Skip to main content

“Ilir Meta bën betimin e presidentit të Shqipërisë” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Ilir Meta bën betimin e presidentit të Shqipërisë” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Ilir Meta bën betimin e presidentit të Shqipërisë

Posted: 24 Jul 2017 09:31 AM PDT

Në Shqipëri, kryetari i ri i shtetit, Ilir Meta, bëri të hënën betimin në parlament. Meta, me fjalimin e tij, u zotua se do të angazhohet në respektimin e Kushtetutës, reformat, marrëdhëniet me opozitën dhe rolin e Shqipërisë në rajon. Meta u zgjodh në postin e presidentit më 28 prill, duke marrë 87 vota për dhe dy kundër. Në këtë seancë ka munguar opozita, e cila atëbotë bojkotonte Parlamentin, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Meta ka qenë dy herë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ndërsa në vitin 1999 është bërë kryeministër në moshën 30-vjeçare.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia, BE-ja "të shqetësuara" me propozim-sanksionet e reja të SHBA-së

Posted: 24 Jul 2017 08:32 AM PDT

Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim për sanksionet e reja që kanë propozuar Shtetet e Bashkuara kundër Moskës. Sanksionet mund të prekin projektet e përbashkëta të energjisë. Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se Rusia është duke punuar me partnerët evropianë në zbatimin e "një numri projektesh në shkallë të gjerë". "Ne dhe partnerët tanë evropianë i japim rëndësi të madhe përfundimit të këtyre projekteve dhe do të punojmë së bashku në këtë drejtim", tha Peskov duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ndikimin e mundshëm të sanksioneve në projektet si Rrjedha Nordike 2. Rrjedha Nordike 2 është një tubacion që do të bartë gazin rus përmes Detit Baltik në Evropë. "Kjo është arsyeja përse sanksionet, që mund t'i pengojnë këto projekte, paraqesin shqetësim për ne", tha Peskov. Në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, tha se BE "i ka aktivizuar të gjitha kanalet diplomatike për t'i adresuar këto shqetësime me homologët amerikanë". Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi Rusinë qysh në vitin 2014, për shkak të përfshirjes së saj në luftën në lindje të Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë. Të dielën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se ky institucion do të vazhdojë të punojë me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-së për t'i vënë sanksione më të ashpra Rusisë, "derisa situata në Ukrainë të zgjidhet plotësisht".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nënpresidenti amerikan viziton Malin e Zi më 2 gusht

Posted: 24 Jul 2017 08:00 AM PDT

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, do të vizitojë Malin e Zi më 2 gusht. Autoritetet në Podgoricë kanë nisur përgatitjet intensive, ndërsa kanë paralajmëruar se masat e sigurisë do të jenë në nivelin më të lartë. Pence do të jetë zyrtari më i lartë i administratës Trump që viziton rajonin. Ai do të marrë pjesë një një takim të liderëve të Kartës së Adriatikut në Podgoricë, nikoqir i të cilit do të jetë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Karta e Adriatikut është formuar në vitin 2003 nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe SHBA-ja me qëllimin specifik për t'i mbështetur vendet anëtare në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ndërtimi i xhamisë në Prishtinë mes polemikave të shumta

