Skip to main content

Tirana Observer: “Presidenti Trump bëhet “lëmsh” nga gazetaret bjonde” plus 9 more

Tirana Observer: “Presidenti Trump bëhet “lëmsh” nga gazetaret bjonde” plus 9 more


Presidenti Trump bëhet “lëmsh” nga gazetaret bjonde

Posted: 29 Aug 2017 09:32 AM PDT

Presidenti i Amerikës, Donald Trump ka marrë përsëri vëmendje gjatë konferencës për shtyp me presidentin finlandez Sauli Niinisto.

Ai ngatërroi dy gazetare bjonde që ishin pjesë e konferencës. Kur homologu i tij zgjodhi gazetaren që të bëjë pyetjen e rradhës, Trump mendoi se ishte e njëjta me parafolësen.

"Përsëri e njëjta?", tha presidenti, ndërsa u korrigjua nga homologu se është gazetare tjetër.

Të dyja gazetaret ishin nga Finlanda, por e para ishte Paula Vilen që pyeti Trumpin lidhur  atë nëse Rusia përbën kërcënim.

Gazetarja e parë bionde nga televizioni publik finlandez, e cila pyeti nëse marrëdhënia me Rusinë përën kërcënim.

Ndërsa gazetarja e dytë është Maria Annala që u ngatërrua nga presidenti bëri pyetjen e saj pas 10 minutash duke i thënë se në Finlandë ka shumë femra bjonde.

 

Nobelisti Pamuk: Jam i bindur, pas grushtit të shtetit qëndron Gulen

Posted: 29 Aug 2017 09:20 AM PDT

Teza e presidentit turk, Erdogan, se grushti i shtetit i para dy vjetëve u organizua nga Fetullah Gulen ka bindur së fundmi edhe nobelistin Orhan Pamuk.

Në një intervistë për "Nikkei Asian Review", shkrimtari i njohur thotë se fillimisht ai nuk i besonte tezës në fjalë, por tashmë çdo gjë është e qartë.

"Për dy javë shikoja videot e përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Nuk isha i bindur në fillim se Gulen dhe pasuesit e tij qëndronin pas tij, por tani jam i bindur duke parë sesa shumë janë infiltruar në ushtrinë turke…", tha ai raporton Hurriyet.

Shkrimtari ka shtuar se ka pikëpyetje të mëdha sesi kjo kategori penetroi në shkallë të larta të ushtrisë, ndërkohë që ka kritikuar si jobindëse arrestimet pas grushtit të shtetit.

"Nuk ka demokraci pa fjalë të lirë dhe fatkeqësisht fjala e lirë është shumë e kufizuar në Turqi", shton shkrimtari turk.

Nikolla Marku nuk mallëngjen dot askënd!

Posted: 29 Aug 2017 09:00 AM PDT

Nga dr. Isidor Koti

Për çdo qytetar të zakonshëm, "lajmi i keq" dhe një histori e bujëshme bëhen shkak për të tërhequr vëmendjen. Por kur një lajm apo histori përfundon shpejt në barcaletë, të vjen të qeshësh me historinë e fantazuar dhe të qash për "viktimën" që e tregon atë.

Pak ditë më parë, disa portale bënë jo pak zhurmë për gjoja tentativën e dështuar ndaj Nikolla Markut për ta helmuar atë. Një rrëfenjë, siç thotë vet gjatë një interviste z. Marku, që ka nisur para 5-6 vitesh në "kishën e tij". Shumë lexues u befasuan me këtë akt të dënueshëm (do të quhej i tillë nëse do ekzistonte) dhe nisën të bënin përqasje me paragjykimet ndaj rolit të Kishës Orthodhokse në çështjet e ndryshme historike – kombëtare.

Tregimi i z. Marku për portalet në internet diskretitoi brendinë kur në një intervistë të dhënë nga vet goja e tij për një radio lokale të Tiranës (radio "Kontakt") , u krijuar bindja e plotë se kjo nuk ishte histori që duhej marrë në konsideratë me disa rezerva, por një përrallë bajate.

Konkretisht, ja çfarë thotë fjalë për fjalë në një pasazh z. Marku gjatë intervistës radiofonike"

"Janë të vërteta lajmet se dikush ka tentuar t'ju helmojë?

Nuk po them që s'janë të vërteta, por tentativë ka pasur për të më dobësuar mua në rolin e punës dhe për të më hequr. Dihet që kundërshtari im këto ka pasur dëshirë herë pas here. Për këto që po flitet për helmimin, ishte një rrëfenjë e para 5-6 viteve, kur një fëmijë e morëm, e edukuam, e mësuam dhe kur arriti moshën 12 vjeç, ai u perfeksionua aq mirë, saqë pala kundështare e mësoi me ato fjalë që i ka thënë shtypi shqiptar këto ditë.  I kishin thënë që të hidhnin gjatë liturgjisë diçka te vera, fjala helm nuk përmendet, dhe të kopjonte çelësin e kishës. Dhe unë i thashë: ti i thua këto fjalë para disa miqve të mi, për të besuar? Ai ndejti dhe pak muaj dhe u largua nga kjo ngjarje. Dhe nuk u largua vet ai, por ai u largua me ndërhyrjen e palës tjetër kundërshtare".

Le ta marrim për një moment si të vërtetë këtë histori dhe të ngremë këto dy pyetje:

1- Pse u kujtua pas 5-6 vjetësh ta rrëfejë për publikun këtë ngjarje z. Marku?

2- Pse nuk e denoncoi në organet e rendit këtë "tentantivë" që në fillim?

Për rastin e parë, z. Marku tregon gjatë bisedës radiofonike se e kishte parë pak ditë më parë këtë djalë (të cilit i tregon edhe emrin publikisht), me një prift të K.O.A.SH-it në oborrin e "kishës së tij", të cilët shoqëronin disa vizitorë nga Serbia.

Për rastin e dytë, ai pohon se iu ka thënë organeve të rendit të tregojnë kujdes.

