Skip to main content

Tirana Observer: “Turisti serb: Pushimet tona në Shqipëri, ja si na trajtuan njerëzit” plus 9 more

Tirana Observer: “Turisti serb: Pushimet tona në Shqipëri, ja si na trajtuan njerëzit” plus 9 more


Turisti serb: Pushimet tona në Shqipëri, ja si na trajtuan njerëzit

Posted: 28 Aug 2017 09:42 AM PDT

Tashmë nuk është befasi: sa më shumë që zhvillohet turizmi në Shqipëri, aq më shumë gjuhë do të dëgjohen në rrugët dhe në plazhet e Adriatikut dhe Jonit.

Republika me dy dete po tërheq turistë nga Italia, vendet skandinave, Zvicra, Austria e Franca. Sivjet pushimet në Shqipëri i kanë kaluar edhe një numër i konsiderueshëm i serbëve, sidomos nga jugu i Serbisë. Ata nuk kanë shkuar në Greqi, Mal të Zi, në Kroaci dhe Turqi kryesisht për shkak të çmimeve. Shqipëria vazhdon të jetë ende vend i lirë, andaj turistët serbë kanë marrë rrugën drejt Durrësit dhe Sarandës.

Aleksandar Niçiforoviç i ka thënë gazetës «Blic» se para se të shkonte në Shqipëri kishte shumë paragjykime, por tani sërish planifikon të shkojë në bregdetin shqiptar. «Do të shkoj sërish. Që ditën e parë e kam ndërruar mendjen. Plazhet janë të pastra, çmimet në kafene dhe restorante më të lira se në Novi Pazar, pronarët e lokaleve dhe banorët të përzemërt, sidomos ndaj nesh nga Serbia. Më moshuarit madje flasin serbisht dhe u pëlqen të bëjnë muhabet me mysafirët nga vendi ynë. Askush nuk na e vë mendjen dhe nuk flet për politikë», ka deklaruar Niçiforoviç. Ai ka thënë se në shtator do të shkojë sërish për vizitë me disa miq në Shqipëri: «Mezi po pres».

Gazeta «Blic» shkruan se ka edhe familje që kanë vendosur të blejnë banesë në Durrës. Edhe agjencitë turistike në Novi Pazar kanë regjistruar interesim më të madh të turistëve për të pushuar në Shqipëri. Kuptohet numri më i madh i turistëve nga Serbia jugore që shkojnë në Shqipëri janë boshnjakë dhe shqiptarë, por numri i serbëve është në rritje, sidomos nga Vraja, Vladiçki Hani, Surdulica dhe Bosilegradi. «Për herë të parë në korrik i kam kaluar 10 ditë në Durrës bashkë me familjen dhe nuk jemi penduar. Plazhet janë të pastra dhe të rregulluara. Njerëzit janë të përzemërt, mikpritës dhe të gjindshëm. Çmimet e aranzhmaneve janë të përshtatshme me standardin tonë. Pushimet na kushtuan gjithsej 1000 euro.

Me siguri vitin tjetër do të shkojmë sërish në Shqipëri», tha Z.J. nga Vladiçki Hani. E habitshme është që ky serb flet anonim për pushimet e tij në Shqipëri. Marija Aleksandroviq nga Surdulica ka treguar se ka qëndruar me familje 15 ditë në Sarandë, «perlën e detit Jon. Natyra e bukur, klima e shkëlqyer, çmimet të volitshme. Ushqimi i mirë… Plazhet të rregulluara. Destinacion i vërtetë për pushime».

Turistët serbë thonë se shqiptarët janë mikpritës të jashtëzakonshëm. Një turist nga Bosilegradi ka thënë se çmimet në Shqipëri janë përgjysmë më të lira në Greqi. (dp)

U përjashtua nga Panucci, Cikalleshi: Ishte keqkuptim, do respektoj vendimin e trajnerit

Posted: 28 Aug 2017 09:30 AM PDT

Sokol Cikalleshi sot firmosi me klubin e tij të ri Osmanlispor dhe si pasojë e rrethanave nuk mundi të vinte në orarin e caktuar për grumbullimin me kombëtaren. Edhe pse e kishte lajmëruar trajnerin Christian Panucci, ky i fundit nuk e toleroi vonesën duke e përjashtuar për dy ndeshjet e ardhshme.

