suksesshme" të referendumit. Presidenti amerikan, Donald Trump, po ashtu, e ka uruar Erdoganin për fitoren e tij në referendum, rezultati i të cilit është kundërshtuar nga opozita në Turqi dhe është pritur në mënyrë të ftohtë në Evropë. Mediat turke raportuan se Putin dhe Erdogan kanë theksuar rëndësinë e normalizimit të lidhjeve dhe mbajtjen e armëpshimit në Siri, që ishte ndërmjetësuar së bashku nga Ankaraja dhe Moska, në fillim të këtij viti. Të dy palët kanë bërë thirrje për hetime të pavarura lidhur me sulmin e dyshuar kimik në Siri, më herët këtë muaj, nga i cili janë vrarë 89 vetë, ka njoftuar Kremlini. Ankaraja ka thënë se gazi vdekjeprurës sarin ishte përdorë nga regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, por ky qëndrim është kundërshtuar nga Rusia.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zgjedhjet e parakohshme thellojnë bllokadën në vendimmarrje

Posted: 19 Apr 2017 12:24 AM PDT

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsioni më i mirë për Kosovën në këtë moment të zhvillimeve politike, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve të brendshme. Sipas tyre, janë disa faktorë që do të mund të ndikonin negativisht në këtë proces. Fundi i pranverës apo fillimi i verës, janë përmendur si koha kur vendi do të mund të shkonte në zgjedhje për shkak të bllokadës politike në vendimmarrje, sidomos në Kuvendin e Kosovës. Analisti nga Demokracia Plus, Driton Selmanaj tha për Radion Evropa e Lirë se mekanizmat përkatës dhe institucionet duhet të përgatiten për zgjedhjet lokale, kurse për zgjedhjet parlamentare duhet pritur deri në vitin 2018. Ai tha se vetëm Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i konvenon aktualisht që të ketë zgjedhje ngase, sipas tij, PDK ka zgjedhur tashmë kryetarin e ri, i cili dëshiron të marrë në duar 'timonin e Qeverisë së vendit'. Kurse partitë e tjera, përfshirë edhe ato opozitare, sipas tij, nuk janë të gatshme për zgjedhje. "Përkundër që partitë politike opozitare, në diskursin e tyre nuk e kanë hequr kërkesën për zgjedhje të parakohshme, mendoj se ato në fakt nuk i dëshirojnë zgjedhjet parakohshme", tha Selmanaj. Nëse vendi shkon në zgjedhje në këtë fazë, sipas Selamanajt, rrezikohet që të përballet me një situatë bllokade dhe mosfunksionimi të institucioneve. "Nëse ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme në muajin qershor dhe na përsëritet praktika e vitit 2014, kur për gjashtë muaj nuk kishim institucione, ne mund të futemi në zgjedhje lokale në tetor ose në nëntor pa pasur institucione qendrore. Në çfarë situate mund të vijmë: - institucione qendrore jo të konsoliduara, pa Qeveri, pa Kuvend dhe pa kryetarë të komunave. Pra, rrethanat politike sot nuk u japin relevancë zgjedhjeve të parakohshme", tha Semanaj. Edhe analisti, Ismali Hasani, konsideron se asnjëra nga partitë politike, në një afat të shpejtë kohor, nuk janë të gatshme që të futen në proces zgjedhor. Deklarimet e politikanëve se janë të gatshëm për zgjedhje, sipas Hasanit, bëhen vetëm për marketing politik. "[Partitë politike dhe politikanët] për t'i dhënë një dinamikë jetës politike, paraqiten me data të cilat mendoj se janë totalisht të parealizuara, për faktin se Kosova ka para vetes detyra shumë të precizuara. Miratimin e Demarkacionit, ka Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është detyrë shumë e qartë dhe normalisht që para vetes ka Gjykatën Speciale, e cila është gati në fazën e fillimit të funksionalizimit. Në këtë kontekst mendoj se para vitit 2018, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhe nacionale", tha Hasani. Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hyrë në një proces zgjedhor të ri, të parakohshëm, përfshirë edhe subjektet në koalicionin qeverisës, megjithëse këto të fundit kanë kërkuar që vendi "t'i përfundojë proceset e nisura". Driton Selmanaj, thotë se edhe në rast se do të ketë zgjedhje, vështirë që Qeveria e re do t'i kishte dy të tretat e votave, po që se koalicioni i ri eventual nuk do të përbëhej nga dy partitë më të mëdha politike. "Në secilën situatë, ne gjithmonë kur të kemi punë me Demarkacionin, do të kemi nevojë për një shumicë të kualifikuar, pra për dy të tretat. Me numër kaq të madhe të votave, asnjë Qeveri nesër nuk mund të vi, sepse thuajse është e pakuptimt që të gjitha partitë të bëhen pjesë e një Qeverie. Përndryshe, askush nuk mund të ketë vota më shumë sesa që i ka sot kjo Qeveri. Edhe për këtë agrument nuk mund të shkohet në zgjedhje", tha Semanaj. Mundësia e zgjedhjeve të reja në Kosovë është përmendur pas Konventës së tetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kur u shpreh gatishmëria për t'u futur në garën zgjedhore. Përmes deklarimeve për mospërmbushje të obligimeve karshi, siç thonë, qytetarëve të vendit, partitë në koalicionin qeverisës kanë shtuar kritikat ndaj njëra tjetrës 'për ngecje të proceseve të nisura, e në veçanti në rastin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës'. Së fundmi, edhe kryeministri Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, me çka do të mundësohej liberalizimi i vizave, atëherë ai Kuvend do të duhej ta rishqyrtonte vetëveten, ku si opsion do të vinin në shprehje edhe zgjedhjet. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

GJND: Shpallet vendimi për rastin e Ukrainës kundër Rusisë

Posted: 19 Apr 2017 12:21 AM PDT

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë sot do ta shpallë vendimin për kërkesën e Ukrainës që ta bllokoj Rusinë nga dërgimi i parave, i armatimit dhe i trupave, në pjesën lindore të Ukrainës. Moska e ka okupuar Gadishullin e Krimesë së Ukrainës në mars të vitit 2014, dhe i ka mbështetur separatistët në pjesën lindore të Ukrainës, në luftën kundër forcave qeveritare, nga e cila deri tash janë vrarë më se 9,750 vetë. Qeveria e Ukrainës ka kërkuar që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta urdhëroj Rusinë që ta ndalë atë që ajo thotë se është "diskriminim racor" kundër grupeve minoritare në Krime, e veçanërisht kundër popullatës tartare. Kievi, po ashtu, e ka akuzuar Rusinë për shkelje të konventave të Kombeve të Bashkara kundër terrorizmit dhe diskriminimit, duke i mbështetur grupet në pjesën lindore të Ukrainës dhe në Krime. Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Një asteroid i madh pritet të kalojë afër Tokës

Posted: 18 Apr 2017 11:29 PM PDT

Një asteroid i madh sot pritet të kalojë afër Tokës, në një distancë prej 1.8 milionë kilometrave, por pa gjasë për ndikim, kanë thënë shkencëtarët e agjencisë amerikane të gjithësisë, NASA. Ky asteroid, megjthqë dy herë më reflektues së Hëna, nuk do të jetë i dukshëm në sytë e njerëzve. Vetëm ata që janë të pajisur me teleskop shtëpiak mund ta shohin atë për një ose dy netë. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se asteroidi me emrin 2014-J025, do të jetë më së afërti Tokës për së paku 500 vitet e ardhshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more