Duke i bërë një analizë të thjesht jo këtij lajmi, por kësaj përralle pa fakte, pa dëshmitarë, gjëja e parë që të shkon në mendje është përgjigja e organeve të drejtësisë. Përderisa tregohet për një tentativë kriminale, duhet të flasë ligji, jo zërat e korridoreve që ngrihen shpejt e shuhen vonë. Kjo histori nuk është thjesht një limonatë apo bitter që kalojnë shpejt në gjiriz, por një arsye më tepër që shteti duhet të merret seriozisht me këta njerëz joseriozë që tërheqin vëmendjen e mediave dhe publikut. Le të dalë në pah e vërteta ashtu siç është dhe jo duke i hedhur përsipër shpifjes flamurin kombëtar, sepse ashtu siç është e shenjtë Kisha, ashtu  është i bekuar edhe flamuri, të cilin z. Marku dhe nxitësit e tij e kanë keqpërdorur për interesa përçarëse brenda orthodhoksisë dhe jo atdhetare.

Unë nuk njoh ndonjë shtetas orthodhoks shqiptar që ndjek ceremonitë fetare në Kishën zyrtare ta dojë më pak Shqipërinë dhe kombin shqiptar se z. Nikolla Marku. Unë nuk njoh ndonjë orthodhoks shqiptar që të thotë se është grek, apo se Kisha jonë është greke. Po, Kryepeshkopi Anastas është me origjinë greke, por ky nuk është faji i tij. Ai përfaqëson Kishën tonë shqiptare dhe çdo orthodhoks që vlerëson punën shpirtërore dhe ndërtuese në zhvillimin e institucionit dhe vendit tonë. Si përfundim, cilido që është ushqyer me ndjenjën e urrejtjes dhe dyshimit për shkak të frymës përçarëse që është përcjellë nga z. Nikolla Marku dhe rrethi i tij, duhet të dijë që Kisha nuk udhëhiqet nga parime politike, por nga parime të përjetshme shpirtërore dhe nga kreu i vërtetë i saj, Krishti.

BBC: Këto janë rreziqet apokaliptike që mund të zhdukin gjithë popullsinë e Tokës

Posted: 29 Aug 2017 08:30 AM PDT

Cilat rreziqe apokaliptike kanë më shumë gjasa të fshijnë nga faqja e dheut të gjithë popullsinë e Tokës?

 

NE KETE DEKADE

Ngordhja e bletëve: Pesticidet dhe parazitet mund të vrasin bletët. Në këtë mënyrë nuk ndodh pllenimi i drithërave dhe ushqimi mbaron.

NE KETE SHEKULL

Armageddoni bërthamor: Shpërthen lufta bërthamore. Pluhuri i lëshuar në atmosferë bllokon dritën e Diellit, duke shkaktuar një dimër bërthamor. Rreziku: Jeta e pasigurtë.

Bioterrorizmi: Një mikrob vdekjeprurës zhvillohet si armë biologjike, duke shkaktuar një epidemi globale.

Humbja e tokës së punueshme: Shpyllëzimi dhe bujqësia e aplikuar keq rezultojnë në humbje të tokës së punueshme. Bimët nuk rriten më dhe toka shkretohet.

Epidemi natyrore: Një mikrob vdekjeprurës shkakton një epidemi globale.

Apokalipti i kombinuar: Një seri fatkeqësish krijojnë një zinxhir ngjarjesh të cilat njerëzimi nuk është në gjendje t'i përballojë.

Mbipopullimi: Rritja e popullsisë njerëzore dëmton mjedisin dhe shkon përtej kapacitetit të Tokës për të prodhuar ushqim.

Armët nanoteknologjike: Prodhimi me saktësi atomike sjell prodhimin e armëve të reja vdekjeprurëse.

Ndryshimi i klimës: Aktiviteti njerëzor ndryshon ekuilibrin e gazrave në atmosferën e Tokës, duke ngrohur klimën.

Super inteligjenca artificiale me defekte: Një super inteligjencë e programuar keq asgjëson gjithë njerëzimin.

KETE MIJEVJEÇAR

Nënpopullimi: Rënia e ritmeve të pjellorisë në shumë vende bën që popullsia njerëzore dalëngadalë të shuhet.

Dështimi i gjeoinxhinierisë: Përpjekja e njerëzimit për të larguar CO2 nga atmosfera dhe reflektuar dritën e diellit mbrapsht në hapësirë shkon keq.

Grey-Goo: Nanorobotët mikroskopikë vendosin të shkatërrojnë gjithçka në Univers, duke krijuar të ashtuquajturin GreyGoo.

Post-njerëzimi: Njerëz të dallueshëm humanë nuk ekzistojnë më, për shkak të inxhinierisë gjenetike dhe përparimeve të tjera teknologjike.

Rritja e nivelit të deteve: Ngrohja e klimës shkakton ekspansionin termik të oqeaneve dhe shkrirje të akujve.

Supervullkani: Një shpërthim i madh vullkanik çliron re tymi dhe hiri që bllokojnë dritën e diellit dhe ftohin globin.

Çlirimi i metanit: Metani i çliruar nga shkrirja e shtresës së akullit në koren e Tokës si dhe nga shtrati i oqeaneve bën që ngrohja globale të dalë nga kontrolli.

Goditje asteroidi: Një asteroid apo kometë e madhe godet Tokën apo Hënën.

Pushtim alienësh: Ndeshim në jashtëtokësorë armiqësorë, që na pushtojnë me super teknologjinë e tyre.

MBI NJE MILION VITE

Sindroma e Venusit: Ndryshimi ekstrem i klimës e bën Tokën po aq të nxehtë sa edhe fqinji i saj, Venusi.

E panjohura e panjohur: Diçka shumë vdekjeprurëse dhe e pashmangshme ndodh, për të cilën sot as nuk e kemi idenë.

Shpërthim rrezesh Gama: Shpërthen një yll, duke lëshuar rreze Gama që shkatërrojnë krejt shtresën e ozonit mbi Tokë.

Skenari Matrix: Universi ynë rezulton të jetë një simulim dhe thjesht "fiket".

Vdekja e Diellit: Dielli zgjerohet në një gjigand të kuq teksa i afrohet fundit të jetës. Duke bërë këtë, ai gëlltit planetët e brendshme, përfshirë Tokën.

Vdekja e Universit: Universi merr fund, si rezultat ose i zgjerimit, ose i kolapsit. / BBC – Bota.al

Nëntoka shqiptare e parë nga një inxhinier shpimi, sa të pasur jemi?