Posted: 24 Jul 2017 07:10 AM PDT

Projekti për ndërtimin e xhamisë në lagjen "Dardania", në Prishtinë është zvarritur ndër vite. Ndërkaq, kohët e fundit janë shtuar polemikat në debatet publike, çka ka ndikuar edhe në shtimin e kundërthënieve. Rreth këtij projekti pritet të diskutohet brenda kësaj jave në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se për ndërtimin e kësaj xhamie kërkohet që të ketë konsensus politik dhe shoqëror. "Janë bërë shumë diskutime kohëve të fundit lidhur me këtë temë. Çështja është qysh nga viti 2012, para se 'Vetëvendosje', të jetë në pushtet në Prishtinë, kur ishte vendosur lokacioni se ku duhet të ndërtohet xhamia. Mirëpo, diskutimi më i madh tash është rreth projektit, nëse është në përputhje me planin rregullues apo jo dhe si do të shkohet tutje. Nuk është çështja se a do të ndërtohet apo jo xhamia, por çfarë projekti do të jetë ajo xhami", tha Tahiri. Për të diskutuar projektin e xhamisë në Prishtinë, Tahiri tha se kanë ftuar Bashkësinë Islame të Kosovës, që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal, që pritet të mbahet gjatë kësaj jave, të prezantojë projektin para asamblistëve komunalë, që janë përfaqësues të qytetarëve të Prishtinës. "Më pas do të shohim si do të veprojmë dhe në rast se duhet ta shkelim planin rregullues që ta aprovojmë atë projekt dhe të japin leje për atë projekt, një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Kuvendi Komunal, që është institucioni me i lartë politik në nivelin lokal". "Mbetet të shihet se si do të veprohet në Kuvendin Komunal dhe si do të vazhdohet tutje, do të jetë ai projekt apo do të ketë konkurs të ri me projekt të ri. Krejt kjo pritet të kuptohet në javët apo në ditët në vazhdim", thekson Tahiri. Ndërkohë, një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale kanë kundërshtuar ndërtimin e xhamisë me projektin aktual. Sipas tyre, ky projekt është në kundërshtim me planin urbanistik të lagjes "Dardania", ku është menduar ndërtimi i kësaj xhamie. Ata, përmes një peticioni në rrjetet sociale, kanë kërkuar nga qytetarët t'i mbështesin. "Ky peticion është për arkitekturë e jo për fe", thuhet në peticion, i cili është shpërndarë në rrjete sociale. Ky grup i qytetarëve po ashtu i ka kërkuar Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës të mos lejojnë ndërtimin e xhamisë në lagjen 'Dardania', në formën që është aktualisht e propozuar. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, i quajnë të pakuptimta diskutimet që janë duke u bërë rreth ndërtimit të kësaj xhamie. Ahmet Sadriu, zëdhënës në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) i tha Radios Evropa e Lirë se që nga viti 2012 kanë vendimin e Kuvendit Komunal për ndarjen e parcelës dhe lokacionin për ndërtimin e xhamisë. Ai tregon se, sipas këtij vendimi, destinacioni i caktuar do të inkorporohet në planin rregullues urban dhe do të harmonizohet me planin zhvillimor të Komunës së Prishtinës. "Është dokument valid që këta (Komuna e Prishtinës) e ka lëshuar. Pastaj, me kërkesë të tyre ne kemi dërguar atë se çka parashihet në projekt dhe kjo është bërë në shtator të vitit 2012. Komuna në atë kohë ka pranuar një propozim të tillë deri tani kur e kemi dorëzuar projektin në maj të vitit 2016". "Afati i zgjidhjes së këtij propozimi ka qenë deri më 10 qershor të vitit të kaluar, por Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur deri në shtator të vitit 2016, ku pastaj kanë formuar një komision që të merret me këtë çështje", thekson Sadriu. Ai shton se ka pasur zvarritje të paarsyeshme nga ana e Komunës së Prishtinës për këtë projekt. Megjithatë, BIK pret që asamblistët do të mbështesin projektin dhe do të lëshohet leja nga organet kompetente dhe të fillohet ndërtimi i xhamisë. "Është e panevojshme të bëhet problematike kjo çështje. Ne nuk duam të bëjmë skandal, ne kemi presione të mëdha nga besimtarët që janë bërë pesë vite nga ndarja e lokacionit për ndërtimin. Ky projekt është dashur të jetë në përfundim dhe jo të zgjatet e stërzgjatet, apo qysh ka tendenca tani që në prag të zgjedhjeve lokale të politizohet kjo çështje", thotë Sadriu. Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012. Atë kohë, gurëthemelin e patën vendosur përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit. Projekti, i cili ka vlerën e rreth 20 milionë euro me një sipërfaqe prej 51 mijë metra katrorë, do të ketë parking, salla konferencash, zyre, bibliotekë, derisa bizneset që ishin paraparë të ketë ky projekt, janë larguar nga projekti ka bërë të ditur Bashkësia Islame e Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Europol: Janë arrestuar 107 persona për trafikim të njerëzve

