Skip to main content

““Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”: Deklaratat e dëmshme të Seehoferit” plus 2 more Telegrafi Opinione

““Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”: Deklaratat e dëmshme të Seehoferit” plus 2 more Telegrafi Opinione


“Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”: Deklaratat e dëmshme të Seehoferit

Posted: 19 Mar 2018 03:17 AM PDT

Ministri i ri për Atdheun po e nxit debatin për fenë islame – në një mënyrë fatalisht të gabuar. Ende pa kaluar një javë nga ardhja në krye të ministrisë, ai nisi një debat të rëndësishëm.

Debati filloi shumë shpejt. Në intervistën e tij të parë si ministër i ri për Atdheun, Horst Seehofer bëri të qartë se në ç’mënyrë do të udhëheqë debatin për atdheun dhe integrimin – përmes polarizimeve dhe përkufizimeve. Me fjalinë e tij “feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”, ai ndezi një debat fatal, i cili Gjermanisë i sjell përçarje të reja. Dhe këtë në një kohë kur janë shtuar sulmet ndaj xhamive dhe godinave të fesë islame.

Kjo nuk është e rrezikshme vetëm për bashkëjetesën në Gjermani, por edhe për bashkëjetesën në Bashkimin Evropian, sepse ai nuk do të mund të mbijetojë në frymën e përçarjeve dhe përkufizimeve. Kërkesa e Seehoferit për nxjerrjen nga fuqia për një kohë të pacaktuar të Marrëveshjes Shengen, mund të sjellë pasiguri të tjera.

Por, toni i Seehoferit nuk është vetëm i rrezikshëm. Këtë dëshmon jo vetëm debati i nxehtë që ky njeri nga Bavaria – sërish – shkakton. Përderisa njëra anë i hedhë poshtë kërkesat e tij, të tjerët duartrokasin fuqishëm: “Më në fund dikush e thotë ate që mendojmë ne.”

Një njeri i matur me siguri që nuk do të nxiste këtë konflikt me fjali të këtilla. Pikërisht për faktin se është i ri në këtë post dhe ka shansin që të afrohet me pasigurinë dhe ndjenjën e kërcënimit tek shumë gjermanë. Katër milionë myslimanë jetojnë në Gjermani. Ky është fakt. Dhe kush beson se besimi i tyre nuk na takon edhe neve, ndihmon në fund të fundit forcat ekstremiste.

Pse Seehoferi nuk pyet thjeshtë: çfarë feje islame i takon Gjermanisë? Dhe në këtë mënyrë do të obligonte edhe shoqatat islame në Gjermani që të angazhohen për bashkëjetesë paqësore. Pse nuk përpiqet që të bashkëpunojë me myslimanët, të cilët e respektojnë Kushtetutën tonë? Me ata, të cilët angazhohen për barazi gjinore dhe angazhohen kundër diskriminimit të homoseksualëve? Kjo është fryma, në të cilën qeveria e re duhet të përballet me sfidat e integrimit. Një mundësi konstruktive për të mënjanuar frikën që përhapë partia populiste e djathtë AfD në Parlament.

Nuk është ndonjë rastësi që Gjermanisë i janë dashur gati gjysmë viti negociata për të krijuar qeverinë e re. Kjo është një pasqyrë e asaj me të cilën po përballet Gjermania në kërkim të identitetit si vend i migrantëve. Fokusimi permanent tek feja islame është vetëm edhe një dëshmi tjetër për paaftësi. /DW/

The post “Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”: Deklaratat e dëmshme të Seehoferit appeared first on Telegrafi.

Lopçarë & gopçarë

Posted: 19 Mar 2018 03:16 AM PDT

Me siguri që lexueset e lexuesit e mi të shumëllojshëm (disa syresh më vlerësojnë, të tjerë jo edhe aq, të tjerë ende fare pak ose aspak, kjo është e drejta e tyre e pamohueshme) e dinë që të jesh lopçar, është një zanat si plot të tjerë në fushën e blegtorisë: lopçari, pra, siç na sqaron "Fjalori i gjuhës shqipe" (Tiranë, 2006), është thjesht një bari lopësh, por që, kur punon me ndërgjegje, meriton gjithë respektin tonë jo vetëm sa herë pimë qumësht, hirrë apo dhallë, sa herë hamë djathë, gjizë apo gjalpë, por edhe kur kujtohemi që puna e tij nuk është aq e lehtë sa mund të duket në vështrim të parë.

