Skip to main content

“Si i mbijetoi ekonomiksi krizës ekonomike?” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Si i mbijetoi ekonomiksi krizës ekonomike?” plus 1 more Telegrafi Opinione


Si i mbijetoi ekonomiksi krizës ekonomike?

Posted: 20 Jan 2018 06:27 AM PST

Dhjetëvjetori i fillimit të Recesionit të Madh ishte një rast për një ese elegante nga ekonomisti nobelist Paul Krugman, i cili vërejti se sa pak ka ndryshuar debati mbi shkaqet dhe pasojat e krizës përgjatë dekadës së fundit. Ndërsa, Depresioni i Madh i viteve 1930 prodhoi ekonomiksin Kejnesianist, dhe stagflacioni i viteve 1970 prodhoi monetarizmin e Milton Friedmanit, Recesioni i Madh nuk ka prodhuar një ndryshim të ngjashëm intelektual.

Kjo është thellësisht depresionuese për studentët e rinj të ekonomiksit, të cilët shpresuan për një përgjigje të përshtatshme dhe sfiduese nga profesioni i tyre. Pse nuk pati një përgjigje të tillë?

Përgjigjja e Krugmanit është tipike gjeniale: makroekonomiksi i vjetër ishte, siç thotë shprehja, "mjaftueshëm mirë për punën e qeverisë." Ky makroekonomiks shmangu një Depresion të Madh të dytë. Kështu studentët duhet të mbyllin ëndrrat në sirtar dhe të mësojnë leksionet e tyre.

Një dekadë më parë, dy shkolla makroekonomiksi konkurronin për primaci: Klasika e Re – apo shkolla e "ujit të ëmbël" – e kishte prejardhjen nga Milton Friedman dhe Robert Lucas dhe e kishte qendrën në Universitetin e Çikagos. Ajo konkurroi me shkollën e Kejnesianizmit të ri, ose shkolla "e ujit të kripur", pasardhëse e John Maynard Keynesit dhe me bazë në MIT dhe Harvard.

Tipat e ujit të ëmbël besonin se deficitet buxhetore ishin gjithmonë të këqija, ndërsa kampi i ujit të kripur besonte se deficitet ishin të mira në kohën e rënies ekonomike. Krugman është një Kejnesianist i ri dhe eseja e tij synonte të tregonte se Recesioni i Madh përforcoi bindjen ndaj modeleve standarde të Kejnesianizmit të Ri.

Por, ka probleme serioze me narrativën e Krugmanit. Për fillestarët, është përgjigjja e tij ndaj pyetjes tashmë të famshme të Mbretëreshës Elizabeta e II-të: "Pse askush nuk e pa që kriza po vinte?" Përgjigjja gazmore e Krugmanit është se Kejnesianistët e Rinj po shihnin në anën e gabuar. Ishte dështimi i kejnesianistëve dhe jo e teorisë, ishte një dështim në "mbledhjen e të dhënave." Ata patën "anashkaluar" të parit të ndryshimeve institucionale kyçe në sistemin financiar. Ndërsa kjo është për të ardhur keq, mungesa e paralajmërimit nuk ngre "probleme të rënda konceptuale" – pra, nuk imponon nevojën për të rimenduar logjikën e të gjithë teorisë.

Përballur me vetë krizën, Kejnesianistët e Rinj janë përballur me sfidën. Ata shkundën nga pluhuri modele të vjetra të çmimeve të ngurta nga vitet 1950 dhe 1960, të cilat i thanë atyre tre gjëra. E para, deficitet buxhetore tepër të larta nuk janë në gjendje të ngrenë normat e interesit nga niveli thuajse-zero. E dyta, edhe rritja e madhe e bazës monetare (parasë në qarkullim) nuk do të sjell inflacion të lartë, ose madje as rritje korresponduese në agregatët monetarë më të gjerë. Dhe, e treta, mund të ketë një multiplikator pozitiv kombëtar në të ardhura, një multiplikator pothuajse e sigurt më e madhe se sa një, nga ndryshimet në shpenzimet e qeverisë dhe taksim.

