Skip to main content

INSAJDERI: “E treta e vërteta: Jepet tenderi 10 milionësh për Spitalin e Ferizajt” plus 19 more

INSAJDERI: “E treta e vërteta: Jepet tenderi 10 milionësh për Spitalin e Ferizajt” plus 19 more


E treta e vërteta: Jepet tenderi 10 milionësh për Spitalin e Ferizajt

Posted: 24 Jul 2017 09:24 AM PDT

Pas më shumë se dy vitesh ngecje në procedurat e tenderimit, Ferizaj duket se më në fund do të bëhet me objektin e Spitalit të ri Regjional.

Por për ta përdorur atë, nëse gjithçka shkon në rregull, ferizajasit duhet të presin edhe tre vite, raporton Insajderi.

Të hënën Ministria e Shëndetësisë ka publikuar njoftimin për dhënien e kontratës për ndërtimin e Spitalit regjional në Ferizaj.

Ndërtimi i tij do të jetë një investim tre vjeçar dhe do të ketë fiks 250 shtretër, raporton Insajderi.

Vlera e parashikuar për këtë projekt ishte afro 12 milionë euro, por Ministria e Shëndetësisë ia ka dhënë kompanisë "Arbëria Com" dhe do të kushtoj 2 milionë më pak sesa vlera e parashikuar e kontratës

Fiks 10 milionë e 235 ijë e 587 euro është vlera e kontratës që "Arbëria Com" e ka fituar me Ministrinë e Shëndetësisë.

Insajderi ka kontaktuar kompaninë për të marrë vesh nëse ata janë informuar. Kompania e ka konfirmuar se ka fituar tenderin.

"Por duhet të presim ende për ankesat dhe të tjera procedura", ka thënë një drejtues i kompanisë.

Tenderi për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj ka një histori të gjatë të anulimit dhe ritenderimit.

Tenderi i parë ishte hapur me 14 qershor të vitit 2016 ndërsa dy muaj pas ishin publikuar informatat shtesë për këtë tender. Tenderi i parë ishte dhënë në nëntor të vitit 2016 për tu anuluar në shkurt të vitit 2017.

Sipas kontratës së publikuar nga Ministria e Shëndetësisë më 16 nëntor 2016, punimet për ndërtimin e këtij spitali parashihej t'i bënte kompania "AL-TRADE". Por nuk kishte shkuar shumë kohë si dhe tenderi ishte anuluar.

Agjencia Kundër Korrupsionit kohë më parë i kishte bërë dy opinione negative për procedurat e prokurimit të ndjekura nga Spitali Regjional i Ferizajt, ku flitej për anën e "errët" të procedurave tenderuese nga ky autoritet kontraktues.

Tenderi i dytë ishte shpallur në mars të këtij viti por ishte anuluar me 18 korrik.

Objekti i Spitalit Regjional të Ferizajt, do të ndërtohet afër Parkut të Lirisë, lokacion ky i caktuar nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt. Aty do të jetë edhe kompleksi spitalit, për të cilin është ndarë një sipërfaqe prej 8.5 hektarësh.

Komuna e Ferizajt do të investoj rreth 1 milion euro, në sigurimin e energjisë elektrike, rrugës e kanalizimit./Insajderi.com

The post E treta e vërteta: Jepet tenderi 10 milionësh për Spitalin e Ferizajt appeared first on INSAJDERI.

Shndërrimi i Alternativës në parti politike, nuk e ndan nga LAA-ja

Posted: 24 Jul 2017 09:20 AM PDT

Partia më e re politike, Alternativa nuk do t’i ndjek hapat e Nismës për Kosovën, e cila vendosi që të në legjislativin e ardhshëm të përfaqësohet me Grup Parlametar të veçantë, edhe pse kishte krijuar koalicion parazgjedhor me dy partitë e tjera: PDK dhe AAK.

Alternativa, e cila u shndërrua sot zyrtarisht nga lëvizja politike në parti politike, planifikon që t’i qëndrojë besnik koalicionit parazgjedhor të formuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Kosovën e Re (AKR).

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka shpjeguar për Insajderin planet e partisë që sot u regjistrua zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Ne jemi ende duke funksionuar si koalicion, edhe kjo ende është në fuqi sepse jemi duke vepruar në të njëjtat parime; me synime të përbashkëta. Derisa jemi duke shkuar me parime të përbashkëta, konsiderojmë se do të qëndrojmë bashkë”, është shprehur Kusari-Lila.

