Skip to main content

Tirana Observer: “Lamtumirë katenaço! Goleadorët po shkëlqejnë në Itali” plus 9 more

Tirana Observer: “Lamtumirë katenaço! Goleadorët po shkëlqejnë në Itali” plus 9 more


Lamtumirë katenaço! Goleadorët po shkëlqejnë në Itali

Posted: 18 Sep 2017 09:25 AM PDT

Kampionati Italian i jep lamtumirën katenaços. Dybala, Mertens, Dzeko, Kalinic, Imobile dhe Belloti, java e katër e Seria A do të futet në histori si dita e bomberave.

Tregolëshi i "La Joya dhe i belgut të Napolit, së bashku me dygolëshin e bashnjakut të Romes, Imobiles dhe sulmuesit të kuqezinjve, Kalinic sigurisht dhe pa harruar atë të mister 100 milionëshit të Torinos, Belloti konfirmuan se sezoni i ri 2017-2018 i kampionatit italian do të jetë më shumë nën i hijen e bombarave se sa të mbrojtjes, siç dhe jemi mësuar ndër vite nga futbolli i vendit fqinj.

Sidoqoftë kjo listë e ka një lider dhe ai numri 10 i Juventusit Paolo Dybala. Që prej momenti kur drejtuesit e bardhezinjve vendosën t'ia jepnin argjentinasit këtë numër, La Joya ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Momentalisht 23-vjeçari kryeson listën me 8 rrjeta të realizuara, por po të llogarisim edhe dy golëshin në finalen e Super Kupës së Italisë ai arrin në kuotën e 10 golave. Duhet të kthehemi prapa në kohë për te gjetur një sulmues që në javën e katërt kishte arritur të realizonte kaq shumë gola. Forma që po shfaq argjentinasi është impresionuese, por ajo çka ia shton akoma edhe më shumë dozat e meritave, 23-vjeçarit janë goditjet e tij.

Dybala mund të shënojë në shumë mënyra, një gjë e tillë u pa edhe në takimin ndaj Sasuolos. Shifrat flasin qartë, 52 gola në 100 paraqitje me fanellën e Zonjës së Vjetër.

Tekniku Allegri mund të gjejë ngushëllim tek forma e numrit 10, sepse tek sulmuesi tjetër, Gonzalo Higuain, për të cilin Juventusi shpenzoi 90 milionë Euro dhe sezonin e kaluar vendosi një rekord në Seria A, të paktën për momentin nuk mund të presë shumë.

Sulmuesi i Interit, Mauro Icardi gjithashtu nuk mund të buzëqesh. Ndaj Crotones e vetmja gjë që spikati ishte ngjyra e flokve, sepse në lojë thjesht sa i bërë hije fushës. Icardi e sheh veten të parakalohet në listën e golashënuesve, nga dy bomber të tjerë, Immobile dhe mund të arrihet nga Mertens, me këtë të fundit që më shumë se sa një sulmues krahu ngjan si një 9 i fshehur.

Dzeko i Romës është aty, me uljet dhe ngritjet. Shpesh shfaqet vendimtarë, e në disa raste të tjera, humbet raste të pastra shënimi. Sidoqoftë filozofia e futbollit italian duket se po ndryshon ose kaq shumë gola të shënuar në fundjavë edhe mund të jetë një rastësi për të këtë nuk mundesh dot të japësh një përgjigje përfundimtare.

Dikur në Itali kampionati fitohej nga skuadra që kishte mbrojtjen më të fortë, por këtë sezon përshtypjet janë që rregullat mund të ndryshojnë, ndoshta sulmi më i mirë do të bëjë diferencën.

Nuk e dimë është vetëm fillimi i një rruge të gjatë, me plot pengesa. Sidoqoftë deri në xhiron e fundit, një gjë është e sigurt, kampionati italian, gradualisht po i rikthehet magjisë së dikurshme.

Grabitësit i vënë armën në kokë, por studentja nuk e lëshon çantën. Arsyeja do iu habisë

Posted: 18 Sep 2017 09:00 AM PDT

Një studente në Afrikën e Jugut rrezikoi jetën e saj për të mos ua lëshuar hajdutëve çantën që kishte me vete.

Edhe pse ata i drejtuan pistoletën, vajza nuk pranoi të lëshonte çantën jo se kisha para me vete, por kishte kopjet e vetme të tezës së masterit dhe humbja e saj do të thoshte edhe humbja e një viti për diplomimin.

Noxolo Ntuli, 26 vjeç, u përplas me sulmuesit e armatosur gjatë incidentit në Johanesburg të martën.

"Nuk kishte asnjë mënyrë që unë t'i lejoja ata të merrnin çantën", i tha ajo BBC.

Por ajo gjithashtu tha se veprimet e saj ishin "jo shumë të zgjuara" dhe u këshillon të tjerëve t'u japin grabitësve atë që kërkojnë.

26-vjeçarja, një shkencëtare e re në Shërbimin Kombëtar të Laboratorit Shëndetësor, kishte tezën e zoologjisë molekulare në një disk kur një makinë u ngjit pranë saj dhe dy burra u hodhën jashtë, teksa njëri prej tyre nxori armën.

Por, ndërsa sulmuesit ishin në gjendje të merrnin çantën e saj, zonja Ntuli refuzoi të lëshojë qesen që përmbante hard drive-n.

Gjatë sulmit, një nga grabitës vuri një armë në kokën e saj dhe kërcënoi vazhdimisht për ta vrarë.

Momenti u regjistrua nga kamerat e sigurisë të lidhura me shtëpitë e afërta në periferi të Auckland Park.

Ntuli tha se nuk do t'ua këshillonte të tjerëve që të ndiqnin shembullin e saj.

Grabitës u arrestuan më vonë.

Harroni shpesh atë se çfarë doni të thoni? Ja pse ju ndodh

Posted: 18 Sep 2017 08:50 AM PDT

A ju ka ndodhur ndonjëherë të ndërpriteni në mes të një bisede nga një telefonatë e papritur? E keni harruar atë se çfarë donit të thoshit? Një studim mbi aktivitetin elektrik të trurit i publikuar në Nature Communications mund të shpjegojë tashmë pse ndodh kjo gjë.

Origjina e përbashkët

Sipas Adam Aron nga Universiteti i Kalifornisë së San Diego, ai që e ndërpret fluksin e mendimeve është i njëjti mekanizëm që bllokon në mënyrë të befasishme lëvizjet tona kur për shembull kur dalim nga ashensori dhe përballë gjejmë dikë tjetër që pret shumë pranë derës. Përgjegjësi kryesor i atyre ndërprerjeve të papritura të veprimeve motorike është ndoshta edhe nga anulimi i papritur i rrjedhës së mendimeve – është bërthama subtalamike, një formacion i vogël neuronesh që gjendet diencephalon, një pjesë e trurit njerëzor në qendër të kafkës.