Posted: 29 Aug 2017 08:01 AM PDT

Jeta e një shpuesi pusesh nafte. Si punohej në industrinë e naftës përpara viteve '90.  Të gërmosh metër për metër tokën drejt thellësive të panjohura për të arritur objektivat  e ngarkuara, për të nxjerrë nga thellësitë e nëntokës, atë që fshihej në shekuj, naftën, gazin kondensat apo gazin e pastër. Rrëfimi i Vlashi Filit,  inxhinieri 76-vjeçar që jeton në Filadelfia

 Entela Resuli – DITA

Në vendin tonë ka shumë njerëz të cilët para viteve '90 kanë ushtruar një profesion që e kanë dashur shumë. Kanë punuar dhe kanë dhënë për të vitet më të bukura të jetës, rininë.  Të kesh punuar për 30 apo 40 vite në një sektor të caktuar, në një vend si Shqipëria, e izoluar,  me kërkesa dhe ambicie për t'u bërë superfuqi, duhet të kesh qenë shumë i duruar dhe pasionant në atë që bën.

Ka nga ata që kanë zbuluar për herë të parë vendburime nafte në vendin tonë dhe zemra e tyre ka gufuar së bashku me shpërthimin e arit të zi. Një prej tyre, është edhe Vlashi Fili. Inxhinieri i njohur, që 30 vite të jetës ia kushtoi nëntokës shqiptare sot jeton në Filadelfia, SHBA. Ka mall për vendlindjen, aq më tepër që ka prekur çdo cep të Shqipërisë. I njeh mirë damarët ku qarkullon naftë në 28 mijë kilometrat katrorë të vendit tonë.

Kurioziteti për këtë lëng të çmuar, por edhe për të mësuar më shumë rreth jetës së një profesionisti gjatë sistemit, përpara viteve '90 na çoi te Fili në Filadelfia, ku është vendosur së bashku me familjen e tij qysh nga viti 2000. Në këtë intervistë për DITA-n, inxhinieri kujton fillimet e tij dhe na rrëfen disa detaje interesante për naftën që gjendet në nëntokën tonë

-Z. Fili, cilat janë fillesat e tuaja në naftë dhe pse iu futët kësaj pune?    
– Fillesat e mia në naftë kanë qenë direkt nga viti 1956 kur unë nisa studimet në shkollën e mesme të naftës që ishte hapur para disa vitesh në qytetin tim të lindjes, por edhe indirekt. Unë jam lindur dhe rritur në qytetin naftëtar të Kuçovës dhe me sa duket edhe këtu duhen gjetur fillesat e mia si naftëtar i mëvonshëm apo saktësisht si specialist i shpimit të puseve të naftës e gazit.
– Përse iu fute kësaj pune?

– Që të jem i sinqertë duhet të them se fillimisht isha i detyruar dhe ishte detyrimi i parë në jetën time. Mua më pëlqente të shkruaja. Gazeta e murit e klasës time në 7-vjeçare, pasurohej shpesh me shkrimet e mia. Për kuriozitet mund të them se shkrimi i parë në këtë gazetë ishte për një top futbolli që unë bleva, jo pa probleme financiare të familjes time. Ishte një shkrim pak më shumë se gjysmë faqe, pra jo i gjatë, por që tërhoqi vëmendjen e mësuesit tim kujdestar, shokëve dhe shoqeve të klasës time, por edhe të klasave të tjera që vinin e lexonin me kërshëri. Pra dëshira ime fillestare ishte që të merrja këtë rrugë. Me mbarimin e klasës së shtatë, më doli e drejta e bursës për në Teknikumin e Naftës, por atje nuk kisha dëshirë të shkoja. Kështu që ndenja një vit pa shkollë. Kur edhe vitin tjetër drejtuesit e qytetit këmbëngulën që unë duhet të vazhdoja Teknikumin e Naftës, "u dorëzova" dhe fillova atë shkollë. Kjo nuk do të thotë se në vazhdim unë nuk e desha specialitetin që mora. Atë e "dashurova", i fala jetën time, punën, mundin, djersën, dijet e mia që mora më vonë dhe gjithçka kisha.

-Ishte shkolla një vend ku merrje njohuri mjaftueshëm për atë çka të priste më vonë, apo praktika ishte tjetër shkollë…?!

– Njohuritë, e para të këtij specialiteti i mora në Teknikumin e Naftës e më vonë në Degën e Naftës të Fakultetit Gjeologji–Miniera në Universitetin e Tiranës, nga pedagogë shumë të përgatitur në shkollat jashtë Shqipërisë si në Francë, ish Bashkimin Sovjetik, Rumani apo Çekosllovaki.   Këtu dua të theksoj se tjetër është shkolla dhe tjetër është praktika. Kjo e dyta është një shkollë e madhe, ku çdo specialist mund të mësojë shumë më tepër. Shkolla të mëson kriteret bazë, si duhet të veprosh në jetë, si t'i kapësh problemet e specialitetit më shpejt e t'u japësh rrugë atyre në mënyrë shkencore, por hollësitë t'i mëson praktika, vështirësitë dhe problemet që takon atje. Sado që shkolla të mëson se si duhet t'i zgjidhësh problemet që takohen në jetë, është e pamundur që të japë hollësi të plota për praktikën e jetës të specialitetit që ti zgjedh. Kështu më ndodhi edhe mua. Në shkollë mësova gjithçka që më dha ajo, por kur dola në jetë, praktika më mësoi shumë të tjera të cilat plotësuan kuadrin tim si specialist në fushën e shpimeve të puseve të naftës dhe gazit. Unë u përpoqa që ato që kisha mësuar në shkollë t'ia transmetoja edhe brigadave ku punova, por ndërkohë mora prej tyre ato që më mungonin e nuk i kisha bërë në shkollë. Këtu mund të përmend, pa u zgjatur, vetëm një shembull. Punova për disa vjet me të ndjerin Idriz Bregu, që ishte përgjegjës i brigadës ku bëra pjesë edhe unë. Ai respektonte shumë mendimin tim si specialist, por ndërkohë unë mësova më shumë nga ai se sa unë i dhashë atij.

