Skip to main content

Tirana Observer: “Meta betohet si President, shtrëngon duart me Berishën dhe jo me Ramën” plus 9 more

Tirana Observer: “Meta betohet si President, shtrëngon duart me Berishën dhe jo me Ramën” plus 9 more


Meta betohet si President, shtrëngon duart me Berishën dhe jo me Ramën

Posted: 24 Jul 2017 09:33 AM PDT

Ilir Meta është betuar këtë të hënë në Kuvend si presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Në seancën e drejtuar nga Valentina Leskaj, Meta është betuar me dorën mbi Kushtetutë se do të punojë për interesat e popullit dhe shtetit shqiptar.

Pas fjalës së rastit ai është larguar nga Kuvendi, duke u përshëndetur me deputetët. Ai mes të tjerëve takoi Sali Berishën, por nuk pati një shtrëngim duarsh me kryeministrin Edi Rama.

Aksidentohet për vdekje 24-vjeçari

Posted: 24 Jul 2017 07:56 AM PDT

Një 24-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident që ka ndodhur në rrugën Durrës – Rrogozhinë pranë një mbikalimi.

Policia thotë se viktima është me iniciale Xh.Xh nga Vlora, pasagjer në makinën Mercedes. Ky automjet drejtohej nga 28-vjeçari Soren Veshaj, i cili goditi në pjesën e pasme kamionçinën tip Iveco që ishte i ndaluar në rrugën dytësore.

24-vjeçari pasagjer në makinën që shkaktoi aksidentin, humbi jetën menjëherë. Kurse drejtuesi Soren Veshaj është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Një tur arkeologjik për emrat e shqiptarëve, nga Teuta dhe Agroni te Pamela e Andersoni

Posted: 24 Jul 2017 07:00 AM PDT

Nga Leonard Veizi

Çudi e madhe me emrat e shqiptarëve. Në lashtësi të çante emri Bato, aq sa mund të mendosh se ky emër ishte i përhapur në dy të tretat e popullsisë ilire. Nga mesjeta u përqafua fort emri Konstandin. Ca më pas në modë do të futeshin emrat Islam e Qeramudin. Gjatë vitet të ndërtimit socialist të vendit u vendos një rregull i zbatueshëm për të gjithë ku shtetasit e porsalindur shqiptarë të pagëzoheshin me emra shqip. U hartua dhe një listë e iu la dezhurnit të maternitetit me qëllim që çiftet e reja, ca fetarë, ca ateistë e ca paganë, të hiqnin dorë nga emrat e shenjtorëve e të orientoheshin me emrat shqip. Por shqiptarët, si gjithmonë ia gjenin anën e t'ia shkisnin regjimit, qoftë dhe me një element të tillë. Fjala vjen, ata të mijtë nuk ma vunë emrin Ilir dhe as Bardhyl, por Leonard.

E për të thelluar argumentin, po vazhdoj si më poshtë:

Dikur, por dhe në ditët e sotme, arrin ta njohësh menjëherë një grek, vetëm nga emri. Se vetëm Niko vërtitet në ato treva. Një turk po e po. Natyrisht, nuk do bëjmë ADN-në për t'i gjetur origjinën e vërtetë. Por edhe një italian gjithashtu e dallon po nga emri ku dominion Serxho e Anxhela. Ndërsa shqiptaret jo. S'ka burrë që mund t'i dallojë nga emri, veç nga prerja e jashtme ku nuk do shumë mundim. Dhe kjo ndodh sepse këtu te ne ka nga të gjitha llojet e emrave. Emra grek, turk e italianë, nga të gadishullit ballkanik, e ata që na erdhën nga stepat e Uraleve. Së fundi përqafuam dhe pjesën e Andeve.

Demek, turli emrash.

E meqenëse ka zëra që thonë se ne si popull jemi ca si kozmopolit, këtë punën e emrave nuk po e rendis tek gjërat e këqija të shqiptarëve.

Mirëpo ajo që më shqetëson këto kohë, e më bën ta ngre si shqetësim, është se vitet e fundit, jo vetëm ua huazojmë emrat amerikanëve dhe francezëve, por kemi filluar t'i shkruajmë edhe si ata.

"Nuk e kam emrin Ana, por Anna. Kështu dua të më shkruhet". Ishte koha kur kisha çelësat e një redaksie në dorë e më duhet të vendosja dhe për shkrimet që sillte mileti i apasionuar për të shkruar gjithfarë gjërash. "Po në gjendje civile si e ke? – e pyeta. "Lëre gjendjen civile se ata janë prapa bote, do t'u bëj dhe një kërkesë që të ma ndryshojnë se e kanë bërë dhe të tjera më parë se unë" – argumentoj artikullshkruesja. Nëse ndodh kjo, duhen marrë masa ndaj nëpunëses së Gjendjes Civile, besoj unë. A mund të shkelen në këtë mënyrë rregullat e drejtshkrimit? E përcolla Anna-n, duke i thënë të gjente një gazetë tjetër ku të plotësonte trillet e saj.