Një test kujtese

Përgjatë studimit të tyre, Aron dhe kolegët e tij kanë mbikëqyrur 20 vullnetarë të shëndetshëm dhe 7 të sëmurë nga parkinsoni duke i caktuar një detyrë kujtese: të mbanin në mendje një varg karakteresh. Interesi për parkinsonin nuk është rastësor.

Në fakt, mund të ndodhë që flukset e mendimeve të atyre që vuajnë janë veçanërisht të qëndrueshëm dhe vështirë për t'u shpërbërë; hipoteza është që, të njëjtat struktura cerebrale që kryejnë një superpunë për të bllokuar dridhjet tipike të sëmundjes, i bëjnë pacientët edhe super të mbrojtur dhe këmbëngulës në mendimet e tyre.

Efekti surprizë

Ndërkohë që vullnetarët provonin të fiksonin në mendje shkronjat, ata kanë dëgjuar tinguj të thjeshtë monotonë. Por në disa raste, disa nota janë zëvendësuar nga cicërimat e papritura të një zogu: një stimul mjaftueshëm i çuditshëm për të çorientuar personat e marrë në studim. Aktiviteti elektrik cerebral i regjistruar gjatë "surprizës tingëllore" u shfaq i njëjti me atë të ndërprerjes tipike të lëvizjes: ajo që u përfshi qe pikërisht bërthama subtalamike. Sa më shumë punonte kjo strukturë aq më e vështirë qe për subjektet që të sillnin në mendje vargjet e shkronjave.

Bazat e krahasueshme

"Ajo që kemi demonstruar deri më tani – thonë shkencëtarët – është se ngjarjet e papritura përfshijnë të njëjtin qark truri që përdorim për të bllokuar qëllimisht veprimet tona; ky mekanizëm duket se ndikon gradën me të cilën këto ngjarje ndikojnë mbi fluksin e mendimeve që kishim (përpara se të ndërpriteshim).

Antik sa njeriu

Mbetet për t'u kuptuar se përse ndodh kjo gjë: mbase, për arsye evolutive. Kur ecnim për në savanë duke fantazuar për darkën, kjo aftësi për të ndërprerë në mënyrë të menjëhershme mendimet për t'u kthyer në realitet duhet të na shpëtojë shumë herë jetën, duke na përqendruar mbi stimujt e rrezikshëm. Zbulimi mund të ketë ndikime të rëndësishme te pacientët me sëmundjen e parkinsonit gjithashtu edhe tek ata që vuajnë nga shqetësime të ndryshme në lidhje me vëmendjen.

Cilët ishin Akejtë e vërtetë?

Posted: 18 Sep 2017 08:40 AM PDT

Ta zëmë se vendosni të shkruani një roman që flet për heronj, për beteja dhe për mbretëresha, gjithçka e kalitur nga një copë magjie (apo ndërhyrje hyjnore, si të doni): në cilën epokë do ta ambientonit? Ndoshta në një epokë të lashtë e plot përralla, të largët por jo shumë. Ai që kompozoi Iliadën arsyetoi pak a shumë kështu. Për autorin e poemës, që ka jetuar afro 4 shekuj pas luftës së Trojës (që ndodhi afërsisht në viti 1200 para Krishtit), epoka e lashtë ishte ajo e Mikenasve.

Të gjithë grekët që kanë rrethuar muret e Trojës, sipas Iliadës, janë Akej, apo banorë të Akaias. Por, sipas disa studiuesve, prapa atij emri fshihej edhe një popull gjysmë nomad i imigruar në Greqi nga Europa Qendrore në mijëvjecarin II para Krishtit. Pasi u integruan me indigjenët, ata mendohet se janë vendosur në Argolidë në Peloponez, ku krijuan disa qytete shtete dhe i dhanë jetë qytetërimit që sot e quajmë mikenas nga qyteti i Mikenës, një prej qendrave më të mëdha bashkë me Argos, Tirinto, Pilo dhe Sparta. Ai qytetërim ishte sfondi i rrëfimit historik të quajtur Iliadë.

Aristokratë

Arkitektë të zotë, adhurues të së bukurës dhe mbështetës të barazisë mes gjinive, mikenasit kishin një defekt të madh: ishin luftëdashës. Gjë që shkaktonte tensione me fqinjët, përfshirë bashkëkombasit. Ai lloj karakteri shfaqet në Iliadë tek personazhi i Agamemnonit, komandant i të gjithë grekëve në Trojë. Bir i Atreut, mbret i Mikenës, personazhi legjendar ka shumë të përbashkëta me sovranin tipik që qeveriste çdo qytet shtet mikenas. "Ashtu si sovranët e poemës homeriane, mbretërit mikenas emëroheshin sipas linjës atërore të pasardhjes", konfirmon Masimo Cultraro, arkeolog dhe kërkues në institutin e mallrave arkeologjikë dhe monumentalë në Cnr. Ajo mikenase ishte një shoqëri aristokrate ku mbretërit visheshin me pushtet absolut, përfaqësuar nga skeptri. "Nuk ekzistonin organe kolegjialë që të freonin pushtetin mbretëror: sovrani emëronte funksionarët e pallatit, ushtronte një autoritet të plotë mbi administratën dhe kishte funksione gjykatësi", shton eksperti. Përgjithësisht mbante të paprekur madhështinë e tij edhe i vdekur. Si në Lindjen e Afërme, populli mendonte se mbreti i vdekur pritej nga perënditë dhe meritonte të njëjtat ndere. Gjë që nuk i ndodhi Agamemnonit.

Flijime njerëzore

Me rikthimin nga lufta, sovrani gjeti një pritje aspak të ngrohtë: një vdekje e organizuar nga e shoqja, Klitemnestra. Kjo nuk mund t'ia falte (përvec tradhëtisë me trojanen Kasandra) flijimin e të bijës, Ifigjenisë, Në fakt, i ati e kishte flijuar në altarin e Perëndeshës Artemisë për t'i garantuar një lundrim të qetë drejt Trojës. Vetëm legjendë? Jo për të gjithë: disa studiues janë të bindur që në raste të caktuar, mikenasit kryenin vërtetë flijime njerëzish për të purifikuar qytetin e tyre. E provojnë eshtrat e gjetura të disa fëmijëve dhe skeleti i një gruaje të re, të gjendura mbi një tryezë nën rrënojat e një tempulli mikenas ku po kryhej riti.

Megjithatë, shumë pak gra mikenase e kishin këtë fat. Shoqëruese të denja të atyre meshkujve, ato gëzonin një liri të pazakontë për atë kohë. Mjafton të mendosh për Helenën, shkaku legjendar ishpërthimit të Luftës së Trojës.

