Skip to main content

“Kushtetuta s’ka zgjidhje për krizën në Kuvend” plus 18 more Radio Evropa e Lirë

“Kushtetuta s’ka zgjidhje për krizën në Kuvend” plus 18 more Radio Evropa e Lirë


Kushtetuta s’ka zgjidhje për krizën në Kuvend

Posted: 29 Aug 2017 08:02 AM PDT

Kriza politike, e cila është produkt i mospërfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nuk ka ndonjë zgjidhje kushtetuese, vlerësojnë njohësit e të drejtës kushtetuese dhe të zhvillimeve politike në vend. Deri më tash, pas gjashtë vazhdimeve të seancës konstituive të Kuvendit, deputetët ende nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, me çka do të rrumbullakohej procesi i konstituimit të legjislativit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i gushtit të vitit 2014, i jep të drejtën subjektit politik apo koalicionit parazgjedhore , i cili merr numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, që ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Në rastin e tanishëm, propozimin duhet ta bëj koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Por deri më tash koalicioni PAN nuk ka propozuar një kandidat për kryetar të Kuvendit. Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se në këtë rast nuk ekziston një zgjidhje kushtetuese, e cila parasheh afate kohore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. "Është mangësi serioze e Kushtetutës që nuk e ka paraparë një situatë të tillë, për arsye se kushtetutëbërësi ka menduar se nuk do të vijë deri te situatat e tilla, ngërçet e tilla, mosshfrytëzimi i autorizimeve të tilla. Kjo për arsyen se vet posti i kryetarit të Kuvendit nuk është ndonjë post i rëndësishëm dhe vendimmarrës, në kuptimin e ekzekutivit. Ai konsiderohet si një post koordinues i operacioneve më tepër teknike dhe operative, bashkë me kryesinë dhe nënkryetarët e Kuvendit". Megjithatë, profesor Baraliu thekson se një zgjedhje të mundshme duhet ta kërkojë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës i jep atij kompetencën dhe obligimin që të kujdeset për funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. "Unë mendoj që është koha e fundit që Presidenca të mos jetë pasive, por që sa më parë - në këtë vakuum tashmë të krijuar, sepse nuk është caktuar ende ndonjë datë tjetër e vazhdimit të seancës nga kryesuesi - t'i ftojë partitë politike dhe të reflektojnë, të merren vesh për ndonjë solucion. Eventualisht, nëse nuk merren vesh për asgjë, atëherë të merren vesh që të shkojnë bashkërisht në shpërbërje të parlamentit", tha Baraliu. Ai shton se kjo do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare. Por, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngërçit politik, megjithatë duhet t'i gjendet një zgjidhje politike. "Po konsideroj që nuk do të thotë që çdo procesi politik t'i vihet përballë një zgjidhje kushtetuese. Ky ngërç politik mund të zgjidhet edhe përmes zgjidhjeve politike. Nuk është e domosdoshme që të ketë vetëm zgjidhje kushtetuese". Analisti Qirezi shpreh mendimin që tashmë kanë ngelur tri rrugë për zgjidhje të ngërçitpolitik. Zgjidhja e parë, sipas tij, është arritja e një konsensusi të subjekteve politike parlamentare. "Pra, të fillohet me një konsensus që të ketë formim të institucioneve, përkatësisht, që të mos ketë zgjedhje të parakohshme. E dyta është që Presidenti i vendit mund të thërras qoftë takim konsultativ, qoftë të kërkojë nga grupi politik PAN, së pari, por edhe nga grupet e tjera politike që t'i bëjnë propozimet e personaliteteve për funksionet përkatëse, për shkak të të cilave është duke u bllokuar situata. Zgjidhja e fundit është që nëse kalohet çdo kohë e arsyeshme, brenda të cilës nuk ka zgjedhje të institucioneve, të cilat pritet të zgjidhen, atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme", tha Qirezi. Ngërçi politik në Kosovë ka nisur që nga mbledhja konstituive e Kuvendit, e cila ka nisur më 3 gusht. Deri më tash, ajo është vazhduar gjashtë herë, por nuk është arritur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërkaq ende nuk është precizuar ndonjë datë se kur do të vazhdojë seanca konstituive e legjislativit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Guterres: Koreja V. po minon sigurinë rajonale