-Përse shteti komunist i asaj kohe e pati parësor zhvillimin e industrisë së naftës?
– Në fillim dua të theksoj diçka. Nafta është aq e fuqishme sa që mund të rrëzojë apo të ngrejë qeveri, mund të ngrejë ekonominë e një vendi nga të dobët ta bëjë të fuqishme. Shikoni vendet arabe çfarë bumi po bëjnë në ekonominë e tyre dhe kjo falë naftës që ata kanë. Është kjo arsyeja, që edhe qeveria komuniste e asaj kohe që lamë, i dha përparësi zhvillimit të industrisë së naftës. Prodhimi i naftës nga viti në vit erdhi duke u rritur dhe paralel rritjes së këtij prodhimi, kuptohet edhe degët e tjera të kësaj industrie. Me prodhimin e naftës prej 2,4 milion tonë në vitin 1974, vendi ynë arriti të jetë i treti në Europë, mbas Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë që eksportonte naftën e prodhuar. Sigurisht me këtë zhvillim të industrisë së naftës, ndodhën edhe poshtërsitë e kohës, pikërisht nga kjo qeveri. Arrestoheshin, torturoheshin për të pranuar ato që nuk i kishin bërë, u bëheshin gjyqe gjoja shembullore, dënoheshin dhe deri ekzekutoheshin specialistë shumë të mirë, me akuza që nuk qëndronin, të cilat jo vetëm që merrnin në qafë specialistët e naftës që kishin zbuluar vendburime të tëra, por fusnin një frikë prej "gogoli" tek të gjithë të tjerët që vazhdonin punën në këtë industri. Përse? Sepse koka udhëheqëse kërkonte gjilpërën në kashtë.

-Koha ka qenë ndryshe, stili i jetës po ashtu, si ishte dita e një naftëtari në vitet '70?

– Në kornizën e përgjithshme, një ditë e zakonshme për një naftëtar ishte si edhe e atyre të degëve të tjera të ekonomisë së vendit, sepse një naftëtar nuk është super-njeri, por njeri si të tjerët. Në veçanti, një ditë e një naftëtari, sidomos e një shpuesi të puseve të naftës e gazit, ku kam bërë pjesë edhe unë, ndryshonte paksa në hapësirë e në kohë. Kjo për vetë faktin se lëviznin shumë e punën e kanë patur herë pranë familjes e herë larg tyre, herë pranë ndërmarrjes ku punonin e herë larg saj, fakte këto që ndryshonin një ditë të zakonshme të një shpuesi.
Kështu kur një specialist shpimi punonte në aparatin e ndërmarrjes, shkonte në mëngjes në punë, merrej me përfundimin e detyrave që mund t'i kishte lënë pa përfunduar një ditë më parë, si dhe me problemet e reja të asaj dite, përfundonte 8-orarshin e pastaj kthehej në shtëpi. Pjesën tjetër të kohës e kishte të lirë. Kurse një i tillë në brigadën e shpimit, do të merrej gjithë ditën me ndjekjen e punimeve të shpimit të pusit, zgjidhjen e problemeve që dilnin gjatë kësaj kohe, marrjen e vendimeve për mënyrën dhe kohën e kryerjes së proceseve të ndryshme dhe nuk ka patur kohë të lirë. Ai nuk kishte orar pune të caktuar. Edhe pasdite ai duhej të ishte në krye të detyrës. Mandej edhe gjumin e bënte si puna e lepurit. Hapat më të lehta që mund të ndjente nga ecja e një punëtori, në territor, jashtë barakave të fjetjes, jo vetëm që e zgjonin nga gjumi, por e detyronin t'i rrihte zemra me mendimin se ato hapa po drejtohen aty ku fle ai, për një shqetësim që mund të ketë ndodhur në pus dhe që kërkon ndihmën e tij. Për një specialist shpimi, kishte procese pune si, përpunimi apo transformimi i tipit të lëngut larës, kalimi i vështirësive që takohen gjatë shpimit, zbatimi i një teknologjie të re në pusin që shpohet, mënjanimi i një avarie që ka ndodhur dhe rrezikon pusin, procesi i uljes së kolonave të rrethimit, së bashku me çimentimin e asaj kolone, etj. etj. Koha e punës për këtë specialist nuk ka qenë 8 orë, por 16, apo 24 orë dhe ndoshta edhe më tepër. Në këto procese nuk merrej parasysh se do i duhej të punonte në vapën e verës apo acarin e dimrit, nën dritën e diellit apo të prozhektorëve që ka sonda, në drejtim të procesit apo edhe si punëtor së bashku me anëtarët e tjerë të brigadës. E për më tepër në rastet më të këqija, për faj të dikujt tjetër që mund të shkaktonte avari të rënda në pus, të dënohej edhe ai si specialist, megjithëse mund të mos kishte asnjë faj sado të vogël. Këto që sapo thashë, për ata që nuk e njohin natyrën e punës së një specialisti shpimi, mund të jenë të pabesueshme, por që në vendin tonë kanë qenë fakt.

-Ju keni eksperiencë në të gjithë vendin, cila është zona që ka më shumë naftë?
– Natyra e punës në shpimin e puseve të naftës e gazit më ka bërë që të fitoj përvojë. Sa më shumë u përballa me vështirësitë e shpimit të puseve të ndryshëm, aq më shumë lodhje dhe shqetësime më sollën ato, por aq më shumë përvojë fitova në jetë. Së bashku me brigadat e shpimit shpuam puse nga veriu në skajin më jugor të Shqipërisë në kushte shumë të ndryshme nga njëra zonë në tjetrën, nga depozitimet terigjene në ato karbonatike, nga thellësitë e vogla në ato më të mëdha, sa në zona kërkimi që jashtë dëshirës tonë nuk rezultonin me shtresa naftëmbajtëse aq edhe në raste të tjera me shumë naftë. Të gjitha këto na kanë pasuruar me përvojë deri atje sa një specialist shpimi, duke ndjekur shpimin e pusit metër pas metri, mund të krijojë mendimin se ka apo jo naftë aty ku shpohet. Në periudha të ndryshme kohe, zonat më me shumë naftë, ndryshojnë vendet në renditje. Kështu mbas përfundimit të luftës, zona me më shumë naftë ishte ajo e Kuçovës. Deri para vitit 1918 fshati Kuçovë as që njihej fare në ekonominë e vendit. Me zbulimin e naftës Kuçova u vendos në të gjitha hartat e për më tepër edhe në hartat ushtarake. Më pas Kuçova si thashë, ishte zona që prodhonte më shumë naftë dhe mbajti për disa vjet, peshën kryesore në ekonominë shqiptare. Në vitin 1957 u zbulua vendburimi i Marinzës ku edhe ishte zona që prodhoi më shumë naftë. Më vonë u zbuluan, me radhë vendburimet e naftës në shtresat karbonatike si në Visokë, Ballsh, Gorrisht, Kocul etj. të cilat shtuan së tepërmi sasinë e prodhimit të naftës që si thashë më lart arriti në 2,4 milion tonë në vitin 1974. Vitet e fundit është zbuluar naftë në Mbreshtan të Beratit që me sa kam dëgjuar, parashikimet janë për një zonë të fuqishme nafte.