Shefja e Alternativës është shprehur e kënaqur me ecurinë e koalicionit LAN, deri më tani.

“Jemi ende duke qëndruar në ato parime, për të cilat e kemi nënshkruar edhe koalicionin parazgjedhor dhe po shpresoj që do të vazhdojmë kështu. Nuk e kemi pasur ndonjë problem deri më tash në komunikim [ brenda koalicionit LAN v.j] dhe në vendimmarrje”, ka thënë kryetarja në largim e Gjakovës.

Alternativa ishte regjistruar si lëvizje politike disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, dhe kishte krijuar koalicion parazgjedhor me LDK-në e AKR-në. Tanimë e regjistruar si parti politike parlamentare, Alternativa ka fituar dx mandate të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /Insajderi.com 

The post Shndërrimi i Alternativës në parti politike, nuk e ndan nga LAA-ja appeared first on INSAJDERI.

5 kompanitë më të mëdha të teknologjisë sot vlejnë 3 trilionë dollarë

Posted: 24 Jul 2017 09:13 AM PDT

Lojtarët kryesorë të teknologjisë kaluan javën e kaluar vlerën e 3 trilion dollarëve, sipas Google Finance.

Bëhet fjalë për 5 kompanitë më të fuqishme të teknologjisë që njihen ndryshe edhe si Big 5. Aktualisht këto kompani janë në një zgjerim të paprecedent, një zgjerim teknologjik.

Sipas të dhënave të Google, pesëshja e madhe “Big 5” (Apple, Alphabet, Amazon, Facebook dhe Microsoft) vlejnë së bashku plot 3.03 trilion.

Yahoo Finance tregon pothuajse të njëjtën gjë, kompanitë vlejnë 3.002 trilion. Por si arritën këtu?

Në 52 javët e fundit Apple u rrit me 56.63%, Amazon 44.61%, Facebook 44.55%, Microsoft 39.54% dhe Alphabet 33.45% (Google).

Ky moment i shënuar vjen kur industria e teknologjisë përjetoi një tension. Pavarësisht largimeve nga puna, ndalimeve të operacioneve dhe daljeve publike, çmimet e aksioneve vijonin të rriteshin tek këto gjigantë, shkruan PCworld.al

Është gara e secili prej tyre për të kontrolluar jetët digjitale të njerëzve e cila ka rritur vlerën e “Big 5” në mënyrë të paparë më parë.

The post 5 kompanitë më të mëdha të teknologjisë sot vlejnë 3 trilionë dollarë appeared first on INSAJDERI.

VV: Nuk e votojmë Veselin, kërkojmë që PAN të gjejë një tjetër figurë

Posted: 24 Jul 2017 09:05 AM PDT

Vetëvendosje kërkon që koalicioni PDK-AAK-Nisma të gjejë një tjetër të nominuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës, pasi siç ka thënë deputeti i zgjedhur i VV-së Rexhep Selimi, Kadri Veseli nuk është figurë e përshtatshme për kreun e kuvendit.

Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Selimi ka deklaruar se e kaluara e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është arsyeja përse Vetëvendosje nuk do ta votojë Veselin, nëse ai do të jetë edhe zyrtarisht i nominuari i PAN-it për kryeparlamentar.

“Sa i përket votimit për kryeparlamentar, Vetëvendosje nuk e voton kandidatin e PAN-it aktual për kryeparlamentar, ne kërkojmë që ata të gjejnë një figurë tjetër”, ka thënë Selimi.

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje ka shpjeguar arsyet për këtë qëndrim të Vetëvendosjes.

“Për shkak të kaluarës dhe qasjes së tij, çfare e ka pasur në të kaluarën e tij”, deklaroi Rexhep Selimi për Insajderin.

Ndërkaq, edhe kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila deklaroi sot për Insajderin se Kadri Veseli nuk do të merrte numrin e mjaftueshëm të votave për kryeparlamentar, “nëse votimi do bazohej në vullnetin e lirë të deputetëve”. /Insajderi.com

The post VV: Nuk e votojmë Veselin, kërkojmë që PAN të gjejë një tjetër figurë appeared first on INSAJDERI.