Këto propozime ishin argumenti për deficitet buxhetore pas kolapsit të vitit 2008. Politikat e bazuara në këto propozime u zbatuan dhe funksionuan "goxha mirë." Suksesi i politikës së Kejnesianizmit të Ri pati efektin ironik të lejimit të "anëtarëve më jofleksibël të profesionit tonë [pra Klasicienëve të Rinj nga Çikago] për të injoruar ngjarjet në një mënyrë të ata nuk mund ta bënin në episodet e shkuara." Pra asnjëra prej shkollave – sekteve është një fjalë më e përshtatshme – nuk u sfidua që të rimendojë parimet themelore.

Kjo histori e mençur e ekonomiksit para dhe pas kolapsit lë gjithsesi pyetjet kyçe pa përgjigje. E para, nëse ekonomiksi i Ri Kejnesianist ishte "mjaftueshëm i mirë", pse këta ekonomistë nuk përdorën kujdesin kundër kolapsit të viteve 2007 dhe 2008? Në fund të fundit, ata nuk e përjashtuan mundësinë e një kolapsi të tillë a priori.

Krugman pranon se kishte një boshllëk në "mbledhjen e provave." Por, zgjedhja e provave është e shtyrë nga teoria. Në mendimin tim, Kejnesianistët e Rinj i mbyllën sytë përballë destabilitetit që po krijohej në sistemin bankar, për shkak se modelet e tyre i thoshin se institucionet financiare mund në vendosin një çmim të saktë mbi normën e rrezikut. Pra, kishte një "problem të thellë konceptual" në analizën Kejnesianiste të Re: dështimi i saj për të shpjeguar se si bankat mund të gjenden në situatën kur kanë vënë çmim të ulët mbi normën e rrezikut në mbarë botën, siç e cilësoi Alan Greenspan.

E dyta, Krugmani dështon të shpjegojë se pse politikat Kejnesianiste që u përqafuan më 2008-2009 u përmbysën shumë shpejt për t'u zëvendësuar me kursimet fiskale. Pse politikëbërësit nuk i qëndruan modeleve të tyre të çmimeve të ngurta të fiksuara deri sa këto modele të funksiononin? Pse i braktisën ato më 2009 kur ekonomitë e Perëndimit ishin ende 4-5% poshtë nivelit të parakrizës?

Përgjigjja që mund të jap unë është se kur Keynesi u zhvarros për një periudhë të shkurtër gjashtëmujore më 2008-2009, kjo u bë për arsye politike dhe jo intelektuale. Për shkak se modelet e Kejnesianizmit të Ri nuk ofronin bazë të mjaftueshme për të ruajtur politikat Kejnesianiste pas kapërcimit të goditjes së parë, këto modele u braktisën.

Krugman i afrohet pranimit të këtij argumenti: Kejnesianizmi i Ri, shkruan ai, "fillon me sjelljen racionale dhe ekuilibrin e tregut si një nivel bazë dhe përpiqet të trajtojë disfunksionet ekonomike duke manipuluar cepat e kësaj baze." Manipulime të tilla i mundësojnë modeleve të Kejnesianizmit Ekonomik të gjenerojnë efekte të përkohshme reale përballë tronditjeve nominale dhe për rrjedhojë justifikojnë ndërhyrjet goxha radikale në kohë emergjencash. Por manipulimet nuk mund të krijojnë një argument mjaftueshëm të fortë për të justifikuar politika intervencioniste të gjata.