Në një intervistë për "Panorama Sport", bomberi i kombëtares është shprehur se do t'a respektojë vendimin e trajnerit, por për shkak të një rrethane me klubin e ri ku duhej të firmoste, e pati të pamundur fluturimin në Shqipëri. Cikalleshi sqaron gjithashtu se kurrë nuk i ka munguar dëshira për të luajtur me kombëtaren.

"Më vjen keq për keqkuptimin me trajnerin. U krijua një rrethanë me klubin e ri ku duhej të firmosja, e cila më imponoi ndryshimet e orareve. U përpoqa të isha sa më korrekt edhe me axhendën e përfaqësueses dhe i kërkova leje trajnerit, por kjo nuk qe e mundur.

E respektoj vendimin e trajnerit, sepse në fund të fundit edhe ai ka rregullat e veta. Ishte thjesht një keqkuptim. Sokol Cikalleshit asnjëherë nuk i ka munguar respekti për ekipin Kombëtar dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë as në të ardhmen. Ishte një keqkuptim dhe tani thjesht do të më duhet të respektoj vendimin e trajnerit", deklaroi Cikalleshi.

 

Si të pikasësh një gënjeshtar, brenda pak sekondave

Posted: 28 Aug 2017 08:30 AM PDT

Në listën e tipareve negative, të gënjyerit zë padyshim një nga vendet epara. Askush nuk do të zbulojë që e kanë mashtruar, megjithatë është një gjë që na ndodh rregullisht.

Si mund të dallosh dikë që gënjen? Fjalët janë të vështira për t'u deshifruar kur bëhet fjalë për gënjeshtra. Ajo që dikush thotë mund të provohet dhe kontrollohet, veçanërisht nëse një person është veçanërisht i mirë në të gënjyer.

Kur bëhet fjalë për zbulimin e të dhënave, veprimet me të vërtetë flasin më shumë se fjalët sepse janë të gjitha shenjat, në gjestet e një personi. Ndryshe nga fjalët, këto kanë tendencë të jenë të pakontrollueshme dhe automatike, kështu që për të ditur të vërtetën, duhet të përqendroheni në gjuhën e trupit.

Gjuha e trupit që nxjerr zbuluar gënjeshtarin

Cilat janë ekzaktësisht, gjestet tipike që njerëzit bëjnë kur hedhin një gënjeshtër? Këto janë shenjat më të zakonshme për të pikasur.

Ata buzëqeshin më pak kur gënjejnë

Studimet kanë zbuluar se njerëzit kanë tendencë të buzëqeshin më pak kur ata janë duke gënjyer – dhe veçanërisht tek meshkujt. Kjo reflekton idenë që njerëzit e shoqërojnë të gënjyerit me të qeshurën, dhe kështu hyjnë në një bllof të dyfishtë, duke e zvogëluar faktorin buzëqeshje. Nëse dikush buzëqesh ndërsa gënjen, ajo ka prirjen të jetë më pak e sinqertë, që do të thotë buzëqeshin më shpejt dhe e mbajnë më gjatë atë.

Ata kruajnë qafën, sepse ndihen nervozë

Një tjetër shenjë është kur dikush kruan qafën, pak më poshtë se veshi. Kjo zakonisht bëhet në një mënyrë të caktuar – domethënë gishtin tregues të dorës dominuese. Eshtë një sinjal tipik pasigurie, dyshimi që përshkon mendjen e dikujt që nuk po thotë të vërtetën.