Posted: 29 Aug 2017 07:59 AM PDT

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kritikoi fuqishëm Korenë e Veriut për lëshimin e një rakete mbi Japoni. "Ky veprim minon sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale, si dhe përpjekjet për krijimin e hapësirës për dialog", tha një zëdhënëse e Guterres. Koreja e Veriut ka lëshuar mëngjesin e së martës një raketë mbi Japoninë veriore, e cila ka fluturuar mbi ishullin Hokaido përpara se të binte në det. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka thënë se ky është kërcënim "i paparë" për vendin e tij. "Japonia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për të rritur tutje presionin mbi Korenë e Veriut", ka thënë Abe. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se "të gjitha opsionet janë në tryezë". Ambasadori i Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara, Han Tae-Song, e ka mbrojtur veprimin e vendit të tij dhe ka thënë se ai është përgjigje ndaj stërvitjeve ushtarake që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon. Koreja e Veriut ka kryer disa prova raketore kohëve të fundit, por kjo është hera e parë që ajo ka lëshuar mbi Japoni atë që mendohet të jetë një armë balistike. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Faza e re e dialogut me probleme të vjetra

Posted: 29 Aug 2017 06:48 AM PDT

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, gjatë kësaj jave, pritet të takojë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të çuar përpara dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe të shkëmbehen ide për atë se si do të duhej të vazhdonte ky dialog. "Do të bisedohet për modalitete se si do të vazhdojë dialogu dhe si do të duket dialogu në të ardhmen", tha Arifaj.  Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, vazhdimin e dialogut dhe takimet ndërmjet presidenteve i shohin si të rëndësishme. Ministrja për Dialog në Qeverinë në largim të Kosovës, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i këtyre takimeve ndodh për faktin se disa nga marrëveshjet e arritura mes dy vendeve kanë ngecur në zbatimin e tyre nga ana e Serbisë. Sipas saj, Serbia është përgjegjëse për bllokimin e rreth tetë marrëveshjeve. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka gjashtë vjet që është duke vazhduar dhe gjatë këtij procesi janë arritur rreth 38 marrëveshje. Tahiri thotë se disa nga marrëveshjet kanë ngecur në procesin e zbatimit, kurse disa të tjera nuk kanë nisur fare të zbatohen. "Serbia është bllokuese për këto marrëveshje, por në përgjithësi ky dialog ka dhënë rezultate edhe ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet tri palëve, pra edhe Kosovës dhe Serbisë edhe Bashkimit Evropian", tha Tahiri. Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri vlerëson se tani dialogu duhet të hyjë në fazën përfundimtare dhe të përmbyllet me njohje reciproke ndërshtetërore. "Mendoj që paqja mes dy kombeve të mëdha në rajon, shqiptarëve dhe serbëve mund të arrihet, në qoftë se ndodh njohja reciproke, përkatësisht të ndodhë vetëdijesimi i Serbisë që pas luftës dhe gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, mënyra e kërkimit të faljes është njohja e shtetit të Kosovës dhe mbyllja përgjithmonë e konflikteve dhe armiqësive", tha Tahiri. Nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se vazhdimi i dialogut është një përkushtim i të dy presidentëve, por siç thonë ata, tash për tash nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje konkrete. Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se bisedimet mes dy vendeve do të vazhdojnë edhe për një kohë, dhe se ai nuk pret që në një afat të shkurtë kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë. "Mund të ndodhë që në një formë Serbia të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë në kuptimin e një shteti të ri dhe mospengimin e këtij shteti për të shkuar përpara, por unë nuk besoj se brenda një kohe të shkurtër mund të ndodhë njohja faktike e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë", tha Mushkolaj. Në takimet e fundit, presidentët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kanë rënë dakord se do të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Thaçi e Vuçiq janë pajtuar që të formohen ekipet punuese dhe të nisin përgatitjet për këtë çështje. Ministrja në largim, Tahiri thekson se për fazën e re të dialogut duhet të ketë grup gjithëpërfshirës. "Duhet të ketë një ekip të spektrit të gjerë. Arsyeja është se faza përmbyllëse është faza më e rëndësishme, prandaj duhet të kemi një legjitimitet me bazë më të gjerë të përfaqësimit në raport me ketë dialog", tha ajo. Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave. Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takime në nivele të larta politike gjatë muajve shkurt dhe korrik. Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka thënë në Konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian se Ballkani është "prioriteti i katërt" i Bashkimit Evropian, ku BE-ja "mund të humbë më tepër dhe të fitojë më tepër".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Për Korenë Veriore - “të gjitha opsionet në tryezë”

