Skip to main content

Tirana Observer: “Topalli rrëfen arsyet pse nuk mori pjesë në takimin anti-Basha” plus 9 more

Tirana Observer: “Topalli rrëfen arsyet pse nuk mori pjesë në takimin anti-Basha” plus 9 more


Topalli rrëfen arsyet pse nuk mori pjesë në takimin anti-Basha

Posted: 22 Jul 2017 09:18 AM PDT

Jozefina Topalli, një nga zërat më kritikë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ka folur lidhur me mungesën e saj në takimin e organizuar një ditë më parë në Akademinë e Arteve nga grupi anti-Basha.

Në emisionin "Kjo javë" me gazetaren Nisida Tufa në "News24", Jozefina Topalli thotë se ajo ka kërkuar dorëheqjen e Bashës nga PD, fill pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit.

Topalli thotë se demokratët e thjeshtë e kanë treguar qëndrimin e tyre ndaj Bashës që në zgjedhjet e 25 qershorit.

Sipas saj, është përgjegjësia e Bashës që e çoi PD në këtë situatë.

"Jam në këtë frymë, kam qenë e do të jem. Nuk bie dakord me termin grupi anti-Basha se nuk është e tillë. Janë me mijëra anëtarë të PD, deputetë, ish-drejtues të PD të cilët kanë një thirrje, apel për një analizë. Ka ndodhur një gjë e madhe, një tërmet, nuk mund të bëj sikur nuk e kam parë, apo dëgjuar. Nuk mund të bëj sikur vetëngrirja e kryetarit është diçka normale, është sharlatanizëm. Dhe kjo më pas vijon me shkelje të statutit.

Çdo përpjekje për të vendosur në shina statutore, për t'i thirrur ndërgjegjes, në mënyrë që PD të mos mbetet peng i një njeriu që e ka çuar në rezultatin historik më dramatik, është gjëja më normale që mund të mendohet. Unë kam patur një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme të Bashës pas humbjes së 25 qershorit. Ata që thonë që mos të japë dorëheqje, nuk e duan PD. Ata që kërkojnë dorëheqjen e njeriut që i futi thikën PD-së, ata e duan PD. Në fakt demokratët e kanë shkarkuar atë më 25 qershor", tha Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit tha se gjatë kësaj periudhe ka patur komunikime me anëtarë e figura të tjera të PD.

 

Tatimorët zhvatën biznesmenen, Rama tregon denoncimin: Të ngremë krye ndaj këtij soji

Posted: 22 Jul 2017 08:31 AM PDT

Pas denoncimit të një administratoreje biznesi në Spille të Kavajë, ku sipas së cilës dy inspektorë të Tatimeve i kishin marrë abuzivisht 40 mijë lekë të reja, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një status në Facebook, ku shkruan se duhet ngritur sa më parë krye ndaj këtij "soji grabitqarësh".

"Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër," shkruan Rama.

Statusi i plotë i Ramës

I MADH E I VOGËL TË NGREMË KRYE NDAJ KËTIJ SOJI

Dje më dërgoi një mesazh një zonjë e torturuar nga këta grabitqarë! Asnjë fjalë tjetër nuk i përcakton dot besnikërisht këta "hetues tatimorë", të cilët me aktin dhe paraqitjen e tyre të sjellin stomakun në fyt! Këta janë Armiku Publik Nr.1 i popullit shqiptar sot dhe i madh e i vogël, duhet të ngremë krye kudo dhe kurdo na dalin përpara…

I kishin mësyrë në lokal dhe i kishin kërcitur, për herë të dytë, gjobën e paligjshme të rrugaçërisë së tyre. E cila kishte qenë edhe më e kripur se e para. Pas një ngurrimi paraprak në bisedën që patëm, zonja pranoi që t'ia tregonte zyrtarisht Policisë së Shtetit përvojën e saj të hidhur dhe tanimë grabitqarët janë aty ku e kanë vendin.

Nuk do të lodhem së përsërituri shprehjen e bindjes time se ky vend jo vetëm duhet, po mund të shpëtojë njëherë e mirë, nga ky soj i ulët grabitqarësh të paguar me taksat tona, që torturojnë viktima të pafajshme, njollosin gjithë punonjësit e administratës dhe turpërojnë shtetin shqiptar. Kjo bëhet duke ndërtuar koalicionin e madh të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, si një domosdoshmëri jetike për shoqërinë sot dhe për Shqipërinë që duam nesër.

