Skip to main content

“Nis punën Task-Forca kundër krimit, dosjet që do hetojë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Nis punën Task-Forca kundër krimit, dosjet që do hetojë” plus 9 more - Gazeta Dita


Nis punën Task-Forca kundër krimit, dosjet që do hetojë

Posted: 18 Feb 2018 02:07 AM PST

Të besueshëm, me integritet dhe me aftësi profesionale të provuara, kështu konsiderohen 30 efektivët e parë të Task Forcës Speciale të cilët prej një jave kanë nisur zyrtarisht punën.

Sipas Report Tv,  kjo strukturë e vendosur në ambientet e ish-Ministrisë së Shëndetësisë ka nisur nga puna dhe pritet që shumë shpejt të japë rezultatet e para.

Fokusi i kësaj strukture janë goditja e parave të përfituara nga aktivitet kriminale, trafiku i narkotikëve dhe zbardhja e dosjeve të harruara ku prej tyre ka dhe vrasje të bujshme.

Kjo strukturë pritet që javën e ardhshme të prezantohet dhe zyrtarisht nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ndërsa anëtarët e saj janë përzgjedhur me konkurs dhe kanë kaluar fazën paraprake të kontrollit të pasurisë dhe integritetit moral e profesional.

o.j/dita

Shqipëria është porta e lirisë së Kosovës

Posted: 18 Feb 2018 01:47 AM PST

Normalisht duhej të takoheshim në Prishtinë, ku jemi takuar edhe në përvjetorë të tjerë të pavarësisë së Kosovës, aty ku ndodheshim 10 vite më parë, në shkurtin e ftohtë të vitit 2008.

Takohemi rastësisht në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Mynih. Si për të risjellë ditën e 17 shkurtit 2008, edhe sot, në këtë qytet të lashtë bavarez, dëbora mbulon gjithçka dhe çatitë e rrugët janë zbardhur marramendshëm shpejt.

Në njërin nga pushimet e Konferencës takohemi në hollë dhe ulemi në një tavolinë, ku zhurma e njerëzve vjen disi e largët. Çuditërisht, që kur jam emëruar si këshilltar politik i tij, takimet kanë qenë më të rralla.

Hapim pak perden e rëndë dhe shohim borën që bie.

-Mirëserdhe, zoti kryetar – më thotë ai, ku ka ngelur ende tradita e vjetër e një kohe të shkuar. Kemi qenë sëbashku në të njëjtën organizate klandestine, por, si njërit, ashtu edhe tjetrit, koha na duket tani ndryshe, herë e largët dhe herë tjetër shumë pranë.

-Mirë se erdhët Ju, zoti President- i them me të qeshur, duke nënkuptuar se unë banoj ende në këtë shtet dhe ai është i ardhur. Për fare pak kohë. Do të niset në mbrëmje vonë.

Nga Kosova kanë ardhur katër delegacione, ose më mirë, organizatorët kanë ftuar katër personalitete të ndryshme, secili me grupin e tij, edhe ashtu të pakët. Është presidenti Thaçi, ish-presidentja Jahjaga, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Pacolli dhe zëvendëskryeministri Hoxhaj. Me dy nga këto kam qëndruar shpesh herë.

-Pse katër grupime ose katër delegacione, e pyes unë.

-Kosova hyri edhe një herë në agjendën ndërkombëtare fuqishëm. Organizatorët kanë menduar se kështu është më mirë. Ne i jemi përgjigjur.

Befas bie zilja e telefonit. Nga Kosova. Është kryeministri, Ramush Haradinaj. Biseda e sapo filluar ndërpritet. Tema e tyre është dita e sotme, 18 shkurti, kur do të ketë agjendë tjetër, gjithçka për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Hashim Thaçi ka qenë ditët e fundit në Shqipëri. Ka dhënë disa intervista në media të ndryshme. Ka në vete ndjenjën e së mirës, pasi interesi ka qenë i shumtë.

-Në Shqipëri, në mediat e saj keni qenë më i pranishëm këto ditë se në mediat e Kosovës.

-Mirë që ndodh kështu. Nuk mund të festojmë 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës pa mirënjohur Shqipërinë. Këtu ka qenë porta e lirisë së Kosovës. Askush prej nesh nuk ka menduar se mund të ketë pavarësi të Kosovës pa kontributin e shtetit shqiptar.

-Mendoni për kontributin gjatë luftës?

-Edhe përtej saj. Lufta ishte momenti vendimtar, ishte, si të thuash, koha e provës, çasti i vitalitetit të kombit. Nuk ka pasur shans tjetër , veç atij që krijoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Humbja e këtij shansi do të ishte rivdekje. Shqipëria, ashtu si ishte, bëri atë pjesë të detyrës që i takonte.

-E bëri mirë?

-Mirë e bëri, aq ishin mundësitë. Nuk mund të harrojmë se viti 1998 ishte ndoshta viti më i vështirë për vetë shtetin shqiptar. Asnjëherë, në asnjë rast, nuk kemi dashur dëmtimin e shtetit shqiptar, por ndihmën e tij e kemi pritur.

-Dhe pas luftës?

-Ne kemi respektuar gjithnjë zgjedhjen dhe përcaktimin që ka bërë populli në Shqipëri.

Heshtim pak dhe shohim borën. Më duket se është shumë më i dobësuar që nga takimi ynë i fundit. Zakonisht, kur jam në Shqipëri, ai, zoti Thaçi, e gjen një kohë të lirë dhe takohemi diku në mesin e rrugës. Merr me vete dy a tre miq të përbashkët dhe flasim për atë që është më interesante. Nganjëherë kthehemi pas në kohë. Por gjithnjë e më rrallë. Jo se e kemi harruar.

I kujtoj rrugën që ka bërë deri në këtë përvjetor. Ka qenë e gjatë. Pak kush e dinë të saktën e këtij rrugëtimi. Në mesin e tij jemi takuar sëbashku.

-Keni arritur shumëçka në jetë. Keni qenë njeri nga liderët e Lëvizjes ilegale çlirimtare, sidomos që nga Mbledhja e njohur e Kërçovës,në vitin 1993 dhe 1994 pjesë e trupës Drejtuese që Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në njërën nga mbledhjet e kësaj trupe keni kërkuar shpejtimin e forcimit të strukturave të luftës në Kosovë. Pastaj, qershor 1999, drejtues i Drejtorisë Politike, poste të tjera, për të ardhur deri këtu. Kur jemi takuar shumë vite më parë, si klandestinë, në kufirin mes Zvicrës dhe Gjermanisë, në Lërrach, nuk ka guxuar askush të ëndërrojë kaq shumë. I arrite të gjitha?