Posted: 29 Aug 2017 05:47 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se "të gjitha opsionet janë në tryezë" lidhur me përgjigjen eventuale amerikane ndaj lansimit të një rakete nga ana e Phenianit. Në deklaratën e tij të sotme, zoti Trump tha se Koreja Veriore ka "sinjalizuar mospërfillje për fqinjët e vet, për të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të sjelljes ndërkombëtarisht të pranuar". Raketa e lansuar verikoreane ka fluturuar bi ishullin Hokaido, para se të përplasesj në det. Tokio tha se ky aksion ishte kërcënim i "paprecedent" për Japoninë. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, tha se ka biseduar me presidentin Trump dhe janë pajtuar për rritje të presionit ndaj Koresë Veriore. Ambasadori i Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara i ka mbrojtur aksionet e Phenianit dhe tha se ato janë përgjigje ndaj ushtrimeve ushtarake që zhvillohen ndërmjeet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të vet në rajon. Kina ka tërhequr vërrejtjen se tensionet në Gadishullin Korean kanë arritur "pikën më të lartë", por theksoi se Uashingtoni dhe Seuli, duhet të fajësohen pjesërisht për ushtrimet ushtarake të përsëritra, me të cilat bëhet presion kundër verikoreanëve. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Koreja Veriore "duhet t'i respektoj" rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që aktualisht ka imponuar sanksione të reja të ashpra kundër Phenianit, për testet e raketave balistike, sot më vonë gjatë ditës do ta mbajë një seancë të jashtëzakonshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Diskriminimi etnik mbetet sfidë për Maqedoninë

Posted: 29 Aug 2017 05:32 AM PDT

Diskriminimet në bazë të përkatësisë etnike dhe politike kanë qenë më të theksuara gjatë vitit të kaluar, bazuar në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë. Sipas të dhënave, më së shumti qytetarët janë të diskriminuar në marrëdhëniet e punës, shëndetësisë, arsimit, e deri te shërbimet e institucioneve. Raporti ka për bazë të dhënat e grumbulluara nga shoqatat qytetare dhe institucionet në fushat e diskriminimit për vitin e kaluar. "Në ngritjen e vetëdijes për ekzistimin e diskriminimit më të zëshme janë shoqatat qytetare. Vlerësojmë se është e nevojshme që të ketë aktivitete në rritje nga institucionet në pjesën e parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi", thuhet ndër të tjera në raportin e Komitetit të Helsinkit. Se prania e diskriminimit ka qenë evidente, flet edhe Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike. "Diskriminimin më të madh politik ne e kemi gjatë fushatave zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe bëhen diskriminime të ndryshme, si etiketime, fyerje, kërcënime e deri në largime nga puna apo forma tjera të presionit. E gjithë kjo bëhet për fitimin e pikëve politike, por besoj se kësaj forme të dhunës i ka ardhur fundi pasi me nxitje të ndryshme, qoftë etnike apo politike nuk arrihen pikët politike", thotë Dimovski sipas të cilit që të arrihen rezultate të dukshme duhet ndryshuar, siç thotë, mentaliteti i strukturave të caktuara. "Vlerësoj se duhet të punohet shumë më tepër në ndryshimin e mentalitetit të atyre që bëjnë diskriminime, qofshin ata politikanë apo strukturat udhëheqëse nga të cilët edhe bëhen më shumë diskriminime, qofshin ato politike apo etnike. Këtu do të veçoja edhe diskriminimin e theksuar në arsim, i cili vlerësoj se mund të pengohet vetëm nëse zvogëlohen kompetencat kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të shkollave, pasi pikërisht nga ata vijnë më shumë diskriminime", thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike. Shpëtim Pollozhani nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë thotë se diskriminimi nuk i vazhdueshëm dhe jo vetëm nga viti i kaluar. Ai kujton rastin me shoqatën që i takon ku anëtarët e saj asnjëherë nuk janë trajtuar për dëmet që kanë pësuar nga ish regjimi komunist. "Ishte miratuar një ligj në vitin 2002, me të cilin një herë i është pranuar statusi dhe pastaj janë zhdëmtuar të gjithë ish të burgosurit politik maqedon dhe ata që janë gjallë akoma i shfrytëzojnë benificionet e atij ligji. Ne nuk na përfshinë ai ligj, pasi na thanë se është vetëm për maqedonasit", thotë Pollozhani. Ai beson se në Maqedoni përfundimisht do të ketë ndryshim në qasjen e klasës politike. Ky, thotë ai, ndoshta është shansi i fundit që vendi të ecë një rruge të re pa diskriminime të shoqërisë, pasi sipas tij, alternativë tjetër nuk ka. "Unë mendoj se ka sinjale se duhet të fryjnë era të reja. Shpresoj se kjo garniturë e re politike e maqedonasve e ka kuptuar se me metoda të vjetra bizantine komuniste nuk ecet përpara dhe nuk shkohet në Evropë. Shpresoj të fillohet më zgjidhjen e problemit të ish të burgosurve politikë, me zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pasi edhe ai ka mbetur pezul, me çështjen e gjuhës e kështu me radhë, shpresojmë", thotë Shpëtim Pollozhani nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kirgizi: Janë vrarë dy pjesëtarë të dyshuar të një grupi terrorist