Megjithatë, tek lexojnë sot gjymtyrën e dytë të titullit të kësaj rubrike, jo pak lexuese dhe lexues me sy tepër të moralshëm, gatigati puritanë në mënyrë të skajshme, mund të lëndohen e të më cilësojnë si një gojështhurur të pandreqshëm, duke pandehur (meqë jam gjithashtu autor i të parit fjalor erotik të gjuhës shqipe, si edhe i disa librave të tjerë me karakter të theksuar erotik) se fjala "gopçar" ka një ngjyrim erotik fort vulgar. Me keqardhjen më të madhe e më të sinqertë për padijen e tyre të përkohshme, po i siguroj se fjala "gopçar" nuk ka asnjë lidhje me tri germat e saj të para të marra si fjalë më vete: për t'u bindur lidhur me këtë, mjafton të hapësh fjalorin tim erotik dhe do të vëresh që fjala "gopçar" nuk figuron fare atje, çka do të thotë se nuk ka asnjë ngjyrim erotik (ndryshe, do të kisha nxituar, madje me ëndje, ta fusja në fjalorin tim çapkën); për t'u bindur edhe më shumë, mjafton, kësaj here, të hapësh "Fjalorin e gjuhës shqipe", (Tiranë, 2006) dhe ke për t'u habitur se çfarë përkufizimi do të gjesh: "gopçar = grykës, llupës".

Ndërkohë, "Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe" (Tiranë, 2005, ribotuar më 2007) numëron mbi 70 fjalë shqipe që kanë të njëjtin kuptim, nga të cilat po përmend vetëm disa nga më të spikaturat: babëziar, (i) babëzitur, barkstihi, barkshpuar, barkthes, barkvozë, fytmadh, hamës, (me) lubi (në bark), llapazhar, llokmëmadh, llupash, (i) pangishëm, nepsqen, tahmaqar, zorrëshpuar e zhvatarak.

Sidoqoftë, a nuk është disi e habitshme që gjuha jonë aq e vjetër të ketë kaq shumë fjalë për të shënjuar e shigjetuar lakmitarët e të pangopurit? Kaq shumë të babëzitur e makutë të ketë pasur historikisht në gjirin e vet populli ynë, një ndër më të lashtët e Europës, për të mos thënë të mbarë botës?

A nuk është kjo në mos e frikshme, të paktën tronditëse? Unë gati besoj se një pasuri e tillë leksikore për të shënjuar njerëzit me damkën e babëzisë në shpirt, madje edhe në ballë, te vështrimi në veçanti, shpreh diçka tipike, sidomos këto vitet e fundit, për krejt përfaqësuesit e piramidës sonë shtetërore nga baza deri në majë të saj.

Gjithsesi, shumëkush mund të mendojë që sot, në shekullin XXI, populli shqiptar nuk është i vetmi që ka në gjirin e tij gopçarë. Në rregull, patjetër e sigurisht, okej e dakord, por pyetja që duhet shtruar, sipas meje, është: "Cilët janë këta GOPÇARË? Cilës shtresë shoqërore i përkasin?" Besoj se ata e ato që sot gati vuajnë nga uria, të pambrojturit, të lënët jetimë, të braktisurit nga shteti e nga shoqëria, që blejnë "me lista" (siç thuhej në epokën e tmerrshme të talonit), që jetojnë duke shtrënguar rripin e pantallonave, llastikun e të mbathurave dhe lidhëset e këpucëve, por që janë të ndershëm dhe që, meqenëse nuk mund të vjedhin, zgjasin dorën e dridhur e lypin, të gjitha këta e dinë fort mirë se cilët janë, në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, gopçarët e pamëshirshëm me pasuri e shuma marramendëse parash të depozituara në parajsa fiskale, në banka e tjetërkund, para mashtrimesh, korrupsioni, droge, prostitucioni e allishverishesh të neveritshme.