-Jo, të gjitha. Gjithçka vjen hap pas hapi. Në fillim krijimi i UÇK-së, pastaj lufta, liria, pavarësia e Kosovës. Tani kam dy synime të tjera e pastaj, them se arrita më shumë se kam menduar. Futja e Kosovës në NATO dhe OKB dhe pjesë e Bashkimit Europian.

-Kohët e fundit nuk ka qenë gjithçka, si të thuash, në vaj. U krijuan probleme në raportet e ndërsjellta.

-Gjithëherë mund të ketë një problem. Nëse zgjidhet, atëherë ai nuk ka qenë veçse një hallkë. Kështu edhe me Gjykatën Speciale.

-Gjykata do të ngrihet, i them unë.

-Atë e ka vendosur vetë parlamenti i Kosovës. Nëse ka pasur mendime për reagim ndaj këtij ligji, kjo nuk do të thotë se jemi kundër bashkëpunimit me vendet euroatlantike.

-Do e dëmtojë elitën politike të Kosovës kjo gjykatë?

-Aspak. Synimi ynë ishte që kjo gjykatë të vepronte në Kosovë. Por nuk do të pengojë proceset në Kosovë. Janë disa procese të mëparshme që kanë dëshmuar se lufta jonë ka qenë e pastër. E drejtë dhe e domosdoshme. Kemi qenë viktima të gjenocidit dhe të dhunës. Gjykata ndërkombëtare, ashtu si tribunali i Hagës, do të saktësojë këtë të vërtetë.

-U fol për një ide të ndarjes së Kosovës.

-Përralla. Asnjëherë nuk është menduar për ndarjen e Kosovës. Askush nuk e ka këtë të drejtë dhe askush nuk guxon ta marrë këtë të drejtë. Personalisht kam qenë e do të jem gjithnjë me idenë e prosperitetit, integrimit dhe një jetese të përbashkët. Të drejta dhe përgjegjësi të njëllojta.

-Kohët e fundit ju ishit për një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Është menduar se atje do ju tërhiqnin veshin, por ndodhi e kundërta. Erdhi një konfirmim se ishte një vizitë e suksesshme dhe, si tha një diplomat i njohur, vizita juaj tregoi se kredencialet janë ende të forta.

-Ka qenë vizitë e suksesshme. Ka pasur mirëkuptim për të gjitha temat e biseduara. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi  Europian janë gjithnjë të interesuara për mbarëvajtjen e jetës politike dhe prosperitetin e jetës në Kosovë. Të gjitha ditët kanë qenë me takime intensive. Asnjë temë nuk ka qenë tabu. Janë hapur të gjitha temat e mundshme, që nga Demarkacioni, Gjykata Speciale, zhvillimi ekonomik i Kosovës, integrimi i saj në strukturat e rëndësishme ndërkombëtare. Mund të them me bindje se mirëkuptimi nga strukturat e larta të shtetit amerikan ka qenë si përherë, dashamirës dhe mbështetës.

-Të kthehemi tek 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

-E di se çfarë do të thuash. Po ta them unë. Nuk është bërë sa duhet, por aq sa kanë qenë mundësitë. Ka pasur gabime, disa gjëra nuk janë parë si duhet në perspektivë, por institucionet kanë funksionuar. Tani kemi një gjendje krejt tjetër, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Shqiptarët janë në njërën nga fazat më të mira të zhvillimit të tyre politik dhe ekonomik. Kudo që janë.

-Çfarë të ka mbetur peng në këto 10 vite?

-Shokët që mungojnë. Dhe fakti që mund të bëhej më shumë. Ka ardhur koha e unifikimit të mendimit politik të faktorit shqiptar, ka ardhur momenti kur dimensioni i bashkëpunimit të jetë më i gjerë dhe më i frytshëm.

-Kur do të ktheheni në Kosovë?

-Sonte, vonë.

Flasim edhe për disa minuta të tjera për tema të ndryshme. Javët e muajt e ardhshëm do të jenë të ngarkuar në Kosovë. Ngarkimi do të fillojë ndoshta që nga java e ardhshme. Janë kaq shumë gjëra të mbledhura në një vend, sa që askush nuk e di se si do të zgjidhen.

Ai vazhdon të jetë i qetë. Në fakt, pak herë e pak kush  e ka parë ndryshe. Është ndër njerëzit që mund të shkoqitet shumë ngadalë.

Pas pak ai do të flasë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë. Para meje, është takuar me shumë personalitet të rëndësishme. Kanë qenë biseda të gjata. Nganjëherë edhe të lodhshme. Pas pak, menjëherë pas ndarjes me mua, do të ketë një takim tjetër.

Bora vazhdon të bjerë mbi Mynih. Tashti disi më e shkriftë. Mendoj se ndoshta kështu do të fillojnë të shkrihen edhe problemet e mëdha të Kosovës.

 

*****

Bedri Islami  – Bisedë dhe botim i paautorizuar nga z.Thaçi. Në mirëbesim për rrugën e gjatë të bërë sëbashku!

Gafa e “Daily Mail”: Rita Ora feston pavarësinë e Ukrainës

Posted: 18 Feb 2018 01:39 AM PST

Koncertin e Rita Orës në Prishtinë për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e kanë komentuar pjesa më e madhe e mediave botërore, të cilat kanë vlerësuar performancën e këngëtares shqiptare.

Tabloidi britanik "Daily Mail", që ka pasqyruar gjithashtu vizitën e 27-vjeçares shqiptare ditën e djeshme në Prishtinë, ka bërë një gafë duke thënë se "Rita Ora" feston 10-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës.

Më pas artikulli vijon me takimin që Rita Ora pati me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj ditën e djeshme. Në një artikull të dytë, "Daily Mail" flet për koncertin madhështor që u mbajt mbrëmë në Prishtinë, me të ftuar speciale këngëtaren shqiptare.

"Ajo u kthye në vendin e saj të origjinës në Kosovë për të shënuar 10-vjetorin e Pavarësisë nga Serbia. Rita Ora nuk i zhgënjeu fansat e saj kosovarë kur mbajti një koncert të mrekullueshëm në Prishtinë", shkruan "Daily Mail".

