Skip to main content

Tirana Observer: “Hynë në det për të shpëtuar gruan, mbytet në Velipojë pushuesi nga Kosova” plus 9 more

Tirana Observer: “Hynë në det për të shpëtuar gruan, mbytet në Velipojë pushuesi nga Kosova” plus 9 more


Hynë në det për të shpëtuar gruan, mbytet në Velipojë pushuesi nga Kosova

Posted: 20 Jul 2017 09:29 AM PDT

Një pushues nga Kosova u mbyt pasditen e sotme në plazhin e Velipojës.

Sipas informacionit paraprak të policisë, 35-vjeçari me iniciale F. H., kishte mbërritur në Shkodër, Velipojë për pushime dhe humbi  jetën pasi kishte hyrë në det të shpëtonte gruan. Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryejn veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Informacioni i Policisë:

Më datë 20.07.2017, rreth orës 16:15, në Plazh Velipoj, kemi marrë njoftim se aksidentalisht është mbytur në ujë shtetasi F. H. 35 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Nga deklarimet paraprake, është bërë me dije se shtetasi F. H. ka hyrë në ujë për të shpëtuar bashkëshorten, por ka gjetur vdekjen. Grupi hetimor në vendngjarje ku po kryejn veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Rama: Ja çfarë do të ndodhë në 100 ditët e para të qeverisjes, më jepni idetë tuaja

Posted: 20 Jul 2017 09:23 AM PDT

Përmes një statusi në 'Facebook' kryeministri Edi Rama kërkon opinionin e qytetarëve se si i mendojnë 100 ditët e para të qeverisjes. Ai rendit edhe 10 idetë kryesore, ndërsa kërkon që çdo qytetar të japë mendimin e vet, teksa shprehet se çdo kritikë është e mirëpritur.

Statusi i Rames:

SI I MENDONI 100 DITET E PARA?
Do t'i isha mirënjohës secilit dhe secilës prej jush që do të jepte opinionin e vet, mbi disa ide për operacionet që po përgatiten për 100 ditët para të qeverisë së re, si më poshtë:

1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh "Për Shqipërinë që Duam", në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit

2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku

3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare

4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor

5. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore

6. Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë

7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cënon sigurinë e konsumatorit

8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë

9. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku

10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri

Siç kuptohet një pjesë e këtyre operacioneve, shkojnë përtej kufirit të 100 ditëve, por më duket se nisja që ditën e parë të mandatit të ri është kusht për suksesin e tyre. Si mendoni?
Çdo kritikë për çka mund të jetë e tepërt apo mund të mungojë në këtë grumbull idesh paraprake, është e mirëpritur🙏

A do të mundet Trump ta shpëtojë presidencën pas gjashtë muajve kaotikë

Posted: 20 Jul 2017 09:00 AM PDT

Nga Andrew Beatty

Konfuzioni, gabimet dhe skandalet kanë njollosur gjashtë muajt e parë të presidencës së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Nëse nuk ndërmerr të paktën një ndryshim të metodës, atëhere presidenti i 45-të amerikan mund ta shkatërrojë vazhdimin e presidencës së tij.

Pjesa më e madhe e presidentëve amerikanë kanë njohur kriza në fillim të mandateve të tyre.

Për Bill Clinton, në vitin 1993, ishte çështja e pasurive të patundshme "Whitewater".

Barack Obamës, në 2010 iu deshën pesë muaj për të mbajtur nën kontroll derdhjen masive të naftës në Gjirin e Meksikës dhe akoma më shumë për të rimëkëmbur ekonominë.

Por, pak presidentë kanë akumuluar kaq shumë kriza sa Donald Trump që prej 20 janarit.

"Të jesh i rrethuar nga skandalet që prej ditës së parë, të mos kesh asnjë ligj të rëndësishëm të miratuar, të jesh kaq i papëlqyeshëm, të pësosh humbje në radhët e republikanëve… Asgjë prej këtyre nuk është diçka e mirë", thekson Julian Zelizer, profesor i Historinë së universitetin Princeton.

Pas mbërritjes në kryeqytetin amerikan, miliarderi kishte deklaruar se metodat e Uashingtonit kishin çuar vendin në humbje dhe se vetëm një biznesmen i kategorisë së tij, konkurrent politik normal, ishte i aftë për të drejtuar SHBA-në në rrugën e duhur.