Po punojmë papushim për ta pasur gati bashkë me qeverinë e re edhe Platformën online të Bashkëqeverisjes, e për ta filluar ushtrimin e mandatit me çeljen njëkohësisht të regjistrimeve të anëtarëve të koalicionit nga e gjithë Shqipëria, pa dallim bindjesh politike.

 

Selami: Pabarazi në garë, kryetarët e degëve presion për të votuar Bashën

Posted: 22 Jul 2017 08:27 AM PDT

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduart Selami tha se kishte pabarazi në procesin e votimit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Selami tha se në disa qendra votimi ka qenë fotoja e Lulzim Bashës.

Deklarata e Selamit

Faleminderit për të gjithë ata demokratë që kanë shprehur vullnetin e tyre me votën e fshehtë, falenderim për të gjithë ata komisionerë dhe ata që  kanë marrë pjesë në organizmin e këtyre zgjedhjeve dhe një falenderim të veçantë për përfaqësuesit e mi, nuk është kollaj të jesh përfaqësuesi i Eduart Selamit në këto zgjedhje.

Këto zgjedhje pavarësisht se janë një hap në drejtimin e duhur kanë qenë dhe kanë filluar të pabarabarta. Fatkeqësisht kjo pabarazi është reflektuar nga disa probleme që kanë dalë, që unë falenderoj edhe median që i ka publikuar.

Probleme që kanë të bëjnë me si me ndërhyrjen e disa kryetarëve të degëve, jo të gjithë, por disa prej tyre kanë ndërhyrë duke prishur atë neutralitetin, kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën.

Kjo është një shkelje e rregullave të lojës. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit.

Këto kërkesa unë ja kam kaluar përfaqësuesit tim dhe në emrin tim i ka bërë në KQZ, KQZ ka shprehur mirëkuptimin për këto gjera, por këto nuk janë zgjidhur akoma.

Edhe këtu në qendrën tonë vazhdon kryetari i degës 2 që është miku im, por miqësia mënjanë.

Ose nuk i njeh rregulla e demokracisë ose nuk di se çfarë është. Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua.

Norvegji, një shqiptar për deputet

Posted: 22 Jul 2017 08:18 AM PDT

Ai është një shkodran prej vërteti. Për të shqipja është dialekti shkodran e gjuha zyrtare një variant i saj. Këtë e thotë me shaka, por nuk le vend pa treguar krenarinë e tij.

Është larguar prej 18 vitesh dhe tani Bujar Shala është në pozitat për të folur si i pari shqiptar në një listë zyrtare të Partisë Demokratike në Norvegji si kandidat për deputet.

"Në Norvegji jemi në kohë fushate, zgjedhjet parlamentare janë në dateën 11 shtator, Por kutitë e votimit hapen që më 10 gusht. Dhe njerëzit mund të shkojnë të votojnë një muaj para. Në rastin tim është një rast që është hera e parë që kemi një shqiptar dhe mundësitë reale janë absolute. Numrat janë, por për ta realizuar këtë duhet angazhimi qytetar", tregon Shala.

Dëshira e tij për politikë ka nisur qëkur ai ishte antar në këshillin bashkiak në Oslo. Aty pyeti veten përse jo politikë. Nuk ju frikësua faktit që ishte një i huaj në një vend që më së shumti përbëhet nga të huaj. Edhe duke e ditur që komuniteti ynë atje nuk është aktiv në votime.

"Një ndër problemet kryesore që kemi ne aty, është se komuniteti nuk voton. Shqiptarët marin pjesë 10/15 për qind. Dhe duke pasur parasysh që ti ke një muaj kohe të votosh dhe nuk voton, kjo thotë shumë për ne, sepse na hiqet një mundësi për të qenë aty ku merren vendimet. Të nxjerr shqiptarët të votojnë, ky është qëllimi im. Tia japin kujt të duan, por meqë nuk kanë dalë deri tani, kur të dalin mua do ma japin", thotë Shala.