Ata e prekin shpesh fytyrën

Sjellja e dorës në fytyrë është ndoshta një prej shenjave më të zakonshme të mashtrimit. Kjo mund të jetë duke mbuluar sytë apo vendosur dorën në ballë apo faqe, dhe gjasat janë që të burojë prej karakteristikave të fëmijërisë. Fëmijët shpesh mbulojnë gojën, veshët, apo sytë që të pushojnë së foluri, dëgjuari apo pari. Janë gjithmonë të ekzagjeruara, por me rritjen, këto gjeste bëhen më të shpejtë dhe më pak të dukshëm, ndonëse sërish i bëjmë në mënyrë të pavetëdijshme. Megjithatë, gjithmonë tregojnë gënjeshtrën. Mund të nënkuptojë që personi po mban informacion, që për disa mund të shihet njësoj gënjeshtar.

Ata mbulojnë gojën në mënyrë të pavetëdijshme

Mbulimi i gojës, në veçanti, është një refleks i nënvetëdijes që në fakt mund të tregojë se dikush po përpiqet të mbajë fjalë të gënjeshtërta, që të dalin nga goja e vet. Mund të shfaqet me dorën direkt mbi gojë, ose madje edhe një gisht të vendosur mbi buzë, në një gjest 'shhhh'. Kjo ka të ngjarë të vijë nga prindërit, që mund ta kenë bërë këtë gjest për të treguar dëshirën për të qetësuar fëmijën, por në moshë madhore, mund të tregojë një përpjekje që dikush i thotë vetes të frenojë ndjenjat apo fjalët.

Ata prekin hundën ndërsa flasin

Të gjithë e njohim hundën e Pinokut dhe efektin që gënjeshtra kishte mbi të. Shkencëtarët në Fondacionin e Kërkimeve për Shijen dhe Aromën në Çikago kanë zbuluar se hunda e njeriut zgjerohet ndërsa gënjen. Kjo shkaktohet nga kimikatet që lirohen për shkak të presionit të rrëfimit të një gënjeshtre, që shkakton fryrje të indit në brendësi të hundës. Ndërsa ju nuk do të jeni në gjendje të shihni efektet, çfarë ndodh është që kjo ënjtje mund të krijojë një ndjesi kruarje për personin në fjalë.

Ata tërheqin jakën e këmishës, pasi lëkura e qafës bëhet më e ndjeshme kur gënjejnë

Kjo është një shenjë treguese klasike e një gënjeshtari dhe arsyeja është ndjeshmëria e lëkurës delikate të qafës. Kur dikush gënjen, krijon një ndjesi kruarje në këto zona, që gënjeshtari menjëherë ka nevojë t'i prekë. Trysnia e të gënjyerit gjithashtu shkakton djersë përreth qafës, dhe prandaj tërhiqet jaka.

Ata fërkojnë sytë që të shmangin kontaktin

Edhe kjo buron nga fëmijëria. Fëmijët shpesh mbulojnë sytë kur nuk duan të shohin diçka dhe kjo nuk na ikën tërësisht kur rritemi. Sërish në mënyrë të pavetëdijshme do të fërkojmë apo prekim zonën e syve kur nuk duam të shohim një gjë (në këtë rast personin që po gënjejmë). Eshtë mekanizmi i trurit për bllokimin e të mashtruarit si dhe përballjen me personin që po gënjejmë.

Duke patur parasysh gjithë këto shenja, do të jeni më pak të gënjyeshëm nga njerëzit, sado të sinqertë që të tingëllojnë ata. Dhe ndonjëherë nuk ka nevojë as të dëgjoni përgjigjen e vërtetë, sepse e keni marë tashmë nga gjuha e tyre e trupit. / Bota.al

Një takim i papërsëritshëm i dy mendjeve brilante mbi shkencën dhe spiritualitetin

Posted: 28 Aug 2017 08:10 AM PDT

Dy mendje brilante të njerëzimit, Ajnshtajni dhe Tagora u takuan në vitin 1930 për të bërë një bisedë të paharrueshme për njeriun, të vërtetën, fenë dhe shpirtin e gjërave…

Më 14 korrik 1930, Albert Ajnshtajn mirëpriti në shtëpinë e tij në periferi të Berlinit, filozofin indian, muzikantin dhe laureatin e çmimit "Nobel", Rabindranat Tagora. Ata patën një nga bisedat më stimuluese, më intelektuale dhe më dobiprurëse në histori, duke eksploruar lidhjen shumëvjeçare mes shkencës dhe fesë.
Ky është një "vallëzim" mendjesh të Ajnshtajnit dhe Tagorës, ku ata ekzaminuan shkencën, bukurinë, vetëdijen dhe filozofinë, në një meditim themelor për ekzistencën njerëzore.