Posted: 24 Jul 2017 06:43 AM PDT

Agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian, Europol, ka njoftuar sot se 107 vetë janë arrestuar në kuadër të hetimeve të gjëra për trafikim njerëzor dhe shfrytëzim seksual. Në operacionin e udhëhequr nga policia e Austrisë, me përfshirjen e agjencive të zbatimit të ligjit nga 22 vende të Bashkimit Evropian dhe të palës së tretë, hetuesit i kishin marrë në shënjestër "grupet e krimit të organizuar për trafikimin e individeëve të ndjeshëm për shfrytëzim seksual", theksohet në kumtesën e Europolit, raporton agjencia DPA. Kombësia e viktimave dhe e të dyshuarve sugjeron se numri më i madh i rrjeteve të trafikimit në BE është nga Nigeria, Amerika Jugore dhe Evropa Lindore, thotë Europoli. Ky hetim ishte i një shkalle tejet të gjërë: janë kontrolluar më se 125 mijë njerëz në afro 4 mijë lokacione, përfshirë edhe rajonet e prostitucionit, shtëpitë publike dhe sallonet e masazhit. Europol thekson se "kujdes special" u është kushtuar shpalljeve në Internet ku janë vërejtur viktimat e shfrytëzimit seksual.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Nga sulmi vetëvrasës taliban janë vrarë 26 vetë

Posted: 24 Jul 2017 06:38 AM PDT

Zyrtarët afganë thonë se nga një sulm vetëvrasës taliban me makinë-bombë janë vrarë së paku 26 vetë dhe plagosur 41 të tjerë në kryeqytetin Kabul. Sulmi i sotëm u bë derisa një zëdhënës presidencial në Afganistan tha se grupi militant, po ashtu, i ka vrarë 35 civilë në një sulm në një spitaal në provincën qendrore, Ghor, gjatë fundjavës. Këto sulme vdekjeprurëse po ndodhin pas shtimit të dhunës në Afganistan, derisa Kombet e Bashkuara thonë se këtë vit janë vrarë më se 1,700 vetë në këtë vend. Nëpërmjet një deklarate talibanët thanë se me sulmin e sotëm janë sulmuar dy minibusa të Drejtoratit të sigurisë kombëtare të Afganistanit, që është agjencia e spiunimit e këtij vendi, dhe pretendojnë se i kanë vrarë 37 pjesëtarë të kësaj agjencie. Nga ana tjetër, qeveria thotë se personeli i agjencisë së spiunimit asnjëherë nuk udhëton me minibusa. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociançiq, duke iu referuar sulmit kundër spitalit gjatë funjavës, tha se "sulmi kundër civilëve, e veçanërisht, kundër mjekëve dhe pacientëve në spital, paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vuçiq: Dialogu i brendshëm për Kosovën është vendimtar për Serbinë

Posted: 24 Jul 2017 06:18 AM PDT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se dialogu i brendshëm për Kosovën është vendimtar për ardhmërinë e Serbisë dhe të popullit serb. "Koha është që ne si popull të mos e fusim më kokën në rërë si struci dhe të provojmë të jemi më real, të mos lejojmë të humbim ose dikujt t'ia dorëzojmë atë që e kemi, por edhe të mos presim që në duar do të na vijë edhe ajo të cilën qëmoti e kemi humbur", ka shkruar Vuçiq në një teks autorial të botuar në gazetën Blic, në të cilin shprehet lidhur me çështjn se përse Serbisë i duhet dialogu i brendshëm për Kosovën. Vuçiqi, mëtutje, ka vlerësuar se është koha që Serbia të punoj, mendoj dhe të fitoj pa konflikt, raporton agjencia Beta nga Beogradi. "Zgjidhja nuk qëndron në mitet dhe konfliktet tona, por nga ana tjetër nuk qëndron as në mohimin dhe tërheqjen nga të gjithë interesat tonë kombëtarë dhe shtetërorë", ka shkruar Vuçiq dhe ka vlerësuar se Serbia nuk është për tu nënçmuar, megjithë faktin se shqiptarët, në realizimin e ideve kombëtare, e kanë mbështetjen e vendeve perëndimore. Presidenti Vuçiq ka vlerësuar se për përparim të Serbisë është e domosdoshme bile të zgjidhet çështja e Kosovës. "Që përparimi jonë të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm, duhet patjetër, nëse asgjë tjetër, bile të përpiqemi ta zgjidhim nyjen gordiane, atë të Kosovës, e jo të fshehemi dhe barrën më të rëndë ta bartim te fëmijët tonë", ka shkruar Vuçiq.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kushner: Nuk kam pasur kontakte të parregullta me rusët