Posted: 29 Aug 2017 05:15 AM PDT

Autoritetet në Kirgizi thonë se forcat e sigurisë i kanë vrarë dy militantë të dyshuar gjatë të shtënave në rajonin verior, Çui. Komiteti Shtetëror për Siguri Kombëtare (UKMK) tha se shkëmbimi i të shtënave ka ndodhur sot në qarkun Xhail. Sipas UKMK-së, forcat e sigurisë kanë hapur zjarr, pasi tre pjesëtarë të dyshuar të një grupi terrorist, që ishin të rrethuar në një shtëpi, kishin refuzuar të dorëzohen. U tha se dy të dyshuar ishin vrarë, ndërsa i treti ishte plagosur dhe ishte zënë. Deklaratat e këtij komiteti është pothuajse e pamundshme të verifikohen në mënyrë të pavarur. UKMK tha se nuk ka pasur viktima në mesin e forcave të sigurisë. Asnjëri prej militantëve të dyshuar nuk është identifikuar me emër. Autoritetet e Kirgizisë kishin filluar kërkimin për të dyshuarit më 24 gusht, pasi dy persona i ishin kërcënuar patrullës së policisë me armë dhe me një granatë në kryeqytetin Bishkek.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Twitter në Iran: Popullor pavarësisht bllokadës

Posted: 29 Aug 2017 05:09 AM PDT

Zyrtarë të komunikimeve në Iran kanë thënë se kanë nisur negociatat që mund të çojnë në zhbllokimin e Twitter-it atje. Rrjeti social në Republikën Islamike është filtruar shumë, për të parandaluar qasjen në të, por ai nuk ka mundur të injorohet nga disa zyrtarë të lartë. Twitter nuk ka qenë shumë mjet i popullarizuar social kur është bllokuar në vitin 2009, pas protestave kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinejad. Atëbotë, Facebook dhe YouTube janë konsideruar si mjete të zgjedhura për përhapjen e informacioneve dhe videove në lidhje me protestat kombëtare dhe shtypjen e ashpër që i ka pasuar. Twitter është përdorur më shumë jashtë vendit për të shpërndarë ngjarjet e vitit 2009. Megjithatë, pavarësisht pengesave, ai është bërë gjithnjë e më popullor në mesin e iranianëve, përfshirë zyrtarët konservatorë, të cilët shpesh e cilësojnë si mjet spiunimi i Perëndimit. Ata e përdorin Twitter-in për të arritur te mbështetësit e tyre me deklarata dhe mesazhe dhe për të përhapur propagandë. Javën e kaluar, ministri i Komunikimeve i Iranit, Javad Azari Jahromi, ka thënë se shërbimi nuk duhet të bllokohet tutje, ndërsa Twitter ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e "problemeve". Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë nëse negociatat kanë nisur. Por, sido që të jetë, janë disa emra të mëdhenj iranianë që e kanë përdorur Twitter-in gjatë gjithë kohës. Një nga ta është udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cilësuar shpesh nga mbikëqyrësit e medaive si njëri nga armiqtë kryesorë të internetit. Ai ka llogari në Twitter në disa gjuhë, përshirë: anglishten, farsi, arabishten dhe spanjishten. Ekipi i tij i medias ia poston rregullisht deklaratat, fjalimet dhe fotografitë. Megjithatë, llogaritë e tij në Twitter nuk ndërveprojnë me përdoruesit. Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, po ashtu ka llogari në Twitter në gjuhën farsi për audiencën në Iran dhe në gjuhën angleze, me gjasë për përdoruesit jashtë vendit. Llogaria e tij në farsi ka 514 mijë ndjekës, ndërsa në anglisht 685 mijë ndjekës. Llogaritë që i ndjek Rohani përfshijnë atë të ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, të ish-presidentit reformator, Mohammad Khatami, dhe të udhëheqësit suprem, Ajatollah Khamenei. Zarif, ndërkaq, ka llogari në Twitter në gjuhën angleze. Në javët e fundit, ai e ka përdorur rrjetin social për të mbrojtur sjelljen e Iranit në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe për të kritikuar komentet e bëra nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Zarif, përmes Twitter-it, po ashtu e ka distancuar veten nga mohimi i Holokaustit që bënte vazhdimisht ish-presidenti Mahmud Ahmadinejad. Ish-presidenti reformator, Khatami, po ashtu ka përdorur shpesh Twitter-in për të shpërndarë deklaratat dhe fjalimet e tij. Përpara zgjedhjeve të vitit 2016 për Parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve, Khatami ka lëshuar një video-deklaratë në Twitter, duke iu bërë thirrje mbështetësve të votojnë për kandidatë të moderuar. Shahindokht Molaverdi, ndihmëse e posaçme e presidentit Rohani për të drejtat e njeriut, është ndër autoritetet e rralla në Iran, e cila ndërvepron me përdoruesit në Twitter. Ajo shpesh bën postime për politikat e shtetit dhe arritjet e grave iraniane. Zyrtarët e tjerë iranianë që kanë përdorur gjithnjë Twitter-in përfshijnë edhe nënpresidenten e Iranit për çështje të gruas dhe familjes, Massoumeh Ebtekar, dhe ligjvënësin reformator, Mahmud Sadeghi. Përgatiti: Valona Tela