***

Tagora: Jo të izoluar. Personaliteti i pafund i njeriut krahasohet me atë të universit. Nuk mund të ketë diçka që nuk përfshihet në personalitetin njerëzor dhe kjo provon se e Vërteta e Universit, është e Vërteta e Njeriut. Materia përbëhet nga protonet dhe elektronet, me hapësira mes tyre, por materia duket solide.

Ngjashmërisht, njerëzimi përbëhet nga individët, ato kanë lidhje njerëzore, gjë që i jep njeriut unitetin njerëzor. I gjithë universi lidhet me ne në një mënyrë të ngjashme, është një univers njerëzor.

Ajnshtajni: Ka dy lloje konceptesh të ndryshme rreth natyrës së universit: së pari, bota si një unitet i varur nga njerëzimi dhe së dyti, bota si një realitet i pavarur nga faktori njerëzor.

Tagora: Kur universi ynë është në harmoni me njeriun, e njohim si të vërtetë që të jep njëkohësisht ndjesinë e së bukurës.

Ajnshtajni: Ky është koncepti i pastër njerëzor i universit.

Tagora: Nuk mund të ketë koncept tjetër. Kjo botë është një botë njerëzore – pikëpamja shkencore për të është gjithashtu e një shkencëtari. Ka disa standarde arsyeje dhe kënaqësie që sjell e vërteta, standardin e Njeriut të Përjetshëm.

Ajnshtajni: Ky është një perceptim i entitetit njerëzor.

Tagora: Po, një entiteti të përjetshëm. Duhet të kuptojmë përmes eksperiencës njerëzore emocionet dhe aktivitetet tona. Ne perceptuam Njeriun Suprem, që nuk ka kufi individualë si limitet tona. Shkenca është kompetente ndaj asaj që nuk kufizohet te njeriu, është bota njerëzore e papërcaktuar e së vërtetës.
Feja i kupton këto të vërteta dhe i lidh ato me nevojat tona më të thella, vetëdija jonë individuale e së vërtetës, fiton domethënie universale. Feja aplikon vlerat e së vërtetës dhe ne e njohim këtë të vërtetë më mirë, përmes harmonisë sonë me të.

Ajnshtajni: E vërteta atëherë, ose bukuria, nuk varet nga njeriu?

Tagora: Jo.

Ajnshtajni: Nëse nuk do të kishte më qenie njerëzore, Apolloni nuk do të ishte më i bukur.

Tagora: Jo.

Ajnshtajni: Bie dakord në lidhje me këtë koncept të së bukurës, por jo me të vërtetën.

Tagora: Përse jo? E vërteta kuptohet nga njeriu.
Ajnshtajni: Nuk mund ta provoj se koncepti im është i drejtë, por ai është feja ime.

Tagora: E bukura është ideali i harmonisë perfekte që është te qenia universale. E vërteta është kuptimi perfekt i mendjes universale. Ne individët i qasemi asaj përmes gabimeve tona dhe përmes eksperiencave dhe iluminimit të vetëdijes, përndryshe si do ta njihnim të vërtetën?

Ajnshtajni: Nuk mund ta provoj shkencërisht se e vërteta duhet të kuptohet si një e vërtetë që është e vlefshme në mënyrë të pavarur për njerëzimin, por besoj në të me ngulm. Unë besoj se teorema e Pitagorës në gjeometri, deklaron diçka që është afërsisht e vërtetë, e pavarur nga ekzistenca e njeriut.

Tagora: Në shkenca, ne shkojmë përtej disiplinës së eliminimit të kufizimeve personale të mendjeve individuale dhe kështu arrijmë të kuptojmë të vërtetën që është në mendjen e njeriut universal.