Posted: 24 Jul 2017 06:16 AM PDT

Jared Kushner, dhëndër i presidentit amerikan, Donald Trump, thotë se nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë me asnjë qeveri të jashtme dhe nuk ka pasur "kontakte të parregullta" me rusët, gjatë fushatës presidenciale amerikane dhe periudhës tranzitore. Zoti Kushner, këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, këto komente i ka bërë sot në deklaratën me shkrim për komitetet e Kongresit të Shteteve të Bashkuara. "Nuk kam bërë marrëveshje të fshehtë e as që e njof ndokend në fushatë që ka bërë diçka të tillë, me çfarëdo qeverie të jashtme", thotë Kushner në kumtesën e publikuar, para se të paraqitet në takimet e mbyllura me ligjvënësit amerikanë. Komitetet e Kongresit po zhvillojnë hetime për dyshimet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe për çfarëdo marrëveshje të fshehë ndërmjet Rusisë dhe ndihmësve të presidentit, Donald Trump.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ndikimet politike, pengesë për reformimin e gjyqësorit

Posted: 24 Jul 2017 06:05 AM PDT

Gjykata e Apelit në Shkup ka lënë në fuqi vendimet e Gjykatës së shkallës së parë, lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Qeverisë së kaluar për vepra të rënda penale. Kërkesa e Speciales për shqiptimin e masës së paraburgimit për dhjetëra ish-zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, është zëvendësuar me masa më të lehta sigurie, si marrjen e dokumenteve të udhëtimit e masa tjera, por jo edhe paraburgimin e tyre. Masa e paraburgimit u është shqiptuar vetëm tre zyrtarëve të nivelit më të ulët, nga më shumë se 100 sa janë akuzuar. Por, edhe për ta do të vendosë Gjykata Supreme nëse do të ketë nevojë të mbajë në fuqi vendimet për paraburgim. Refuzimi i kërkesave të Speciales, që besohet të jetë për shkak të ndikimeve politike, kanë rikthyer debatet mbi reformat në gjyqësor, të cilat janë një nga prioritetet e Qeverisë së re në planin e koduar si '3-6-9' (plani çdo tre mujor). Janë paraparë masa të shumta për pavarësimin e gjyqësorit, kontrollin e punës së tyre, forcimin e rolit të Këshillit Gjyqësor e masa tjera. Por, dilemat mbeten nëse do të ketë rizgjedhje të të gjithë kuadrit gjyqësor në vend. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rizgjedhje të gjykatësve nuk do të ketë, por se prioritet do t'i jepet forcimit të punës së Këshillit Gjyqësor. "Mendoj se absolutisht është i gabuar interpretimi se Qeveria apo shumica e re parlamentare do të bëjë rizgjedhjen e gjyqtarëve. Kjo është në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Ne, do të angazhohemi për rritjen e rolit të Këshillit Gjyqësor, në definimin e procedurave për zgjedhjen apo disiplinimin e gjykatësve", ka deklaruar Osmani. Kryeministri, Zoran Zaev gjatë gjithë fushatës elektorale, si edhe pas zgjedhjeve, ka thënë se Qeveria e re do të angazhohen për shkarkimin e të gjithë gjykatësve dhe zgjedhjen e një kuadri të ri , të pavarur dhe të aftë të përballet me sfidat në gjyqësor. "Unë paralajmëroj rizgjedhje të përgjithshme të gjyqtarëve në shtet. Mjaft kanë pësuar njerëz të ndershëm deri sa kriminelët dhe dhunuesit e pushtetit shëtisin lirshëm", kishte deklaruar Zaev. Njohësit e çështjeve juridike, thonë se pastrimi i gjykatësve nga elementet joprofesionist dhe të ndikuar nga politika në punën e tyre, është i mundur nëse ka vullnet të sinqertë nga Qeveria e re. "Misioni për krijimin e një gjyqësori të pavarur gjithsesi që nuk është i pamundur, por çështja është se si kjo të realizohet. Vlerësoj se ka nevojë për një rivlerësim të punës, jo vetëm të gjykatësve, por edhe të prokurorëve". "Por, e gjithë kjo duhet të bëhet me vullnet të mirë që të shihen në detaje të gjitha veprimet e gjykatësve, se si kanë vepruar në rrethana të caktuar lidhur me lëndët që kanë proceduar. Këtu duhet të inspektohet edhe pranimi i gjykatësve nëpër institucione, nëse zgjedhja e tyre është bërë në përputhje me ligjet në fuqi", thotë Caca Nikollovska, eksperte juridike dhe ish-gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Reformat në gjyqësor, por edhe në sfera tjera kanë nisur të realizohen nën monitorimin e ekspertëve të Bashkimit Evropian. Për disa ditë, në takime me zyrtarët ka qëndruar një ekspert gjerman, Reinhard Pride, i cili edhe kishte hartuar listën e reformave me prioritet që duhet të realizoj Qeveria në re në rrugën e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shpërthim në Pakistan, 14 të vdekur