"Me quajnë Brajan…,  e kam me "Y",- më tha një djalë dhe rrudhi buzët teksa po i shkruaja emrin. "E shkruajta ashtu siç e shqiptove" – ia ktheva. "E kuptoj, por unë i kam me "y" jo me "aj". U nxeha, por e mbajta veten: "Po këtu nuk jemi ne Mançester, mo shoku, as në Belfast. Si u shkruajtka me "y" e u shqiptoka me "aj".

Ka dhe një rast tjetër kur njëfarë Anila më tha që emri i saj shkruhej "Anyla", por këtë herë i mësuar me këtë situatë, nuk ia fërshëlleva fare.

Dhe po e mbyll me rastin Christian, me të cilin e mbylla kapitullin pa e hapur.

Po e thelloj argumentin në dëm të vetes:

Ca kohë më parë, kur një botues më tha se do të bëja kërdinë në shitjen e romanit tim të ri që kisha çuar për botim, nëse në kopertinë do të mbaja mbiemrin "Veiss". Nuk pranova.

“E njoh mirë tregu, – kërkoi të më mbushte mendjen botuesi. – Veprën e ke të mirë. Por e keqja është se shqiptarët nuk kanë besim të autorët shqiptar". "Si i bëhet? – e pyeta jo pa shqetësim". "Po ja, atë që thashë, të ndryshojmë pak emrin". “Po ç'të keqe ka emri im?". Jo ore jo, emrin e ke tullë ti. Leonard. Si Leonardo Da Vinçi. Po mbiemri… Ndaj të them, ta ndryshojmë pak. Fare pak. Ç'i ka gjetur këngëtaret që kanë emra skene". Mirëpo unë i kisha shkruar ca libra me firmën "Leonard Veizi", pa përmendur disa mijëra shkrime në gazeta. "E çfarë sjell kjo?", e pyeta sërish. "Do dukesh si gjerman, – më tha ai. – Sa ta marrin vesh që je shqiptar, ikën 10 mijë kopje. Përndryshe nja 300 kopje do shesësh, e shumta 500". Nuk pranova. Doli siç tha ai.

Nuk jam penduar ende për këtë veprim "monstruoz" timin. Do kisha shitur 10 mijë kopje për dy "ss" Nuk pranova ta deformoja fare pak mbiemrin që më ka lënë babai, dhe babait ia ka lënë i ati, d.m.th gjyshi im. Në botë plot shkrimtarë kanë shkruar me pseudonime. Në Shqipëri gjithashtu: Kuteli, Poradeci, Sazan Goliku e së fundmi Tom Kuka. Po unë… Kaq e vështirë ishte të bëhesha "Leonard Veiss". Nuk ishte as pseudonim, vetëm një deformim i vockël, gati i papërfillshëm. Por unë qëndrova stoik, pas mbiemrit otoman që nuk dihet se në çfarë sanxhaku të Azisë së Vogël e ka prejardhjen e u rrafshua në gjysmën e Jugut të Shqipërisë, por dhe pas drejtshkrimit të shqipes, që nuk lejon përdorimin e dy shkronjave të njëjta, përveç rasteve të veçanta.

E bëra këtë shkrim jo sepse më ka shkuar mendja ta ndryshoj mbiemrin, pasi tanimë ata që më njohin, më njohin kështu. Tek e fundit përderisa jam shqiptar, pse duhet të ngjasoj me një gjerman, qoftë dhe për fasadë.

Dhe në fund të asaj që doja të shtroja:

Të çuditshëm fort ne shqiptarët. Në kohën kur u TV "Tirana" transmetoi një serial brazilian me titullin "Skllavia Izaura" në maternitetet gëlonin, aq sa me këtë emër quanim dhe ca furgona të vegjël policie, prodhim italian, që me të shtyme nxinin dy vetë e gjysmë brenda. Ca kohë me parë ishim në ndikimin e Dorës dhe Anjezës së Dikensit pasi u trasmetua telefilmi "David Koperfild". Pas viteve '90 u futëm në periudhën e art të Pamelës. Ndërsa tani po përjetojmë epokën e Alehandros. Dhe së fundi me dy "nn" a me dy "ss" shyqyr që e kemi nga një emër. Se sa e vështirë do ishte marrëdhënia njerëzore pa të.

Akuzohet se goditi me skaf për vdekje turisten ruse, 45 ditë burg për Fataj

Posted: 24 Jul 2017 06:32 AM PDT

Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë 45 ditë burg për Ermal Fataj,  i akuzuar si autor i goditjes për vdekje me skaf të turistes ruse në Ksamil.

Të njëjtën masë sigurie ndaj tij kishte kërkuar dhe prokuroria.

Para trupit gjykues, mësohet se Fataj ka mohuar akuzat, ndërsa avokati i tij Gjergj Imeri tha se do të presin rezultatet e ekspertizës.

"Klienti im është i bindur që nuk është fajtor", tha ai.