Diplomacia kosovare “përforcohet” me një televizor

Posted: 24 Jul 2017 09:00 AM PDT

Ministria e Punëve të Jashtme është përforcuar për nga teknologjia. Ka blerë një televizor.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik,  me 26 korrik Ministria e Punëve të Jashtme do të nënshkruaj kontratë me kompaninë NTP Valoni për blerjen e një televizori, raporton Insajderi.

Televizori i blerë me një çmim prej 940 eurove, ishte oferta më e vogël e tri kompanive që kanë dhënë ofertën e tyre. Çmimi më i lartë ishte 980 euro.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk e ka specifikuar se për cfarë arsyesh dhe për cilën zyrë është blerë ky televizor e as i cilës markë është./Insajderi.com

The post Diplomacia kosovare "përforcohet" me një televizor appeared first on INSAJDERI.

Youtube do të bllokojë kërkimin e videove me propagandë terroriste

Posted: 24 Jul 2017 08:58 AM PDT

Platforma më popullore e videove në botë tha se do të largojë përdoruesit nga kërkimet e propagandave terroriste dhe të dhunshme në Youtube dhe do tu ofrojë atyre në këmbim video që dënojnë këtë fenomen.

Njerëzit të cilët kërkojnë disa terma të caktuara si atë të Shtetit Islamik do tu ofrohen video të cilat demaskojnë mitologjinë e tyre.

Me këtë Youtube synon të mbrojë njerëzit nga radikalizmi.

Videot e ofruara në këmbim do të sfidojnë pretendimet e grupit se është një qeverisje e fortë, se është një fuqi ushtarake apo pretendimet e tyre se fuqitë e botës po komplotojnë kundër myslimanëve.

Videot nuk do të jenë prodhime të reja por aktuale të cilat duhet të ofrojnë dëshmi të njerëzve që janë larguar nga ISIS, pamje filmike.

Një ndër këto raste është rasti i një të moshuare e cila u kërkon dy militantëve të ISIS të ktheheshin në rrugën e Zotit, pastaj fjalime nga prijës fetarë që demaskojnë dhunë dhe ekstremizmi, pamje nga vendet e kontrolluara nga ISIS të cilat tregojnë realitetin, shkruan PCworld.al.

Për të drejtuar përdoruesit drejt këtyre videove Youtube do të vërë në funksion një algoritëm i cili monitoron fjalët kyçe. Gjithashtu kompania do të vëzhgojë popullaritetin e videove të rekomanduara.

The post Youtube do të bllokojë kërkimin e videove me propagandë terroriste appeared first on INSAJDERI.

Kusari-Lila: Kadri Veseli nuk merr vota prej LAA-së për kryeparlamentar

Posted: 24 Jul 2017 08:50 AM PDT

Derisa nuk do bëhet i ditur emri i propozuarit nga koalicioni PDK-AAK-Nisma për pozitën e kryeparlamentarit, koalicioni LDK-AKR-Alternativa nuk ka një qëndrim zyrtar nëse do ta votojë apo jo të nominuarin e PAN-it.

Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se deri sa të zyrtarizohet i nominuari i PAN-it për kryetar të kuvendit, koalicioni LAN nuk ka një qëndrim zyrtar.

“Së pari, qëndrimi im do të jetë në koordinim me dy partitë të tjera me të cilat ne jemi në koalicion. Derisa të ketë formalisht të nominuar [për kryetar të Kuvendit të Kosovës v.j] nuk kemi çfarë qëndrimi të japim”, ka thënë Kusari-Lila.

Edhe pse PAN nuk e ka zyrtarizuar emrin e të nominuarit për kryetar kuvendi, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rexhep Hoti, kishte thënë se PAN-i do ta nominojë Kadri Veslein për kryeparlamentar.

E Kusari-Lila shprehet se koalicioni të cili i përket partia e saj nuk ka një qëndrim zyrtar rreth nominimit të mundshëm të Veselit. Megjithatë, Kusari-Lila thotë se “nëse do vendoste vullneti i lirë i secilit deputet, z. Veseli nuk do të merrte votat e mjaftueshme”.

Kusari-Lila ka thënë se kryetari i PDK-së nuk do t’i merrte as votat e LAA-së për postin e kryeparlamentarit.