Pas koncertit të djeshëm në sheshin "Skënderbeu" në kryeqytetin e Kosovës, Rita Ora u kthye sërish në Britani.

o.j/dita

 

Nё kufi të së pabesueshmes

Posted: 18 Feb 2018 01:21 AM PST

Nasho Jorgaqi

 (Kujtimit të Heroit të Popullit Pal Mlyshi)

Kishim disa orë që udhëtonim dhe Gazi ynë ngjitej vazhdimisht në të përpjeta, duke lënë prapa male e hone, aq sa mua, që udhëtoja për herë të parë në këto anë, më dukej se, ashtu si e kishim nisur, do të sosnim në hënë. Kjo ndjesi më mbetej e gjallë, bile edhe kur qëllonte të zbrisnim nga makina. Në lartësinë e atyre maleve, yjet më ngjanin fare afër dhe nata kishte një ngjyrë të çuditshme. Ishte një natë prilli pa hënë. Flladi i lehtë që hynte nga dritarja, mbushte herë pas here makinën me kundërmimin e pyjeve. Ne ishim aq të topitur nga rruga e gjatë, sa ajo erë e këndshme na e lehtësonte dhe na bënte të merrnim frymë thellë. Megjithatë, tek vështronim jashtë, shpesh ngatërronim yjet që regëtinin nëpër qiell, me dritëzat e fushave e luginave që shtriheshin nën këmbët tona.

– E fundit, doktor, – tha Xheloja duke ndërruar marshet.

Gazi ngjiti të përpjetën e fundit, mori djathtas dhe hyri në një rrugë pa rrugë duke dredhuar në të dyja anët. Kur u futëm në pyll, makina e uli shpejtësinë dhe atëherë fillova të shikoja jashtë me vëmendje.

Nasho Jorgaqi

Në errësirën e dendur të pyllit dritat e makinës u bënë edhe më të forta. Dukej sikur aty nata ishte e dyfishtë. Unë ndiqja lëvizjet e makinës dhe vështroja drurët e pyllit që vinin drejt nesh si një valle pa mbarim.

Kishim hyrë thellë në pyll, kur qëndruam në një korije të vetmuar dhe aty zbritëm që të tre. Unë e Faredini hodhëm plaçkat në krah dhe pritëm Xhelon sa mbylli makinën e na udhëhoqi përmes drurëve me një elektrik dore. Ne zumë të ecnim pas tij, nëpër disa shtigje të ngushta që, si duket, i njihte vetëm ai. Më ka mbetur akoma në mendje ajo qetësi e thellë që ndillte përqark nesh një atmosferë fshehtësie e të papriturash. Hapat tanë jehonin me një kumbim të rëndë, kurse nga thellësia e pyllit dëgjoheshin disa zhurma të pakuptuara.

Në të dalë të pyllit, ne qëndruam në një shesh të mbuluar me bar të thatë. Aty pushuam disa minuta më këmbë dhe, pa folur, vazhduam rrugën për më tej. Xheloja shoi elektrikun e dorës dhe këtë e bëri, me sa kuptova, jo vetëm se tani kishim dritën e yjeve, por dhe për t'u maskuar. Rruga këndej kalonte prapë në të përpjeta. Në mbarim të pyllit, ngriheshin disa shkëmbinj të paformë. Ne përpiqeshim t'i shkonim pas Xhelos, po shtigjet në të përpjeta ishin të vështira. Ai, si sorkadhe, hipte e zbriste nga një shkëmb në tjetrin, aq sa unë e Faredini mezi e ndiqnim. Bile, vende-vende, filluam të ngjiteshim këmbadoras, duke pasur kujdes orë e çast sendet që kishim me vete.

Kur dolëm në krye të shkëmbit të dytë, (se ishin tre shkëmbinj njëri mbi tjetrin, sikur të kishin hipur kaluar), aty na priste Xheloja.

Faredini u mbush me frymë dhe tha me zë të ulët:

– Thirri!

Unë vështrova Xhelon. Ai vuri të dyja duart në buzë dhe, papritur, vendi jehoi nga disa klithma të thekshme. Në fillim nuk e dallova, por, kur ai e përsëriti disa herë, m'u kujtua zëri i gjelit të egër. Vendi aty vinte gjysmë i mbyllur dhe jehona dukej sikur vërtitej mbi kokat tona. Pas kësaj sundoi një heshtje e rëndë. Ne qëndronim me sy të ngulur andej nga errësira ishte më e dendur. Nuk kaloi shumë dhe nga lart erdhi një fishkëllimë e zgjatur që s'di të them se çfarë zëri imitonte. Xheloja klithi prapë në mënyrën e tij, po kësaj radhe vetëm një herë.

U bë një heshtje e shkurtër dhe në këtë kohë dy shokët e mi u morën vesh vetëm me një të tundur të kokës. Unë shikoja shkëmbin që ngrihej pranë nesh dhe nuk e merrja dot me mend se nga do të ngjiteshim, kur vura re hijen e Xhelos që lëvizte me zigzage në gjysmën e tij. Për një çast ai më humbi nga sytë. Faredini dukej shumë i qetë dhe, si një komandant në luftë, ndiqte me vëmendje të gjitha veprimet e Xhelos. Vetëm kur hija e tij u zhduk nga sytë tanë dhe pas kësaj zbritën nga lart ca zëra të mbytur, atëherë Faredini më dha shenjë ta ndiqja pas.

Tani çdo gjë po më dukej si një ëndërr. Ngjitesha këmbadoras dhe, padashur, vështroja honin e errët që hapej poshtë nesh dhe pyllin që nxinte tej në horizontin e natës. Mendja ime, e pamësuar me këto gjera, mezi e rrokte atë çka ndodhte rreth e qark. Më bëhej se në këta shkrepa të braktisur, në mes të kësaj shkretëtire të errët, ishte e vështirë e ndoshta e pamundur të rronte njeri i gjallë. Po unë nuk pata kohë të arsyetoja më gjatë, mbasi atë çast kishim arritur në vend. Në gjirin e shkëmbit të lartë, fshehur pas disa drurëve të vetmuar, hapej goja e një shpelle. Këtë mezi e dallova nëpër errësirë dhe e vërtetova vetëm kur  e dëgjova Faredinin të më thoshte:

– Futu, doktor, po kujdes, ule kokën!