Varoufakis “rikthehet” me një libër mbi krizën. Tsipras: Për ne mund të thonë gënjeshtarë, por jo të korruptuar

Posted: 24 Jul 2017 06:22 AM PDT

Një libër i publikuar nga ish-ministri grek i Financave, Yianis Varoufakis, ka provokuar reagime politike në Greqi. Në këtë punim të vetin, ish-ministri hedh dritë mbi kronikën e 6 muajve të parë të qëndrimit në pushtet të SYRIZA-s, një kohë kur në vendin fqinj i druheshin një kolapsi të plotë.

Kjo çoi në vendosjen e kontrolleve dhe gati çoi në largimin e Greqisë nga Eurozona.

Sipas gazetës "Protothema" libri jep detaje nga diskutimi mes Tsipras dhe Varoufakis për planet për paketën 16 miliardë euro pas mbylljes së bankave, si dhe për planin e quajtur X. Libri ofron një panoramë të mënyrës sesi qeveria e Tsipras menaxhoi negociatat me kreditorët, ndërkohë që të gjitha këto kanë çuar në reagime nga partia opozitare, Demokracia e Re.

"Ora ku grekët do të mësojnë të vërtetën pë rata që janë përgjegjës për rënien e vendit, është afër", citohet një deklaratë e posaçme e kësaj partie që po bën kalë beteje librin e Varoufakis.

Libri ka marrë një farë jehone edhe jashtë. Në një shkrim të 3 majit 2017, Paul Mason shkruante për të në "The Guardian" duke e cilësuar si një nga botimet memuaristike më të arrira.

"Varoufakis është në brendësi të politikës së lartë të cilën e tregons i një i jashtëm", shkruan Mason që e vlerëson librin edhe për hollësitë e sjella për mënyrën si funksionon pushteti: aleanca dhe lidhje biznesi, punësime reciproke të afërmish dhe në fund ke përfunduar në një rrjet fijesh që sjell përjashtimin e të tjerëve.

Vetë Tsipras ka reaguar duke dhënë një intervistë për të njëjtën gazetë që mban në vëmendje krizën greke, tashmë jo për pasojat ekonomike, por për të kuptuar një model negociimi që zbulon sjelljen dhe natyrën e vërtetë të BE-së dhe kreditorëve. Tsipras pranon se ka bërë gabime shumë të mëdha, por më i madhi ka qenë zgjedhja e disa njerëzve në poste kyçe. I pyetur nëse i referohet Varoufakisit, Tsipras zbulon se ka qenë  qartë në arsyet e zgjedhjes së tij: Varoufakis ishte zgjedhja e iduhur për strategjinë fillestare të politikës së përplasjes, por atij ju refuzua plani për të kaluar drejt një monedhe të re.

"Yianis përpiqet të shkruajë historinë në një mënyrë të ndryshme. Ndoshta momenti kur disa të vërteta do të thuhen, do të vijë…kur ne të vijmë në pikën që të lexojmë atë që ai e paraqiti si Plani B…që ishte thjesht i dobët dhe inefektiv".

Sipas kryeministrit grek, pavarësisht nga sa duket, Varoufakis e adhuronte ministrin gjerman të Financave, Schäuble.

"Unë mendoj se ai ishte alter egoja e tij. E dashuronte. E respektonte shumë dhe ende e respekton", thotë Tsipras.

Ai sqaron edhe pikën më të errët në atë që ndodhi pasi SYRIZA mori mandatin referendar për të kundërshtuar planin e Europës.

"Strategjia qeverisëse e SYRIZA-s ishte ajo e përplasjes politike në përputhje me mandatin tonë, por dalja nga monedha e përbashkët dhe mandej si pasojë nga BE, nuk u vu kurrë në diskutim. Të ikësh nga Europa për të shkuar ku? Në një tjetër galaktikë? Greqia është pjesë integrale e Europës…Kompromis ishte i vetmi opsion", shton ai.

Dhe ky kompromis që bëri nul një votë referendare është ai që sipas kryeministrit grek shpëtoi Greqinë nga aventura që nuk dihej ku çonin. Si një demagog i lindur që merr pamjen bindëse të atij që thotë të vërteta të ndjera, Tsipras e ka gati përgjigjen për të gjithë atë zhgënjim që solli, por që nuk është kapitalizuar dot nga kundërshtarët e tij politikë.

"Nëse del në rrugë dhe pyet për këtë qeveri, shumë do të thonë "gënjeshtarë", por askush nuk do të thotë se ne jemi të korruptuar apo të pandershëm dhe se kemi vënë dorë te paratë",  deklaron ai./Respublica

Qeveria Zaev thyen akullin me Ramën, nesër ministri i Maqedonisë vjen në Tiranë

Posted: 24 Jul 2017 05:54 AM PDT

Pas një kohe të gjatë të raporteve të ngurta mes qeverisë së kaluar të Maqedonisë dhe qeverisë shqiptare, thyhet akulli.

Siç njofton agjencia e lajmeve INA, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, me ftesë të homologut të tij Ditmir Bushati, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Shqipërisë.