Programi i tij është i njëjtë me atë të partisë për të cilën kandidon. Kur të kthehet në Norvegji  do të vijojë intesisvisht fushatën, e një stili shumë të ndryshëm nga ajo që ne kemi këtu.

"Atje janë të ndaluara mitingjet. Nuk lejohen flamuj, banderola, postera. Lejohet të shpërndahen fletushka. Pjesa më e madhe e fushatës është takim shtëpi më shtëpi, derë me derë në grupe të vogla", thotë Shala.

Duke dashur të theksojë se sa i hollë është kufiri i ndryshimit të preferencës se elektoratit atje,  në përputhje me interesat, ai sjell një shembull.

"Partia e qendrës, partia e fshatarëve i thonë, se është për zonat rurale. Pjesa më e madhe e bujqve janë aty antarë zakonisht marrin tre deri në pesë për qind. Ndërkohë që ujku që është specie në zhdukje në zona të caktuara, i mbrojtur me ligj po han delet e tyre . Dhe partia në pushtet edhe opozita po ashtu  thonë që do zbatojmë ligjin, sepse kjo është specie në zhdukje. Nuk mund ti bëjmë gjë ujkut, të merremi me delet. Zemërimi qytatar arrin në atë pikë sa partia e këtyre zonave rurale nga tre deri në pesë për qind si zakonisht ka qenë gjithmonë shkon në pesëmbëdhjetë përqind. Pra dhjetë përqind e elektoratit lëviz nga njëri krah tek tjetri për një ujk", shpjegon Shala.

Dikush mund të thotë që është e lehtë për Bujarin qe të flasë tani pas 18 vitesh qëndrimi atje, ku eshte shkolluar e ka ndërtuar një karrierë. Edhe ai vetë nuk pretendon se do ta kishte përcaktuar vijueshmërinë e tij, por mbret ka qenë rastësia. Sidmos kur kujton fillimet e largimit.

"Nana ime, pastë rahmet sepse nuk jeton më. Vijnë disa ndihma nga Norvegjia dhe një nga ato smuret shumë keq dhe e thërrasin doktoreshën. Ajo e sheh dhe i thotë, nëse do të jetsoh duhet të ikësh prej Shqipërisë dje, jo nesër. i vjen në Norvegji. Nëna i shkruan një hepikrizë dhe sa mbërrin tek urgjenca atje i thonë, ajo mjekja që të ka kontrolluar cfarë kishte. Si cfarë kishte? Shqipëria e 93 është Koreja e Veriut sot. Ajo kishte vetëm një stetoskop. Ata marin mamën dhe i thonë, këto gjëra që ti i ke gjetur me një stetoskop, ne nuk i gjejmë dot me kompjutera.  E marrin ne tel dhe i japin një specializim tre muaj. Kthehet në SHqipëri, mban kontaktin me kolegët e vet norvegjezë. Mandej ndoshi viti 97, problemet që dihen. Ato mjekë duke parë SHqipërnë në televizion cdo ditë e marin mamin në telefon dhe i thonë: ne e dijmë që ti do që fëmijët e tu të shkollohen jashtë. A do të vish? Ne kemi nevojë për mjekë si puna jotë. Nëna filloi procedurat dhe pjesa tjetër është histori", vijon kandidati për deputet.

Pjesa tjetër është historia e dikujt që modestisht përpiqet të mos jetë thjesht një emigrant, por të tregojë që mund t'ia dalë edhe në një fushë të vështirë si politika. Por edhe të angazhojë komunitetin shqiptar ne kete vend skandinav, kryesiht të rinjtë për të qenë pjesë e vendimarrjes norvegjeze./TCH

Zgjidhni çiftin më të lumtur dhe zbuloni se çfarë thotë fotoja për lidhjen tuaj

Posted: 22 Jul 2017 07:14 AM PDT

1- Nëse mendoni se ky është çifti më i lumtur atëherë ju doni t'ia tregoni gjithë botës sesa krenarë jeni për partnerin tuaj. Jeni e pavarur, kujdeseni për veten e nevojat tuaja dhe nuk ju shqetëson aspak opinioni i të tjerëve. Mashkulli ju vlerëson për atë që jeni dhe jep gjithçka tijën në lidhjen e dashurisë! Motoja juaj është: sinqeritet.