Një premtim që duket sot shumë bosh.

Në Shtëpinë e Bardhë, shumë poste mbeten vakante ose të zëna nga të rinj me kapacitete të diskutueshme. Këta që janë atje e zhvlerësojnë hapur, të demoralizuar nga kundërshtimet e shumta dhe hapat e gabuar.

Si pasojë, ndërtimi i murit në kufirin meksikan duket shumë larg dhe Kongresi nuk ka votuar ende asnjë dollar për ta financuar.

Marrëveshja e tregtisë së lirë amerikano-veriore nuk është prishur ende, marrëveshja për programin bërthamor iranian gjithashtu dhe "Obamacare", ligji për mbulimin shëndetësor të nënshkruar nga paraardhësi i tij, ka mbetur më shumë se kurrë në vend.

Republikanët kanë maxhorancën në dy dhomat e Kongresit, gjë që ka shtyrë faqen pro-Trump "Drudge Report" ta shpallë legjislaturën aktuale më pak produktive që prej 164 vitesh.

Sa për presidencializimin e Donald Trump, kjo mbetet një ëndërr e ëmbël. Ashtu si në fushatë, presidenti vazhdon të sulmojë shtypin, gjyqtarët, partinë e tij, demokratët si dhe kreun e FBI, James Comey, të cilin e shkarkoi.

Pa marrë parasysh këtu dyshimet për bashkëpunim mes anëtarëve të ekipit të tij të fushatës dhe Rusisë vitin e kaluar kundër Hillary Clinton, një çështje për të cilën një prokuror special dhe disa komisione të Kongresit hetojnë.

– Zgjedhjet në 2018 –

Ka edhe suksese.

Organizata e Shtetit Islamik është mundur në Mosul, në Irak dhe është rrethuar në kryeqytetin e saj të vetëshpallur, Raka. Donald Trump ka tërhequr SHBA-në nga partneriteti transpacifik dhe ka emëruar një gjyqtar në Gjykatën e Lartë, konfirmuar nga Senati.

"Nuk mjafton", thekson historiani Julian Zelizer.

"Për mua, këto gjashtë muaj nuk kanë qenë të suksesshëm dhe nuk e shoh se si mund të pretendohet e kundërta", theksoi ai.

Megjithatë, historia është e mbushur me shembuj të presidentëve që kanë ditur të ringrihen.

Bill Clinton, i cili vitin e parë u njollos nga një përpjekje e dështuar për reformin e sistemit shëndetësor, rifitoi avantazh menjëherë dhe u rizgjodh lehtësisht në vitin 1996.

"Presidentët janë gjykuar mbi atë që arrijnë të bëjnë, por kjo nuk ndodh për gjashtë muaj. Atij i mbetet shumë kohë", thekson Alex Conant, një konsulent republikan që ka punuar në Shtëpinë e Bardhë në kohën e George W. Bush.

Por, Donald Trump duhet të ndryshojë. Deri tani, ai ka treguar pak ambicie për detajet e reformave, veçanërisht në atë shëndetësore.

"Disa takime me senatorët dhe mesazhe në Twitter nuk do të mjaftonin për një çështje kaq të disktutuar sa sistemi shëndetësor", thekson Alex Conant.

Nëse ai ka qenë shpesh një as në marketing, ashtu si karriera e tij në pasuritë e patundshme e ka treguar këtë, drejtuesi ka një personalitete që e bën punën e tij më të vështirë me partnerët parlamentarë.

Për kryetarin demokrat të Bashkisë të Charlottesville, Michael Signer, i cili jep mësime në Universitetin e Virxhinias, rruga e legjitimitetit për Donald Trump kalon nga pranimi i standarteve tona tradicionale dhe kundërpushtetet.

"Sa më shumë ai të refuzojë ta bëjë këtë, më shumë popullaritetit ti tij do të ulet, më shumë do të bëhet ilegjitim dhe më shumë do të jetë i dëshpëruar", konfirmon ai.

Një dështim rrezikon, në këtë kuadër, të jetë elokuent. Zgjedhjet legjislative të nëntorit 2018, gajtë të cilave demokratët mund të nënshkruajnë rikthimin e tyre.

Dhe një Trump dominues, rrezikon të ketë akoma më shumë i paparashikueshëm.