Në kaudër të vizitës, krahas takimit me Bushatin, është parashikuar që Dimitrov të realizojë takime edhe me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë njoftoi se pas takimit me shefin e diplomacisë së Republikës së Shqipërisë, është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp e të dy ministrave.

Qeveria e kaluar pothuajse nuk ka zhvilluar asnjë takim të nivelit të lartë me kreun shtetëror të Shqipërisë.

Vizitat më të shpeshta të qeverisë së Gruevskit janë zhvilluar me Beogradin zyrtar.

 

Nusja e nipit të Enver Hoxhës tregon “pasurinë” e saj, ja çfarë shkruan Rezarta Shkurta

Posted: 24 Jul 2017 05:40 AM PDT

Këngëtarja e njohur Rezarta Shkurta, e cila mori më shumë famë për shkak të lidhjes me nipin e diktatorit, Ermal Hoxhën, nuk lë rast pa e treguar në rrjete sociale sesa e lidhur është me famlijen e saj.

Këtë herë ajo ka vendosur të na tregojë pjesëtarët e familjes së saj, vëllain dhe motrën, duke i cilësuar si pasurinë më të madhe që ka. "Mami dhe babi jonë kanë bërë këto tre bebat që do të mbeten gjithmonë Piter Pan,"- përfundon postimi i këngëtares, ndërkohë që i ka etiketuar ata si pasuria e saj.
304899
Pak ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 10 vite burg Ermal Hoxhën, si pjesë e të implikuarve për "laboratorin e Xibrakës" ndërsa Rezarta shpërtheu ndaj mediave. Arsyeja? Të shumta ishin mediat që shkruan se teksa jepej vendimi për nipin e Enver Hoxhës, bashkëshortja e tij, këngëtarja Rezarta Shkurta postonte foto duke festuar.

Andaj, duke marrë shkas nga kjo situatë, Rezerta ka shpërthyer duke thënë se çdo gjë e ka një kufi. Mes të tjerash ajo tha se pavarësisht faktit se Ermali ndodhet në burg, jeta për të vazhdon pasi ajo ka një vajzë për të rritur, ndërsa shtoi se do ta presë bashkëshortin e saj ditën që të lirohet.

PD në morsën populiste

Posted: 24 Jul 2017 05:18 AM PDT

Nga Gjergji Kajana

Rizgjedhja e Bashës si kryetar i PD-së vazhdon ngrirjen e kësaj partie në një entitet autoreferencial mbajtur bashkë nga karizma berishiane e shpresa e kthimit në pushtet vetëm nëse shumica socialiste do të bëhet thellësisht jopopullore për shkaqe të pavarura nga opozitarizmi demokrat. Rezultati shumë i thellë i fitores Basha nuk lë dyshime se vullneti i anëtarëve demokratë shkon në mbajtjen e linjës së ashpër demokrate të një opozite “dark” pa propozime të qarta qeverisëse por me sllogane të përkufizueshme në "pushtetin e qytetarëve". Kjo linjë hiperpopuliste ka qenë në dy dekada linja Berisha e vazhdon natyrshëm me delfinin e tij Basha. Në shkencën politike me populiste përkufizohen formulat politike për të cilat burim frymëzimi e term i përhershëm referimi është populli, konsideruar si agregat shoqëror homogjen e mbartës ekskluziv vlerash pozitive, specifike e të përhershme. Partitë populiste karakterizohen nga mungesa e demokracisë së brendshme e nga mospranimi i realitetit social se një shoqëri është pluraliste dhe nuk mund të brendësohet e gjitha në një njësi sociale të vetme. Partitë populiste e gjejnë gjithmonë shkakun e dështimit të tyre tek faktorë të jashtëm ose armiq të brendshëm. Janë pre e një ëlite drejtuese që vendos pa llogaridhënie ndaj anëtarëve. Të këtilla njihen aktualisht AKP e Erdoganit në Turqi, Lëvizja 5 Yjet e Liga e Veriut në Itali, FIDESZ në Hungari, Fronti Kombëtar në Francë. Populiste ishte lëvizja që solli në Shtëpinë e Bardhë Donald Trumpin në SHBA, lëvizje që formalisht u zhvillua nën flamurin e Partisë Republikane amerikane. Alternativa Selami kishte për qëllim të deklaruar largimin e PD-së nga fryma mazokiste e këtij populizmi steril por nuk u kuptua nga anëtarët demokratë, që preferuan statuskuonë në vend të revolucionit të brendshëm që parashihej në linjën e rivalit të Bashës.