Unë përkula trupin dhe hyra në shpellë, pa ditur ku të shkelja. Pastaj ndjeva dorën e Xhelos që më kapi dhe eca më tutje nëpër errësirën e thellë. Po kjo nuk zgjati shumë sepse, pasi hyri edhe Faredini, Xheloja ndezi dritën e cila ndriçoi një pjesë të shpellës. Shpella ishte e ngushtë në krye e pastaj vinte e zgjerohej në thellësi. Në fillim nuk më zuri syri asnjë të huaj veç shokëve me të cilët kisha ardhur, por, kur Xheloja lëvizi dritën, m'u duk sikur papritur doli nga thellësia e shkëmbit një njeri që hijet i jepnin përmasa të çuditshme. Bile, para se të shikoja atë, më buçiti papritur në vesh një zë i fortë:

– Mirë se erdhët, burra!

Ne u hodhëm menjëherë në krahët e njëri-tjetrit dhe mbaj mend që duart e tij më shtrënguan fort, sikur të më kishte mbërthyer një darë e hekurt. Zëri i tij i fuqishëm plot gjëmim, në çastin e parë m'u duk sikur nuk i takonte atij njeriu të gjatë, me trup të thatë, fytyrëhajthëm e me buzë të holla. Vetëm sytë e mëdhenj e të thellë, që shkreptinin paprerë, i shkonin zërit të tij burrëror.

Pastaj ne u ulëm mbi ca gurë të lagur dhe ai na dha prapë dorën, thuajse i kishim shkuar në shtëpi. Gjithë fytyra i vetëtinte nga gazi, ndërsa gjoksi i ulej e i ngrihej paprerë. Ai nuk dinte si t'i gëzohej qenies sonë. Matej të fliste e s'fliste dot.

– Ju mundova, shokë, – tha më në fund.

– Ç'të munduar, a derëbardhë! – ia priti menjëherë Xheloja, që atë kohë po zbërthente çantën. – Ti na thuaj, sa ditë ke pa ngrënë?

Ai nuk foli, po vështroi nga ne të tjerët.

– Mirë e ka Xheloja, – tha Faredini. – Vërtetë, sa ditë t'u bënë pa ngrënë, Martin?

– Lëre, mos pyet, – tha Martini dhe murmuriti diçka nëpër dhëmbë, që ne nuk e morëm vesh.

Pastaj Xheloja i vuri përpara çantën e hapur me ushqime. Ai zgjati dorën, mori një copë të madhe buke dhe filloi ta hante me nxitim. Kishte pothuaj disa ditë pa ngrënë dhe kjo kishte ndodhur jo nga pakujdesia jonë, po ngaqë vendi i fshehtë ku i linin ushqimet, ishte kontrolluar ato ditë, herë nga bandat, herë nga forcat tona të ndjekjes. Këtë ai nuk na e tha drejtpërdrejt, po e morëm vesh në bisedë e sipër.

Ne u munduam të mos e vinin re tek hante dhe, ndërsa unë fillova të hapja çantën time sanitare, Faredini, me vetulla të mbledhura dhe me vështrim të përqendruar, zuri t'i komunikonte direktivat e reja të qendrës.

II

Pal Mlyshi

Para disa ditësh, më pati thirrur në zyrë Faredini.

– Ti e di, doktor, – tha ai me një seriozitet që ia diktonte detyra, – se lufta jonë vazhdon. Bile, nga ndonjë pikëpamje, është bërë ndofta më e vështirë. Bandat e kriminelëve sillen akoma nëpër male. Po i bien popullit më qafë. Detyra jonë është që t'i asgjësojmë sa më parë dhe për këtë nuk mjafton që të ndeshemi ballë për ballë, por edhe t'i shkatërrojmë nga brenda. Kjo është arsyeja që një shoku ynë, i ngarkuar të hyjë në bandat e tyre, ka disa kohë që ka dalë në mal, po deri sot kriminelët nuk i kanë zënë besë. Ai është i detyruar të endet maleve fill i vetëm, i ndjekur herë nga bandat, herë nga forcat tona. Kuptohet që, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër rrezikohet jeta e tij dhe, si pasojë, dhe plani ynë për asgjësimin e kriminelëve. Tani kemi vendosur të bëjmë provën e fundit: t'i hapim shokut tonë një plagë në trup. Kjo është dhe arsyeja që të thirra. Ne e kuptojmë fare mirë se ç'do të thotë kjo për një mjek. E kuptojmë sa delikate dhe e ndërlikuar paraqitet situata për ty.

Pa mbaruar ai, unë e ndjeva menjëherë barrën e rëndë që po merrja mbi vete. Të them të drejtën u hutova. Qëndroja në heshtje para shokut tim dhe mundohesha t'i shpëtoja shikimit të tij të përqendruar. Ishte një çast që nuk mund të kapërcehej më një përgjigje sa për të kaluar radhën.

– Do të mendohem, – thashë në fund dhe u ngrita. Ai e kuptoi gjendjen time dhe, pa e zgjatur, e mbyllëm me kaq takimin e parë.

Shkova në shtëpi dhe, më parë se të gjeja zgjidhjen praktike, nxora librat. Shfletova qindra faqe, konsultova disa atlase anatomike. Në ato çaste më dukej vetja student dhe jo mjek i kaq viteve siç isha. Tërë ato që dija mbi trupin e njeriut, tani më ngatërroheshin. Pas çdo ideje që më lindte, më dukej sikur fshihej një pikëpyetje tinëzare që më trondiste besimin. Thosha se, po të dështoja unë, do të rrezikohej puna e gjithë shokëve.

Me këto mendime kalova gjithë natën. Kur erdhi mëngjesi, mbylla librat dhe, si u qetësova ca, fillova rishtazi të mendoja. Ndoshta këshilla e ndonjë kolegu do të më ndihmonte mjaft. Po kjo nuk lejohej kurrsesi. Çdo gjë duhej ta zgjidhja vetë. E pra, nga ta filloja provën? nga ç'pjesë e trupit të gjallë duhej të kalonte plumbi, që mundësisht të dëmtonte sa më pak? Duhej të çmësohesha nga mënyrat e zakonshme të arsyetimit. Tani duhej të arsyetoja kështu. Ç'duhet të bëja, jo për të mbyllur një plagë, po për ta hapur?