"Në Zyrën Ovale, kur situata të përkeqësohet, asgjë nuk do të jetë më e lehtë, gjërat do të marrin një drejtim të gabuar", thekson historiani. /ATSH-AFP/

Berisha nuk ka kujt t’i flasë

Posted: 20 Jul 2017 08:45 AM PDT

Nga Armand Shkullaku

Partia Demokratike gjendet sot në udhëkryqin më të madh të ekzistencës politike dhe lideri i saj historik nuk mund të thotë asnjë fjalë. Sali Berisha është i dënuar të heshtë, ndonëse bashkë me fatin e partisë, që themeloi dhe drejtoi për gati çerek shekulli, po luhet dhe vendi i tij në historinë e re të Shqipërisë. Pasi ajo që po ndodh në PD, e ka ndarë për herë të parë individin Sali Berisha nga filozofia politike me të cilën ai ka dominuar skenën politike shqiptare për 25 vjet.

Shumëkush e ka të vështirë t'a përfytyrojë pas dy muajsh, liderin historik, të ulur mes një grushti deputetësh, shumica të panjohur për të dhe ai që, dashje pa dashje, do t'i ngjasojë një portreti muzeal, të shkëputur nga koha dhe njerëzit e tij. A ka mundur ta kapërdijë ai faktin që vetë do të vijojë të jetë deputet, por ata që ka patur në krah, si në qeveri ashtu dhe në parti, janë "dënuar" për shkak të jetëgjatësisë politike? Me çfarë morali do ta pranonte një ish kryeministër, një lider që e ka ngritur kultin e tij mbi marrjen e përgjegjësisë, që ai vetë të "shpërblehet" me postin e deputetit, ndërsa shokët e armëve të ndëshkohen se kanë qeverisur nën drejtimin e tij.

Kjo pozitë, ajo e përjashtimit të figurave të së shkuarës por e ruajtjes së ish liderit të tyre, ndoshta është më poshtëruesja ku mund të jetë gjendur ndonjëherë Sali Berisha. Atij i kanë prerë të gjithë trungun e berishizmit dhe e kanë lënë atë vetë si një frut të varur në ajër. Pra individi Sali Berisha mbetet në politikë, pavarësisht se berishizimi si frymë dhe si investim njerëzor u ndëshkua botërisht nga pasuesi i tij në PD. Për të, në PD ka një vend, ndërsa për ata që punuan nën drejtimin e tij, dyert janë të mbyllura. Pika më e fortë e Berishës, ajo e kapitenit që nuk e braktis ekuipazhin e tij, është goditur fort dhe është shndërruar në poshtërim kur për kapitenin është hedhur një komardare ndërsa të tjerët janë lënë të zhduken mes dallgëve.

Sali Berisha e ka pranuar këtë komardare dhe kjo është një nga arsyet kryesore se përse ai sot nuk mund të flasë. Çfarë teksti do të shqiptonte ai në publik si mesazh për bashkëpunëtorët e tij të viteve të largëta e të vështira, si do t'a shpjegonte zgjedhjen për të qëndruar ndërkohë që asgjë e tij nuk mbeti brenda mureve të PD?

Lideri i sprovuar në shumë beteja të egra, deri gati në asgjesim, këtë herë u gjend i kapur në kurthin që askush nuk do kishte qenë në gjendje t'ia ngrinte, përveç vetes së tij. Me bërjen fakt të listave të deputetëve, ku ai kishte mbetur si objekt muzeal dhe jo si simbol i frymës dhe boshtit të një partie, për Sali Berishën ishte shumë vonë të tërhiqej. Ai kishte mbetur aty, pasi predikoi për vite me radhë se kryetar i PD ishte Lulzim Basha dhe se respektonte çdo vendim të tij. Mbeti fizikisht, bashkë me pamundësinë për të folur.

Heshtja ishte dhe është e vetmja zgjedhje e Berishës. Ai ka pranuar me kokën ulur dhe i tërhequr në vetminë e tij, të kapërdijë gjellën që ka gatuar vetë. Nëse flet, i duhet të mohojë atë që vetë ka projektuar dhe investuar si pasardhës të tij. Po hapi gojën, duhet të thotë diçka edhe për ata 200 mijë demokratë që nuk votuan për PD. Duhet të tregojë edhe për atë çka po ndodh me gjoja garën për kryetarin e partisë. Pastaj t'u japë përgjigje edhe atyre që e akuzojnë se heshtja e tij buron nga marrëveshja e fshehtë e 17 majit. Prandaj është i dënuar të heshtë.