2- "Pas çdo burri të suksesshëm është një grua e jashtëzakonshme",kjo frazë përshkruan më së miri lidhjen tuaj. Është femra ajo që i kushton rëndësi dhe detajeve më të vogla, pa e lënë kurrë të dashurin në errësirë. Me mbështetjen e një partnereje të tillë çdo mashkull do të shkonte shumë larg.

3- Në këtë lidhje mashkulli është "lideri". Është i përgjegjshëm dhe kujdeset që çdo gjë në lidhje të jetë në harmoni të plotë.

4- Ky përqafim shpreh të gjithë përkujdesin dhe instinktin mbrojtës që ka partneri ndaj të dashurës. Respekti që keni për njëri tjetrin dhe besimi është themeli i lidhjes suaj.

5- Jetoni në harmoni pavarësisht gjithçkaje tjetër që ndodh rreth jush. Shijoni çdo moment së bashku! Të jetuarit momentin është motoja juaj! Do të ishit të lumtur krahë njëri-tjetrit pavarësisht vendit apo kohës.

6- Nuk jeni tipi i çiftit që i shprehni ndjenjat në publik. Respektoni hapësirën e tjetrit, mendimin dhe interesat. Ndonëse nuk e shfaqni haptazi ju jeni dy shpirtra që kanë gjetur njeri-tjetrin.

Yee: Angazhimi amerikan në Ballkan mbetet i fuqishëm

Posted: 22 Jul 2017 07:00 AM PDT

Ndërsa Mike Pence përgatitet për vizitën e fillimgushtit në Malin e Zi ku do të takohet me liderët e Ballkanit Perëndimor, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, garanton edhe një herë se angazhimi amerikan në rajon mbetet i fuqishëm.

Komentet e zëvendësndihmës sekretarit për Europën dhe Euroazinë vijnë në mesin e shqetësimeve se shkrutimet e thella të propozuara në buxhetin e këtij departamenti do të minimizojë rolin e Uashingtonit në demokracitë e brishta e të ekspozuara ndaj influencës ruse. Kur vjen fjala tek interesat e përbashkëta në rajon siç është terrorizmi Shtetet e Bashkuara shpjegon Yee për Zërin e Amerikës, do të bashkëpunojnë ngushtë me Moskën.

Por aty ku Rusia dhe SHBA-ja nuk shihen sy me sy, e ku ndoshta punohet me linja të kundërta, Amerika siç e ka thënë sekretari Rex Tillerson, dhe zv. presidenti Pence, do të mbrojë me vendosmëri interesat e vlerat e saj dhe ato të aleatëve, dhe kjo është ajo që ne po bëjmë tani, ishte deklarata e Yee.

"Ne po marrim hapa që të forcojmë shtetet e këtij rajoni ndaj influencës malinje, qoftë ajo nga Rusia, burime, vende apo faktorë të tjerë, në mënyrë që të sigurohemi se as Moska, as ndonjë aktor tjetër nuk do të arrijë të ushtrojë këtë lloj ndikimi të dëmshëm në politikën e jashtme apo atë të brendshme të vendeve ballkanike", është komenti i Yee.

Një prej rasteve që duhet të shqetësonte çdo demokraci në Europë, është sipas tij, ndërhyrja ruse në Malin e Zi. Provat e dëshmojnë qartë se Moska është e gatshme jo vetëm të ndërhyjë në zgjedhje, por edhe të rrëzojë qeverinë e zgjedhur në rrugë demokratike të një shteti tjetër, një shtet që sapo u bë anëtar i NATO-s, ndaj vendet e tjera të Ballkanit duhet të bëjnë shumë kujdes, këshillon zyrtari i lartë amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur së fundi shqetësim edhe mbi mënyrën se si operon Rusia në Serbi, një vend të cilin shumë grupe perëndimore mendojnë se Kremlini po e përdor si bazë për kundërvënie ndaj interesave amerikane në Ballkan.

Vdekja e 15–vjeçares ruse në Ksamil, merret në pyetje një i dyshuar

Posted: 22 Jul 2017 06:36 AM PDT

Një person është marrë në pyetje nga grupi hetimor, pasi dyshohet se ka qenë ai që të premten goditi me mjet lundrues adoleshenten ruse në ishujt e Ksamilit, duke i marrë asaj jetën.