Në vështrim të parë këto arsyetime dukeshin paradoksale. Po detyra që m'u ngarkua nuk më lejonte të hyja në qorrsokakë që mund të dëmtonin çështjen. Armiku i klasës duhej të thyhej me çdo kusht. Më shkonte mendja te populli që po terrorizohej nga bandat, te shokët që po luftonin orë e çast me armiqtë, e, mbi të gjitha, kujtoja shokun tonë që endej maleve fill i vetëm. E ç'ishte një plagë para gjithë këtyre? Po ky mendim, të them të drejtën, nuk m'u qartësua menjëherë. Nuk më linin të qetë ato dreq paragjykime profesionale; sikur më pëlqente t'u jepesha ndjenjave të vockla. Kisha arritur deri në atë shkallë, sa të mendoja se më takonte mua t'i mbroja parimet e humanizmit tonë, por harroja, për një çast, se shokët tanë këto parime kishin vite të tëra që i mbronin me gjak e sakrifica.

E vërteta është se unë në fillim u hutova dhe isha i pavendosur. Këtë e kuptova  mirë të nesërmen, në ballafaqimin e dytë me Faredinin. Ne të dy njiheshim prej kohësh, po në rrethanat që po takoheshim, më ngjante sikur po shihesha për herë të parë me të. Megjithatë, përzemërsia me të cilën më priti kësaj here, më bëri ta ndjeja veten më të qetë se në takimin e parë.

– Hë, Kristaq, ç'bëre? Të futa në telashe, – m'u drejtua me buzë në gaz, kur u ulëm krah njëri-tjetrit në një kolltuk të gjerë.

– Mendova, – i thashë, – bile mendova gjatë.

– Shumë mirë atëherë, – ia priti ai me një zë të ngrohtë dhe më la të vazhdoja.

– Mund t'ia hapim një plagë… them t'ia hapim… në pjesën gluteale… në të ndenjurat…

Dhe mora të ndizja një cigare, i bindur se me ato që thashë, kisha gjetur të vetmen zgjidhje të mundshme. Tani ndihesha i lehtësuar nga tërë ajo barrë që më kishte shtypur e sfilitur, prandaj prisja që ai ta miratonte menjëherë. Po ai, për çudinë time të madhe, nuk foli fare. Për më tepër, iu zhduk gazi nga fytyra, vetullat iu mblodhën dhe thithi disa herë cigaren. Unë, sado që u stepa pak nga kjo, prapë nuk vonova t'i shpjegoja më gjerë idenë time.

– Nuk di si ju duket juve, po unë do të thosha se glutealet janë pjesa më e sigurt për të kryer atë që kërkoni ju… Në këtë pjesë ka pak enë gjaku dhe akoma më pak nerva. Pra, dhe rreziqet janë më të vogla dhe dhimbja është më e paktë…

Po ndërsa mundohesha të shpjegoja atë që kisha menduar gjithë natën, nuk di se si lexova papritur në fytyrën e tij pakënaqësi dhe një lloj shpotie për atë që po thosha.

– Jo, jo, doktor, – tha ai me një ton të prerë, gati të rreptë, – nuk e ke menduar mirë. Ke parë vetëm anën profesionale… Shoku ynë nuk do ta pranonte kurrë këtë zgjidhje.

– Si? – u hodha unë i habitur e i prekur njëkohësisht. – E pse, ç'të keqe ka këtu?

– Kjo është menduar e tëra keq, – ma ktheu ai i vendosur, megjithëse u përpoq ta zbuste pak tonin. – Prit, mos u ngut, ta shpjegoj unë. Pikësëpari, duhet ta dish se zgjidhja që propozon ti, do të thotë t'i hapim shokut tonë një plagë turpi. Pa mendo një herë se ç'telashe do t'i krijonte një plagë në një vend të tille! Kjo do ta prezantonte si frikacak. Burri goditet ballë për ballë me armikun, dhe jo duke i kthyer kurrizin. E kupton, pra, se ç'pasoja të këqija morale mund të sillte? Bile, mund të ngjallë dhe dyshime, kur ai ka kaq nevojë për prestigj dhe besim. Pra, ai duhet të shkojë tek ata si njeri që është  armiqësuar e gjakosur keqas me ne, me një plagë që ta mbush mendjen vërtet e jo në prapanica!

Pas këtyre arsyetimeve, unë e humba dhe për një kohë kujtova se nuk do të kishte rrugëdalje. Të gjitha ato që thoshte Faredini ishin të drejta, po nuk e merrja dot me mend se, veç glutealeve, në ç'vend tjetër mund të hapej një plagë pa rreziqe.

– Nuk di ç'të them, – ngrita supet duke u përpjekur të mposhtja nervozizmin që më kapi në befasi. Dhe, të them të drejtën, nuk di si do të isha sjellë, po të mos më qëndronte përballë aq e qetë dhe besimplotë fytyra e tij.

– Unë të kuptoj shumë mirë, doktor, – tha ai pas një heshtjeje. – E ke pasur të vështirë… Vështirë e kemi dhe ne, s'do mend! Duhet që armiku të mos dyshojë për asgjë dhe, njëkohësisht, shokun tonë ta lehtësojmë sa më shumë në detyrën e rëndë!

– E si mund ta lehtësojmë? – shpërtheva unë padashur. – Plaga mbetet plagë, kudo qoftë në trup. Po rreziku më i vogël paraqitet aty ku thashë unë.

Ai më buzëqeshi me pamjen e një njeriu që ka bindje në mendimin e tij dhe më tha me zë të qetë:

vijon nesër…

Harresa e pafalshme e Vithkuqit

Posted: 18 Feb 2018 01:07 AM PST

Nga Gjikë Kurtiqi

Vështirë të gjesh në Shqipëri një vendbanim tjetër malor me resurset turistike që ka Vithkuqi. Jo më kot, që në vitet '30 të shekullit të kaluar, studiuesi dhe historiani i shquar Ilo Mitkë Qafzezi kur shkruante për vendet turistike të rrethit të Korçës,Vithkuqin e radhiste të parin. A mund të më gjeni një vendbanim me 100 kroje, ku janë ndërtuar 3 kala të lashta, 24 kisha e 3 manastire, duke filluar nga shekulli XIII dhe deri në ditët tona?!…Cili vendbanim ka një bukuri të tillë natyrore, me kaq shumë pyje, livadhe, kodra e kodrina të bleruara, gurra,katarakte, kroje e burime me ujë të kristaltë si Vithkuqi?! Cili vizitor i huaj e ka kaluar verën në Vithkuq dhe nuk është larguar prej tij me bindjen se do të kthehet përsëri?!