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Juncker: Lidhje më të mira me Rusinë, por jo me çdo kusht

Posted: 29 Aug 2017 04:42 AM PDT

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të synoj raporte më të mira me Rusinë, por duke mos u tërheuqr nga standardet e veta. "Nuk ekziston siguri evropiane për shekujt e ardhshëm pa Rusinë", u tha sot Juncker ambasadorëve të Bashkimit Evropian në një tubim në Bruksel, dhe ka shtuar se këto raporte duhet të bëhen "pa u tërhequr nga vlerat dhe parimet tona, siç është aneksimi i Krimesë dhe të tjerat". Zoti Juncker disa herë ka bërë thirrje për përmirësim të raporteve me Moskën, që ishin tensionuar për shkak të aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014, dhe për shkak të vazhdimit të mbështetjes për separatistët në pjesën lindore të këtij vendi. Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më se 10 mijë vetë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kabul: Talibanët e morën përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës

Posted: 29 Aug 2017 03:33 AM PDT

Zyrtarët afganë thonë se nga sulmi i sotëm vetvrasës në një bankë në qendër të kryeqytetit Kabul në Afganistan, janë vrarë së paku pesë vetë dhe plagosur tetë të tjerë. Zëdhënësi i Ministrisë së brendshme, Najib Danish, tha se sulmuesi e ka goditur hyrjen në Kabul Bank, e cila është 500 metra larg kompleksit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, e cila është e fortifikuar. Përgjegjësinë për këtë sulm e kanë marrë militantët talibanë, duke thënë se i kanë marrë në shënjestër pjesëtarët e forcave të sigurisë, që ishin duke i marrë rrogat e tyre. Sulmet në banka, kur ushtarët dhe policët afganë i marrin rrogat e tyre, janë bërë pothuajse taktikë e rregullt për këtë grup ekstremist. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vakuumi institucional fut Trepçën në krizë

Posted: 29 Aug 2017 03:32 AM PDT

Për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë nuk kanë arritur të bëjnë as edhe një hap para, për siç është synuar, rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça. Kombinati Trepça, llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Por, në vitet e fundit kaloi në fazën e mbijetesës dhe nga mbi 20 mijë punëtorë sa kishe në të kaluarën, Trepça numëron aktualisht rreth 1,400 punëtorë. I gjithë procesi që do të duhej të kalonte kombinati Trepça pas miratimit të Ligjit në tetor të vitit të kaluar dhe t'i hapej rruga e zhvillimit, ka mbetur peng i problemeve politike. Aktualisht, siç thonë përfaqësues të Trepçës, gjithçka që ndërlidhet me Trepçën ka mbetur e ngrirë deri në formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se kombinati Trepça po përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit e të cilët po sjellin jo pak probleme. "Për fat të keq Ligji nuk është bërë funksional dhe funksionalizimi është vështirësuar tej mase, pasi që aktualisht as nuk jemi si një ndërmarrje shoqërore në Agjencinë Kosovare të Privatizimit e as në Qeveri dhe kjo po sjell telashe. Institucionet shtetërore duhet t'i kryejnë obligimet edhe pse faktet po falsin të kundërtën". "Çështja e funksionalizimit të Ligjit është dashur të përfundojë qysh moti, por ne po bëjmë përpjekje maksimale që këtë periudhë të tranzicionit ta tejkalojnë pa telashe serioze", thekson Tmava. Çdo vonesë që po bëhet në çështjen e Trepçës, shton Tmava është e dhimbshme, pasi që zhvillimi i Trepçës kishte mundësuar hapje të vendeve të reja të punës, rritje të prodhimi dhe të shihet interesi në shfrytëzimin e resursit. Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës, gjendjen në këtë ndërmarrje e paraqet mjaft shqetësuese. Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se ndërmarrja po shkon drejt falimentimit. "Kemi ngecur kemi rënie të prodhimit. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak, në gjashtë mujorin e parë kemi 6 mijë tonë më pak të prodhimit të xehes. Trepça nuk është duke u menaxhuar si duhet. Ka vakum institucional, janë duke u neglizhuar punët, nuk ka prodhim të mirë. Punëtorët kanë pritur që po formohen institucionet e reja të Kosovës, nëse kjo gjendje vazhdon, Trepça shkon drejt falimentimit", thotë Sadiku. Ndërkohë, Sadiku shton se edhe kushtet në të cilët po punojnë punëtorët e Trepçës janë nën nivelin e duhur. "Kushtet për punëtorët janë të rënda, ata po përballen me probleme të ndryshme, probleme të veçanta janë kushtet e ambientit, mikroklimës", thekson Sadiku. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se kriza politike afekton ndërmarrjen Trepça dhe pamundëson zbatimin e dispozitave të Ligjit mbi Trepçën. "Është e nevojshme që Kosova të ketë institucione funksionale qeveritare që mund të marrin vendime dhe të shtyjnë përpara ristrukturimin e ndërmarrjes Trepça. Pavarësisht rolit që Qeveria duhet të ketë për Trepçën, ajo çfarë OEAK ka potencuar është e rëndësishme përfshirjen e kapitalit privat në ndërmarrjen Trepça, pasi që kjo në një masë do të reduktonte rolin që vetë shteti ka në drejtimin dhe menaxhimin në një ndërmarrje të tillë strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit", thotë Zeka. Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji. Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t'i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën. Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve. Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosovë: Po verifikohet gjendja lidhur me serbin e arrestuar