Problemi për makroekonomikstët e Kejnesianizmit të Ri është se ata dështojnë të pranojnë pasigurinë radikale të modeleve të tyre, duke i lënë ata pa asnjë lloj teorie se çfarë duhet të bëhet në kohë të mira në mënyrë që të shmangen kohët e këqija. Fokusi i tyre mbi pagat nominale dhe ngurtësitë e çmimeve nënkupton se nëse këto faktorë mungojnë, ekujlibri mund të arrihet lehtë. Ata e shohin sektorin financiar si neutral dhe jo si themelor (kryegjykatësi" i kapitalizmit, siç e tha Joseph Schumpeter).

Pa pranimin e pasigurive, ekonomiksi i ujërave të kripura është i shtyrë të bjerë në kolapsin e kundërshtarit të vet nga ujërat e ëmbla. "Sajimet" e Kejnesianizmit të Ri do të krijojnë hapësirë të kufizuar politike për ndërhyrje, por kurrsesi nuk do të ketë mjaftueshëm hapësirë për të funksionuar. Makroekonomiksi sërish ka nevojë të krijojë ndonjë ide të re të madhe. /Project Syndicate/reporter.al/

The post Si i mbijetoi ekonomiksi krizës ekonomike? appeared first on Telegrafi.

A po na troket opsioni i ndarjes së Kosovës?

Posted: 20 Jan 2018 06:19 AM PST

1. Në një takim ekspertësh në Bruksel, mu ditën kur Projekti i presidentit Ahtisari duhej të debatohej në Këshillin e Sigurimit të KB-ara, si panelist i vetëm që isha nga Kosova, rastisa të dëgjoj "ofertën" për ndarjen e Kosovës nga goja e ish-shefit të diplomacisë serbe, Goran Svilanoviqit. Në fillim këtë opsion mundohesha ta kundërshtoja me shumë pretekste (siguria rajonale, stabiliteti i pasigurt, ndarja e padrejtë më 1912-tën etj.) shkencore, politike, historike e gjeostrategjike. Sepse e kishim bindjen që "pavarësia e mbikëqyrur" (që do na imponohet më vonë ishte një projekt i përbashkët i sugjeruar tërthorazi nga miqtë ndërkombëtarët) për momentin politik ishte ndoshta opsioni më i pranueshëm si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë në Këshillin e Sigurimit.

2. Rregulla e vjetër, e thënë me njëfarë eufemizmi pak a shumë diplomatik, se "prapa çdo interesi politik fshihet ai (i njëmendti) ekonomik", më së miri pasqyrohet në përvijimet e konturave, që më vonë u ndërthuren përkitazi me enklavizimin, kantonizimin, pra në fakt edhe "ndarjen e brendshme" të Kosovës përmes Mitrovicës.

3. Përse mu ky dhe jo ndonjë tjetër, shtrohet pyetja? Arsyet, do thoshim, janë të shumta, ndërsa më kryesoret do të mund të numëroheshin lidhja e saj gjeografike me Serbinë, motivimi i pasurisë dhe begative nëntokësore, që i posedon pellgu i Trepçës, liqeni i Ujmanit, pastaj, koncentrimi dhe barrikadimi i minoritetit serb në këtë qytet, mundësia e lëvizjeve të shpeshta të paramilitarëve dhe militarëve serbë (tashmë të konvertuar në shërbyes civil?!) nga Serbia në Kosovë, si edhe roli gjeostrategjik që e ka ky qytet për interesat e disa qendrave të vendosjes në Ballkan.

4. Komuniteti serb, me menaxhimin dhe direktivat që merrte nga Beogradi dhe disa qendra të tjera, nga konflikti dhe dhuna ndëretnike e vitit 2004 tentoi t'i "qesë hi syve" UNMIK-ut, KFOR-it dhe opinionit të gjerë ndërkombëtar, për gjoja viktimizimin e tij, ose siç shprehej ish lideri i serbëve të Kosovës (tashmë i ndjeri Oliver Ivanoviq) në intervistën dhënë CNN-it, "geton e fundit për serbët e të gjitha viseve të tjera të Kosovës"(!), me qëllim që në një fazë tjetër edhe më tensionuese t'i hyhet kompromisit të "shkurorëzimit" definitiv me shqiptarët etnikë!