“Qëndrim zyrtarisht nuk ka, por nuk ka as absolutisht vullnet që të votohet z. Veseli për kryetar të Kuvendit. Do të thotë se, edhe sikur të jetë në vullnetin e lirë të secilit deputet, z. Veseli nuk merr vota prej nesh në këtë rast. Por, sidoqoftë mbetet të pritet se kush do të jetë kandidat për kryetar kuvendi nga koalicioni PAN”, deklaroi kryetarja e Alternativës. /Insajderi.com

 

The post Kusari-Lila: Kadri Veseli nuk merr vota prej LAA-së për kryeparlamentar appeared first on INSAJDERI.

Ilir Meta sot merr detyrën si president – ja ceremonia

Posted: 24 Jul 2017 08:45 AM PDT

Në orën 18:00 Parlamenti i Shqipërisë pritet të mblidhet në sesionin e jashtëzakonshëm ku do të zhvillohet dhe ceremonia e betimit të Presidentit të ri, Ilir Meta.

Seanca do të drejtohet nga nënkryetarja e Parlamentit Valentina Leskaj, e cila do të lexoi dhe formulën e betimit, pas të cilës Ilir Meta do të thotë "Betohem", e do te marr zyrtarisht detyrën.

Mësohet se në ceremoninë e betimit në Parlament do të jenë të pranishem dhe deputetët e opozitës, njofton Top-channel.

Më pas pritet që Meta t'i drejtohet me një fjalë deputetëve, dhe pas kësaj, të drejtohet për në ambientet e Presidencës.

Në orën 19:25, do të jetë Bujar Nishani ai që do të presë Metën në hyrje të Presidencës, e më pas të dy do të zhvillojnë një takim të shkurtër në zyrën e Presidentit të Republikës.

Pas këtij momenti, Ilir Metës, i cili do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij dhe jo bashkëshortja Monika Kryemadhi, do t'i dorëzohet Kushtetuta e Shqipërisë, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ekzekutimi i Himnit Kombëtar, do të shoqërohet me 21 të shtëna topi që do të pasohen nga parakalimi i forcave të Gardës së Republikës.

Edhe në Presidencë, Ilir Meta, do t'i drejtohet me një fjalë të gjithë të ftuarve. E në fund, në mënyrë simbolike ai do të përcjell presidentin në largim Bujar Nishani. /Insajderi.com

The post Ilir Meta sot merr detyrën si president – ja ceremonia appeared first on INSAJDERI.

I varur në shtyllë – Një punëtor i KEDS humb jetën gjatë punës

Posted: 24 Jul 2017 08:38 AM PDT

Një punëtor i KEDS-it ka humbur jetën në vendin e tij të punës në Rahovec.

Rasti ka ndodhur në fshatin Celinë të Rahovecit, shkruan Gazeta Express.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Gazetën Express komandanti i stacionit policor të Rahovecit, Osman Ismajli.

" Rasti ka ndodhur rreth orës 14 30 minuta në fshatin Celinë, derisa punëtori me inicialet V.S i lindur më 1968, ishte i ngjitur në shtyllën elektrike, kur edhe rryma e ka goditur atë duke e lënë të varur në shtyllë, pa shenja jete", ka deklaruar Ismajli.

Ai ka thënë se ekipet e policisë tashmë janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin./Insajderi.com

The post I varur në shtyllë – Një punëtor i KEDS humb jetën gjatë punës appeared first on INSAJDERI.

Një tjetër teori interesante për Trekëndëshin e Bermudeve

Posted: 24 Jul 2017 08:36 AM PDT

"Trekëndëshi i Bermudës" është një nga misteret më të mëdha për shkak se dhjetëra anije e aeroplanë janë zhdukur pa lënë gjurmë. Tashmë një shkencëtar nga Australia ka një teori tjetër për këto zhdukje misterioze.

Karl Kruszelnicki thotë se zhdukjet e anijeve dhe aeroplanëve janë thjesht një gabim njerëzor. Duke folur për "News.com.au", sipas mapo, ai hedh poshtë tezën e deritanishme.

Mendohet se në "Trekëndëshin e Bermudës" mbizotërojnë forca të mbinatyrshme.