Posted: 29 Aug 2017 02:44 AM PDT

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj, tha se po verifikohet gjendja lidhur me një qytetar serb, i arrestuar nën dyshimet se ka kryer krime të luftës. "Po është e vërtetë që është arrestuar një person, i cili dyshohet për krime të luftës, mirëpo Gjykata Themelore në Prizren është në pritje të verifikimit të të dhënave, ndaj personit në fjalë, nga ana e policisë së Republikës së Kosovës", tha zëdhënësja Kicaj për Radion Evropa e Lirë. Mediat serbe kanë raportuar se personi i arrestuar është Bogdan Mitroviq, 74 vjeç, dhe se ai ishte arrestuar dje, deri sa ishte në grupin e serbëve, që i vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të komunës së Suharekës.  Gjykata speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Mitroviqit më 18 korrik, për vepër penale "krime lufte kundër popullatës civile".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Në incidente të ndara janë vrarë tre oficerë të policisë

Posted: 29 Aug 2017 02:19 AM PDT

Autoritetet ruse thonë se tre pjesëtarë të forcave të policisë janë vrarë dje në dy incidente të ndara në rajonin e Dagestanit, derisa për njërin sulm përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremsit, Shteti Islamik (IS). Komiteti Kombëtar Antiterror i Rusisë ka njoftuar se dy oficerë dhe tre militantë të dyshuar, janë vrarë gjatë të shtënave në periferi të qytetit, Khasaviurt në Dagestan. Përleshja vdekjeprurëse kishte shpërthyer pasi militantët e dyshuar kishin refuzuar të dorëzoheshin, ka thënë ky komitet. Njëherësh, hetuesit rajonalë të Dagestanit thanë se dje në mëngjes, një polic lokal është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga dy sulmues me thika në qytetin Kaspisk. Hetuesit thanë se të dy sulmuesit ishin vrarë nga policia pas sulmit. Në deklaratën e hetuesve nuk përmendet terrorizmi, por agjencia propaganduese, Amaq, e Shtetit islamik, më vonë i ka cilësuar sulmuesit si "ushtarë të Shtetit Islamik". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nga eksplodimi në Kabul ka të vrarë dhe të plagosur

Posted: 29 Aug 2017 01:53 AM PDT

Zyrtarët e Afganistanit thonë se nga një eksplodim që e ka goditur një bankë në qendër të kryeqytetit Kabul, është vrarë së paku një person. Zëdhënësi i Ministrisë së brendshme afgane, Najib Danish, tha se shpërthimi ka ndodhur sot në hyrje të një banke në Kabul, e cila nuk është shumë larg nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, që është e ruajtur shumë mirë. Një zyrtar i paidentifikuar i ministrisë është cituar që ka thënë se incidenti ka ndodhur në kohën kur shumë pjesëtarë të forcave të sigurisë ishin duke pritur për t'i marrë rrogat e tyre. Zëdhënësi i Ministrisë së shëndetësisë së Afganistanit, Waheed Majroh, tha se një person është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur. Por, zëdhënësi i policisë së Kabulit, Basir Mujahid, tha se së paku pesë vetë janë vrarë, në atë që ai e ka cilësuar si sulm vetëvrasës. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e menjëhershme për këtë sulm. Më 25 gusht, ishte raportuar për vrasjen e 28 vetëve dhe plagosjen e më se 50 të tjerëve, në një sulm kundër një xhamie shiite në Kabul, për të cilin përgjegjësinë e kishte marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Firma e Trumpit ka synuar marrëveshje për patundshmëri në Moskë?