Posted: 24 Jul 2017 06:01 AM PDT

Zyrtarët pakistanezë kanë thënë se të paktën 14 persona kanë vdekur në një shpërthim në lindje të qytetit Lahore. Shpërthimi ka ndodhur në një rrugë të frekuentuar në Lahore, kryqytet në provincën e Punjabit. Polica e ka rrethuar zonën derisa shërbimet e ambulancës i kanë bartur të lënduarit në spitalet më të afërta. Jam Sajjad Hussain, zëdhënës i shërbimit të shpëtimit në Punjab, i ka thënë dpa-së se 20 persona janë lënduar gjatë shpërthimit. Ministri i Brendshëm, Chaudhry Nisar Ali Khan, në një konferencë për media ka thënë se shumica e viktimave janë policë dhe kalimtarë. "Ende nuk është konfirmuar nëse incidenti është vepër terroriste apo shpërthim aksidental", ka thënë ai. Lahore ka qenë zonë e shumë sulmeve në dekadën e fundit, ndonëse të njejtat kanë qenë më pak prezente në vitet e fundit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Protestat në Poloni “zbusin” presidentin

Posted: 24 Jul 2017 05:36 AM PDT

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se do të shfrytëzojë të drejtën e vetos mbi Ligjin për Gjykatën Supreme dhe Ligjin për Këshillin Kombëtar të Gjyqësorit, që, sipas kundërshtarëve, çojnë kah sundimi autoritar. Ligjet kanë kaluar në Parlamentin e Polonisë, por kanë shkaktuar protesta masive në këtë vend.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

FMN: Ekonomia botërore po rimëkëmbet

Posted: 24 Jul 2017 05:29 AM PDT

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka thënë se ekonomia globale është duke u rimëkëmbur me "hapa të sigurtë", duke shënuar përmirësim në Evropë dhe Kinë, ndonëse janë zvogëluar pritjet e parashikuara për SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Sipas raportit të publikuar sot, thuhet se rritja ekonomike për vitin 2017 pritet të jetë 3.5 për qind, ndërsa 3.6 për qind në vitin 2018. Shefi i ekonomisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Maurice Obstfeld, i cili i prezantoi të dhënat, ka thënë se "nuk vihet në pyetje fitimi në ekonominë botërore në këtë moment". Sidoqoftë ky Fond, ka paralajmëruar se rritja e ngadalshme e pagave dhe rritja e ndjenjës anti-globale mund të ndikojë në keqësimin e ekonomisë. Ekonomia ruse pritet të "rritet gradualisht" në vitin 2017 dhe 2018. Në Lindje të Mesme, Afrikën Veriore, Afganistan dhe Pakistan, është projektuar rënie, për shkak të uljes së aktiviteteve nga eksportuesit e karburanteve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth 10 mijë persona kërkojnë ndihmë mjekësore nga i nxehti