Helena hyjnore

Gruaja e bukur e Menelaut, Mbret i Spartës dhe vëlla i Agamemnonit, ishte një mbretëreshë e pasur dhe e fuqishme, një pjesë aktive më shumë se sa pasive e atij që Homeri e rrëfeu si rrëmbim. Bashkëqytetarët e saj e adhuronin, aq sa në kodrën ku mendohet se ka qenë pallati i Menelaut kanë gjetur 300 statujëza që lidheshin me kultin e saj.

"Kjo grua kishte një rol të rëndësishëm në shoqërinë mikenase", konfirmon Cultraro. "E demonstron, në ceremonitë zyrtare dhe në jetën e oborrit, prania e një mbretëreshe në krah të mbretit. Bizhu dhe thesare të familjes përfundonin në varret femërorë dhe transmetimi i trashëgimisë bëhej nga nëna, nëse nuk kish trashëgimtarë meshkuj".

Pra, mikenaset nuk ishin vetëm shtëpiake dhe nëna me kohë të plotë. Shumë punonin në pallat si funksionare, dominonin sektorin e prodhimit të veshjeve, të qeramikës që shitej në gjysmën e Mesdheut dhe të tregtisë së verës, si ajo e moshuara eshtrat e të cilës u gjetën pranë disa amforave: ato me të cilat, ndoshta kishte arritur një pasurim të caktuar.

Një trajtim krejt tjetër u rezervohej skllaveve, në shkallën e fundit të piramidës sociale. "Shpesh herë tregoheshin sipas qytetit të origjinës: "gratë e Miletit", "gratë e Lemnosit". Në gjithë këta raste bëhej fjalë për të huaja shërbyese, të kapura në luftëra apo të blera në tregun e skllevërve", shpjegon Cultraro. Një fat i zakonshëm për gratë dhe bijat e armiqve të mposhtur.

Miqësi speciale

Në çfarë mënyre tjetër do të mund të shfrynin dëshirat e tyre luftëtarët që qëndronin gjatë larg shtëpisë? Heroi i Iliadës, Akili na ofron një shembull: Briseida e bukur, gruaja e mbretit të Silisias, Minet, që mbeti e ve nga dora e heroit u bë preja e luftës, apo më saktë skllavja e tij në shtrat. Kur Agamemnoni e mori, Akili u zemërua, por asnjëherë aq shumë sa kur Hektori i vrau mikun e tij, Patroklin. Një reagim i tepruar që shumë studiues e kanë interpretuar si shenjë e një lidhje më shumë se miqësore me shokun e armëve. "Burimet e shkruar për mikenasit janë të një natyre administrative he nuk thonë asgjë për këtë", nënvizon Cultraro. "Dimë që në shoqëritë aristokrate-luftëtare si ajo mikenase, lidhja e ngushtë mes të rinjve që së bashku përballonin prova kurajoje dhe ushtarake për të hyrë në botën e të rriturve, mund të favorizonte raporte seksualë".

Të pamëshirshëm

Mikenasit ishin në gjendje të silleshin në luftë si Akilër. "Stërvitja, forca dhe aftësia ishin një prej komponentëve të aristokracisë mikenase. Në këtë pikë, paralelet me poemën homeriane janë të ngushtë: hakmarrje, kundëreagime, dhe dhunë ishin përbërësit bazë të shoqërisë së këtij lloji", shton eksperti. Duhej ta dinin trojanët, pas mureve, ndërkohë që shihnin ata burra muskulozë, të pajisur mirë dhe të gjatë mesatarisht më shumë se një metër e shtatëdhjetë, në atë kohë një lartësi jashtë të zakonshmes.

Për luftën psikologjike, përshkruar edhe nga Homeri, lëvizja më e mirë ishte të dhunohej një kufomë apo të mos varrosej: mikenasit ishin të bindur se riti funebër përmirësonte udhëtimin e të vdekurit drejt mbretërisë së të vdekurve. Pa varrim, shpirti i tij do të udhëtonte pa gjetur paqe, duke ndjekur të afërmit që nuk ia kishin realizuar. Kështu mund të themi se edhe dhunimi i kufomës së Hektorit kontribuoi për rënien e Trojës.

Por fitorja e Iliadës ishte një këngë e mjellmës për mikenasit: minuar ndoshta nga ndryshimet klimaterike, nga kriza e tregtisë, që erdhi me sa duket prej inkursioneve të popujve të detit dhe një serie tërmetesh, qytetërimi mikenas i la vend Dorëve të ardhur nga veriu dhe u zhduk. Për t'u rikthyer katër shekuj më vonë, në varjet e Homerit. /Storica/Bota.al

Projekt i ri ruso-serb për Ballkanin

Posted: 18 Sep 2017 08:30 AM PDT

Nga Shaban Murati

Rusia është qendra kryesore e prodhimit të ideve dhe të projekteve ekspansioniste serbe në Ballkan. Kjo u konfirmua përsëri këto ditë kur Sergej Zheleznjak, një nga politikanët dhe deputetët më të rëndësishëm rusë, nënkryetar i partisë sunduese të presidentit Putin "Rusia e bashkuar", shpalli në 14 shtator konceptin e ri të "botës serbe në Ballkan". Afishimi u bë me rastin e koordinimit të programit të përbashkët të shtetit dhe të parlamentit rus bashkë me shtetin dhe parlamentin serb për të hartuar një Deklaratë Rajonale "për ruajtjen e identitetit kombëtar serb, të kulturës, të gjuhës dhe të alfabetit cirilik në të gjithë Ballkanin". Deklarata rajonale për "botën serbe në Ballkan" do të miratohet nga parlamentet e Rusisë dhe të Serbisë brenda vjeshtës së këtij viti. Zyrtarët rusë dhe serbë, që u takuan për këtë qëllim në Moskë në 14 shtator, deklaruan se do t'ua propozojnë për nënshkrim këtë Deklaratë Rajonale të gjitha vendeve ballkanike. Autorësia dhe protagonizmi rus i këtij projekti u pohua nga Sergej Zheleznjak, i cili deklaroi se partia qeveritare ruse "Rusia e bashkuar" është gati të marrë përsipër pjesën më aktive në hartimin e dokumenteve të përshtatshme, duke bashkëpunuar me grupet e miqësisë së parlamenteve të vendeve ballkanike. Është e kuptueshme se këtu nuk kemi një shqetësim linguistik të Rusisë për identitetin serb apo "botën serbe në Ballkan", por një shqetësim politik dhe diplomatik të saj për rolin e Serbisë në Ballkan.