Posted: 29 Aug 2017 01:47 AM PDT

Michael Cohen, avokat i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në deklaratën dhënë për hetuesit e Kongresit, ka zbuluar se Organizata Trump kishte zhvilluar negociata për ndërtimin e objektit, Trump Tower, në Moskë, derisa zoti Trump kishte zhvilluar fushatë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2015 dhe në fillim të vitit 2016, kanë raportuar dje mediat amerikane. Sipas agjencisë Associated Press, gazetës New York Times, rrjetit ABC News, dhe mediave të tjera, që thonë se kanë siguruar kopje të deklaratës dhe emaila, zoti Cohen, që në atë kohë ishte shef i juristëve në Organizatën Trump, në deklaratën e shkruar në dy faqe për Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, tha se marrëveshja kishte arritur në shkallën "letra e qëllimit", por përfundimisht ishte braktisur "për shkaqe të ndryshme biznesore". Projekti i objektit, Trump Tower, në Moskë nuk ishte i "ndërlidhur" me fushatën presidenciale të zotit Trump, e kanë cituar mediat avokatin Cohen, por ai tha se personalisht i kishte treguar Trumpit për propozim "në tri raste" dhe se Trump në tetor të vitit 2015, e kishte nënshkruar letrën e qëllimit, që nuk është dokument obligues, për ndërtimin e një kompleksi të hoteleve. Zoti Cohen tha, po ashtu, se i ka dërguar email Dmitry Peskovit, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke kërkuar ndihmë për këtë marrëveshje, bazuar në ndërmjetësuesit rus, Felix Sater, i cili ka pretenduar se ka lidhje me Kremlinin, kanë raportuar mediat. Komiteti i Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese është njëri prej disa paneleve të Kongresit amerikan, që zhvillojnë hetime për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 dhe nëse ka pasur koordinim ndërmjet Rusisë dhe fushatës Trump. Në përgjigje të raporteve për deklaratën e zotit Cohen, Organizata Trump ka konfirmuar se në tetor të vitit 2015 ishte nënshkruar një letër e qëllimit në Moskë, me kompaninë, I.C. Expert Investment Co., për ndërtim të objektit, Trump Tower, në Moskë. Kompania tha se ishte tërhequr nga marrëveshja e licensuar për shkak se "nuk ishte e avancuar në mënyrë të rëndësishme" dhe se nuk ishte materializuar trolli dhe financat gjatë negociatave. Ajo tha, po ashtu, se Trump kurrë nuk ka paguar kurrfarë shume të të hollave, që do të ishte pjesë e marrëveshjes... "Të jemi të qartë, Organizata Trump, kurrë nuk ka pasur pronë të patundshme ose interesa në Rusi", tha kompania. E përditshmja, Washington Post, ka raportuar së pari më 27 gusht për letrën e qëllimit për ndërtim të objektit, Trump Tower. E përditshmja tjetër, New York Times, dje e para raportoi për ndërmjetësuesitn Sater, për të cilin thotë se duket se ka theksuar në një email, se marrëveshja për patundshmëri do të mund ta ndihmonte zgjedhjen e Trumpit për president. "Djaloshi ynë mund të bëhet president i Shteteve të Bashkuara dhe ne mund ta projektojmë këtë", është cituar Sater se ka shkruar në një email dërguar zotit Cohen dhe ka shtuar se "unë do t'i sjelli të gjithë në ekipin Putin të hyjnë në këtë dhe unë do ta menaxhoj këtë proces". Felix Sater, një imigrant rus, është cituar se ka thënë se ishte i gatshëm për financim të marrëveshjes Trump Tower me VTB Bank, që është një bankë ruse nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Zoti Sater është cituar të ketë thënë gjatë një ceremonie në Moskë se "do ta sjell Putinin në këtë program dhe do ne do ta kemi të zgjedhur Donaldin". Në deklaratën e tij dyfaqëshe për Komitetin e Inteligjencës së Dhomës Përfaqëuese, mediat raportojnë se Cohen ka pretenduar se i ka shkruar zotit Peskov, pasi Sater ka sugjeruar për ta bërë këtë gjë, meqë "propozimi do të kërkoj miratime brenda Qeverisë së Rusisë, që ende nuk janë dhënë". Cohen tha se ai nuk ka kërkuar kurrfarë përgjigje në këtë email, ose për kontaktet e tjera me Peskovin ose me zyrtarët e tjerë qeveritarë, për projektin Trump Tower në Moskë. Në deklaratën e tij në shtyp, Cohen i ka hedhur poshtë pretendimet për marrjen e mbështetjes së Kremlinit për marrëveshje, duke thënë se Sater "ndonjëherë e ka përdorë një gjuhë shumëngjyrëshe, pasi ishte i prirur për tregti". Zoti Cohen tha se propozimi për hotel luksoz, ndërtesë në bashkëpronësi dhe kompleks të zyrave në Moskë, ishte një prej propozimeve "të panumërta" që organizata Trump i kishte marrë për ndërtime në gjithë botën, raportojnë mediat. Avokati Cohen tha se ai "kishte kryer një punë të kujdesshme" për të përcaktuar nëse marrëveshja ishte e mirë për Organizatën Trump, ndërsa organizata, po ashtu, kishte kërkuar projekte të ndërtesave nga arkitektët dhe kishte mbajtur diskutime preliminare për financim të marrëveshjes, raportojnë mediat. Përgatiti: Fatmir Bujupi