Posted: 24 Jul 2017 05:13 AM PDT

Kosova po përballet këto ditë me temperatura të larta, të cilat, sipas Instituti Hidrometeorologjik, kanë arritur në 35 gradë. Ngritja e temperaturave, si pasojë ka rritur edhe numrin e personave që kanë nevojë për ndihmën mjekësore. Në Klinikën Emergjente, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore për muajt qershor e korrik, kanë kërkuar rreth 10 mijë persona. Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, i tha Radios Evropa e Lirë se ndërlikimet shëndetësore nga temperaturat e larta janë shfaqur tek personat me sëmundje kronike, ata me sëmundje kardiologjike, gratë shtatzëna e të tjerë. "Nga ky numër i gjithëmbarshëm, vetëm për muajin qershor mbi 4800 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, derisa numër rekord ka shënuar muaji korrik, ku ende pa përfunduar muaji, janë lajmëruar mbi 5 mijë raste". "Të gjitha këto raste që kërkojnë ndihmë janë të ndikuara drejtpërdrejt nga i nxehti, dhe këshilla jonë është që nga ora 11:00 deri në orën 17:00, njerëzit të mos u ekspozohen rrezeve të diellit",tha Lenjani. Shërbimet internistike frekuentohen me numër më të madh dhe rastet më të shpeshta që kërkojnë ndihmë janë ata me probleme kardiake, e me shtypje të lartë të gjakut. Doktor Basri Sejdiu, internist në Qendrën Klinikë Universitare, thotë se vërehet një numër i shtuar i pacientëve me probleme kardiake. "Me ngritjen e temperaturave, sidomos javën e fundit njerëzit me sëmundje kronike janë prekur shumë. Në kardiologjinë invazive me prekje infarkti nuk ka numër të shtuar, por në vizita ambulatore është shtuar fluksi i pacientëve dukshëm", thotë Sejdiu. Derisa Besim Aliu, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se temperaturat ditët e fundit kanë lëvizur nga 34 deri në 35 gradë. Por nga dita e martë, sipas tij, do të ketë kushte tjera hidrometeorologjike. "Nga nesër temperaturat do të ulen deri në 7 gradë celsius dhe do të ketë edhe reshje shiu. Kjo gjendje do të vazhdojë deri në fund të javës. Sipas parashikimeve muaji gusht prap do të jetë më temperatura mbi 30 gradë", thotë Aliu. Sidoqoftë, profesionistët shëndetësorë thonë se edhe ata që ngasin makinat duhet të kenë kujdes, pasi që për shkak të temperaturave të larta mund të shkaktohen çrregullime të përqendrimit, dhe për pasojë mund të ketë shtim të rasteve të aksidenteve në komunikacion.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Adoleshentja gjermane dëshiron kthimin në shtëpi, pendohet për Mosulin

Posted: 24 Jul 2017 05:00 AM PDT

Një adoleshente gjermane, e cila u zbulua se ishte në qytetin Mosul të Irakut, ka thënë se është penduar që është larguar nga shtëpia dhe dëshira e saj e vetme është "të kthehet tek familja e saj", kanë raportuar mediat gjermane. Vendimi i saj për largim nga shtëpia ka ardhur pas konvertimit të saj në fenë islame, një vit më parë. Transmetuesit gjermanë kanë thënë se identiteti i vajzës që e kanë intervistuar në një kompleks ushtarak në Bagdad është Linda W. Zyrtarët irakianë kanë thënë se e kanë arrestuar vajzën, e cila ishte fshehur ne një tunel në Mosul. Sipas zyrtarëve vajza ka punuar me ekstremistët. "Dua të largohem prej këtu", është cituar të ketë thënë ajo sipas mediave gjermane. "Dua të rri larg luftës, armëve dhe zhurmës", është cituar tutje ajo. Sipas mediave gjermane, vajza është është penduar që i është bashkuar Shtetit Islamik, dëshiron të ekstradohet në Gjermani dhe të bashkëpunojë me autoritetet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Talibanët marrin përgjegjësinë për sulmin në Kabul

Posted: 24 Jul 2017 04:51 AM PDT

Talibanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin me makinë-bombë në Kabul të Afganistanit. Zyrtarët qeveritarë thonë se nga ky sulm janë vrarë dhjetëra persona dhe janë plagosur mbi 40 të tjerë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nis programi 24 orësh i lajmeve në Uzbekistan

Posted: 24 Jul 2017 04:30 AM PDT

Uzbekistani ka nisur sot me transmetim 24 orësh të një kanali televiziv të lajmeve, që sipas zyrtarëve është përshkuar si hap që vendin e largon nga izolimi. Ozbekistan-24 ka nisur sot transmetimin, në mesin e shumë përshëndetjeve nga shikuesit, të cilët kanë thënë se " është koha që Uzbeskistani të zgjohet". Stafi i televizionit ka theksuar se ideja e një transmetimi të tillë me raportime në gjuhën uzbeke, ruse dhe angleze është inicuar në maj, nga presidenti, Shavkat Mirziyaev. Kanali i ri planifikon të shtojë gradualisht raportimet edhe në katër gjuhë të tjera. Mirziyaev që prej kur ka marrë postin e presidentit ka marrë disa hapa për hapjen e vendit, drejt botës, pas një periudhe të gjatë autokracie në Uzbekistan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Protesta kundër reformës në gjyqësor në Poloni