Jemi para një projekti të ri ruso-serb për përhapjen dhe pranimin e influencës serbe në vendet e tjera të Ballkanit. Rusia ka një interes të lexueshëm politik dhe strategjik në rajon, përderisa merr përsipër hartimin e Deklaratës Rajonale dhe gjithë veprimtarinë parlamentare, diplomatike e shtetërore për realizimin e këtij projekti. Rusisë i intereson që në Ballkan dhe sidomos në atë grup shtetesh, që është emërtuar "Ballkan Perëndimor" dhe ku asnjë shtet nuk është akoma anëtar i BE, të vendoset një ndikim i Serbisë në jetën shoqërore, politike, kulturore e shpirtërore të vendeve të këtij grupimi. Për këtë qëllim nga Moska është zgjedhur dhe shpallur Serbia si përfaqësuesja e kulturës, gjuhës dhe e alfabetit cirilik në rajon, ndonëse në Ballkanin Perëndimor janë katër shtete, që i përkasin gjuhës sllave dhe alfabetit cirilik. Serbia emërohet nga Moska protektorja rajonale e pansllavizmit jo vetëm nga pikëpamja kulturore e linguistike, por edhe politike. Në Ballkanin Perëndimor vetëm kombi shqiptar nuk i përket botës, gjuhës, kulturës dhe alfabetit sllav, por edhe dy shtetet shqiptare nuk mbeten jashtë përfshirjes në sferën e "botës serbe", sepse Serbisë dhe Rusisë i duhet i gjithë rajoni. Pretekstet e ndërhyrjes janë në Kosovë pakica serbe dhe në Shqipëri pakica maqedonase ose boshnjakët myslimanë të konvertuar në "serbë" nga shërbimet e posaçme serbe.

Strategjia e Deklaratës Rajonale ruso-serbe është pranimi vullnetar i "botës serbe" nga vetë shtetet e rajonit, që në thelb është pranimi nga ato shtete i rolit udhëheqës dhe hegjemon të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Projekti i "botës serbe në Ballkan" është imitim i projektit të madh të "botës ruse" nëpër botë, një megaprojekt i presidentit rus, Vladimir Putin për shtrirjen e ndikimit rus në të gjitha rajonet e globit. Jo rastësisht, Moska është protagonistja e projektit të "botës serbe në Ballkan" dhe planifikon si fazë të parë të realizimit bashkimin e partive politike proruse në Ballkan për ta pranuar Deklaratën Rajonale të "botës serbe". Është vazhdimi i strategjisë së shtetit dhe të diplomacisë ruse, të cilët në 27 qershor të vitit të kaluar mblodhën në Moskë partitë politike proruse nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i ulën të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët rajonale me angazhimin e tyre për krijimin e "një territori neutral në Ballkan". Një lëvizje e qartë antiatlantike e diplomacisë ruse në Ballkan.

Jo rastësisht projekti i ri i "botës serbe në Ballkan" doli menjëherë pas shpalljes nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të planit të tij për rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër, përfshirë Shqipërinë, plan të cilin ai e deklaroi publikisht në 6 prill 2017 dhe tekstualisht u shpreh: "Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë". Vuçiç e filloi këtë plan me propozimin për krijimin e një zone ekonomike të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dimensioni i ambicies së Serbisë është më i gjerë dhe përfshin edhe planin politik e kulturor. Për këtë qëllim, Vuçiç sapo u betua si president i ri në fillim të qershorit, shpalli një "nismë kulturore" për të shtrirë praninë dhe ndikimin e Serbisë në të gjitha vendet e rajonit. Tani Rusia dhe Serbia shkallëzojnë dhe koordinojnë nismat e tyre rajonale, duke paraqitur propozimin, ku vetë vendet e rajonit të pranojnë shtetin tyre si pjesë të "botës serbe".

Në planin diplomatik të bën përshtypje që Rusia del dhe vepron hapur si në nismat e saj ballkanike, ashtu edhe në përdorimin e Serbisë si instrument i politikës ballkanike ruse. Moska nuk e kamuflon veprimin e saj diplomatik në rajon dhe afishon se ajo ka barrën kryesore të hartimit dhe të përpjekjeve diplomatike për realizimin e projektit të ri.

Duket se qeveria dhe diplomacia ruse e kanë me ngut dhe nuk kanë kohë dhe as durim që të fshehin ambiciet e tyre në drejtim të Ballkanit. Dështimet e diplomacisë ruse në Mal të Zi, i cili u pranua anëtar i NATO-s, dhe në Maqedoni, ku u largua nga pushteti beniamini rus, Nikolla Gruevski, duket e kanë detyruar që të mos e ruajë më as aparencën diplomatike. Sergej Zheleznjak del dhe deklaron se do të jetë Rusia, ajo që do të bashkëpunojë me partitë politike të vendeve ballkanike dhe me parlamentet e tyre për projektin e ri të "botës serbe në Ballkan".

Thelbi antiperëndimor dhe antiatlantik i projektit ruso-serb lexohet lehtë. Sergej Zheleznjak deklaroi se, "Rusia sheh presione serioze, që po bëhen nga SHBA dhe NATO mbi botën serbe në Ballkanin si i tërë". Zyrtari i lartë rus nuk e sqaroi se çfarë është kjo "botë serbe në Ballkan" dhe çfarë lloj presioni konkret po i bëkan SHBA dhe NATO "botës serbe" në rajon. Zyrtari rus nuk e specifikoi se ku e sheh Rusia këtë "botë serbe" në vendet e ballkanike, ku bën pjesë edhe Shqipëria e Kosova. Moska nuk mund ta thotë, sepse e identifikon "botën serbe" me influencën serbe në vendet ballkanike. Jo më kot zyrtari i lartë rus e lidhi shqetësimin për "botën serbe" me zhvillimet e fundit në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Në Mal të Zi në tetor të vitit të kaluar dështoi grushti i shtetit i organizuar nga shërbimet sekrete ruse dhe serbe për të rrëzuar qeverinë e ligjshme dhe për të penguar anëtarësimin në NATO. Në Maqedoni dështoi komploti politik ruso-serb për të mbajtur në pushtet në mënyrë të paligjshme kryeministrin e korruptuar dhe autokrat Gruevski dhe për të penguar rrugën e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. Shteti dhe diplomacia ruse po nguten dhe po dalin me propozime dhe projekte të reja për t'i hapur mundësira depërtimit serb në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk e është e rastit që diplomacia ruse e ka përkrahur projektin serb të krijimit të zonës së përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor. E ka përkrahur, sepse është në favor të Serbisë, që ka ekonominë më të fuqishme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. E ka përkrahur, sepse është edhe në favor të Rusisë, sepse Serbia ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Rusinë dhe Rusia do ta ketë më të lehtë të vërshojë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet Serbisë dhe të dominojë tregtinë dhe ekonominë e rajonit. Përkrahje ka shprehur diplomacia ruse edhe për nismën e presidentit serb, Vuçiç, për të ashtuquajturin dialog të brendshëm për Kosovën dhe Sergej Zheleznjaku e përsëriti këtë përkrahje në 14 shtator.