Por, pavarësisht fatkeqësive të shumta që kanë ndodhur në atë zonë, Kruszelnicki thotë se numri i avionëve të zhdukur është njësoj sa edhe në anët e tjera të globit kur kanë ndodhur gabime njerëzore.

Megjithatë, përgjatë gjithë këtyre viteve shkencëtarët nuk kanë identifikuar asnjë faktor të jashtëzakonshëm që ka shkaktuar zhdukjet misterioze.

The post Një tjetër teori interesante për Trekëndëshin e Bermudeve appeared first on INSAJDERI.

Dy burra dhe një grua marrin dënime unike për kontrabandë të armëve

Posted: 24 Jul 2017 08:32 AM PDT

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve H.M, A.H, K.R, A.K.

I akuzuari H.M është shpallur fajtor dhe është dënuar  me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 800 € sepse në bashkëkryerje kishte kryer veprën penale Grabitje nga neni 329/3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së. dhe  veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374/1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari A.H është shpallur fajtor dhe është dënuar  me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 2(dy) muaj  dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 €, sepse  në bashkëkryerje kishte kryer veprën penale Grabitje nga neni 329/3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, veprën penale në bashkëkryerje ka kryer veprën penale 329/1 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374/1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E akuzuara K.R  është shpallur fajtor dhe është dënuar  me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 2(dy) muaj  dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 €, sepse në bashkëkryerje kishte kryer veprën penale Grabitje nga neni 329/3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, veprën penale 329/1 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374/1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari A.K është shpallur fajtor dhe është dënuar  me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj  dhe dënim me gjobë në shumë prej 700 €, sepse kishte kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 372/1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se të akuzuarit në bashkëkryerje në bazë të marrëveshjes paraprake kanë grabitur në forma të ndryshme me qëllim të përfitimit pasurorë të kundërligjshëm.

The post Dy burra dhe një grua marrin dënime unike për kontrabandë të armëve appeared first on INSAJDERI.

Gjokoviq rrezikon US Open dhe tërë sezonin

Posted: 24 Jul 2017 08:14 AM PDT

Periudhë vlerësimesh për tenistin serb Novak Djokovic, që ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen.

Javën e kaluar, ish-numri 1 në botë ka qenë në Toronto të Kanadasë për të bërë disa verifikime të tjera të bërrylit të djathtë dhe më pas u rikthyer në Beograd, ku pritet që ditën e premte të zhvillojë një konferencë shtypi dhe të konfirmojë planet për të ardhmen, shkruan Top-channel.

Djokovic ka takuar mjekë të ndryshëm, edhe në Serbi e njëri prej tyre është mjeku i kombëtares serbe të tenisit, Zdeslav Milinkovic, që tha:

"Ky është një dëmtim që e persekuton prej më shumë se një viti, por që falë mjekimit dhe fizikut të tij ka arritur ta përballojë. Por problemi po bëhet kronik dhe në disa ndeshje ka luajtur me dhimbje të mëdha. Jemi miq prej vitesh dhe e di që kjo situatë nuk është e mirë për të", tha mjeku.

Mjeku serb Zdeslav Milinkovic, më tej tha:

"Është një shqetësim që ka ardhur si pasojë e ndeshjeve të shumta të luajtura. Bërryli është një pjesë shumë delikate e trupit, nuk është i rrethuar nga muskuj dhe mbulohet thuajse vetëm nga lëkura. Ndaj ekziston mundësia që problemi të përhapet edhe në krah dhe shpatull. Djokovic ka nevojë të pushojë nga 6 deri në 12 javë. Do të bëjmë edhe një kontroll të fundit për të kuptuar nëse situata është përmirësuar apo jo. Gjatë kësaj periudhe nuk mund të stërvitet me raketë, por mund të zhvillojë palestër dhe të bëjë fizioterapi", tha mjeku i besuar i Djokovic. Ai shtoi se prania e serbit në US Open është në rrezik, pasi ai nis pas 5 javësh, kohë e pamjaftueshme për ta parë Djokovic në fushë. Ndaj ai mund ta mbyllë sezonin dhe të jetë gati në janar të 2018-ës./Insajderi.com

The post Gjokoviq rrezikon US Open dhe tërë sezonin appeared first on INSAJDERI.