Vithkuqi në shekuj

Si qendër banimi Vithkuqi daton me fillimin e shekullit të dytë para Krishtit. Ka qënë vazhdimisht i banuar në të gjitha periudhat historike. Dëshmi për këtë janë kalatë e lashta si: Kalaja e Leshnjës, që vendasit e quajnë "Kodra e Manastirishtës"; Kalaja e Bellovodës; Kalaja e Lubonjës dhe Kalaja e Shën Pjetrit, ndërtuar në majën e kodrës së ish Manastirit të Shën Pjetrit. Shkëlqimin më të madh Vithkuqi e pati sidomos gjatë shekujve XVII dhe XVIII.

Ai ka patur disa lagje, si lagjen Grekas, e cila ekziston edhe sot dhe është nga lagjet më të mëdha të Vithkuqit, dhe që ngjason me lagjen Goricë të qytetit të Beratit, me grupe fisnore shtëpish të vendosura njëra sipër tjetrës; lagjja Shurbas, Strataj, Kaplëkuras, Kovaças etj., të cilave terreni ju ofronte afërsisht të njëjtat kushte. Po këtë stil ka patur edhe lagja Lias, e ndërtuar në rrjedhën e ujrave të Fejasit, lagja Tataç që ishte përtej lumit Osum dhe lagja Bredhas në hyrje të qafës së Bredhit, ku ka patur shtëpinë edhe pioneri Rilindes Shqiptare Naum Bredhi (Veqilharxhi).

Lagja Dukas që ekziston edhe sot, pranë qendrës së Vithkuqit.. Për analogji me lagjen Dukas ka qënë edhe lagja Koligjergjas që shtrihej në kurrizin e kodrës së Shën Gjergjit, poshtë lagjes Grekas, si edhe lagja Xhajmaz që shtrihej në të djathtë të lagjes Saraq deri në Skivan.

Po kështu edhe lagjet e tjera të qytetit të Vithkuqit i janë përshtatur relievit të thyer. Të tilla kanë qënë lagjet Kushtanjka, lagja Skënderas, Qyran e Nano që shtriheshin në të dy anët e lumit Osum, si dhe lagja Borisht në luginën e bukur midis kodrës së Shën Pjetrit dhe kodrës në lindje të tij. Kjo lagje ka qënë nga lagjet më të pasura të qytetit dhe fillonte nga bregu i Osumit, në të hyrë të Leshnjës dhe deri tek Qafa e Ujkut.

Rruga në mes të lagjes Saraq ndahet më pas në lagjet Melas, Miçuç dhe Xhajmas. Vithkuqi ka pësuar tre shkatërrime katastrofike; më i fundit, që u dogj i tëri dhe s'mbeti më këmbë as edhe një kasolle kashte, ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Banesa në Vithkuq

Banesa e Vithkuqit ka qënë tradicionalisht banesë guri. Ndërtimet e banesave janë bërë kryesisht nga zanatçinjtë vithkuqarë, që cilët merreshin edhe me ndërtimin e kishave e manastireve, duke shfaqur një talent të rrallë në skalitjen dhe përdorimin e gurit gëlqeror, çmërs apo edhe të mermerit që gjendet në zonën malore të Vithkuqit. Për mbulesat e banesave janë përdorur kryesisht plloçat (pllaka të holla guri), të cilat janë shumë të rezistueshme ndaj ngricave dhe nuk lejojnë kalimin e të nxehtit apo edhe të të ftohtit.

Kuzhina vithkuqare

Vithkuqarët kanë dhe ruajnë një nivel jetese cilësor. Ky nivel trashëgohet që nga mesjeta, kur Vithkuqi ishte qytet i lulëzuar, por ai është pasuruar dhe përmirësuar veçanërisht nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shtetet e Europës e të Ballkanit. E veçantë dhe shumë e pasur është edhe kuzhina në Vithkuq.

Amvisat vithkuqare janë mjeshtre të mbaruara në bërjen e pastërmasë, të kollofaceve, kukurecit, të trahanasë, petkave, të tushive me lakër, me domate, me piperka të mbushura me gjizë, djathë, me tranguj etj., të përgatitjes së likove, të gatimit të brushtullave, bukvaleve, përvëlakëve, zhamrazhikut, të petullave, petëve të fshira, të gjellëve me mish, të supave me perime dhe me erëza, të tavave me qumështorë e perime dhe veçanërisht të lakrorëve, që piqen në saç dhe të krijojnë një ndjesi e kënaqësi të papërsëritshme. Lakrorët ndahen në dy grupe, në lakrorë gruri dhe në lakrorë misri. Ka lakrorë misri të gatuara me gjizë, preshë e gjalpë që ua kalojnë gjithë picave dhe lakrorëve e byrekëve me mjell gruri. Nga ëmbëlsirat veçohen brushtullat që janë të shumllojshme.

Varri i Pagëzimit dhe monumentet e tjera të kulturës së lashtë

Siç thamë më lart Vithkuqi ndoshta është i vetmi qytet në Shqipëri që ka numrin më të madh të kishave dhe manastireve, 24 kisha dhe tre manastire. Këto kisha veç arkitekturës së ndërtimit janë të pasura me ikona, ikonostase dhe afreske (pikturat murale), të punuara nga mjeshtëra të pikturës si vëllezërit Zografi, të David Selenitasit etj. dhe të druskalitjes, që flasin për nivelin ekonomik, kulturor, shoqëror e arsimor që arriti Vithkuqi qytet, gjatë dy shekujve të robërisë feudale e ushtarake otomane. Secila nga kishat e Vithkuqit është një muze i veçantë arti, duke qenë pjesë organike e peizazhit vithkuqar, por dhe dëshmitarë të historisë së tij. Një nga këto objekte kulti me shumë interes është "Varri i pagëzimit". Sipas tregimit të pleqve vithkuqarë dhe gojdhënës, në këtë varr janë varrosur gjithë pjesëtarët e familjes Thana, nga lagja Dukas e qytetit të Vithkuqit që nuk pranuan të pagëzohej djali i tyre në gjuhën greke..

Ja kush i bën nder Vithkuqit

Nuk është e rastit, por ndër shqiptarët më të shquar dhe më të zgjuar të fundshekullit të 18-të dhe fillimshekullit të 19-të kanë qenë nga Vithkuqi. Madje Rilindja Shqiptare fillon me Evstrat Vithkuqarin ose Jani Stratin, siç quhej ndryshe. Ky pararilindës i shquar ka një jetë akademike të lakmueshme për kohën, që fillon si profesor i Akademisë së Voskopojës, mësues në Përmet, Gjirokastër, Artë e Janinë e që vazhdon me mësimin e gjuhës shqipe që i jep shkencëtarit dhe diplomatit anglez Ëiliam Lik, në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Bashkë me Likun ai fillon edhe disa punime shkencore për hartimin e një gramatike dhe të një fjalori tri gjuhësh, shqip, anglisht, greqisht, Kurse një punim tjetër për rregullat etike dhe logjike ia vjedhin. Në fund të jetës së tij Strati vendoset në Konstandinopojë, duke lënë një sërë veprash gjuhësore, por edhe një punim të pa përfunduar, "Analizën gramatikore të Iliadës së Homerit".