Burime për ABC News, bëjnë të ditur se i dyshuari është Ermal Fataj.

Policia mësohet se ushtroi kontrolle në 35 mjete lundruese dhe shoqëroi në komisariat 35 drejtues të mjeteve që ndodheshin në det në momentin e ngjarjes.

Trupi i 15–vjeçares Kseniya Ryok ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nga ku pritet të dalë shkaku i vdekjes, e cila po pushonte me familjen e saj në bregdetin shqiptar.

Turistja, e cila ishte duke notuar në det dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.

FOTO-LAJM/ Basha apo Selami? Demokratja “voton” për Sokol Olldashin

Posted: 22 Jul 2017 06:11 AM PDT

Nuk kanë munguar befasitë gjatë procesit të votimit sot për kreun e ri të Partisë Demokratike.

Në fletën e votimit, ku demokratët duhet të zgjedhin mes dy kandidaturave në garë, për emrin e atij që do t'i drejtojë gjatë 4 viteve të ardhshme, një votë është dhënë për Sokol Olldashin, deputetin dhe ministrin e ndjerë të PD-së, ndarë nga jeta pas një aksidenti tragjik.

Sicc mund ta shihni edhe në këtë fletë votimi, vota e kësaj demokrateje nuk ka shkuar as për Bashën, kreun aktual të PD-së, e as për rivalin e tij, Selami, por për Sokol Olldashin duke nderuar në këtë formë kujtimin e tij.

Ekstradohet në Shqipëri vrasësi me një këmbë. Ekzekutoi dy shokët pas grabitjes së 38 mijë eurove

Posted: 22 Jul 2017 05:37 AM PDT

Shqiptari me një këmbë, vrasës i dyfishtë, më në fund është ekstraduar në Shqipëri nga Britania, pas betejës dy vjeçare kundër ekstradimit, raporton "Daily Mail".

42-vjeçari Saliman Barci, i cili ka përdorur identitet të rremë për të qëndruar në Britani për 14 vjet, pretendonte se do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut nëse ai dërgohej në shtëpi.

Por tani drejtësia britanike ka konfirmuar se vrasësi është dërguar në Shqipëri gjatë javës së kaluar.

Barci ka kryer një grabitje së bashku me dy persona të tjerë, duke vjedhur rreth 38 mijë euro në vitin 1997. Por ai më pas ka vendosur që t'i mbajë të gjitha paratë për vete, kështu që i ka vrarë dy bashkëpunëtorët.

Ai ka shkuar në Britani në vitin 2002, së bashku me gruan e tij duke pretenduar se ishte refugjatë nga Kosova.

Në vitin 2009 ai u dënua në mungesë për vrasjen e dy burrave në qytetin e Burrelit në korrik të vitit 1997, ndërsa u lëshua një urdhër për arrestimin e tij.

Ai u ndalua në vitin 2015 nga autoritetet e Londrës, ndersa tani është ekstraduar në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vjet për vrasjet.

Saliman Barci, baba i tre fëmijëve, pohonte se ai do të vritej si pjesë e gjakmarrjes nëse do të kthehej në Shqipëri.

Mbrojtësit e tij ligjorë kanë thënë se ai ka fituar shtetësinë britanike për shkak të deklarimit të rremë si refugjat, por se do të vuante shumë për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor në burgjet në Shqipëri, për shkak të gjendjes së tij.

Ai u ekstradua në Tiranë nga Interpoli, pasi gjyqtarët në Britani vendosën ndalimin e qëndrimit të tij në këtë vend. Sipas organeve ligjzbatuese në Britani, kostoja e ekstradimit të Barcit në Shqipëri arrin në 100 mijë paund. Kjo shumë përfshin faturat ligjore të tij, shpenzimet e gjykatës dhe kostot e qëndrimit të tij në arrest për më shumë se dy vite.

Saga e “derrave” mban peng prej 13 vitesh drejtësinë shqiptare

Posted: 22 Jul 2017 05:10 AM PDT

Gjashtë familje të një fshati dhe pronari i një ferme derrash përplasen prej vitit 2004 në dyert e drejtësisë, e cila pas qindra seancave gjyqësore dhe disa vendimeve që arrijnë deri në sallën e Gjykatë Kushtetuese akoma nuk i kanë dhënë dot zgjidhje konfliktit midis tyre.