PD është fytyrë politike e tranzicionit shqiptar drejt demokracisë. Lindi si një parti e shpresës së shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Në 1990-1991 tërhoqi brenda vetes një ajkë intelektualësh e studentësh idealistë shqiptarë. Pasi fitoi pushtetin në 1992-shin pushoi së qeni një parti e mundësive të zhvillimit të vendit për t’u kthyer në një kastë pushteti që njihte për kryetar Berishën. Ndërsa Shqipëria ushqehej me të ardhurat e emigracionit, në vend lulëzuan fajde e jo banka, hipercentralizim pushtetesh tek Presidenti e jo ndarje e tij demokratike. Një strukturë e këtillë ka gjithmonë nevojë për një armik të brendshëm brenda kufijve kombëtarë: atëherë ishin "pashallarët e kuq", pinjollë të diktaturës; sot, me Bashën, janë të papërcaktueshmit "oligarkët", mbajtur në prehër nga qeveria Rama. Shqipëria, veçse, ka ndryshuar dhe nuk pranon më në mënyrë irracionale çfarëdolloj slogani politik. Berisha e ka vrarë prej dy dekadash demokracinë në PD duke mos lejuar kushte për garë demokratike brenda saj e duke emëruar "de facto" në 2013 një mëkëmbës të dobët, formalisht të zgjedhur, për ta kontrolluar sa më lehtë këtë parti. Berisha është e vetmja pikë e sigurt referimi në këtë organizatë të madhe.

Asnjë prej kritikëve të Bashës në parti nuk guxon ta thotë qartë se PD humbet sepse ndjek modelin Berisha. Selami ka guxuar ta sulmojë vetëm me dorashka këtë model sepse është i ndërgjegjshëm se në bazën e partisë një sulm i tillë nuk do të kuptohej. Kështu në PD nuk guxohet të preket me bisturi shkaku i vërtetë i sëmundjes e minianalizat e humbjes së 25 qershorit vërtiten rreth dështimit të modelit inekzistent Basha, kryetari i cili në 4 vjet opozitë është përkrahur në të gjitha lëvizjet nga Berisha. Që të thyhet fatalizmi i berishizmit kërkohet prej kohës që PD të hapet drejt shtresave progresive e filoperëndimore të shoqërisë shqiptare por kjo s'mund të ndodhë kurrë me një kuti të mbyllur si ajo e modelit aktual në parti. Në këtë fushatë korriku Selami tentoi të ringjallte idealet e PD-së së origjinës por ajo parti vdiq kur idealistët si ai vetë e ish-ekonomisti Pashko u dëbuan prej saj. PD është një organizatë që nën Bashën ka ndryshuar disi nuancat e qendrimit ndaj disidencës së brendshme, e cila injorohet haptazi e lihet pa shpjegime larg vendimmarrjes por – të paktën deri tani – nuk përjashtohet nga partia. Në kohën e Berishës kryetar të gjithë disidentët gjenin çdo derë të hapur për të ikur sapo guxonin të shmangeshin një milimetër nga linja e Udhëheqësit Suprem. Kanë ikur të shumtë: nga Imami përmes Shehit deri tek Bamir Topi e Oketa. Disa janë kthyer.

Përkundër një partie me struktura shumë të dobëta në territor e me deputetë të emëruar nga kryetari, Selami parashikonte forma të një partie perëndimore evropiane, mbi të gjitha zgjerim të diskutimeve të brendshme e konsultim të strukturave. Në planin e tij ishte dorëheqja e detyruar e kryetarit të partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve. Këto janë mënyra që forcojnë demokracinë në çdo organizatë. Mëkati i këtij qendrimi nuk është në drejtësinë e tij teorike por në faktin se në bazën e anëtarësisë së partisë nuk shihen filoperëndimorë që e kuptojnë këtë kulturë. Linja opozitare Basha (që shkon nga protesta të përhershme në shesh deri në arritjen e një ligji për dekriminalizimin e ngritjen e një “çadre lirie” në qendër të kryeqytetit) përbën – përveç betejës së drejtë për dekriminalizmin – një linjë antiperëndimore në Shqipëri.

Ia vlen të ndalesh për një çast në frymën e theksuar antiperëndimore të partisë që lindi nën thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Kjo frymë ishte inekzistente në fillim të viteve '90, kur PD përbënte – në funksion antikomunist – të mbrojturën e SHBA-ve dhe të demokracive konservatore evropiane. Lindi fort në kreun e PD-së pas prishjes berishiane me Uashingtonin rreth 1996-s dhe prej ateherë i ka mbetur tipar karakteristik. Ambasadorët perëndimorë etiketohen si antishqiptarë e, përmes alkimish mendore të padukshme racionalisht, thuhet prej PD-së se ndjekin axhenda personale, megjithëse janë diplomatë të emëruar nga qeveritë e tyre për të zbatuar direktivat e këtyre qeverive. Por shqiptarët duan stabilitet e duan Perëndimin. Sondazhi i fundit i qendrës Gallup, referuar 2016-s, tregon se 80% e shqiptarëve të pyetur besojnë se Shqipëria do të kishte benefite nga aderimi në BE e vetëm 10% e tyre besojnë se kjo do t'i sillte dëme vendit. Si të gjithë kritikët e kryeministrit, Basha përdor si kartë politike rilevimet që tregojnë dëshirën e shqiptarëve për të jetuar në Perëndim e madje edhe aplikimet e përhershme të tyre për azil politik në BE e dokumente amerikane. Këta shqiptarë, veçse, janë ata që me siguri i kanë kthyer krahët krejt politikës shqiptare, pjesë e së cilës PD është. Këta janë shqiptarë që duan të jetojnë në Perëndim e jo ta kenë atë armik. Jetojnë në Shqipëri por ëndërrojnë Perëndimin. Me një linjë të qartë logjike mund të imagjinojmë sesa të paktë duhet të jenë votuesit e mundshëm të PD-së të paktën tek 80%-shja e optimistëve të aderimit. Ndërkohë në Shqipëri partia e Berishës e Bashës është kthyer në centralin më të fuqishëm politik antiperëndimor të vendit, shigjetuese e rregullt komplotesh e pagesash imagjinare qeveritare për zyrtarë pa emër perëndimorë antishqiptarë! Selami synonte ta largonte këtë frymë por disfata e tij pardje shënon vazhdimin e mbretërimit të saj.