Nga 30 ditë paraburgim të dyshuarve për vrasjen e dy vëllezërve në Pejë

Posted: 24 Jul 2017 08:08 AM PDT

Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se ua ka caktuar paraburgimin prej një muaji Binak, Valon e Xhavit Panxhës, të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Arsim e Ramiz Berisha.

komunikatën e gjykatës jepet dhe arsyetimi pse iu caktua paraburgimi dy vëllezërve.

"Me datë 21 korrik 2017 rreth orës 21 e 30 minuta në malin mbi fshatin Kosuriq të Komunës së Pejës, për shkak të një mosmarrëveshjeje të pandehurit me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerët vëllezërit R. B. dhe A. B.", thuhet në komunikatë.

Komunikata tregon se vëllezërit e vrarë dhe një shok i tyre ishin nisur rreth orës 21:00 në pyll të huaj, pronë e të dyshuarve, për të prerë dru.

"Dëshmitari J. së bashku me viktimën R. hyjnë në pyll duke i lënë qerret me kuaj në afërsi të pyllit. Pasi të njëjtit nuk vërejnë asgjë, viktima R. i thotë dëshmitarit J. të shkojë t'i marrë qerret dhe viktimën A", tregohet në komunikatë.

Aty përshkruhet edhe momenti i vrasjes.

"Dëshmitari J. është nisur të marrë qerren dhe ka dëgjuar R. duke biseduar me dikë, e më pas në drejtim të R. niset edhe viktima A. i cili u është drejtuar të pandehurve me fjalët 'Kush hamami jeni ju'. Pastaj të pandehurit me armë të panjohura shkrepin tre fishekë në drejtim duke i privuar nga jeta", shpjegohet në komunikatën e gjykatës.

Në komunikatë bëhet e ditur se të pandehurit qëlluan edhe në drejtim të dëshmitarit J., por ai arriti të ikë.

Për këto veprime, sipas gjykatës, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale "vrasje e rëndë".

Paraburgimi Binak, Valon e Xhavit Panxhës do t'u llogaritet nga 22 korriku e do t'u vlejë deri më 22 gusht.

The post Nga 30 ditë paraburgim të dyshuarve për vrasjen e dy vëllezërve në Pejë appeared first on INSAJDERI.

Linja e modës që ka miqësuar familjet Rugova-Veseli

Posted: 24 Jul 2017 08:01 AM PDT

Violeta Veseli, bashkëshortja e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nuk është se ka luajtur ndonjë rol në skenën politike të vendit por ajo ka një rol të madh në afrimin e familjes së saj me familjen e një figurave më të rëndësishme politike, Ibrahim Rugova.

Ajo është një kliente e rregullt e linjës së veshjeve BKR, dhe ka raporte të afërta me krijuesen e kësaj linje, dizejnatoren Blerina Kllokoqi-Rugova.

#Violeta ne BKR !

A post shared by Blerina Kllokoqi Rugova (@blerinakllokoqirugova) on

Dizejnatorja është bashkëshortja e djalit të madh të presidentit historik Ibrahim Rugova, Mendimit.

Mendim Rugova është zëvendësministër  në ikje në  Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  (MMPH) e drejtuar së fundmi nga njeriu i PDK-së, ministri në ikje Ferat Shala.

Familja Rugova ka pasur raporte të ftohta e shpeshherë armiqësore me drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, sidomos me ish-liderin e saj tash presidentin Hashim Thaçi.

 

Por tash, sidomos pas vdekjes së presidentit Rugova, këto raporte janë bërë të afërta edhe me  Thaçin e edhe më miqësore me Kadri Veselin, raporton Insajderi.com

#Violeta ne BKR

A post shared by Blerina Kllokoqi Rugova (@blerinakllokoqirugova) on

Rugova është parë të jetë në shoqërim të Thaçit edhe në ngjarje të ndryshme ndërsa ishte vet presidenti Thaçi ai i cili i kishte dhuruar lule Teuta Rugovës, menjëherë pasi ishte zgjedhur president.

Thaçi ishte zgjedhur president me votën e Teuta Rugovës si deputete e LDK-së që ishte në koalicion me PDK-në.

Vajza e presidentit historik megjithatë ka dalë të ketë raporte me të afërta me AAK-në që drejtohet nga Ramush Haradinaj. Edhe djali tjetër i i presidentit Ukë Rugova, kishte garuar në një listë të AAK-së në zgjedhjet e 2014-së.