Sidoqoftë, mund të ketë aty-këtu, tek-tuk, lexuese e lexues ende të ndershëm, të ndershëm deri në naivitet, që besojnë vërtet se ylli "vetting" do të vetëtijë e do ta ndriçojë më në fund shtetit e sotëm shqiptar, do ta pastrojë atë nga plehrat helmuese të shoqërisë sonë të hallakatur e të shkalafendur, në tribunën e molepsur të së cilës të pamoralshmit e të pamëshirshmit, të paprekshmit e të padënueshmit ndihen patriarkë thuajse të pavdekshëm.

Për të mos ua prishur këtë ëndërr mjerisht utopike, uroj me gjithë mend, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, që ylli "vetting" të mos jetë thjesht një iluzion po aq jetëshkurtër sa një meteorit i rëndomtë që, sigurisht, ndriçon fort sapo hyn në atmosferën e rruzullit tokësor, por bën vetëm viktima e shkakton vetëm dëme në vendin ku bie verbërisht.

The post Lopçarë & gopçarë appeared first on Telegrafi.

Të mos kuptosh realitetin për të parë Xi Jinpingun

Posted: 19 Mar 2018 03:12 AM PDT

Jim O'Neill

Në javët e fundit, komentatorët e medias perëndimore janë përqendruar gjerësisht në vendimin e Partisë Komuniste të Kinës për të anuluar limitin e mandateve të presidentit, gjë që do të lejojë Xi Jinpingun të mbetet në pushtet në pafundësi. Në mënyrë josurprizuese, ata i janë përgjigjur lajmit me zhgënjim dhe skepticizëm mbi modelin politik të Kinës. Megjithatë, ajo që është surprizuese, është pretendimi se Kina po heq dorë nga një premtim i nënkuptuar që të bëhet më shumë si Perëndimi.

Shumë vëzhgues supozojnë se Kina do të përqafojë në mënyrë të pashmangshme demokracinë liberale të stilit Perëndimor. Por, megjithëse edhe unë vetë u çudita paksa nga vendimi i fundit i partisë Komuniste, unë nuk e kisha menduar kurrë si të vlefshëm këtë interpretim simplicist të Kinës moderne.

Tani, më lejoni të jem i qartë: unë nuk do të debatoj se një udhëheqësi prej të forti të pazgjedhur është një model superior ndaj demokracisë së stilit Perëndimor. Nëse unë besoja se Xi po përgatitej të sundonte Kinën me dorë të hekurt për më shumë se 20 vjet, atëherë do të kisha ndarë dyshimet me shumë komentatorë të tjerë.

Por, më lejoni të sugjeroj një interpretim më mendjehapur. Për fillestarët, siç na rikujton ne Yuen Yuen Ang e Universitetit të Miçiganit në librin e saj të shkëlqyer "Si "shpëtoi Kina nga kurthi i varfërisë", Kina ka nxjerrë nga varfëria qindra milionë njerëz pa aderuar te përqasja Perëndimore për zhvillimin.

Në fakt, një sipërmarrës i ri me bazë në Pekin të cilin e takova së fundmi vlerëson se së paku 20 për qind e kinezëve – mbi 250 milionë njerëz – janë duke fituar tashmë mbi 40 mijë dollarë në vit. Përveç Shteteve të Bashkuara, asnjë vend tjetër në botë nuk ka kaq shumë njerëz që gjenerojnë kaq shumë pasuri personale. Pavarësisht nëse Perëndimorëve u pëlqen ta pranojnë këtë apo jo, kjo është një arritje mbresëlënëse.