Projekti ruso-serb i "botës serbe në Ballkan" është një nismë politiko-diplomatike për forcimin e ndikimit serb dhe rus në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht se në pamjen e parë duket se ka të bëjë me gjuhën dhe alfabetin cirilik, projekti në planin gjeografik synon gjithë Ballkanin Perëndimor. Jashtë objektivit të këtij projekti nuk mbetet as Shqipëria dhe as Kosova, përderisa janë pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe përderisa janë pjesë e ambicies së Serbisë për rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër me dy shtete shqiptare brenda.

Janë dy elemente, që dolën nga bisedimet e zhvilluara në Moskë në 14 shtator midis delegacionit të Rusisë, të kryesuar nga nënkryetari i partisë qeveritare, Sergej Zheleznjak dhe delegacionit të Serbisë të kryesuar nga Marko Gjuriç, anëtar i kabinetit qeveritar dhe nënkryetar i partisë qeveritare serbe, SNS. Elementi i parë është se deklarata e përbashkët për pranimin e "botës serbe në Ballkan" do të nënshkruhet bashkë me partitë vendeve ballkanike dhe elementi i dytë është se për këtë qëllim do të bashkëpunohet me grupet e miqësisë, që Rusia ka në parlamentet e vendeve ballkanike.

Kjo do të thotë që Rusia dhe Serbia mund të përpiqen të tërheqin në projektin e tyre edhe partitë politike shqiptare, edhe grupet e miqësisë ruso-shqiptare apo serbo-shqiptare në parlamentin e Shqipërisë. Në këtë kuadër, lobi rus dhe serb në Tiranë pritet të jetë shumë aktiv dhe duke tundur etiketën kulturore të projektit të "botës serbe apo botës sllave" të përpiqet ta kanalizojë në linja zyrtare një pjesëmarrje shqiptare. Naiviteti apo lidhjet okulte mund të çojnë që të përsëritet ajo, që ka ndodhur me kurthin ruso-serb të tërheqjes në projektin e bazës ushtarako-diversioniste të Rusisë në Nish të Serbisë, ku përfaqësues të Shqipërisë kanë marrë pjesë në fillim në takimet për bazën apo kanë pranuar ndihma nga ajo bazë. Apo rasti i pranimit nga Shqipëria të projektit rus të "kuintetit policor ballkanik" të luftës kundër narkotikëve, të drejtuar nga Rusia.

Karremit rus duhet t'u ruhen grupet parlamentare të miqësisë dhe partitë politike shqiptare. Ata duhet t'u shmangen sugjerimeve dinake të këshilltarëve jugosllavë dhe të disa qendrave pseudostudimore në Tiranë, që financohen nga Rusia dhe nga Serbia. Identiteti dhe sovraniteti kombëtar shqiptar janë rrezikuar gjatë 13 shekujve nga ambiciet serbe dhe strategjitë afatgjata të Serbisë ndaj kombit shqiptar nuk ndryshojnë me stinët politike, që janë në modë në një periudhë të caktuar në arenën ndërkombëtare. Vetëm naivët ose ata që shtiren si naivë, nuk e shohin./Gazeta Shqiptare

Qeveria e re, nis reformimi i administratës publike

Posted: 18 Sep 2017 08:20 AM PDT

Reformimi i Administratë Publike, siç ishte bërë e qartë nga kreu i qeverisë, mund të quhet i nisur.

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçi, ka njoftuar punonjësit e administratës se për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, do të ketë ndryshime apo shkurtime, në funksionet dhe strukturat e ministrive.

Ministritë e reja, sipas saj, janë dekretuar tashmë nga Presidenti i Republikës.

Procesi i transferimit apo përfundimit të marrëdhënies së punës së nëpunës civile të ministrive kryhet sipas procedurës së detajuar në ligjin "për nëpunësin civil" i ndryshuar me vendim e datës 17 Shkurt 2016 të Këshillit të Ministrave "Për transformimin e përkohshëm dhe të përhershëm të nëpunësve civilë", si dhe në udhëzimin e datës 1 Mars 2016, të departamentit të Administratës Publike "për krijimin, funksionimin dhe kompetencat e komisionit të ristrukturimit për shkak të mbylljes apo ristrukturimit", të ndryshuar.

Për sa më sipër drejtoresha Koçiu, njofton së është objekt u gjykimit për transferimin apo përfundimin e marrëdhënies suaj në shërbimin civil.

Për Vizion Plus, drejtoresha Koçiu tha se “absolutisht nuk bëhet fjalë për shkarkim të administratës, aq më pak për një urdhër të kësaj natyre”.

Ajo thotë se sipas legjislacionit në fuqi, me nisjen e këtij procesi, është detyrim njoftimi me shkrim i çdo nëpunësi për nisjen e këtij procesi të paktën një muaj përpara fillimit të efekteve të strukturave te reja.

Për ketë arsye DAP ka njoftuar te gjithë nëpunësit civile të Ministrive për nisjen e procedurave te ristrukturimit, por ky njoftim nuk përbën në asnjë rast njoftim apo paralajmërim për lirim nga detyra për shkak të ristrukturimit.

Xhinset, sekretet që nuk dini për veshjen më të përdorur në botë

Posted: 18 Sep 2017 08:10 AM PDT

Xhinset me plot gojën mund të cilësohen si "shefa" të veshjeve për pjesën më të madhe të popullsisë së botës. Moda e tyre bëri bujë në mesin e viteve '50. Ndërkohë origjina e xhinseve nuk është Amerika por Franca. Mos u befasoni, ka edhe sekrete të tjera për to.

Ditëlindja

Disa historianë, si datë historike të lindjes së xhinseve, njohin 20 majin e vitit 1873, ditë në të cilën Jacob Davis dhe Levi Strauss kanë marrë patentën për xhinset blu, pra të drejtën ekskluzive për prodhimin dhe shitjen e tyre.

Origjina

Por, historia e xhinseve ka filluar shekuj më parë. Në shekullin XV, në Chieri, pranë Torinos, prodhohej një lloj pëlhure blu e cila përdorej për të mbuluar mallrat e portit të Gjenevës. Përkthimi i Gjenevës (Genova) në frëngjisht "Gênes" qëndron në origjinë të fjalës Jeans (xhins). Ndërkohë që fjala denim është një amerikanizim i shqiptimit francez "serge de Nimes" (pëlhurë me njëfarë vijëzimi diagonal), një pëlhurë mesjetare e krijuar në Nîme të Francës, me të cilën prodhoheshin pantallonat që visheshin nga marinarët gjenovezë.