E mëgjithatë heshtja e Berishës flet më shumë se çdo gjë tjetër për atë që ndodhi e po ndodh në Partinë Demokratike. Ajo na tregon se futja në zgjedhjet e 25 qershorit dhe hartimi i listave, ishte rezultat i një pragmatizmi interesash dhe jo i një fryme opozitare, për të cilin vetë Berisha i kishte mbyllur të dy sytë. Basha veproi në opozitë ashtu si vetë Berisha veproi në dy vitet e fundit të qeverisjes së tij, kur interesi dominoi mbi kauzën. Berisha nuk mund të flasë as për farsën e zgjedhjeve të kësaj të shtune për kreun e PD, por të gjithëve u vjen ndërmend se ajo është një përsëritje e asaj që vetë ai organizoi katër vite më parë.

Doktori e ka të pamundur t'a shërojë plagën që vetë ia ka hapur PD. Për këtë do t'i duhej një operacion thuajse i pashpresë. Ndoshta këtë ka kuptuar dhe sot nuk mund t'i flasë askujt. Nga zyra e tij në qendër të Tiranës, ai përballet përditë me pafuqinë e tij për të ndërtuar një model që do të vazhdonte dhe përjeton dëshpërimin që sjellin kompromiset e ngushta në kurriz të zgjedhjeve parimore. Për herë të parë, shqiptarët mund ta shohin sot Sali Berishën të ndarë mes individit dhe liderit- simbol që ai ka përfaqësuar gjithnjë për ta. Berishën do ta gjejnë në Parlament, por berishizmi nuk është më. A mundet ai paskësaj t'u flasë përsëri atyre? /Mapo/

8 gjëra “sekrete” që mendon dentisti sa herë që ju hapni gojën

Posted: 20 Jul 2017 08:26 AM PDT

1."Ndaloni së treguari sesa na urreni".

"Ju lutemi, mos na thoni që na urreni. Imagjinoni të dëgjoni disa herë gjatë ditës së punës se sa ju kanë urryer. Shprehja e ankthit është ndryshe , pjesë e punës sime është të lehtësoj dhimbjen, frikën dhe shqetësimet e pacientëve. Por urrejtjen? Unë nuk di ndonjë profesion tjetër në të cilin është e pranueshme t'i tregoni mjekut sa e urren. Unë thjesht po e bëj punën time më të mirë të mundshme dhe fatkeqësisht kur emërimi fillon me një fyerje, kjo ul në masë të madhe aftësinë time për të kryer punën në nivelin më të lartë".

2."Bli një dreq fijeje dentare!"

Nëse nuk i pastron dhëmbët çdo ditë me fije dentare, s'e keni idenë sa baktere mblidhen në hapësirat mes dhëmbëve dhe mishrave. Është kaq e thjeshtë: nuk keni pse ta bëni në një orar të caktuar. Bëjeni kur jeni duke parë televizor, kur jeni shtrirë ose kur jeni gati për të dalë nga shtëpia. Thjesht pastrojini dhëmbët çdo ditë me fije dentare, ok?

3."Ndërroje më shpesh atë të shkretën furçe!"

Është shumë e rëndësishme ta ndërrosh furçën e dhëmbëve të paktën një herë në tre muaj dhe çdo herë pasi je sëmurur. Furçat janë depozita bakteresh.

4."Si mund të vish pa i larë dhëmbët para?!"

Siç mund t'u ketë shkuar nëpër mendje, një dentist sigurisht e kupton nëse nuk i keni larë dhëmbët prej ca orësh. Ose ditësh. Gjithashtu, nuk është aspak po aspak ide e mirë të hash përpara takimit tek dentisti. Tregoni minimumin e kujdesit.

5."Pse nuk e gëlltit pështymën?!"

Nuk ka ndonjë gjë ta gëlltisësh pështymën teksa mban gojën hapur. S'mund ta ndërpresësh e ta ndërpresësh dentistin vazhdimisht duke i kërkuar kohë për t'u përtypur.