Së fundmi të dy djemtë e presidentit Rugova por edhe vajza e tij u panë të kenë mbajtur këtë raport ende me Ramush Haradinajn e AAK-së.

Por përtej raporteve me familjen Haradinaj, familja Rugova falë dizejnatores Rugova-Kllokoqi mbanë lidhje tashmë edhe me familjen e Veselit.

Bashkëshortja e Veselit është "e preferuara" e dizajnatores, bashkëshortes së Mendim Rugovës, pasi ajo e reklamon majftë atë./Insajderi.com

 

The post Linja e modës që ka miqësuar familjet Rugova-Veseli appeared first on INSAJDERI.

Zyrtare: Juventus transferon futbollistin e Fiorentinës

Posted: 24 Jul 2017 07:53 AM PDT

Federico Bernardeschi është futbollisti më i ri i Juventusit. Talenti italian është në Torino për testet mjekësore, para se të nënshkruajë kontratën me gjigantin italian.

Transferimi i Bernardeschit nga Fiorentina në Juventus do t’i kushtojë Zonjës së Vjetër 40 milionë euro.

Për Bernardeschin ishin në garë edhe Chelsea dhe Interi, por Juventusi u tregua më e shkathët duke e bërë të vetin 21-vjeçarin.

Bernardeschi është njëri nga futbollistët më perspektivë të Italisë. /Insajderi.com

The post Zyrtare: Juventus transferon futbollistin e Fiorentinës appeared first on INSAJDERI.

Alternativa shndërrohet në parti politike

Posted: 24 Jul 2017 07:43 AM PDT

Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda zyrtarisht kanë marrë regjistrimin e ‘Alternativës’ në KQZ, si subjekt i ri politik.

Njoftimi është dhënë në faqen e partisë në facebook, ku tregohet se ky subjekt është regjistruar në KQZ me numer rendor 60 dhe drejtohet nga kryetarja në largim e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

“Sot, 24 Korrik, 2017 zyrtarisht në regjistrin e KQZ është regjistruar partia politike “Alternativa” me numër rendor 60 me Kryesuesen Mimoza Kusari – Lila”, njofton Alternativa.

Ndryshe, anëtarët e ‘Alternativës’, në zgjedhjet e 11 qershorit garuan si pjesë e listës së LDK-së, bashkë me AKR-në në koalicion.

‘Alternativa’ u themelua nga Mimoza Kusari-Lila, pasi kjo e fundit u largua nga AKR’ja, dhe Ilir Deda, pasi braktisi VV-në. /Insajderi.com

The post Alternativa shndërrohet në parti politike appeared first on INSAJDERI.

Vajza e cila vullnetarisht iu bashkua ISIS-it, përgjërohet të kthehet në Gjermani

Posted: 24 Jul 2017 07:40 AM PDT

Vajza gjermane 16-vjeçare e cila iu bashkëngjit vullnetarisht luftës së Shtetit Islamik në Mosul, është e dëshpëruar të largohet nga Iraku dhe të kthehet tek familja e saj në Gjermani.

Linda Wenzel ishte 15 vjeçe kur u zhduk nga qyteti i vogël gjerman, Pulsnitz.

Javën e kaluar Wenzel u gjet e gjallë, me plagë dhe tesha të grisura, nga rrënojat e një shtëpie në Mosul, njofton Daily Mail.

Duke folur nga qelia e saj në Bagdad, Linda kishte thënë: "Unë vetëm dua të largohem nga këtu. Dua të largohem nga lufta, nga armët e shumta, nga zhurma. Unë vetëm dua të shkoj në shtëpi tek familja ime."

Ajo thuhet se ka pësuar një plagë me armë zjarri në këmbën e saj të majtë dhe u tha gazetarëve se dëshiron të ekstradohet në Gjermani, ku do të ishte e gatshme të bashkëpunonte me autoritetet.

Teorikisht, autoritetet irakiane mund ta dënojnë atë me vdekje pasi që Linda ka luftuar në krah të  grupit.

Autoritetet gjermane janë të angazhuar në bisedime serioze me Bagdadin, me qëllime që Linda të ribashkohet  me familjen e saj.