5. Sipas këtij skenari, Kosova, në fazën e parë lypsej të enklavizohet (Mitrovica si model nismëtar) në stilin e "lëkurës së leopardit", në mënyrë që më vonë të pretendohej të ngrihej në nivelin e tërësisë territoriale. Një synim që sot po pretendohet të instalohet paqësisht, përmes Asociacionit.

6. A mund të ndahet, pra Mitrovica, e së bashku me të edhe Kosova, me përqindjet (15-20 përqind serbe 80- 85 për qind shqiptare) e kalkuluar nga strategët politikë dhe ushtarakë serbë? Ose, sa mund të duket i mundshëm shkëmbimi i territoreve të Kosovës Lindore me pjesët e Kosovës Veriore, synim ky që ngadalë, por sigurt po tentohet të futet në disa qarqe zyrtare të Brukselit. Të informuarit mirë do të thoshin se këtë nuk e lejon asnjë paragraf i Rezolutës 1244, madje as një paragraf i Marrëveshjes historike ushtarake mes NATO-s dhe UJ-së në Kumanovë, e lëre më Kushtetuta e tashme e aprovuar e Kosovës!?

7. I tërë ky skenar nuk është edhe për të mos u dyshuar, kur të kihet parasysh "toleranca dhe mirëkuptimi" i KFOR-it francez, me disa qarqe të tjera të vendosjes, për "miqtë (interesin) e vjetër serb"!

8. Marrë parasysh se Mitrovica, si territor i tërësisë territoriale administrative të Kosovës, është më së afërmi gjeografikisht me Serbinë, përmes të cilit dosido mbyllet i ashtuquajturi "korridor funksional", që i lidh territoret e Kosovës, Sanxhakut dhe të Malit të Zi, së bashku me Bosnjën.

9. Disa qarqe dhe disa analistë të jashtëm dhe të brendshëm nuk e përjashtojnë edhe ndonjë fërkim të mundshëm mes këtyre qendrave të vendosjes politike dhe ushtarake, që ngjarjet dhe interesat e tyre t’i ndërlidhin edhe me atentatin mbi politikanin Ivanoviq…

10. Tani Perëndimit do t'i ndihmonte mjaft përcaktimi i prerë i politikës dhe i qeverisë në Kosovë, po qe se ata prononcohen e sidomos kujdesen që përgjigja e tyre lidhur me serbët e koncentruar në veri të vendit, të mos i ngjasonte konfliktit me ngjyrime etnike apo edhe dëbimit në Serbi, ashtu si ndodhi ne viti 2004.

11. Në anën tjetër, si kundërshpërblim ndaj këtij solidariteti dhe kësaj gatishmërie për t'i mbrojtur minoritetet, përkatësisht, tërësinë territoriale të Kosovës, pala shqiptare do të duhej ta bënte; një inkurajim më konkret në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga krimi dhe korrupsioni dhe; një promovim më të dendur në ruajtjen e tolerancës etnike e konfesionale, me gjithë ata serb lojal që janë të gatshëm të bashkëjetojnë me shqiptarët.

12. Opsioni i kompromisit të "kthimit të serbëve në (qytetar lojal) favor të ruajtjes së tërësisë territoriale" të Kosovës, duket se do ishte puna më e mirë nga qeveria jonë. Edhe për shkakun se është i leverdishëm në disa dimensione:

a) Së pari, shqiptarët janë aq të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për pamundësinë e ekzistimit të shteteve të pastërta nacionale në hapësirën ballkanike, ku janë të përzier etnikisht të gjithë ngapak . Ndërsa Kosova, edhe ashtu me 95% të pastërtisë etnike, nuk ka edhe aq shumë nevojë ta ndjekë këtë parim, të cilin e ka krijuar vetvetiu bioritmi natyror i natalitetit dhe mortalitetit gjatë gjithë historisë.