Pasi ka larguar Perëndimin, PD nuk afron dot as shoqërinë civile shqiptare, gjithnjë embrionale por pajisur me molekula që duan të trupëzohen. Brezi shqiptar që ka lindur e është rritur në tranzicion kërkon të ketë një zë kundër atyre që i percepton si padrejtësi. Në 2013-2017 në Shqipëri kanë ndodhur protesta antiqeveritare (armët kimike, ligji i arsimit të lartë, këndi i lojërave, ligji i mbetjeve të riciklueshme, banorët e Zharrëzës, grupi kundër Velierës në Durrës) por në asnjë prej tyre PD s’ka mundur të jetë protagoniste e është detyruar t’i shprehë përkrahjen verbale. Në protestën e armëve kimike Berisha pësoi fishkëllimat e të rinjve. Kjo tregon se edhe në sheshe PD nuk intercepton dot dëshirën e opozitarëve civilë për të afirmuar “Unin” e tyre, i cili dëshiron të mbetet jopolitik. Me siguri kryetari i rizgjedhur i PD-së do t’i rikthehet shesheve të protestës kundër Ramës por rreziku që ato të jenë mëse boshe është shumë real. Në Shqipëri vazhdojnë padrejtësi ulëritëse (një prej tyre: vërdallisjet në dyert e drejtësisë) por nuk troket kush në çadrën e PD-së për të kërkuar zgjidhje sepse me të në pushtet në Shqipëri ka sunduar anarkia.

Një mënyrë që PD të faktorizohet përsëri, të paktën në politikëbërje institucionale,  është respektimi i marrëveshjes Rama – Basha të 18 majit, ajo ku kryeministri pranoi ministrat teknikë të demokratëve në këmbim të ngritjes së komisioneve të “vetingut” e pjesëmarrjes së demokratëve në zgjedhjet që humbën thellë. Marrëveshja parashikon edhe dialog të përhershëm pozitë-opozitë për reforma zgjedhore e kushtetuese e bashkërendim të rrugës evropiane të vendit mes dy palëve. Por, siç mund të parashikohej, ajo marrëveshje ishte thjesht një armëpushim taktik që i lejoi kryetarit të PD-së të vendoste në lista të zgjedhur të tij për deputetë, ndërsa Rama e Shqipëria morrën "vetingun". Vazhdimi i PD-së në linjën e marrëveshjes do të kërkonte një PD të përgjegjshme e jopopuliste, filoperëndimore e jo të fiksuar pas komploteve sorosiane. PD nuk do BE e Perëndim: kërkon thjesht të mbijetojë me mund si faktor partiak në mënyrë që pushteti t’i bjerë në gojë nëse socialistët do  të gabojnë në qeverisje e do të perceptohen si arrogantë nga shqiptarët. Populistët janë gjithmonë gati ta kthejnë flamurin në varësi të utilitetit të tyre por për momentin, brenda lidershipit të PD-së së mbetur, ky utilitet identitar ngjan se fryn kundër asaj marrëveshjeje.

Me shkrirjen e kryetarit në 22 korrik PD vazhdon ngrirjen në frigoriferin e opozitarizmit shterpë. Megjithëse kërkon komikisht ta imitojë, Basha nuk mund të jetë Trump. Presidenti amerikan është fryt i frikës nga efekte të globalizimit (zhvendosje e faktorëve të prodhimit në vende me kosto të ulët pune, emigracion i perceptuar si i pakontrollueshëm) së një shoqërie moderne fanar demokracie e zhvillimi. Kryetari formal i PD-së vepron në një vend tradicional ballkanik që kërkon zhvillim përmes hapjes ndaj globalizimit e jo slogane të importuara keq nga ata që e kanë humbur mëse një herë mundësinë për të mirëqeverisur.

Sa romantike! Gjesti që Genc Prevulaj bën për Eni Koçin ngjan si një sekuencë filmi

Posted: 24 Jul 2017 04:56 AM PDT

Edhe pse nuk është pranuar zyrtarisht nga asnjëri, disa fotografi na kanë bindur se Eni Koçi dhe Genc Prevulaj janë në një lidhje.