Ajnshtajni: Problemi fillon me faktin nëse e vërteta varet nga vetëdija jonë.

Tagora: Çfarë ne e quajmë të vërtetë, ndodhet në harmoni racionale mes aspekteve subjektive dhe objektive të realitetit, që të dyja i përkasin njeriut superpersonal.

Ajnshtajni: Edhe në jetën tonë të përditshme, ndihemi të detyruar të njohim një realitet të pavarur nga njeriu në lidhje me objektet që përdorim. Ne e bëjmë këtë për të lidhur eksperiencat e ndjenjave tona në një mënyrë të arsyeshme. Për shembull, nëse askush nuk është në këtë shtëpi, atëherë tavolina mbetet ende atje.

Tagora: Po, mbetet jashtë mendjes individuale, por jo në mendjen universale. Tavolina që unë perceptoj, është e perceptueshme nga e njëjta lloj ndërgjegjeje të cilën unë e posedoj. Feja ime është në pajtim me Njeriun Super-personal, shpirtin universal njerëzor, në qenien time individuale…

Ajnshtajni: Atëherë unë jam më fetar se ju!

Burimi: Brain Pickings

UNESCO “detyron” qeverinë të anulojë koncesionin në Shebenik-Jabllanicë

Posted: 28 Aug 2017 08:00 AM PDT

Ministria e Energjisë dhe Industrisë është detyruar të anulojë koncesionin për hidrocentralin Bushtrica 4 për shkak se kuota ku ishte parashikuar të ndërtohej ky HEC prekte Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Madje një nga nën zonat më të mbrojtura ajo e Rrajcës, që është futur në hartën e UNECSO si pjesë e Trashëgimisë Botërore duket se ka shërbyer edhe si nxije për të mos vijuar më tej.

Detajet i  bëri të ditura vetë Ministria e Energjisë në njoftimin e anulimit të këtij koncesioni.

Anulimi i koncesionit

Në mbështetje te Ligjit nr. 125/2013 "Për koncesionet dhe partneritetin publik privat" i ndryshuar, Nenit 24 te Ligjit nr. 9643 date 20.11.2006 "Për prokurimin publik" i ndryshuar, VKM nr. 575 datë 10.7.2013 "Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat", i ndryshuar, PËR

ARSYE SE: Zona e parashikuar për zhvillimin e projektit ne kuotat 1336-820 m.m.n.d në Lumi Bushtricës, sipas koordinatave përkojnë brenda territorit të Parkut Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, ku një pjesë e mirë bie edhe në zonën e përcaktuar si Nënzonë Qendrore e Rrajcës, me shkallën më të lartë të mbrojtjes dhe së fundmi edhe me zonën pyjor që u shpall nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës.

Si rrjedhojë, referuar Ligjit për Zonat e Mbrojtura datë Nr. 81/2017, datë 04.05.2017, Neni 16, pika 2 germa (c) nuk mund të lejohet asnjë lloj aktiviteti njerëzor.

Vendos: Anulimin e procedurës konkurruese "Dhënie me koncesion e hidrocentralit "Bushtrica 4".

Propozimi i Bashës: Librat për arsimin e detyrueshëm të jepen falas

Posted: 28 Aug 2017 07:44 AM PDT

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha propozon që librat e arsimit të detyrueshëm të jepen falas.

Në një reagim në Facebook, Basha shkruan se "në vend që të sjellë gëzim, fillimi i shkollës sjell ankth financiar dhe vështirësi për qindra mijëra nxënës dhe familjarët e tyre që paguajnë mbi 15 milionë dollarë çdo vit për librat e shkollave fillore dhe të mesme.

Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm nuk jepen falas, madje që të blesh këto tekste shkollore prindërit dhe nxënësit torturohen me orë të tëra në rradhë për shkak të sistemit klientelist të shpërndarjes në pak pika".

Lideri i opozitës propozon që "librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Kjo do të ishte një ndihmë të madhe për familjet shqiptare dhe shkollimin e fëmijëve të tyre", ndërsa shton se "një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh".