– Duke parë atë që është bërë shekullin e fundit, a ka nëntoka shqiptare më naftë?
– Ndër atë pjesë të popullit tonë që nuk e njeh naftën ka qarkulluar një thashethemnajë, se është një lum nafte nga Rumania deri në Itali dhe që kalon mes për mes Shqipërisë. Kjo është një padije profesionale tek ata që nuk kanë njohuri për kushtet e formimit dhe të grumbullimit të naftës. Por po të mendohet se përse është folur ky thashethem mund të përfundosh në mendimin se ai e ka patur një burim nga ka lindur. Me këtë ajo pjesë e popullit që e ka përdorur, kanë shprehur atë që në Shqipëri ka shumë naftë aq sa ata e quajnë "lum nafte". Vendi ynë ka naftë shumë jo vetëm në ato zona të pazbuluara që parashikohen naftëmbajtëse, por edhe në zonat që tashmë janë të zbuluara. Le të marrim p.sh. zonën më të vjetër atë të Kuçovës. Së shpejti në  Kuçovë do të festohet 100-vjetori i zbulimit të këtij vendburimi. Pra ka 100 vjet që nga ky vendburim nxirret naftë. Megjithatë, deri më sot nuk është arritur të nxirret as gjysma e rezervave teknike të shfrytëzueshme e aq më pak akoma nga sasia e rezervave gjeologjike të llogaritura në të. Pra edhe në këtë vendburim 100 vjeçar të shfrytëzuar ka ende sasira të mëdha nafte. Më pas harta e vendburimeve të Shqipërisë u zgjerua shumë deri në Jug të vendit, në Krane, Finiq, Delvinë, etj. Po ashtu vendburimet e gazit të zbuluara në zonën pranadriatike u bënë pjesë e të gjithë vendburimeve naftëgazmbajtëse të vendit tonë. Studimet gjeologjike kanë treguar se edhe në zona të tjera, deri edhe në detet Adriatik e Jon, Shqipëria është një hambar nafte e gazi. Tani shtroj një pyetje. Përse Greqia pretendon, pa të drejtë, të marrë zonën detare në detin Jon, që ia dha Sali Berisha dhe Lulzim Basha kur ishin në qeveri? Mos ndoshta ka pak det Greqia që faktikisht është e rrethuar nga dete në tre të katërtat e kufirit të saj? Jo, ajo nuk ka hall për sipërfaqe detare se ka me bollëk, por ajo zonë parashikohet mjaft naftëmbajtëse. Përfundimisht, duke iu përgjigjur shkurt pyetjes suaj, nëntoka shqiptare jo vetëm që është me naftë por me shumë naftë.
-Vitet e fundit kemi parë që pasuria shqiptare, që ndryshe quhet Ari i Zi, i është dhënë me koncesion të huajve. Cili është mendimi juaj me atë që është bërë me industrinë e naftës këto 27 vitet e fundit?     
– Pasuria e vendit tonë ka filluar të jepet me koncesion qysh në kohën e të vetëshpallurit Mbret i Shqiptarëve, Ahmet Zogu. Një dukuri e tillë u përsërit edhe mbas vitit 1990, kur në vendin tonë ndryshoi sistemi politiko-ekonomik. Është e mira që shteti ynë ta kishte naftën, në dorën e vet. Kjo sigurisht do investime, por nafta i përligj shpenzimet, jo vetëm një herë por disa herë më shumë.     Mbas vitin 1990, si në asnjë vend të lindjes ku ndryshuan sistemet, u bënë shkatërrime të mëdha me justifikimin se janë komuniste dhe do ngrihen nga e para. U shkatërruan pothuajse të gjitha degët kryesore të ekonomisë, nafta, kromi, bakri, etj., u mbyllën fabrikat dhe uzinat, u shkatërrua bujqësia, industria e lehtë dhe ushqimore të cilat prodhuan papunësi me shumicë. U bënë me qëllim apo nga padija këto shkatërrime, nuk është vendi në këtë intervistë, por ato çuan ekonominë tonë drejt humnerës. Në këto kushte kompanitë e huaja të naftës afruan ndihmën e tyre, por duke patur të drejtën e koncesioneve që duhet t'u jepte dhe u dha qeveria. Gabimi i madh për mua nuk është se u dhanë koncesione të huajve, por kushtet për të cilat u dhanë këto koncesione ishin krejtësisht jo të plota dhe të padrejta, me humbje të mëdha për vendin dhe me fitime më shumë seç parashikoheshin jo vetëm nga kompanitë që i morën, por edhe për xhepat e personave që hartuan dhe firmosën kontratat. Kështu nafta jonë shkoi e po shkon tek kompanitë e huaja. Po jap pak shifra për të kuptuar se sa na vjedhin kompanitë e huaja.
Në vitin 2014, kur kompania jonë "Albpetrol", prodhonte rreth 300.000 tonë naftë (shifër kjo që nuk këmbëngul për saktësi), kompanitë e huaja i morën nëntokës tonë:
"Bankers Petroleum"…………………..1.211.837 tonë naftë.
"Stream Oil and Gaz"……………………..81.227    – // –
"Transoil Group"………………………….24.618    – // –

"Phoenix"……………………………….….5.072     – // –
"Sherwood"……………………………….…188      – // –
Gjithsej: ………………………………………….. 1.322.942  – // –
Besoj se për cilindo është e qartë se sa naftë ka vendi ynë, sa marrim për vete dhe sa na grabisin të huajt. Jo vetëm kaq, por shpesh të huajt e fshehin sasinë e prodhimit të naftës dhe rrjedhimisht edhe detyrimin që kanë ndaj vendit tonë. E gjitha kjo vjen se:
1 – Ata që përgatisin kontratat ose nuk janë të gjithë specialistë të mirëfilltë të naftës ose sillen si të tillë.
2 – Kontratat nuk përpilohen me hollësi për të gjitha etapat e punës të kompanisë që merr koncesionin.
3 – Projektet e puseve të shpimit lënë shumë për të dëshiruar.
4 – Metodat e shfrytëzimit të vendburimit nuk parashikohen të tilla që të ruhet jetëgjatësia e vendburimit
5 – Kontrolli i zbatimit të projekteve të shpimit apo të shfrytëzimit nuk bëhen si duhet, duke u lejuar kështu kompanive të huaja që të kenë "dorë të lirë". Ndodh pastaj ajo që ndodhi në Marinëz, ku shpërthyen ardhjet nëpër shtëpitë e fshatarëve, apo në Zharrëz ku shtëpitë morën plasaritje dhe që u justifikuan me gënjeshtra.