Elvis Nabolli / BIRN

Prej 13 vjetësh pasi kaloi të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshi Gjykatën Kushtetuese, çështja e disa fshatarëve kundër një ferme derrash në Bushat të Shkodrës, vijon të sfidojë sistemin e drejtësisë.

Nga viti 2005 kur është marrë vendimi i parë gjyqësorë në Shkodër e deri sot gjykatat të niveleve të ndryshme kanë dhënë disa vendime kontradiktore me njëri tjetrin.

"Duke filluar nga 2004-tra kemi nisur një padi civile, e cila ka kaluar prej 13 vjetësh e pështjellun nga gjyqtarë të ndryshëm në bazë të interesave politike apo ekonomike", thotë Ndoci Molla, i cili është një prej 6 paditësve, bashkë me Pjetër Molla, Simon Molla, Ejll Doda, Hilë Doda dhe Prekë Rrethi.

Pala tjetër është Edoard Rrotani dhe shoqëria e tij "Dizotti Shpk" që thonë se kanë investuar 1 milion dollarë në stalla dhe se për shkak të pezullimit të punës dhe gjyqeve pambarim vijojnë të humbasin para.

Vendimet e shumta të gjykatave mbi konfliktin për stallën e derrave kanë qenë shpesh kontradiktore, dhe kanë ndjekur një rrugëtimi një hap para dy hapa mbrapa, nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkoder në Gjykatën ë Lartë dhe atë Kushtetese.

Edhe pse banorët dhe biznesmeni janë të ndarë nga konflikti mbi të drejtën e lejimit të aktivitetit të mbarështimit të derrave në fshatin Rranxë, ato bashkohen në kritikën e tyre ndaj sistemit të drejtësisë, i cili duket i paaftë t'i japë zgjidhje konfliktit.

Përplasja për fermën

Tre stalla derrash u ndërtuan disa qindra metra larg banesave të lagjes së Mollajve në Rranxë të Bushatit. Ferma u ndërtua në vitin 2004 nga Edoard Rrotani, drejtues i "Dizotti Shpk", me leje të komunës së Bushatit dhe një leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit.

Stallat ishin investim i Rrotanit  i cili thotë se u kthye nga Italia për të ndërtuar në fshatin e lindjes. Por menjëherë pas fillimit të punës banorët bënë padi në gjykatë duke pretenduar se zona ishte bërë e pabanueshme. Ata e kundërshtojnë ngritjen e stallave për mbarshtrimin e derrave si të paligjshme sepse sipas tyre, ligji  thotë se stallat duhet të ndërtohen disa kilometra larg banesave, ndërsa janë vetëm disa qindra metra.

Ata thonë se ndërtimi në afërsi u ka prishur jetën. "…shkurtimisht me pak fjalë këtu nuk jetohet. Të ikësh t'i lëshosh një kompleksi blektoral, industrial derrash, të dhëna në kundërshtim me ligjit, duke pa dhe nga planet që ju morët, hapësinat që ka fusha, dhe vijnë e ndërtojnë një kompleks në themelet e shpijave tona", thotë Ndoc Molla.

Ai thotë se era nga stalla e derrave ka qenë e padurueshme, ndërsa përmend edhe një ekspertizë që sipas tij vendosi se zona bëhej e pabanueshme 11 ditë në muaj.

"Pra aromat e këqija mund të shkojnë edhe aq ma larg sa është e planifikume në ligj, pra domethënë kudo që të rrish, jo vetëm tek ne, por edhe në fshatin Rranx nuk ka rehati…", thotë Ndoc Molla.

Por në krahun tjetër Edoardo Rrotani thotë se ferma ka zbatuar largësinë e nevojshme, por janë fshatarët që kanë ndërtuar afër saj dhe janë në ndërtime pa leje.

"Kur janë ndërtuar stallat distanca nga shtëpitë e shpërndarë nëpër fushë ka qenë 400 deri në 500 metra. Kurse sot shpitë i afrohen kompleksit. Të gjitha ndërtimet që kanë bërë fshatarët janë pa leje", i tha Rrotani BIRN.  Rrotani thotë se ndërtimet pa leje kanë vijuar edhe në vitin 2015, madje ai akuzon Ndoc Mollën se ka bërë një të tillë.