b) Kthimi i serbëve, i prejudikuar gjithnjë sipas kritereve të atyre që nuk kanë qenë të implikuar në krime dhe masakra, do të mundë t'ua hiqte nga dora disa qarqeve zyrtare të NATO-s dhe regjimit të Beogradit, argumentin për kinse mostolerancën ndëretnike, që janë duke treguar shqiptarët.

c) Shembullin krahasimtar, lidhur me një model të tillë kompromisi, e kemi në kornizën e riintegrimit të qytetit të Vukovarit dhe Sllavonisë Lindore, në territorin e Kroacisë. d) Me këso qasje dhe standardi evropian, e ne fakt tolerant nga ana e Qeverisë kosovare, do të mund të përfitonin shumë shtresat e ulëta të popullsisë, të cilat, dalëngadalë, siç po shihet, po i largohen vëmendjes së ndihmës nga faktori ndërkombëtar. Proces ky që i ka ndodhur edhe Bosnjës, deri para fillimit të luftës në Kosovë, Çeçenisë, Afganistanit, Sirisë, etj. Domethënë, vëmendja e koncentruar ndërkombëtare në Kosovë është dashur të shfrytëzohet maksimalisht me të gjitha potencialet e mundshme ekonomike, intelektuale, politike etj. , për integrimin e pakicës serbe. Ngase, tani me konfigurimet e reja rajonale e globale, ekzistojnë gjasat reale të imponimit të një zgjidhjeje (përmes një "këmbimi"), sipas modelit në Bosnjë e Kroaci. Pretekst për këtë ndërhyrje, do ishte asimetria logjike e politikës aktuale, ku do thuhet; "Ne ua dhamë shansin, por ju nuk ditët ta shfrytëzoni atë"!

13. Në anën tjetër, kam përshtypje se çështja e shtruar e ndarjes a mosndarjes së Kosovës, që po të mëtohet të krijohet përmes tendencës së Asociacionit, do të varet shumë edhe nga ecuritë dhe trendët politike, që do zhvillohen drejtpërdrejt Luginën e Preshevës dhe sidomos në Maqedoni.

14. Pra, nëse nisemi nga një logjikë dhe përvojë e ecurive dhe zhvillimeve të pasluftës, sipas së cilave "shkaku i gishtit të sëmurë, nuk duhet hedhur tërë dorën"- atëherë tendencat serbe dhe të disa qarqeve të tjera tona…. rreth getoizimit të grupeve etnike serbe nëpër enklava, e së bashku me të edhe synimet për ta copëtuar (në fakt marr 25-30% të territorit) Kosovën, s’paku deri tash nuk shkuan huq. Ndarja (lexo: copëtimi i territorit te Kosovës) eventuale do t'i kishte efektet domino në tërë rajonin, si në Bosnjë e Maqedoni. Kurse, reperkusionet vështirë mund të paramendohen.

15. Opsioni i ndarjes, po rikthehet ngadalë por, sigurt por tash jo më si farsë, po si realitet! "Meritat" kryesore për rikthimin e kësaj teme si top agjendë për Kosovën, padyshim i adresohen pa asnjë dyshim: PAPËRGJEGJËSISË SONË SHTETËRORE (se nuk patëm: këllqet lidershipi; as dije, as vullnet e as Projekte recidive?!) për ta menaxhuar saktësisht këtë temë, NEGLIZHENCËS DHE KALKULIMIT POTHUAJSE MAZOHIST NDËRKOMBËTAR (i Brukselit sidomos, të cilit i munguan: si vullneti unik politik, ashtu edhe vendimet e prera?!) dhe KËMBËNGULËSISË DHE DURIMIT MARATONIK të shtetit Serb. Andaj: të nderuar qytetar, qeveritar, opozitar, medie, shoqëri civile dhe ekspert, bëhuni gati!

The post A po na troket opsioni i ndarjes së Kosovës? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more