Dhe duket se as Eni Koçi nuk është dhe aq kundër që ne të mendojmë këtë gjë, përkundrazi përpiqet të na bindë edhe më shumë.

Ajo ka postuar një video në të cilën na ka treguar një cilësi shumë të mirë të Gencit, të qenurit xhentil.

Në një moment Eni që ka pasur ftohtë, Genci nuk ka hezituar aspak për të hequr bluzen e tij dhe për t’ia ofruar bukuroshes. Sigurisht një moment kaq të bukur nuk kishte se si Eni ta mbante për vete, por e ka ndarë me miqtë e saj në rrjetet sociale.

Ata kanë nisur së bashku me Greta Koçin dhe Milotin e grupi e "Etnon"një tur koncertesh përtej oqeanit, ku përveç se po punojnë duket se dhe po argëtohen shumë. Një gjest për t’u vlerësuar kjo nga ana e Gencit…

Parqet kombëtare të rrezikuara nga zjarret, AKZM merr masa për parandalimin e tyre

Posted: 24 Jul 2017 04:45 AM PDT

Për të qenë të përgatitur në periudhën e rënies së zjarrëve, në stinën e verës, që në fillim të vitit është hartuar plani operacional i masave për vitin 2017 që duhet marrë për parandalimin e mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave në Zonat e Mbrojtura nga zjarri. Ky plan është miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, dhe i është shpërndarë instuticioneve të vartësisë në Qarqe që janë Administratat e Zonave të Mbrojtura (AdZM) për zbatim.

Vetëm për periudhën Janar-Korrik 2017, në Zonat e Mbrojtura janë regjistruar 15 raste të rënies së zjarrit.

Në këtë plan janë përcaktuar masat që do të merren në zbatim të objektivit dhe konkretisht:
• Pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është ngritur Shtabi Qendror i MNZSH-së i përbërë nga përfaqësues të administratës qëndrore, i cili bën vlerësimin konkret të situatave të krijuara, merr vendime dhe masa suplementare që kanë si objekt përmirësimin e punës, ushtron kontrolle në AdZM-të në Qarqe për zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri, harton dhe shpërndan komunikata periodike për shtyp.
• Në çdo Administratë të Zonave të Mbrojtura (AdZM) në Qarqe, janë ngritur e funksionojnë shtabet lokale të MNZSH-së, të cilat hartojnë planin e veprimit në nivel rajonal dhe lokal, në bashkëpunim e bashkëveprim me organet e qeverisjes vendore dhe ato të specializuara, si Prefekturat (Zyrat e Emergjencave Civile), Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH), degët rajonale të ISHMP, subjektet juridike e fizike, vendas dhe të huaj, që ushtrojnë aktivitete në fondin pyjor dhe kullosor.
• Në zbatim të VKM-së Nr.1080, datë 22.12.2010 "Për rregullat për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në pyje dhe në kullota, si dhe për krijimin e njësive vullnetare të shuarjes së zjarreve" dhe për Udhëzimin e Përbashkët me Ministrinë e Brendshme (Pushtetin Vendor), në bazë fshati, janë organizuar skuadrat vullnetare të gadishmërisë për MNZSH-në me elementë të përkushtuar të komunitetit, në krye të të cilave janë kryetarët e fshatrave dhe inspektorë rojet mjedisore (Rangersat), ku janë mbajtur proces-verbalet me emrat e vullnetarëve, numrat e kontaktit si dhe të firmosura e vulosura nga kryetarët e fshatrave dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura.
• Rraportimi për cdo situatë të krijuar nga rënia e zjarreve bëhet menjëherë pranë AKZM-së nga personat e kontaktit të AdZM-ve në Qarqe dhe më pas ky informacion përcillet menjëherë pranë zyrës së Emergjencave Civile në MM.
• Përdorimi efektiv i burimeve njerëzore, materiale dhe financiare dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera shteterore, ku çdo Administratë e Zonave të Mbrojtura (AdZM) në Qarqe ka vënë në gadishmëri të plotë të gjithë bazën materiale ekzistuese (veglat e punës, fikset, mjetet lëvizëse etj.) për shuarjen e zjarreve në pyje dhe kullota si dhe sistemin e vrojtim-sinjalizimit.
• Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në kuadër të zbatimit sa më efikas të këtij plani operacional ka planifikuar fonde financiare për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga zjarri dhe është në proces tenderimi për blerje pajisjesh kundra zjarri dhe zbatimi i projekteve për istalimin e sistemeve stacionare automatike, me hidrantë zjarrfikës për shuarjen e zjarreve në Zonat e Mbrojtura si dhe ka bashkëpunuar me projekte të ndryshme për pajisje me bazë materiale për parandalimin e zjarreve. Përmendim donacionin nga Kryqi i Kuq për AdZM-të Elbasan dhe Fier me veshje kundra zjarrit.