Basha: Tekstet shkollore duhen falas, u rritën me 33%

Posted: 29 Aug 2017 07:52 AM PDT

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, përmes Facebook ka kritikuar jo vetëm sistemi e shpërndarjes së librave, ku sipas tij mijëra prindër dhe nxënës vazhdojnë radhët e gjata për tekstet shkollore, por edhe rritjen e çmimeve.

"Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat",shkruan Basha, teksa krahason çmimet e librave sot, me periudhën kur PD qeveriste.

Statusi i Lulzim Bashës

Mijëra prindër dhe nxënës vazhdojnë radhët e gjata për tekstet shkollore anembanë vendit. Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm jo vetëm nuk jepen falas, por janë shtrenjtuar çdo vit.

Dy shembuj: paketa e librave të detyrueshëm për klasën e parë është shtrenjtuar me 33% këto 4 vjet, nga 11 mijë e 790 lekë në vitin shkollor 2012-2013 në 17 mijë e 760 lekë në vitin shkollor 2015-2016.

Për të njëjtën periudhë, paketa e librave të detyrueshëm për klasën e gjashtë është rritur me 23 për qind, nga 38 mijë e 70 lekë në 48 mijë e 920 lekë.

Kjo rritje çmimesh ka rritur barrën ndaj prindërve e cila rëndon edhe më shumë sepse të ardhurat reale mesatare të familjeve shqiptare kanë rënë prej inflacionit dhe ngrirjes së pagave.

Shpërfillja e arsimit është dëm i pariparueshëm për të ardhmen e vendit. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Për këtë, mjafton që qeveria të investojë për libra dhe mjete shkollore paratë që çon për fasada ministrish dhe luks qeveritarësh.

SHBA falenderon Kodhelin: Përparuam në bashkëpunimin tonë ushtarak

Posted: 29 Aug 2017 07:51 AM PDT

Ambasadori amerikan, Donald Lu i ka dërguar një letër falenderimi ministres së Mbrojtjes në largim, Mimi Kodheli.

"Në emër të kolegëve në Uashington dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë, më lejoni t'ju përgëzoj për punën tuaj të jashtëzakonshme gjatë katër viteve të drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes si një aleat i ngushtë NATO. Nën lidershipin tuaj, ne kemi përparuar në bashkëpunimin tonë ushtarak përmes mbështetjes që i kemi dhënë lidershipit të NATO-s në Europë dhe Afganistan dhe kemi çuar përpara objektivat tona të përbashkëta për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të gjithë Aleancën", thuhet në letrën e ambasadorit amerikan.

"Ka qenë kënaqësi të punuarit me ju gjatë detyrës suaj si ministër i Mbrojtjes dhe shpresojmë që në të ardhmen të kemi dhe bashkëpunime të tjera. Ne vlerësojmë çfarë Ju keni bërë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por gjithashtu për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA", thuhet më tej në mesazhin falenderues.

Ishulli sekret në Stokholm: Kalaja strategjike e Luftës së Ftohtë

Posted: 29 Aug 2017 07:34 AM PDT

Ishulli më jugor i arqipelagut dikur ishte shtëpia e një sistemi të tmerrshëm të ndërlikuar  dhe pothuajse të padukshëm, të instalimeve ushtarake më të fundit. Vetëm pak kanë mbijetuar. BBC sjell një reportazh nga fantazma e "Luftës së Ftohtë" në Baltik…