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Përmbytjet në Hjuston - pamje nga droni

Posted: 29 Aug 2017 01:40 AM PDT

Qyteti Hjuston në shtetin Texas, është goditur nga stuhia Hjuston, që ka shkaktuar vërshime të mëdha.(Video: Reuters).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA dhe aleatët të shqetësuar për raketën verikoreane

Posted: 29 Aug 2017 12:29 AM PDT

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, janë pajtuar për ta shtuar presionin kundër Koresë Veriore, pasi Pheniani sot herët në mëngjes, e ka lansuar një raketë balistike mbi Japoninë, ka njoftuar Zyra e zotit Abe. "Akti i tyre i tmerrshëm i shkrepjes së raketës mbi vendin tonë, është kërcënim i paprecedent, serioz dhe i rrezikshëm dhe e dëmton shumë paqen dhe sigurinë rajonale", tha kryeministri Abe në Tokio, me ç'rast ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky këshill aktualisht ka imponuar sanksione të ashpra kundër Pehnianit për testet e raketave balistike. Zyrtarët e Japonisë thanë se raketa është shkatërruar mbi ujërat japoneze në ishullin verior, Hokkaido, pa shkaktuar dëme. Pentagoni tha se raketa nuk ishte kërcënim për Amerikën Veriore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Afganistan: Eksplodim afër Ambasadës së SHBA-ve në Kabul

Posted: 28 Aug 2017 11:29 PM PDT

Një zyrtar afgan tha se një eksplodim ka ndodhur sot afër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, që është tejet e mbrojtur, në qendër të kryeqytetit Kabul në Afganistan. Zëdhënësi i Ministrisë së brendshme të Afganistanit, Najib Danish, tha se eksplodimi ndodhi në hyrje të një banke, afër kompleksit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima eventuale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Uragani Harvey e mbanë të paralizuar qytetin Hjuston

Posted: 28 Aug 2017 11:26 PM PDT

Në shtetin Teksas në Shtetet e Bashkuara pritet përkeqësim i vërshimeve për shkak të të reshuarave të mëdha në Gjirin Bregdetar amerikan. Prej se uragani Harvey e ka goditur qytetin Hjuston, që është i katërti më i madhi në Shtetet e Bashkuara, ka pasur vërshime të mëdha. Nga pasojat e kësaj stuhie natyrore është konfirmuar se kanë vdekur tre persona, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Por, autoritetet janë të shqetësuara se më e keqja ende mund të ndodhë, pasi mund të ketë reshje shtesë të shiut, më vonë këtë javë. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, i ka aktivizuar 12 mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Teksasit, për t'i ndihmuar forcat e sigurisë në operacionet e kërkim-shpëtimit. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar aksion të shpejtë të ndihmave për ata që janë prekur. Zoti Trump sot do ta vizitoj rajonin e prekur nga uragani dhe vërshimet. Zyrtarët thonë se presin që 30 mijë njerëz të vendosen në strehime të emergjencës. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mogherini: Ballkani – prioriteti i katërt i BE-së

Posted: 28 Aug 2017 11:08 PM PDT

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, thotë se Ballkani është "prioriteti i katërt" i Bashkimit Evropian, ku BE-ja "mund të humbë më tepër dhe të fitoj më tepër". Mëtutje, duke folur dje në Konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian për vitin 2017 në Bruksel, zonja Mogherini tha se Ballkani nuk "është larg nesh", por "është Evropë" dhe është shprehur se ndjehet e zemëruar kur kolegët e saj u thonë "miqve në Ballkan" se "jeni në rrugë për në Evropë, pasi ky rajon është në Evropë dhe kjo shihet qartas kur kemi të bëjmë me sfida të sigurisë, me rrugët e migrantëve, kur kemi të bëjmë me investimet ekonomike, e shumë gjëra të tjera". Zonja Mogherini ka theksuar, po ashtu, se "këtë vit ne kemi parë tensione në Ballkan, që janë paraqitur në momente të ndryshme dhe në vende të ndryshme", raporton faqja në Internet e BE-së. Pasi e përmendi se më 31 gusht do të takohet përsëri me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zonja Mogherini theksoi se BE-ja duhet të "ndërmarrë hapa substancialë përpara për secilin partner tonin në Ballkan në rrugën e tyre kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more