Por, akoma më mbresëlënës është fakti se kjo ndodhi nën një sistem jo-demokratik, dhe se shtetasit kinezë duket se janë në përgjithësi të kënaqur. Megjithëse protestat në shkallë të vogël nuk janë të pazakonta, madje edhe mes atij 20 përqindëshit të pasur, këto protesta duken të pakta e të dobëta.

Tani, mendo për këtë. Nëse Kina mund të ruajë rritje ekonomike vjetore në masën 5.5-7 për qind për 15 vitet e ardhshme, numri i kinezëve që fitojnë më shumë se 40 mijë dollarë në vit mund të dyfishohet. Në këtë rast, ata ka gjasa nuk do të jenë veçanërisht të shqetësuar se Xi është ende udhëheqësi i vendit të tyre.

Kjo më sjell mua te një argument i dytë. Ndryshe nga pesimistët që kanë rezultuar gabim duke paralajmëruar rreziqe për rritjen ekonomike të Kinës, unë dyshoj se kolapsi i vërtetë i kinës mund të jetë sistemi i saj hukou (regjistrimi i familjeve). Ky është një sistem që i lejon migrantët nga zonat rurale të punojnë në qytetet nëpër të gjithë Kinën, por nuk i mundëson atyre të njëjtat të drejta si banorët e lindur në qytet. Hamendësimi im është se shumë pak prej këtyre kinezëve janë mes 20 përqindëshit të pasur.

Megjithëse Partia Komuniste ka eksperimentuar me anulimin e sistemit hukou në qytetet e vogla, ku dëshiron të promovojë rritjen, ajo ka ngurruar ta bëjë këtë në qytetet e mëdha. Bazuar në diskutimet private që unë kam pasur me politikëbërësit kinezë, unë e di se ata e shohin sistemin si një problem të madh. Por, ata nuk duan të përballen me të. Arsyetimi i tyre është se braktisja e këtij sistemi mund të sjellë presion të papërballueshëm në megaqytetet si Pekini dhe Shanhai.

Megjithatë, supozimi im është se diçka do të duhet të ndryshojë një ditë. Një sistem me dy kolona ku pothuajse gjysma e popullsisë shijon nivele Perëndimore të pasurisë ndërsa pjesa tjetër nuk ka të drejta për kujdes shëndetësor apo siguri shoqërore nuk mund të mbijetojë për 15 vitet e ardhshme. Dhe nëse kjo është e qartë për mua, ajo duhet të jetë e qartë edhe për udhëheqësinë kineze.

Nuk mund të thuhet se kur sistemi hukou do të ndryshojë me të vërtetë. Por, kur të ndryshojë, siç mendoj unë se duhet të ndryshojë, ai do të sjellë një ndryshim dramatik në qeverisjen politike. Duke parë këtë, unë mund të shoh se pse krerët e lartë të partisë komuniste dëshirojnë të jenë veçanërisht të kujdesshëm për ndryshimet në udhëheqësi në vitet e ardhshme.

Së paku ne harrojmë se, kur Xi erdhi në pushtet në mars 2013, disa nga krerët e partisë u përpoqën të rezistonin ndaj ndryshimeve që ai po sillte. Dhjetë vjet mund të jetë kohë e gjatë, por ka gjasa nuk është mjaftueshëm e gjatë për pyetjet themelore mbi të ardhmen e një vendi dhe një partie.

Kështu, argumenti im i tretë dhe final është që elita komuniste nuk dëshiron një presidencë të përhershme të Xi aq shumë sa dëshiron të shmangë një ndryshim të detyruar të udhëheqësisë më 2023. Rekomandimi im për komentatorët Perëndimorë, për rrjedhojë është që të përqendrohen te ajo se si do të evoluojë ekonomia kineze gjatë kësaj kohe. Komentet që ekzaminojnë rritjen në konsumin privat të Kinës si përqindje e PBB-së apo ndryshimet potenciale në sistemin hukou, do të jenë shumë më ndriçuese se sa ato që i përkushtohen personalitetit dhe ambicieve të Xi Jinping. /Project Syndicate/reporter.al/

The post Të mos kuptosh realitetin për të parë Xi Jinpingun appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more