Ambasada gjermane në Bagdad mendohet të jetë në kontakt me zyrtarët irakianë.

Më herët këtë javë, një oficer në njësinë e elitës kundër terrorizmit në Irak tha për gazetën Telegraph se Linda ishte snajperiste e ISIS./Insajderi.com

The post Vajza e cila vullnetarisht iu bashkua ISIS-it, përgjërohet të kthehet në Gjermani appeared first on INSAJDERI.

Janë arrestuar 107 persona për trafikim të njerëzve

Posted: 24 Jul 2017 07:10 AM PDT

Agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian, Europol, ka njoftuar sot se 107 vetë janë arrestuar në kuadër të hetimeve të gjëra për trafikim njerëzor dhe shfrytëzim seksual.

Në operacionin e udhëhequr nga policia e Austrisë, me përfshirjen e agjencive të zbatimit të ligjit nga 22 vende të Bashkimit Evropian dhe të palës së tretë, hetuesit i kishin marrë në shënjestër "grupet e krimit të organizuar për trafikimin e individëve të ndjeshëm për shfrytëzim seksual", theksohet në kumtesën e Europolit, raporton agjencia DPA.

Kombësia e viktimave dhe e të dyshuarve sugjeron se numri më i madh i rrjeteve të trafikimit në BE është nga Nigeria, Amerika Jugore dhe Evropa Lindore, thotë Europoli.

Ky hetim ishte i një shkalle tejet të gjerë: janë kontrolluar më se 125 mijë njerëz në afro 4 mijë lokacione, përfshirë edhe rajonet e prostitucionit, shtëpitë publike dhe sallonet e masazhit.

Europol thekson se "kujdes special" u është kushtuar shpalljeve në Internet ku janë vërejtur viktimat e shfrytëzimit seksual.

The post Janë arrestuar 107 persona për trafikim të njerëzve appeared first on INSAJDERI.

Personi i dyshuar për sulmin në Schaffhausen [foto]

Posted: 24 Jul 2017 07:08 AM PDT

Policia e Schaffhausenit ka publikuar fotografitë e personit të dyshuar për sulmin e bërë sot, në orët e mëngjesit në qytetin e vjetër.

Ai, i armatosur me sharrën motorike kishte hyrë në zyrën e filialit të Kompanisë së Sigurimeve Shëndetësore CSS. Me atë rast kishte sulmuar me sharrën e tij dy nëpunës të cilët kanë pësuar plagë të rënda dhe janë dërguar në spital, transmeton albinfo.ch.

Përkundër ndjekjes dhe bllokimit të bërë nga policia të një zone të gjerë të qytetit, personi në fjalë vazhdon të jetë i arratisur.

Ndërkohë është gjetur një makinë VW Cady e bardhë me të cilën konsiderohet se ika qenë në lëvizje dorasi. Ai konsiderohet ende i rrezikshëm për rrethin.

The post Personi i dyshuar për sulmin në Schaffhausen [foto] appeared first on INSAJDERI.

“Kryetari i Kuvendit duhet të jetë fytyrë unifikuese”

Posted: 24 Jul 2017 07:00 AM PDT

Korab Sejdiu i cili ka dituar mandatin e deputetit për Kuvendin e Kosovës, ka thënë se bisedimet mes koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur një progres të caktuar dhe beson që do të arrihet një koalicion mes tyre.

"Lidhur me bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur disa takime, kanë qenë në nivel programor, është arritur një progres i caktuar. Shpresoj që do të bëhet, do të realizohet një koalicion mes dy partive dhe me dështimin e koalicionit PAN që ta themelojë qeverinë, atëherë të bartet timoni te koalicioni i gjerë që do të përfshijë koalicionin tonë dhe Lëvizjen Vetëvendosje", ka thënë Sejdiu për Ekonomia Online.

Sejdiu përsëriti edhe një herë se koalicioni në të cilin ai bën pjesë nuk do të votojë formimin e qeverisë nga koalicioni PAN.

Përveç kësaj, ai tha se po presin që koalicioni fitues të propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do ta votojnë apo jo.

Mirëpo, ai pret që kushdo që propozohet të jetë fytyrë unifikuese e Kuvendit.

The post "Kryetari i Kuvendit duhet të jetë fytyrë unifikuese" appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more