6."Çfarë nuk shikoj në këtë klinikë"

Dentistët ç'nuk shikojnë dhe ç'nuk ndiejnë. Njerëz të bukur, të veshur, të krehur e të hekurosur. Por kur hapin gojën… aroma, forma të çuditshme, dhëmbë të zinj, të verdhë, të thyer…

7."Dhëmballët e pjekurisë DUHEN hequr"

Dentistët thjesht duan ta dini se dhëmballët e pjekurisë duhet të hiqen sa më shpejt, më mirë herët se vonë! Ato janë aty thjesht për të prishur punë, kur do ta merrni vesh ndonjëherë?

8."Mos i pini më ato dreq pije të gazuara"

Pije me nivele kaq të larta aciditeti po ua shkatërrojnë dhëmbët dhe dentistët nuk e tolerojnë dot. Na e kanë përsëritur 100 herë t'i lëmë këto pije që na shkatërrojnë stomakun dhe gojën, por njerëzit thjesht nuk dëgjojnë.

VIDEO/ Morata përshëndetet mes emocionesh me shokët

Posted: 20 Jul 2017 08:15 AM PDT

Alvaro Morata i ka dhënë lamtumirën skuadrës së tij Real Madrid. Sulmuesi spanjoll është larguar nga "Los Blancos" i emocionuar ndërsa ka takuar shokët e ekipit ditën e sotme në fushën stërvitore në Los Angelos.

25-vjecari u transferua për 70 milionë paund te Chelsea në Premire League.

Morata përqafoi trajnerin Zinedine Zidane para se të ndahej teksa shkëmbeu disa fjalë nën emocione.

Sulmuesi u përshëndet edhe nga një sërë shokësh të ekipit, Bale, Carvajal, Isco e të tjerë për t'iu bashkuar skuadrës londineze më pas.

Diagnostimi me kancer i McCain, reagojnë Trump, Obama dhe Clinton: Je luftëtar John, dërgoje në ferr

Posted: 20 Jul 2017 08:06 AM PDT

Senatori republikan, John McCain është diagnostikuar me kancer në tru dhe menjëherë reagimet në mbështetje të tij kanë qenë të shumta.

Donald Trump, Barack Obama, Bill Clinton, Hillary Clinton, Joe Biden dhe John Kerry janë vetëm disa nga personalitet amerikane që kanë dhënë mesazhe mbështetëse për kolegun e tyre.

"Senatori John McCain ka qenë gjithnjë luftëtar. Melania dhe unë i dërgojmë lutjet për senatorin McCain, Cindy dhe për të gjithë familjen. Bëhu mirë sa më shpejt",Donald Trump, president i SHBA.

"John McCain është hero amerikan dhe një prej luftëtarëve më të guximshëm që kam njohur. Kanceri nuk e di kundër kujt është. Dërgoje në ferr, John", Barack Obama, ish-president i SHBA.

"John dhe unë jemi miq prej 40 vitesh. Ka kaluar përmes shumë vështirësive me shumë elegancë. Është i fort dhe do ta mposht këtë (sëmundje)", Joe Biden, ish-zv/president i SHBA.

"Siç ka treguar gjatë gjithë jetës së tij, mos vini baste kundër John McCain. I uroj gjithë të mirat për një shërim sa më të shpejt", Bill Clinton, ish-president i SHBA.

"John McCain është i fort. Mendimet e mia sot janë me John, Cindy dhe fëmijët e tyre të mrekullueshëm, si dhe për të gjithë familjen", Hillary Clinton, ish-Zonja e Parë e SHBA.

"Senatori John McCain ka qenë gjithnjë luftëtar. Të gjithë ne, jo si Republikan dhe Demokrat, por si amerikanë, jemi në mbështetje të tij", Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

"E dua John McCain. I pamposhtur, i pathyeshëm", John Kerry, ish-Sekretar Shteti.

"Jam duke u lutur për mikun tim, John McCain. Ai është partneri im në luftën për demokraci globale dhe e di se nuk do të dorëzohet", Madeleine Albright‏, ish-Sekretare e Shtetit.

“Kemi Bashën kryetar”, Selamit i vonojnë takimin në Tiranë

Posted: 20 Jul 2017 07:48 AM PDT

Një vonesë prej më shumë se një orë ka pasur dje takimi i kandidatit për kryetar të Partisë Demokratike Eduard Selami në njësinë 5 të drejtuar nga Çim Babasi.

Pavarësisht përgjegjësisë për të qëndruar neutral, ky nuk nguroi ta quante Bashën si kryetar të PD.