Trageti ynë  kaloi përmes ujërave të metaltë të Detit Baltik. Gërmimet e granitit të shpërndara rreth nesh, një tufë pemësh dhe zogj të rastit; në horizont, unë mund të shihja më shumë shkëmbinj, më shumë det, më shumë mjegull. Ne po i afroheshim fundit të arkipelagut të Stokholmit. Ndihej sikur po i afroheshim skajeve të Tokës.
Arqipelagu i Stokholmit, më i madhi në Suedi, përbëhet nga rreth 30,000 ishuj të shpërndatë në lindje dhe jug të qytetit, në Baltik. Disa nga ishujt janë një atraksion veror, brigjet e tyre të trasha me qytetet turistike, dyqanet e suvenireve dhe pushuesit suedezë.
Por nuk isha në ndonjë prej këtyre. Isha duke shkuar në Öja, ishullin më jugor të arqipelagut; shtëpia e një prej baterive ushtarake më të avancuara të Luftës së Ftohtë, e cila ishte sekret për publikun deri në janar 2013.
Për të vajtur atje udhëtimi zgjat gati tre orë nga Stokholmi qendror. Në shikim të parë, ishulli me gjatësi prej 4.5 km nuk duket se ia vlen gjithë këtë rrugë. Ai është shtëpia e 20 banorëve gjatë gjithë vitit dhe të një observatori për zogjtë.
Por më parë Öja ishte shtëpia e një sistemi të tmerrshëm të ndërlikuar e 38 instalimeve ushtarake që u varrosën pothuajse në mënyrë të padukshme, përgjatë gjatësisë së ishullit, të gatshme për të mbrojtur Suedinë nga një sulm.
Sot, pesë prej tyre mbijetojnë,  përfshirë baterinë e përpunuar të Luftës së Ftohtë që mund të godiste një objektiv 27 km larg dhe të përballonte një shpërthim bërthamor pesë herë më të madh se ai që ndezi Hiroshimën.
Imagjinoni një vizitë në këtë ishull…
Tragetet tona u ankoruan në port duke u fërkuar në copat e metaleve që lëshonin tinguj me të cilët më dukej e pamundur të përshtatesha. Mungesa e njerëzve në breg e bëri më të lehtë për të gjetur Jaak Kriisa, një burrë të vjetër me një fytyrë të gëzuar dhe një shtrëngim duarsh të fortë.
Kriisa është eksperti ushtarak i ishullit, ish-komandant i kompanisë së tankeve. Me një përshëndetje të ngrohtë, ai më mori me karrocën e tij të golfit, një nga metodat më të përshtatshme për të ecur rreth Öja-s,  dhe shkuam përgjatë rrugës së ndotur, që shërben si arterie kryesore e ishullit.
Ndalesa jonë e parë ishte bunkeri i Luftës së Ftohtë i njohur si "Bateri Landsort". Mbërthyer mes gurëve dhe shkurreve, një top i gjelbër ushtrie patrullonte nga një grykë graniti. Pranë, e fshehur midis shkëmbinjve, një derë e maskuar të çon poshtë, brenda tokës.
Vendi nuk dukej nga jashtë, por Kriisa na tregoi një hartë. Ashtu si lufta e një lepuri, një bote e tërë e ndërtuar nën këmbët tona, duke kaluar katër kate poshtë nën tokë, 18 metra e thellë.
E përfunduar në vitin 1977 dhe e përdorur deri në fund të Luftës së Ftohtë në 1991-in, bateria u mbështet nga një ekuipazh prej 325 burrash,  si dhe nga armë anti-ajrore dhe armë automatike që mund të qëllonin përtej horizontit.
"Kjo ishte artileria më e përparuar në botë gjatë Luftës së Ftohtë", më tha Kriisa, duke hapur derën.
Fillimisht, në Suedi ishin gjashtë bateri bregdetare, secila e pajisur me tre armë prej 12 cm, të gjitha të ndërtuara për të penguar pushtimin gjatë Luftës së Ftohtë. Por bateria Landsort është e vetmja që ka mbetur.
Öja e vogël ndodhet në një vend të rëndësishëm. Ajo shënon hyrjen në disa rrugë detare në Stokholm, duke e bërë atë një pikë kyçe të mbrojtjes për kombin. Pavarësisht neutralitetit të Suedisë në Luftën e Ftohtë, vendi kishte frikë se, në rastin e një konflikti SHBA- Bashkim Sovjetik, sovjetikët do të rrokulliseshin nëpër Evropë nga Lindja. Prandaj Suedia ndërtoi një rrjet të artilerirave të teknologjisë së lartë dhe të shtrenjtë, si kjo. "Ne e dimë se bateria ishte një sukses, pikërisht për shkak se nuk ishte përdorur kurrë!"- tha Kriisa duke qeshur.
Një "luftë e nxehtë", një konflikt që përfshin luftimet aktuale, ishte një perspektivë e frikshme për të gjithë, përfshirë suedezët neutralë. Në atë kohë, 20% e buxhetit suedez shkuan për mbrojtjen. (Sot, është më pak se 2%.) Bateria Landsort kushtoi 600 milionë krona për t'u ndërtuar. Vendi kishte forcën ajrore të katërt më të madhe në botë. Dhe çdo ndërtesë në Suedi me më shumë se një familje u urdhërua të ndërtonte vende strehimi kundër bombave.
Kriisa dhe unë kaluam dy dyer, secila me mur me trashësi 1.5 m. E para, tha ai, është ndërtuar për t'i bërë ballë valës së goditjes që do të shkaktohej nga një shpërthim bërthamor. E dyta ishte për të mbajtur gazin. Një dush qëndronte brenda, i gatshëm për të shpëlarë ndonjë ushtar të pafat të ekspozuar ndaj shpërthimit.
Poshtë një niveli tjetër, ndodhej banja, krevatet dhe kuzhina, ku muret shkëlqenin me hije të gjelbra dhe portokalli që nga viti 1970. Gjithçka ishte lënë ashtu siç ishte në vitin 1991. Kur hapa një nga raftet gjeta një kavanoz të vjetër kafeje, e cila ishte fosilizuar në një copë të vetme.
 
Duke u kthyer përsëri në nivelin më të lartë, ne u ndalëm në dhomën e artilerisë. Municion ishte në një mur, gati për t'u ngarkuar. Një shkallë metalike ngjitej në një kat tjetër lart, të çonte në kullën që mbante topin që kisha parë nga jashtë. Dalëngadalë u ngjita.
Duke u ulur pranë një prej armëve më të mëdha që kisha parë ndonjëherë nga aq afër, këmbët m'u lëkundën, u mrekullova me guximin  e Öja-s së vogël  dhe sa e fshehur ishte mbrojtja e ishullit.
Më vonë, unë huazova një biçikletë të zhurmshme nga Kriisa dhe hipa në majë të ishullit, në jug. Fari Landsort, më i madhi në arqipelag dhe më i vjetri në Suedi, shihej poshtë në breg, duke hedhur ndritë për anijet e largëta.
Një top i drejtuar kah jugu dhe pas tij ishte një kuti me çimento. Në bregun shkëmbor shumë më poshtë, vura re dy topa të tjerë. Instalimi i parë mbrojtës i Öja-s, i ndërtuar në vitin 1933, kjo artileri dhe bunkeri u përdorën gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të njëjtën mënyrë që bateria e Luftës së Ftohtë më vonë do të përdorej si një "parandalim". Ajo kurrë nuk u vu në punë. Bateria Landsort e zëvendësoi atë në vitet 1970 dhe u ç'aktivizua në vitin 2009.
Shkova me kujdes përgjatë shkëmbinjve të granitit, duke admiruar bregun e egër, shkëmbinjtë e tij me shtëpi të vogla të kuqe. Rreth 30 metra larg nga kutia,  pashë poshtë dhe ndalova. Kishte bulona metalikë nën këmbët e mia. Isha duke ecur mbi një bunker, dhe nuk e kisha vënë re.

 

Duke ndihmuar në pengimin e fuqive të boshtit komunist dhe sovjetikët, Öja kishte kontribuar në fitoren e dy luftërave për Suedinë. Kuptova se nuk duhet të habitem nga ajo që mund të gjej më tej në këtë ishull të vogël shkëmbor në Detin Baltik./

Përgatiti: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/

Aftësia e Angela Merkelit: Si e neutralizon kancelarja opozitën

Posted: 29 Aug 2017 07:29 AM PDT

Aftësia e Angela Merkelit për të përvetësuar tema qendrore të partive të tjera bën pjesë në konceptin e pushtetit të saj. Në të njëjtën kohë ajo ka një sy gjithmonë nga demoskopët.