Posted: 24 Jul 2017 04:18 AM PDT

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar të dielën në Varshavë për të kundërshtuar reformën në gjyqësi dhe për të nxitur presidentin që të shfrytëzojë të drejtën e vetos mbi të. Sipas kundërshtarëve, reforma është hap kah sundimi autoritar. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kushner përballë Komitetit të Intelegjencës

Posted: 24 Jul 2017 03:58 AM PDT

Jared Kushner, dhëndrri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump do të takohet sot me anëtarët e Komitetit të Senatit për Inteligjencë, si pjesë e hetimeve rreth lidhjeve të mundshme mes Rusisë dhe fushatës presidenciale të Trumpit më 2016. Takimi me dyer të mbyllura i Kushnerit me panelin e Senatit, do të përcjellet me një tjetër seancë private në Komitetin e Intelegjencës. Sipas demokratit Adam Schiff, Kushner, 36 vjeçar do të përgjigjet për takimet e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington, udhëheqësin e një banke ruse dhe një avokati rus. "Ka shumë gjëra që duam të dimë", i ka thënë Schiff, televizionit CBS. "Ne duam të dimë për disa takime për të cilat supozohet të kenë ndodhur", ka thënë ai. Anthony Scaramucci, drejtori i ri Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se ai shpreson që kjo të jetë "hera e fundit që i duhet të flasë për Rusinë". Hetimet e Kongresit janë duke u hetuar ndaras prej hetimeve të Robert Muellerit, i cili ishte caktuar nga Departamenti i Drejtësisë për të hetuar nëse ka pasur ndonjë koordinim në mes të kampanjës së presidentit Trump dhe agjentëve rusë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

I dërguari amerikan: Ukraina e bllokuar në “luftë të nxehtë”