Nga BMW X6 tek Audi A8, sekuestrohen 12 makina luksoze në Tiranë (VIDEO)

Posted: 28 Aug 2017 06:38 AM PDT

12 makina luksoze dhe 5 motorë janë sekuestruar gjatë operacionit të policisë së Tiranës, "Summer 2017".

Mjetet e bllokuara janë prodhime të viteve të fundit, si Mercedes Benz, Audi, BMV, Range Rover etj.

Këto mjete, dyshohet të jenë trafikuar nga vendet e BE-së në Shqipëri.

Në vijim të veprimeve janë proceduar penalisht 17 shtetas, për "Trafikim të mjeteve motorike".

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të prioriteteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, një tjetër operacion është organizuar dhe zhvilluar për bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara në Republikën e Shqipërisë nga vendet e BE-së.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë finalizuar operacionin "Summer 2017".

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 automjete luksoze dhe 5 motomjete të dyshura të trafikuara dhe të falsifikuar numrin e shasisë.

Mjetet e bllokuara janë të markave të ndryshme:

1 – Mercedes Benz, E Class
2 – Mercedes Benz, S Class
3 – Mercedes Benz, ML
4 – Audi, A8
5 – BMW, X5
6 – BMW, X6
7 – BMW, X6
8 – BMW, X6
9 – Range Rover, Sport
10- Range Rover, Sport
11- Range Rover, evoque
12- Toyota, Avensis
13- Yamaha, T-Max
14- Yamaha, T-Max
15- Suzuki, GSXR 750
16- Aprilia, Scarabeo
17- Aprilia, Scarabeo
Këto mjete, dyshohet të jenë trafikuar nga vendet e BE-së në Republikën e Shqipërisë.
Në vijim të veprimeve janë proceduar penalisht 17 shtetas, për "Trafikim të mjeteve motorike".
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale "Trafikimi i mjeteve motorike", parashikuar nga Neni 141/a i Kodit Penal.

Infermieri vrasës, edhe 84 viktima mbi supe

Posted: 28 Aug 2017 06:28 AM PDT

Infermieri gjerman që vuan dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e dy pacientëve në Gjermaninë veriore, tashmë dyshohet të ketë gisht edhe në 84 raste të tjera vdekjesh.

Sanitari 40-vjeçar, që për shkak të rregullave gjermane të raportimit mbi të dënuarit identifikohet vetëm si Niels H., u dënua për tentativë vrasjeje në vitin 2006 dhe vrasje në vitin 2015. Viktimat e tij kanë marrë doza vdekjeprurëse ilaçesh, në njësitë ilegale ku ai punonte.

Të afërmit e pacientëve që kanë vdekur në klinikat ku ai ka punuar kanë nxitur policinë të thellojë hetimet. Një komision u ngrit në vitin 2014 për të hetuar mbi shkallën e krimeve të tij, gjë që mund ta kthejnë atë në "vrasësin serial" më të tmerrshëm që pas luftës.

Substancat që u jepte pacientëve të tij u shkaktonin këtyre të fundit pushim zemre apo bllokim të sistemit të qarkullimit të gjakut.

Gjykatësit kanë thënë se ai ka qenë i motivuar nga dëshira për të fituar famë për "ringjalljen" e pacientëve që i kishte droguar. Gjatë gjyqit të vitit 2015, ai pranoi se kishte aplikuar këtë metodë vrastare në rreth 90 persona në klinikën e kujdesit intensiv "Delmendorst".

Por, policia thotë se rrënjët e këtij krimi janë që nga viti 2000, në një tjetër klinikë në Oldenburg. Deri më tani, komisioni hetimor ka analizuar qindra kartela mjekësore dhe ka zhvarrosur 134 trupa për të testuar mostrat për gjurmë droge. Hetimet janë vështirësuar për shkak se shumë pacientë ishin djegur.