Ankandi

Më 25 maj të vitit 2001, një përgjegjës i firmës Levi-s bleu në eBay një palë xhinse shekullore, të gjetura në një minierë, për 46.532 dollarë. Ato u riprodhuan në 500 kopje duke u shitur me nga 300 dollarë secila.

Në luftë

Xhinset blu, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u mbrojtën falë ushtarëve amerikanë, të cilët i veshën kur nuk ishin në shërbim. Më pas, në mesin e viteve '50 filloi edhe moda më e bujshme e tyre: xhinset u bënë shumë të populluara në mesin e të rinjve, si simbol ribelimi në adoleshencë, pasi James Dean i veshi ato në "rininë e djegur" në 1955, (rininë e shkuar dëm).

Xhinset e grisura

I pari që krijoi një palë xhinse të reja, të cilat dukeshin si shumë të konsumuara, të grisura (ende në modë), qe Marty Friedman, pronari i Limbo-s, një dyqani veshjesh në East Village në Nju Jork. Në fund të viteve '60 ai i dërgoi xhinset në lavanderi për t'i dhënë efektin e vjetër, që u pëlqente aq shumë klientëve të tij hipi.

Pambuku

Nga një deng pambuku krijohen rreth 215 palë xhinse. Plantacionet e pambukut mbulojnë 34 milionë hektarë të sipërfaqeve të tokës dhe sipas Ethical Consumer përdoren 25% e insekticideve të botës dhe 10% e pesticideve. Ndaj, prodhimi i xhinseve nuk është gjithmonë i qëndrueshëm.

Ku "lindin" xhinset?

Më shumë se 50% xhinseve denim prodhohen në Azi e sidomos në Kinë, Indi dhe Bangladesh. Ndërkohë që vendi perëndimor më aktiv i prodhimit të xhinseve është Meksika.

Çështje peshe

Për të kuptuar se një palë xhinse janë më të përshtatshme në verë ose në muajt e ftohtë nuk është aspak e vështirë: mjafton të lexoni peshën e tyre nëse është në etiketë, përndryshe mund t'i peshoni vetë. Nëse peshojnë 10 inç (280 gramë) janë të lehta. Por nëse pesha e një palë xhinse shkon nga 12 deri në 21 inç (më shumë se 300 gramë) atëherë janë një denim i rëndë, më i përshtatshëm për sezonin e dimrit.

Mero Baze: Qeveria “Rama” po e zhvendos pushtetin në qendra okulte

Posted: 18 Sep 2017 07:37 AM PDT

Pushteti ekzekutiv po migron në adresë të paditur!

 Nga Mero Baze

Prej dy ditësh në shtyp po qarkullon një listë emërimesh të reja të Sekretarëve të Përgjithshëm në ministritë e reja që janë krijuar. Nuk kam ndërmend të komentoj cilësinë e listës, pasi dhe nuk i njoh shumë prej tyre, por është interesant fakti, që prej dy ditësh nuk ka asnjë reagim nga ministrat, apo vetë personat që u kanë dalë emrat, për ta pranuar, ose mohuar atë. Në një farë mënyre, lista pavarësisht se si ka rrjedhur në shtyp, ka zyrtarizuar një praktikë të re emërimesh të Sekretarëve të Përgjithshëm të Ministrive, që janë zyrtarët më të rëndësishëm të çdo ministrie pas Ministrit.

Lajmi i parë i keq, është që asnjë ministër, ose së paku ata të cilëve ua kanë emëruar Sekretarin pa i pyetur, nuk kanë reaguar. Për princip Sekretari i Përgjithshëm duhet të jetë një propozim i Ministrit, pasi atij i duhet të punojë më shumë se kushdo tjetër me të. Nëse listat ua ka ofruar një zyrë kuadri në Kryeministri dhe ata e pranojnë atë në heshtje, do të thotë, ose që janë dakord me të, ose që nuk kanë guximin ta kundërshtojnë atë.

Kjo sa i përket anës etike të kësaj liste.

Ana tjetër ligjore është që Sekretarët e Përgjithshëm kanë një procedurë emërimi shumë të konsoliduar përmes DAP, dhe e ke të vështirë t'i heqësh dhe kur nuk janë të partisë tënde, përveçse me marrëveshje.

Ajo që është interesante në këtë listë është se shumica e emrave të kontaktuar, e kanë parë emrin në listë pa i pyetur njeri, edhe pse mund të jenë dakord me atë vendim.

Kjo është minuese për premtimin e madh të një administrate profesionale, dhe forcimit të figurës së nëpunësit. Biles nga mënyra si ka rrjedhur në shtyp dhe si po merret e mirëqënë, kjo tregon një tendencë për të centralizuar qendrat e vendosjes më të rëndësishme të shtetit shqiptar në një dorë, që sillet rreth kabinetit të Kryeministrit. Kjo tendencë ka prekur dhe disa emra të emëruar në disa prej agjensive më të rëndësishme në vend, sidomos ato që kanë të bëjnë me prokurimet publike, ankesat ndaj tyre, apelimet dhe gjithçka që konsiderohet si element kyç në pushtetin real të ministrive.

Bërja e superministrive dhe njëkohësisht zhveshja e tyre nga çdo fuqi ekzekutive mbi politikat që ata do drejtojnë, tregon se tendenca e re e qeverisë "Rama 2", është zhvendosja e pushtetit nga institucionet, në qendra okulte të papërcaktuara, që operojnë jashtë përfaqësimit politik.

Dhe ky është një fenomen që mund ta zhysë në krizë qeverisjen, pasi përgjegjësia politike është e ministrave, ndërsa fuqitë ekzekutive po migrojnë në adresë ta paditur, tek njerëz rrotull Edi Ramës.

Kjo listë e cila ka 24 orë që qarkullon dhe të gjithë e lexojnë emrin aty për herë të parë, por nuk guxojnë të reagojnë, është një detaj i kësaj fizionomie pushteti. Dhe ajo që mund të ndodhë është që ministrat do të jenë përgjegjës për politikat që do zhvillojnë, por personat kyç të vendimmarrjes, nuk do të jenë nën autoritetin e tyre, çka mund t'i bëjë ata vulnerabël para opinionit publik, por dhe vetë Kryeministrit.