"Vonesa ime lidhet me faktin që përcolla kryetarin", tha Babasi duke shpjeguar vonesën në takim.

Filmimet e realizuara nga selia e PD nuk mundësojnë pamjet e plota të debatit, raporton Ora News.

Por kandidati për kreun e PD, Eduard Selami mbetet i bindur në vullnetin e tij për forcimin e partisë.

"Kjo garë është e pabarabartë dhe s'mund të prodhojë një rezultat të drejtë", tha Selami.

Pavarësisht vështirësive, u shpreh Selami procesin e kanë në dorë demokratët që në 22 Korrik do të votojnë dhe garantojnë votën e tyre, në emër të demokratizimit të PD dhe ringritjes së saj.

Së bashku do të jemi një parti e madhe shprese, pohoi Selami që këmbëngul në bërjen e një analize të thellë.

"Hajde të bëjmë një analizë serioze. Ça i trembesh?! Më dil këtu përballë, leri kamerat, ku i ke kamerat pse ke frikë?! Hajde të diskutojmë, unë mbaj përgjegjësi për gjërat e mia ti për të tuat. Ca është kjo, me pritat e kohës së vjetër", tha Selami.

"PD me mua kryetar, – vazhdoi Eduard Selami, – nuk do të jetë më pronë private pa konkurrencë vlerash, dhe me konkurrencë servilizmi".

"Edhe këta fanatikët e statutit që shikoni tani, asnjë nuk hodhi firmën. U larguan sikur të kishte murtajë. Anëtari i Këshillit Kombëtarë që nuk hedh firmën, kur shkelet statuti dhe ka frikë. E kuptoni ku jemi katandisur? Këto ane fakte dhe realitet", tha Selami.

Selami përsëriti optimizmin për rikthimin e PD në pushtet me fitoren e tij si kryetar: "Bashkë vijmë në pushtet, bashkë fitojmë shumë shpejt, duke ngritur problemet duke qëndruar pranë qytetarëve. Kjo është formula!Ditët më të mira tonat i kemi përpara. Së bashku do të bëjmë jo vetëm që PD të vijë në pushtet, me vlerat tona, me kartën morale, me mbështetjen mbarë popullore por edhe Shqipërinë do ta kthejmë në histori suksesi".

Rama shkarkon drejtorin e Burgjeve dhe të Hipotekës, ja emërimet e reja

Posted: 20 Jul 2017 07:07 AM PDT

Kryeministri, Edi Rama ka firmosur shkarkimin e dy drejtorëve teknikë të emëruar pas marrëveshjes mes tij dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Sot është shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arjan Hoxha dhe është emëruar deputeti në detyrë i PS-së Arben Çuko.

Ndërkohë është shkarkuar edhe kreu i Hipotekës Arjan Bylykbashi dhe në vend të tij është emëruar Blerina Doraci.

Disa nga institucionet më të rëndësishme në vend u drejtuan nga drejtorë të propozuar nga Basha në marrëveshjen e 18 majit me kryeministrin Rama.

Pak ditë më parë, i pyetur për largimin e ministrave dhe drejtorëve të PD-së pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit nga PS, kryeministri Rama tha se pret që ata të largohen vetë.

Vettingu, zgjidhet kryetarja e Komisionit të Kualifikimit

Posted: 20 Jul 2017 07:06 AM PDT

Genta Bungo do të jetë kryetarja e Komisionit të Kualifikimit pranë komisionit të Vettingut.

Në garë ishin katër kandidatë, si Alma Vokopola, Etleda Çiftja dhe Lulzim Amitaj. Mandati në krye të këtij komisioni është 3 vjeçar.

Komisioni i pavarur i Kualifikimit do të vlerësojë pasuritë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Komisioni sipas ligjit, do të bashkëpunojë me ILDKPI-në dhe në fund do të dalë më një vlerësim.

Procesi pritet të nisë gjatë muajit shtator.

Përveç pasurisë do të vlerësohet dhe niveli i profesionalizmit dhe do të monitorohet puna e tyre.

Për të evituar korrupsionin ndaj tij, ky Komision do të monitorohet nga një mision ndërkombëtar në përbërje të të cilit janë ekspertë të BE-së, SHBA-së dhe organizatave të tjera.

Sipas ligjit, komisioni i pavarur i kualifikimit do të funksionojë jo më pak se data 31 dhjetor i vitit 2025.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more