Posted: 24 Jul 2017 02:46 AM PDT

I dërguari i ri special i Shteteve të Bashkuara për negociatat për paqe në Ukrianë, Kurt Volker, tha se ishte pamasë i befasuar nga numri i shkeljeve të armëpushimeve në pjesën lindore të Ukrainës, që është e pëfshirë në luftë, pas vizitës së tij të parë në rajon. Zoti Volker, i cili aktualisht është emëruar i dërguar i Uashingtonit për bisedime për përfundimin e luftës ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës, i ka bërë këto komente gjatë një interviste të djeshme, pasi e kaloi ditën në linjën e frontit të konfliktit. "Niveli i shkeljeve të armëpushimit në baza ditore është shumë befasues", i tha zoti Volker me telefon Radios Evropa e Lirë. Ky vlerësim i tij u bë disa orë pasi në një konferencë për gazetarë në qytetin Kramators, që është selia e operacionit ushtarak të Qeverisë në Kiev kundër separatistëve, Volker tha se Ukraina është e bllokuar në "luftë të nxehtë", për origjinën e së cilës e fajësoi Moskën. "Ky nuk është konflikt i ngrirë, kjo është luftë e nxehtë dhe është një krizë e menjëhershme, për të cilën ne të gjithë duhet të diskutojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur", u tha Volker gazetarëve në qytetin Kramators, në pjesën lindore të Ukrainës, që është nën kontroll të Qeverisë. I pyetur më vonë gjatë kësaj konference për gazetarë se nëse Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se "agresioni" rus është për tu fajësuar për situatën atje dhe jo "lufta civile", Volker është përgjigjur në mënyrë afirmative. "Ne kemi parë çka ka ndodhur, ne e kuptojmë mënyrën se si ky konflikt ka filluar, ne e kuptojmë mënyrën se si ai po menaxhohet tash dhe për këtë arsye është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të angazhohen më tepër", tha Volker, ish-ambasador amerikan në NATO. Vizita e tij në pjesën lindore të Ukrainës ishte e para në rajon, prej emërimit të tij në fillim të këtij muaji, si përfaqësues special amerikan për negociata për ta përfunduar këtë konflikt, nga i cili prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë vetë. Qeveria e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, e akuzojnë Rusinë për mbështetje të separatistëve me armatim dhe personel. Moska i ka hedhur poshtë akuzat, përkundër dëshmive substanciale për mbështetje të tillë. Një marrëveshje për armëpushim, e nënshkruar në shkurt të vitit 2015, në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë, ka dështuar të arrijë ndalje të dhunës, e cila aktualisht është intensifikuar. Si Ukraina, ashtu edhe setparatistët e mbështetur nga Rusia,e akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes. Kurt Volker i ka thënë Radios Evropa e Lirë se intensifikimi aktual i armiqësive, me ç'rast janë vrarë së paku nëntë ushtarë ukrainas gjatë 72 orëve të fundit, është veçanërisht shqetësues. Gjatë vizitës në qytetin Avdijivk, që është nën kontroll të Qeverisë, afër linjës së parë të frontit, ai tha se ishte i "shokuar" që muret e ndërtesave ku jetonin civilët, ende shkatërrohen nga sulmet direkte artilerike. Kurt Volker theksoi se ishte i shokuar edhe me çmimin njerëzor të luftës, për të cilën ai bisedoi me mësuesit e një shkolle, që kishin përjetuar disa vite të luftës dhe me një person, i cili "i kishte humbur këmbët dhe duart e tij" kur një predhë kishte eksploduar në rrugën ku ishte ai. Mëtutje, i dërguari amerikan ka biseduar edhe për ndikimin e luftës në ekonominë lokale, me ç'rast u takua me një person, biznesi i të cilit ishte marrë nga forcat e mbështetura nga Rusia, në qytetin lindor Donjeck, dhe e kishin detyruar atë të largohet nga ky qytet. I pyetur se a planifikon ta vizitojë edhe anën tjetër të linjës së frontit, Volker u tha banorëve lokalë dhe mediave se planifikon "të takohet me kolegun rus në një moment". "Mendoj se takimi me rusët është ajo që ne duhet ta bëjmë me qëllim që të fitojmë perspektivë, perspektivë strategjike, se si ta zgjidhim këtë" situatë, tha Kurt Volker. Departamenti amerikan i Shtetit më herët ka njoftuar për vizitën e tij në pjesën lindore të Ukrainës, me ç'rast theksohej se Volker do të "takohej me ata që janë prekur nga agresioni rus" dhe do të "diskutojë për rëndësinë e sigurisë për të gjithë ukrainasit". Ai takon zyrtarët e lartë ukrainas në Kiev për të "diskutuar për rrugën kah ripëtritja e sovranitetit territorial dhe integritetit të Ukrainës", thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit. Përgatitit: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Talibanët e marrin përgjegjësinë për sulmin në Kabul

Posted: 24 Jul 2017 02:38 AM PDT

Në Afganistan, talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me makinë bombë në Kabul, i cili sipas qeverisë ka lënë të vdekur 24 persona dhe ka lënduar 42 të tjerë. Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Najib Danish, ka thënë se sulmi ka ndodhur në pjesën perëndimore të Kabulit dhe ka pasur cak, një autobus që po bartte punëtorët e ministrisë së Minierave. Talibanët kanë thënë përmes një deklarate se bomba ka shënjestuar dy autobusë në agjencisë shtetërore të spiunimit, duke lënë të vdekur 37 persona. Salim Rasuli, drejtori i spitaleve në Kabul ka thënë se të paktën 13 persona kanë vdekur dhe 17 të tjerë të lënduar janë dërguar në spitale. Ministria e Brendshme e ka cilësuar sulmin si "akt kriminal kundër njerëzimit". Në zonën ku ka ndodhur sulmi banojnë hazaratë, pakicë etnike shiite në Afganistan. Pjestarët e këtij grupi kanë qenë cak i sulmeve nga talibanët dhe grupe tjera ekstremiste sunite në Afganistan dhe Pakistan. Sulmi ka ndodhur në përvjetorin e sulmeve nga Shteti Islamik në Kabul, në të cilin u patën vdekur më shumë se 80 persona dhe 230 të tjerë ishin lënduar, shumica prej tyre, hazara. Sipas Kombeve të Bashkuara, në Afganistan, vetëm në pjesën e parë të këtij viti kanë vdekur 1,662 civilë. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more