Mbingarkimi i disa ministrive me shumë pushtet, nuk është një veprim i mençur, por sterilizmi i ministrave nga fuqitë ekzekutive dhe sidomos mospërfillja e tyre as në emërimin e Sekretarëve të Përgjithshëm në disa raste, siç është rasti konkret, tregon një tendencë të dëmshme të grumbullimit të pushtetit në zyra dhe persona të cilët nuk janë votuar për atë gjë, por që janë "de facto" qeveria reale, duke u tallur dyfish me ministrat të cilëve u kanë "varur këmborë të mëdha" në qafë dhe nuk i lënë, as t'i tundin.

Kjo është vogëlushja shqiptare e vrarë nga qentë në Itali, tragjedia e paralajmëruar

Posted: 18 Sep 2017 07:23 AM PDT

"Një ngjarje që nuk mund të shpjegohet. Nuk gjej fjalët. E gjithë qyteza është në zi për tragjedinë që ka goditur këtë familje", është shprehur për mediat italiane Mauro Brunetti, nënkryetari i bashkisë së komunës së Flero, pas ngjarjes së djeshme ku një vajzë 13 muajshe mbeti viktimë e kafshimit të dy qenve të shtëpisë së racës pitbull.

Victoria Zikaj, 13 muajsh, vajza e emigrantit shqiptar Egi Zikaj, që pasi kishte humbur vendin e punës në Itali kishte emigruar në Gjermani dhe 22-vjeçares italiane Olga De Luca mbeti viktimë e raptusit agresiv të dy qenëve të shtëpisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19.30 të mbrëmjes së shkuar ndërsa vogëlushja ndodhej në banesë vetëm me gjyshin e saj.

Gjithçka ndodhi brenda pak minutash kur vogëlushja iu largua kontrollit të gjyshit duke dalë në oborrin e shtëpisë për të luajtur me qentë.

Ashpërsia me të cilën ata e sulmuan qe fatale për vogëlushen dhe as përpjekjet e gjyshit nuk mundën ta shpëtojnë.

Skuadra e ndihmës së shpejtë e thirrur nga fqinjët e familjes, mundi të hyjë në banesë vetëm pasi forcat e rendit i vranë me armë zjarri qentë.

Por ishte tepër vonë. Plagët e marra në kokë e në trup qenë vdekjeprurëse për Victoria, vogëlushen me origjinë shqiptare.

Gjyshi i saj ka marrë plagë në të gjithë trupin por është jashtë rrezikut për jetën.

Shoqata Italiane e konsumatorëve ka komentuar këtë ngjarje duke e quajtur "një tragjedi të paralajmëruar".

"Ekzistojnë raca qensh që pavarësisht nga edukimi që i bëhet, plagët që mund të shkaktojnë rezultojnë fatale për njeriun".

Për këtë arsye pas kësaj ngjarje e pas disa të tjerave të ngjashme me këtë tragjedi, Shoqata italiane e Konsumatorëve do të kërkojnë një patentë të detyrueshme për këdo që zotëron qen të racave potencialisht të rrezikshme.

Ndërsa fqinjët e familjes kanë pohuar se shumë herë kanë denoncuar në polici sjelljen agresive të dy qenve.

Vetëm pak ditë më parë ata kishin sulmuar një banore të zonës që po shëtiste aty pranë./Ora News

E vërteta e Kullës së Prekë Calit, parë nga pikëpamja ligjore

Posted: 18 Sep 2017 07:04 AM PDT

Nga Arben Çokaj

Këto ditë, të gjithë u alarmuam rreth një ngjarje të rëndë, që mbuloi mediat tona vizive, portalet e gazetat: Kulla e Prek Calit u rrëzua! E habitshme, a nuk mjaftoi që komunistët e vranë këtë trim e atdhetar të flaktë, që i mbrojti me forcë kufijtë e Shqipërisë?

E nuk munguan akuzat për komunistët, që rrëzojnë kullën e heroit të Malësisë, mllefet e pakënaqësitë e mëdha… sidomos në rrjetet sociale… Dhe mund të thuhet se u përhap edhe një mjegullnajë e qëllimtë, sikur fajin e kishte Bashkia Malësi e Madhe për rrëzimin e kullës.

POR SI QËNDRON E VËRTETA?

Duke njohur përfaqësues të Bashkisë dhe njerëz të tjerë, që u shqetësuan nga kjo ngjarje, mora edhe informacionin e nevojshëm, për ta bërë këtë sqarim, me fakte e fjalë më të kuptueshme, se si filloi e si erdhi puna deri këtu,me këtë ngjarje të pakëndshme.

Disa njerëz që kanë lidhje me deputetin Tomë Doshi, si Gjeto Dukaj – ish kryetar i Komunës Kelmend, Sandër Laçaj – mik i Tomës dhe bashkëshorti i drejtores së monumenteve të kulturës në Qarkun Shkodër, Majlinda Laçaj, etj. në bashkëpunim me Fondacionin Prek Cali në SHBA,  kishin mbledhur fonde për të ndërtuar një kullë 3 katëshe, dhe një shtatore të Prek Calit para saj.

Në letrën e publikuar nga fondacioni Prek Cali, kemi një foto të Prek Calit, një imazh të projektit, dhe dokumentin që Majlinda Laçaj ka lëshuar, duke e cilësuar kullën e Prek Calit "monument kulture".

Drejtorja e monumenteve kulturore kishte lëshuar kështu një dokument, sikur shtëpia apo kulla e Prek Calit ishte monument kulture, gjë që rezulton të jetë e pavërtetë. Pasi monument kulture, një objekt shpallet vetëm me vendim të Ministrisë së Kulturës. Por ky dokument fals (nëse është i tillë) u përdor për të bindur atdhetarët shqiptarë në Nju Jork e më gjerë, që të mblidhnin fondet për ndërtimin e kullës së re…

Nga fundi i korrikut, fillimi i gushtit, filloi edhe puna për kullën e Prekë Calit. Në fillim u rrëzua kulla ekzistuese, u bë një platformë apo bazament betoni dhe u vendosën hekurat e kolonave, pasi sipas ndërtuesve, ajo kullë që të bëhej e fortë dhe e qëndrueshme, duhej të mbështetej mbi një bazament të ri prej betoni, e të bëhej me kolona betoni,dhe jo vetëm ndërtim me gurë, që ka qenë kulla ekzistuese. Përderisa ky ishte një investim pothuajse privat nga ana e organizatorëve, që injoronte totalisht institucionin e Bashkisë, atëherë edhe kjo mund të lejohej, pasi kulla e Prekës nuk ishte ende monument kulture. Por çfarë duhej atëherë letra e Drejtorisë së monumenteve, që thoshte se kulla është monument kulture? Kjo duhej për të shmangur e injoruar Bashkinë nga ushtrimi i detyrës, për të krijuar alibinë, se gjoja lejen e ndërtimit e kemi nga një institucion më lart…

Me datën 16 gusht – tregon raporti i Bashkisë, një banor i fshatit Rapshë të Hotit, z. Ndue Dok Dreshaj, që është edhe personi më i afërt i mbetur nga familja e Prek Calit, informon dhe i kërkon ndihmë kryetarit të Bashkisë, se kulla e Prekës ishte rrëzuar dhe kishin filluar ndërtimin e një kulle të re, në vend të saj. Z. Dreshaj mund të gëzojë në fakt edhe të drejtën ligjore të trashëgimisë së pronës së Prekës, si nip i tij. Kjo e vuri në lëvizje Bashkinë, e cila të nesërmen shkoi në vend-ngjarje dhe konstatoi rrëzimit e plotë të kullës ekzistuese të Prekë Calit, nga ata që kishin filluar pa leje ndërtimin e një kulle të re.