Krejt papritur: braktisja e energjisë bërthamore

"Kur shikoj se sa centrale ndërtohen në të gjithë botën", u shpreh Merkeli në vitin 2009 " atëherë do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq, po të largoheshim nga kjo fushë". Por pikërisht kjo është ajo që bën, në vitin 2011. Nën përshtypjen e katastrofës së reaktorit të Fukushimas, ajo e ndryshon në mënyrë radikale mendimin dhe deklaron braktisjen përfundimtare dhe radikale të energjisë bërthamore. Kjo është prej dekadash një kërkesë qendrore e të Gjelbërve. Fizikania me titull akademik që atëherë është e mendimit se "rreziqet e energjisë bërthamore…nuk mund të kontrollohen me siguri".

Mirupafshim Shërbim i Detyrueshëm Ushtarak – hë për hë!

Edhe lopës së shenjtë "Shërbim i Detyrueshëm Ushtarak" i vënë pa e zgjatur në 2011 duart në fyt. Për tmerrin para së gjithash të klientelës konservatore të partisë së saj. Por shumë të rinj në popull favorizojnë një ushtri profesioniste, gjë që Merkelit nuk i ka shpëtuar. Meqenëse qëndrimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak është i përzier në përgjithësi, modeli "qytetari në uniformë" hë për hë vetëm pezullohet.

Babi, mami dhe fëmija – të organizuar ndryshe

Për tmerrin e shumë konservatorëve në CDU, Merkeli e ka zhvendosur politikisht partinë fuqishëm nga e djathta në mes të shoqërisë. Ajo bëri korrigjime të dukshme edhe në politikën tradicionale ndaj familjes së unionistëve.

Modeli "Babi sjell paratë në shtëpi, mami sjell ushqimin në tavolinë", nuk është më aktual që kur u vendos të ofrohet në të gjithë vendin përkujdesja ditore edhe për fëmijët nën tre vjeç. Edhe ky një reagim ndaj realiteteve krejt të reja në botën e punës, pra edhe në shoqëri. Këtë e kishin kërkuar para së gjithash të Majtët, në jetë e vuri një kancelare konservatore.

Pranim i një realiteti: Gjermania si vend migrantësh

Për dekada me radhë ky koncept është kundërshtuar, për të është heshtur, është shmangur. Gjermania nuk duhet të jetë vend migrantësh, ky ishte konsensusi i unionistëve. Thjesht nuk duhet të ekzistonte, çfarë nuk duhej të ekzistonte. Por në fakt Gjermania ka kohë që është de facto vend imigrimi. Tani edhe zyrtarisht. Ndërkohë gati një në katër vetë ka origjinë migranti në Gjermani. Edhe këtu, Angela Merkel e kuptoi frymën e kohës dhe zbatoi kërkesat para së gjithash të opozitës së majtë.

Më tepër se vetëm një fjali: feja islame bën pjesë në Gjermani

Këtë fjali e shqiptoi në tetor 2010 shoku i partisë së Merkelit, Christian Wulff, atëherë ende President i Gjermanisë dhe instanca më e lartë e vendit. Por edhe ky korrigjim kulturor-politik mban bekimin e saj. Edhe këtu Merkeli bëri politikë për gjysmën e majtë të republikës.

Tema e Merkelit: refugjatët

Surpriza më e madhe: Angela Merkeli hap dyer e dritare për refugjatët – dhe ata vijnë me shumicë që prej verës 2015. Pikërisht kancelarja e partisë së rendit dhe ligjit CDU lë të hyjnë në Gjermani pa u kontrolluar qindra mijëra vetë. Shumë gjermanë në fillim janë entuziastë, opozita e majtë është e mrekulluar, në CDU shumë janë pa gojë. Kur kultura historike e mikpritjes duket se po del jashtë kontrollit, Merkeli e ndryshin drejtimin. Një kufi të sipërm për azilkërkuesit ajo e kundërshton deri më sot, për shkaqe të kushtetutës, por ndërkohë refugjatë dëbohen edhe në Afganistan.

Papritur ajo erdhi: martesa "për të gjithë"

Barometri politik i ZDF i habiti njerëzit në fillim të verës me sensacionin e demoskopëve, se 73 përqind e gjermanëve e përshëndesin barazimin e marrëdhënieve të homoseksualëve me marrëdhënien klasike grua-burrë. Madje edhe në kampin unionist, kuota e pranimit ishte 64 përqind. Merkeli ka qenë gjithmonë kundër, por SPD, FDP dhe të Gjelbrit e shpallën këtë si kusht për koalicione të mundshme pas zgjedhjeve parlamentare. Vetëm pak ditë më vonë Merkeli e korrigjoi qëndrimin e saj. Jo-ja e saj kategorike u kthye në çështje ndërgjegjeje të secilit deputet. Që në 30 qershor në Bundestag u votua dhe martesa "për të gjithë" qe punë e mbaruar. Angela Merkeli votoi kundër. Por shumica në Parlament pasqyron qëndrimin në popull. Të Gjelbrit janë të ngazëllyer sepse një kancelare konservatore sërish vë në jetë atë për të cilën kjo parti ka vite që lufton./ DW

Kërcënimi i prokurorit/ Reagon organi i akuzës: Lojë për të përfituar azil

Posted: 29 Aug 2017 06:52 AM PDT

Prokuroria e Vlorës ka reaguar në lidhje me shkrimin e një gazete gjermane ku pretendohej se një prokurori të qytetit bregdetar i është rrezikuar jeta për shkak të detyrës.

Prokuroria vë në dukje se prokurori Arben Jorgaqi ka ndjekur hetime të dorës së dytë dhe lë të nënkuptohet se Jorgaqi po bën lojë për të përfituar azil.

Reagimi i Prokurorisë:

Burime zyrtare nga Prokuroria Vlorë thane se Arben Jorgaqi ka qenë në funksionin e oficerit të policisë gjyqësore (pra, nuk ka qenë prokuror) dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e hetimit për falsifikimin e pronave.

Ai ka ndjekur kryesisht hetime për vjedhje të energjisë elektrike apo dëmtime të pronës publike (vjedhje kapakë pusetash, dëmtime të pareteve mbajtëse të rrugëve e të tilla vepra penale).

Është larguar nga detyra, në kuadër të nevojës për riorganizim të brendshëm.

Aktualisht është në proces gjyqësor për largimin nga detyra dhe çështjen e tij administrative mund ta mbrojë para gjykatës shqiptare me argumente ligjore dhe jo nëpërmjet kërkesave të mundshme për azil në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të BE-së.

Këtu mund të lexoni shkrimin e gazetës gjermane

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more