Një tjetër figurë e shquar jo vetëm e Vithkuqit, por e mbarë kombit tonë është pa dyshim Naum Bredhi -Veqilharxhi, një nga themeluesit më të shquar të Rilindjes Shqiptare. Letra enciklike e Veqilharxhit, është promemoria dhe dokumenti i parë i platformës politike të lëvizjes së re që po lindte në gjirin e intelektualëve shqiptarë në fund të shekullit 19. Ajo tregon largpamësinë e këtij ideologu, i cili me një herë më pas "futi duart në brumin e shqipes", duke nxjerrë të parën abetare shqiptare. Të lexosh vetë letrën që Veqilharxhi i dërgon nipit të tij student në Vjenë habitesh me kulturën e tij të gjerë, e mbi të gjitha me atdhedashurinë e pamatë. Edhe Spiro Dine i "Valëve të Detit" ishte nga Vithkuqi. Kostë Cepi, Aleksandër Bltadori e shumë figura të tjera atdhetare nxori Vithkuqi më pas.

Në shekullin e 19-të historia e Vithkuqit bëhet më tragjike. Ai pëson tre shkatërrime tragjike dhe vithkuqarët shpërngulen dhe shpërndahen në disa vise të Shqipërisë dhe në shtete të Ballkanit dhe Europës. Shkojnë në Berat, në Bregdet, sin ë Vuno, Himarë, Dukat, Sinjë etj dhe në Greqi, Bullgari, Rumani e deri në Ukrahinë. Midis dy luftërave botërore ai është djegur dy herë. U bëri ballë me sakrifica dhe heroizëm tre sistemeve shoqërore. Përpjekjet e shovinistëve grekë në Luftën e Parë Botërore për ta joshur këtë enklavë krishtere të rrethuar nga popullsi me besim mysliman, se ata, nisur nga besimi ortodoks,i konsideronin grekë, por me qenë se nuk e arritën këtë e dogjën. Dhe, në Luftën e Dytë Botërore Vithkuqi u quajt "Stalingradi shqiptar", jo vetëm pse aty u përqendrua drejtimi i Luftës, u formuan disa njësi të mëdha partizane si Batalioni "Qamil Panariti", Komanda e Vendit, Brigada e Parë Sulmuese, Ndërlidhja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare etj, Jo vetëm se Vithkuqi u martirizua, u dogj dy herë, një herë nga italianët, por edhe herën tjetër nga gjermanët, të cilët bënë hi edhe rrënojat që kishin mbetur, por edhe për një fakt tjetër në dukje fare të thjeshtë, por që dëshmon karakterin e fort të njerëzve të këtij fshati, se në 350 shtëpi, asnjë nuk u hodh në krahun tjetër, por të gjithë shkuan me Nacionalçlirimtaren.

Kishat dhe krojet e Vithkuqit

Vithkuqi ka 24 kisha dhe 100 kroje, të cilët i kam numëruar dhe përshkruar hollësisht në librin tim "Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave". Uji është brisk i ftohtë dhe në verë ia shton hijeshinë dhe freskinë fshatit, jo vetëm me gurgullimat, por edhe me gjelbërimin e kopshteve dhe të oborreve. Për kishat Vithkuqi zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe pikturat, ikonostaset dhe ikonat e tyre. Manastiri i Shën Pjetrit në verilindje të katundit, mbi një breg të bukur, ka patur pasuri të madhe, disa dyqane në Korçë, një çiflig që quhet Leshnje, ka ullishte në Vlorë etj.. Në këtë manastir bëhet panairi çdo 29 qershor. Vijnë shumë njerëz nga Korça dhe fshatrat për rreth. Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije se sa predikime e ide fetare.

 

Dëshmi historike

Rilindësi i njohur Nuçi Naçi që në vitin 1901 ka shkruar kështu për Vithkuqin:

"Vithkuqi në ditët e lulëzimit të tij ka patur 13.000 shtëpi…Madhërimi i shumtë i këtij qyteti nisi që nga 1100-a e sosi gjer më 1780 sa i joshi shumë armiq që e bënë plaçkë e rrëmujë. Asnjë libër i vjetër s'ka shkruar për Vithkuqin, por me fjalët që kanë ardhur gjer në shekullin tonë, mësojmë se vithkuqarët kanë qenë kamës, trima e luftëtarë të shquar, kufijtë e tyre i gjetëm gje në dytë udhë e kudo që venin kishin nder të madh. Edhe sot Vithkuqi ka kufij të mëdhenj e urdhëron shumë male. Emri që i është ngjitur sot e që e quajnë Vyth-kuq, është i lajthitur, e duhet të themi Vith-kuq. Ky emër i është vënë nga Vidhi i kuq që ka me shumicë në malet përqark, i cili e ka fletën të kuqe. Ky emër është thjesht emër shqiptar".

Bukuri, por edhe histori

Siç e përmendëm edhe më lart Vithkuqi ka patur burra me peshë, patriotë kalibri si Evstrat Vithkuqari, Naum Veqilharxhi, Spiro Dine,Kostë Cepi etj. që i kanë bërë nder jo vetëm atij vendi, por edhe gjithë kombit shqiptar. Lobi i fuqishëm i vithkuqarëve të Amerikës, krijoi Shoqatën "Vllazëria Vithkuqare" që bëri shumë për eundërtimin e Vithkuqit. Emigrantët vithkuqarë që ndëtuan kishën e Shën Kollit në Sollbrixh të Amerikës dhe me ndihmat e tyre ekzaltuan aq shumë Nolin, sa ai në çast hodhi në letër vargun e famshëm "Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë".

Tsipras autorizon fazën finale të negociatave me Shqipërinë

Posted: 18 Feb 2018 12:37 AM PST

Burime diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme greke i kanë konfirmuar Top Channel se kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka autorizuar fazën finale të negociatave për shportën e çështjeve të pazgjidhura mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas këtyre burimeve, dy ditë më parë, kryeministri grek ka dhënë dakortësinë dhe fuqinë ekzekutive për minisitrin e Jashtëm dhe ekipin negociator grek, për të kaluar në fazën e shkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve.