(Kjo mund të shihet edhe nga fotografitë, që punonjësit e Bashkisë, kanë bërë në vazhdimësi).

Bashkia u ka kërkuar ndërtuesve dokumentacion për rrëzimin e kullës dhe për ndërtimet që po bënin, por ndërtuesit nuk kanë paraqitur asgjë. Në vazhdimësi, iu është dhënë atyre një urdhër për pezullimin e punimeve dhe paraqitjen në Bashki të kërkesës për leje ndërtimi.

Por kjo nuk mund të bëhej, pasi ndërtuesit po ndërtonin në një truall, që figuronte si tokë e shtetit në kadastër. Pra ata nuk kishin as pronësi mbi tokën.

Meqë kërkesa për leje ndërtimi e dokumentacioni i duhur kërkon që trualli ku ndërton të jetë në pronë të ndërtuesit, këta nuk e paraqitën në Bashki dokumentacionine duhur brenda dy javëve, prandaj Bashkia, në fillim të shtatorit, mori vendim për rrëzimin e objektit në ndërtim, si ndërtim pa leje dhe gjobiti sipas ligjeve të shtetit në fuqime 500 mijë lekë kundravajtësin, që kryente punimet e paligjshme.

Duket betoni i hedhur në pistën e bazamentit të kullës së re, që po ndërtohej.

 

Kjo i detyroi organizatorët që kishin grumbulluar fondet, që të takoheshin me deputetin PaulinSterkaj, të cilin u përpoqën edhe me mënyra jo fort të pranueshme, ta bindnin që ai të lejonte ndërtimin pa leje të kullës, por ai nuk pranoi.Ndërsa ndërtuesit vazhduan ndërtimin deri me ndërhyrjen e Bashkisë me datën 14 shtator, ku një fadromë e Bashkisë shkoi dhe rrëzoi një pjesë të murit të ndërtuar në ato ditë. Duke pezulluar kështu edhe vazhdimin e ndërtimit më tej, deri në përgatitjen e dokumentacionit të duhur, për të ri-vazhduar ndërtimin e objektit.

POLITIKA NË MES DHE MUSKUJT E DEPUTETËVE

Ka njerëz që dyshojnë se kjo ngjarje agravoi në këtë përfundim të pakëndshëm, për shkak të arrogancës së treguar nga grupi i deputetit Tomë Doshi, të cilët ua premtuan ndërtimin e kullës malësorëve në SHBA (dikush bleu në këtë kohë edhe një Mercedes-Bens për 40 mijë dollarë), por nga ana tjetër filluan veprimet e rrëzimit të kullës ekzistuese e ndërtimit të tjetrës, pa e pyetur fare Bashkinë e Malësisë së Madhe. Pa e kryer fare procedurën për lejen e ndërtimit dhe pa paguar edhe detyrimet e parashikuara me ligj. E kjo sidoqoftë, është ligjërisht e papranueshme.

Por pse Bashkia u tregua kaq e rreptë, në veprimin e saj për rrëzimin e një pjese muri të ndërtuar dhe pezullimin e punimeve, kur bëhej fjalë për kullën e një figure malësore të respektuar si Prek Cali? A mund të sillej Bashkia pak më butë, më e matur në këtë rast? Këtë e sqaron kryetari i bashkisë, Marinaj, me një deklaratë për mediat ku thotë: "Bashkia ishte e detyruar të ndërhynte. Gjykoni vetë, sa spekulim ka patur me këtë ndërtim pa projekt, që do ishte në jetë të jetëve pa administrator. Pra, një objekt historik duhet të ketë projekt, për sot e për nesër dhe dikush do e administrojë atë. Kush do e administronte godinën pas ndërtimit pa leje dhe për çfarë do e përdornin atë matrapazët, për hoteleri, biznes privat a për çka? Ja pra pse Bashkia ndërhyri. Ndërhymë që Shtëpia e Heroit Legjendar Prek Cali të mos kthehet në një biznes privat të matrapazëve, që nuk pranojnë ta bëjnë të ligjshëm objektin në fjalë."

Kështu që edhe pretendimet se deputeti Sterkaj nuk pranoi ndërtim pa leje, për shkak të konkurrencës me deputetin TomëDoshi, bien. Kjo çështje është thjeshtë ligjore, nuk ka pse politizohet, është keq-menaxhim i atyre që morën përsipër ndërtimin pa leje në një territor të administruar nga Bashkia Malësi e Madhe. Fondacioni Prek Cali ka grumbulluar fonde, por është mashtruar, është prerë në besë nga ata njerëz, që e morën përsipër ndërtimin e kullës, pa e pyetur fare Bashkinë, e cila administron territorin e Malësisë së Madhe.

NJË ZGJIDHJE E MIRË PËR TË GJITHË

Meqë ngjarja u bë virale dhe pushtoi mediat e politikën, aq sa edhe KM Rama u shpreh për këtë, kjo tregon për sensibilizimin e shoqërisë sonë në lidhje me këtë ngjarje, prandaj duhet të synojmë të përfitojmë prej saj, që të bëhet si duhet, brenda ligjeve një punë e mirë tashmë, pas së gjithave.

Toka ku ndodhej kulla e Prek Calit, duhet t'i kalojë në pronësi nga Bashkia trashëgimtarit legjitim të Prek Calit. Pastaj me miratimin e pronarit, të kërkohet leja e ndërtimit për objektin e ri, duke i paraqitur një projekt inxhinierik Bashkisë dhe dokumentacionin e nevojshëm, konform rregullave. Dhe me ndërtimin e kullës së re, të financuar tashmë nga Fondacioni Prek Cali në SHBA, të  kërkohet nga Bashkia Malësi e Madhe më pas, që ky objekt të kthehet nga Ministria e Kulturës në monument kulture dhe të mbrohet nga shteti.

Besoj se me këtë zgjidhje të gjitha palët do të bien dakord, duke mirëpritur edhe një mbështetje nga KM Rama, në këtë rast./Gazeta Dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more