Zbatimi i këtij plan-masash nga Administratat e Zonave të Mbrojtura (AdZM) në bashkëpunim me të gjitha instuticionet e përmendura më lart dhe komunitetin e zonës edhe pse në një numër të pakët të punonjësve, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i zonave të mbrojtura, ka dhënë rezultatet e pritshme në ato zona që kemi pasur raste të rënies së zjarreve brenda Zonave të Mbrojtura, duke i evidentuar në kohë dhe minimizuar dëmet me anë të izolimit e deri në fikjen e zjarreve.

Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë për shfaqje të zjarreve i gjithë personeli i AdZM-ve është në gadishmëri për çdo eventualitet.

Për periudhën Janar-Korrik 2017, në Zonat e Mbrojtura kemi pasur 15 raste të rënies së zjarrit, kjo e ndarë sipas qarqeve:

Në Qarkun Dibër 4 raste zjarri
– Një rast zjarri në Zonën e Mbrojtur Parku Natyror "Korab Koritnik" më datë 10.07.2017 ku zjarri ka përshkruar një sipërfaqe prej 3.4 Ha ku 2.1 në Pishe të zezë dhe 1.3 ha në shkurre
– Tre raste zjarri në PM "Mali me Gropa Bizë- Martanesh më datë 10.07.2017, 12.07.2017 dhe deri tani tani janë djegur rreth 33.5 ha pasi zjarri vazhdon edhe sot. Punonjësit tanë janë aktualisht në zonë duke punuar për shuarjen e tij.

Në Qarkun Korçë një rast zjarri
– Kemi patur një rast të rënies së zjarrit më datën 12.07.2017, në Zonat e Mbrojtura PK "Prespë" me një sipërfaqe të përshkruar nga zjarri 205 Ha me pyje dushku.

Qarku Kukës 2 raste të rënies së zjarrit

– Në PK "Valbonë" në vendin e quajtur Klysyrë Margegaj Tropojë është shfaqur një rast të rënies së zjarrit i cili ka përshkruar një sipërfaqe prej 200 m2 ku ky zjarr është lokalizuar menjëherë dhe është fikur, më datën 14.07.2017 sapo jemi njoftuar që ka rënë një zjarr në PK "Valbonë" ku zjarri vazhdon dhe po punohet nga ana e jonë për shuarjen e tij.
– Në Qarkun Kukës, në PK "Valbonë", në vendin e quajtur Rrasa Peçe është shkaktuar një zjarr nga rrufeja ne dt. 21.07.2017, në mbremje vonë, dt 21.07.2017.
– Sipas informacionit te marre nuk ka problem perhapje. Zjarri ka pershkuar rreth 100 m2.

Në Qarkun Tiranë 5 raste të rënies së zjarrit
– Rënie të zjarrit kemi patur më datat 22.03.2017, 25.03.2017, 11.07.2017 në Zonat e Mbrojtura Mali i Dajtit dhe në Malin me Gropa Bizë Martanesh ku zjarri ka përshkruar një sipërfaqe prej104.5 Ha pa dëm ekonomik.
– Në Qarkun e Tiranës në Zonen e Mbrojtur Mali i Dajtit zjarret aktualisht janë të fikuara. Zjarri në vendin e quajtur tek Antenat Vodafon ra më 23. 06.2017 ora 12.55, ka përshkruar një sipërfaqe prej 0.2 Ha të pylli me llojin Ah. Në ndihmë erdhën forcat e policisë, emergjencat civile me zjarrfikse dhe helikopteri.
– Te vendi i quajtur Mali i Derjes më dt 21.07.2017 zjarri ka përshkruar nje siperfaqe prej 20 Ha të pyllit me lloje Halor dhe Fletore. Tashmë është fikur.

Në Qarkun Vlorë 4 raste të rënies së zjarrit

– Rënie të zjarrit kemi patur më datat 05.03.2017, 15.03.2017, 11.06.2017 në kullota me një siperfaqe të djegur 3.1 dhe në pyje 2.5 ha dhe më datë 11.07.2017 në Zonën e Mbrojtura Butrint, në Malin e Miles ku zjarri vazhdon dhe sot me një sipërfaqe të përshkruar nga zjarri 195 Ha . Vazhdon opracioni për vënien nën kontroll të zjarrit.

Në Qarkun Lezhë ka një rast zjarri
– Në ZM "Bjeshkët e Oroshit" me datë 13.07.2017 i cili vazhdon ku deri tani zjarri ka përshkruar një sipërfaqe prej 100 ha me pishë të zezë. Vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit.

Në qarqet Berat, Elbasan dhe Shkodër ka patur vatra të vogla zjarri por ndërhyrja e menjëhershme e personelit të AdZM-ve ka bërë lokalizimin e menjëhershëm të tyre.

Duke u mbështetur tek numri i punonjësve të AdZM-ve të qarqeve dhe mjetet apo pajisjet që përdoren për rastet e zjarreve, të cilat janë shumë të kufizuara, kemi caktuar pranë çdo AdZM-je nga një person kontakti i cili kryen raportimet në çdo moment kur kemi situata zjarresh me qëllim kordinimi dhe organizimi i operacionit për fikjen zjarrit i cili raporton pranë koordinatorit për emergjencat civile në AKZM.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more