"Gjetjet e komisionit hetimor po kalojnë çdo imagjinatë", tha shefi i policisë së Oldenburgut, Johann Kuhme. "Thjesht është e pamundur që të themi sesa njerëz janë vrarë". Kuhme kishte paralajmëruar edhe më herët se numri i viktimave mund të rritet ende. Akuzat e reja pritet të ngrihen zyrtarisht në gjykatë në fillim të vitit 2018.

Merkel mbron vendimin e saj për refugjatët

Posted: 28 Aug 2017 06:10 AM PDT

Pavarësisht kritikave, Kancelarja gjermane Angela Merkel mbrojti vendimin e saj për të hapur kufijtë e Gjermanisë në vitin 2015, e u bëri thirrje vendeve të BE-së të solidarizohen me refugjatët.

Në një intervistë të publikuar të dielën, udhëheqësja gjermane theksoi se, nëse do të kthehej pas nuk do të ndryshonte asgjë në qëndrimin ndaj refugjatëve sirianë e të tjerëve, që largoheshin nga luftrat.

Sipas Merkelit, vendimi i marrë në vitin 2015 kishte qenë i nevojshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare. E megjithatë, ajo e pranoi se ligji i BE-së në atë kohë kishte qenë i papërshtatshëm për të menaxhuar fluksin e paprecedentë të refugjatëve.

Ajo kritikoi të ashtuquajturën "Marrëveshje e Dublinit" për shpërndarjen e refugjatëve. "Nuk mund të lejohet që Greqia apo Italia të jenë të vetmuara në këtë krizë, vetëm sepse kanë një pozitë të tillë gjeografike dhe se refugjatët arrijnë së pari në këto vende", thotë Merkel.

Rregullat e Dublinit parashikojnë që vendi përgjegjës për një refugjat është ai ku personi ka ardhur për herë të parë dhe ka paraqitur atje kërkesën për azil.

Kancelarja nuk mendon se refugjatët mund të kthehen aktualisht në Siri. "E di që njerëzit po kthehen, madje edhe në Aleppo, por gjendja në Siri në përgjithësi është dramatike".

Kancelarja foli gjithashtu edhe për çështjen e bashkëpunimit të BE-së me Libinë për refugjatët, e vënë në shënjestër të kritikave nga grupet e të drejtave të njeriut, që pretendojnë se emigrantët në vend u nënshtrohen abuzimeve të shumëllojshme.

Merkel tha se do t'i ofronin Rojes Bregdetare libiane pajisjet e nevojshme, në mënyrë që të bëjë punën që i takon. Sipas marrëveshjes aktuale, Tripoli duhet të pengojë emigrantët të largohen nga territori libian.

E nxehtë dhe provokuese, pozat seksi të mbesës së Nishanit për “PLAYBOY”

Posted: 28 Aug 2017 06:01 AM PDT

Mbesa e ish-presidentit Bujar Nishani është përfolur gjithmonë në mediat shqiptare dhe ato italiane për setet fotografike të guximshme.

Beniada Nishani Jakic, e rritur në Itali, tërhoqi vëmendjen me pjesëmarrjen në emisionin investigativ "Le lene".

Ajo ka studiuar për aktrim, por asnjëherë nuk e ka lënë pas dore pasionin e saj më të madh, modelingun.

 

Ditët e fundit ajo ka publikuar në llogarinë e saj në "Instagram" se ka punuar për "Playboy" në Portugali për të qenë pjesë e imazhit të tyre.

Në fotot që ka postuar për ndjekësit ajo duket tejet e nxehtë dhe provokuese. Bukuroshja ka pozuar me rroba banje.

Çka bie në sy janë format e saj perfekte dhe ëmbëlsia e fytyrës.

Me sa duket, suksesi i Beniadës sapo ka nisur.

Ndoshta pasioni i saj shumë shpejt do kthehet në profesion.

 

Ndërkohë që në një foto të postuar së fundmi, mbesa e ish-presidentit Nishani, ka kaluar çdo kufi, duke u shfaqur tërësisht nudo në plazh. Kjo foto ka shkaktuar reagimin e shumë fansave, ndërkohë duhet thënë se Beniada duket më në formë se kurrë.

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more