Mësohet se në Kretë, në Korçë, por edhe gjatë takimit të fundit që dy ministrat e Jashtëm kishin në Bullgari, janë detajuar edhe pak prej pikave me të cilat dy palët nuk kishin një pozicion përfundimtar.

Tashmë konsiderohet e mbyllur marrëveshja e detit, ku palët kanë detajuar çdo pikë të saj, madje kanë dakordësuar edhe në hartë për ndarjen e re të vijës bregdetare dhe të zonës ekskluzive ekonomike.

o.j/dita

Iran/ Rrëzohet avioni me 66 pasagjerë, asnjë i mbijetuar

Posted: 18 Feb 2018 12:28 AM PST

Një avion me 66 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord është rrëzuar në Iran orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.

Avioni mësohet të jetë rrëzuar pranë qytetit të Semirom në provincën Isfahan të Iranit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, duke iu referuar të dhënave të autoriteteve iraniane.

Aeroplani, i cili i përket kompanisë “Aseman Airlines”, po udhëtonte nga Teherani në drejtim të Yasuj. Avioni u zhduk nga radarët rreth 20 minuta pas ngritjes nga aeroporti i Teheranit.

Mbeten të paqarta arsyet e rrëzimit të këtij avioni. Tragjedia ajrore në Iran vjen pak ditë pasi në Rusi u rrëzua një avion me 76 pasagjerë në malet urale. Asnjë prej pasagjerëve nuk arriti të mbijetojë.

Masakra në shkollën e mesme, Trump: Fajin e ka FBI

Posted: 18 Feb 2018 12:16 AM PST

Presidenti Donald Trump ka qortuar FBI-në për faktin se, sipas tij, ajo nuk i mori parasysh informacionet paralajmëruese përpara masakrës në një shkollë të mesme të Floridës.

Trump ka thënë në Twitter se agjencia "po shpenzonte shumë kohë duke u munduar të vërtetojë ndërhyrjen ruse" në fushatën e tij.

"Nuk ka asnjë ndërhyrje. Merruni me gjërat thelbësore dhe na bëni krenarë", shtoi Presidenti amerikan.

Guvernatori i Floridas Rick Scott tha se kreu i Byrosë Federale të hetimeve duhet të japë dorëheqjen, ndërsa prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions urdhëroi një rishqyrtim, duke kritikuar dështimet e FBI-së.

Edhe disa prej të afërmve të 17 personave të vrarë të mërkurën në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland, ngritën zërin ndaj mosveprimit të agjencisë kryesore federale të zbatimit të ligjit.

FBI-ja pranoi se nuk kishte adresuar informacione shqetësuese lidhur me vrasësin 19-vjeçar. Në 5 janar, një person i afërt me të dyshuarin, kontaktoi Byronë Federale për të denoncuar sjelljen e rrezikshme të ish-studentit, dëshirën e tij për të vrarë njerëz, postimet shqetësuese në rrjetet sociale dhe faktin se ai zotëronte një armë.

o.j/dita

18 shkurt 2018

Posted: 17 Feb 2018 05:00 PM PST

Horoskopi, 18 shkurt 2018

Posted: 17 Feb 2018 04:00 PM PST

Dashi
Parashikohet një ditë e mirë me Afërditën që ju ripërtërit forcat dhe me Hënën që sot ju sjell stimuj të fuqishëm në planin sentimental. Duhet të konsolidoni pozitat aktuale për të realizuar synime të tjera.

Demi
Me Mërkurin në mbështetjen tuaj sot mund të keni më shumë pasion dhe dëshirë për të bërë diçka, për të lëvizur dhe për të intensifikuar jetën tuaj sentimentale. Një mik mund t'ju zhgënjejë.

Binjakët
Sot duhet të mundoheni të ruani qetësinë, pasi dita, me një Mars në orbitë të papërshtatshme është stresue-s për ju. Sidoqoftë Hëna e mirë ju "jep një dorë" në raportet ndërpersonale".

Gaforrja
Edhe pse përpiqen t'ju pengojnë me të gjitha mënyrat, ju keni talentin që nuk kanë të tjerët, kështu që në fushën ku operoni, nuk mund tju përballojnë dot. Humori i ndryshueshëm për shkak të Hënës.

Luani
Parashikohet një ditë përgjithësisht pozitive për ju, ndonëse në orët e para të ditës së sotme mund të keni ndonjë problem të vogël me dikë. Duhet të jeni më të matur në hapat që hidhni.

Virgjëresha
Eshtë Marsi ai që e ka bërë më komplekse situatë yjore, prandaj vazhdoni të jeni jo vetëm konfuzë, por edhe disi apatikë. Eshtë një moment në të cilin duhet më shumë forcë karakteri për t'ia dalë mbanë.

Peshorja
Duhet të tregoheni të duruar, pasi gjërat duket se po fillojnë të lëvizin për mirë, sidomos në aktivitetin tuaj ekonomik. Në raportet ndërpersonale duhet të tregoni shumë kujdes dhe tolerancë.

Akrepi
Ndoshta momenti në të cilën ndodheni nuk është nga më të mirët, por kur duken qartë shenja përmirësimi kjo do të thotë se duhet të jeni më optimistë. Kujdes, mos e teproni me shpenzime pa vend.

Shigjetari
Ka momente në të cilat disa të vërteta nuk mund të injorohen më, prandaj duhet të hapni sytë e të shihni se cilat janë raportet që duhen ndryshuar. Mërkuri ju ndihmon të merrni situatën në dorë.

Bricjapi
Tani që Marsi dhe Saturni janë yjet më aktivë në qiellin tuaj, ambicia juaj mund të arrijë kulmin, prandaj kini kujdes se mund ta teproni. Mos u jepni shumë rëndësi gjërave që në fakt janë vogëlsira.

Ujori
Ndoshta është momenti të kërkoni atë që pretendoni prej kohësh, pasi Afërdita dhe Jupiteri sot jo vetëm që ju bëjnë tërheqës, por edhe shumë komunikues. Një dashuri e re në horizont?

Peshqit
Edhe pse të kërkoni një marrëveshje me të tjerët mund t'ju duket një ndërrmarrje e vështirë, është e vetmja mënyrë për të evituar përplasjet. Humori juaj le për të dëshiruar për shkak të Hënës.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more