Ai ankohet  po ashtu për humbje të mëdha ekonomike. "Ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme. Për arsye se investimi kur është mbyll ka arrit vlerën 1 milion dollarë, që nga viti 2012 e sot, siç u thashë edhe më përpara jemi pa punë", thotë Rrotani.

Saga në gjykata shqiptare

Të dy palët në konflikt fillimisht iu drejtuan gjykatës në vitin 2004. Në vitin 2005 Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër i dha të drejtë pjesërisht fshatarëve, por Apeli i këtij qarku e prishi këtë vendim dhe e riktheu për gjykim një shkallë më poshtë.

Në vendimin e dytë Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë pronarëve të fermës, dhe sërish Apeli vendosi ndryshe. Në vitin 2008 Gjykata e Apelit u dha të drejtë fshatarëve dhe kërkoi mbylljen e fermës duke e cilësuar atë të dëmshme.

"Është evidente dhe e pakundërshtueshme se funksionimi i kompleksit ZOO-AL Bushat (sot Dizotti Shpk) ka shkaktuar ndotje dhe shqetësim tek banorët. Cilësia e ajrit dhe e jetës tek banorët e lagjes Molla është rënduar me vënien në punë të këtij kompleksi", thuhet në vendim.

Pronari i fermës Rrotani bëri rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë, dhoma e këshillimit e të cilës refuzoi ta kalonte çështjen në seancë duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Pas këtij vendimi në 2012 ferma ndalon punën. "Këtu ka 6 vjet që nuk punohet", i tha BIRN Rrotani, ai shpjegoi se e kishte pezulluar aktivitetin pas vendimit të gjykatës. Por ndërsa ndaloi punën në stalla, drejtuesi i kompanisë vendosi të çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Në fakt vetëm në Kushtetuese gjenden tre kërkesa në lidhje me stallat e derrave në Rranxë të Bushatit. Njëra është refuzuar nga Gjykata Kushtetuese. Dy të tjera janë pranuar.

Dhe ndërsa në njërën prej kërkesave gjykata vendos në favor të fshatarëve duke mos pranuar ankesën e Niko Rrotanit, pronar në një tjetër stallë, kërkesës së Edoardo Rrotanit gjykata i dha përgjigje pjesërisht pozitive, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të pranonte rekursin.

Në korrik të 2015 pesëshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë vendos që Apeli i Shkodrës, vendimin e të cilit po kjo gjykatë e kishte lënë në fuqi më herët, kishte vepruar gabim dhe se mënyra se si kishte kryer ekspertizën binte ndesh me Kodin Civil.

Gjykata e Lartë tani vendosi kështu të prishë çështjen dhe ta kthejë për gjykim në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Kjo e fundit pasi rimerr dosjen e fermës nuk pranon të gjykojë atë për herë të tretë duke shpallur moskopetencë më 17 qershor 2016 dhe e dërgon çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.

Ndoc Molla dhe 5 paditësit e tjerë bëjnë një rekurs të ri duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të shprehet për kompetencën mbi çështjen. Gjykata e Lartë në nëntor 2016 rikthen çështjen tek Apeli në Shkodër ku ajo ende pret të gjykohet.

Të dy palët e përfshira i bënë thirrje gjyqësorit që të mbyllte këtë histori. Molla madje i zhgënjyer që Gjykta e Lartë, pasi e kishte mbyllur njëherë dosjen duke mos pranuar rekursin dhe vendosi ta rihapë, thotë se e ka kallëzuar penalisht pesëshen e gjykatësve.

"Kërkoj një moment e më parë që të shfuqizohen këto akte, të shemben këto ndërtesa dhe të kthehet në truall siç ka qenë tokë bujqësore siç e kërkon ligji", i tha Molla BIRN.

Por edhe kundërshtari i tij Rrotani kërkon një vendim të shpejtë.

"Duhet të jetë sa më shkurt dhënia e vendimit. Kush paraqet fakte, prova ai duhet të jetë fituesi i gjyqit.  Të tjerët, llafet nuk mund të jenë kurrë pjese e pritjes së dhënies së një drejtësie që vazhdon për vite me rradhë, që nuk ka fund kurrë," përfundoi ai.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more