Skip to main content

“Gazeta serbe: Shqiptarët, blerës masiv të pronave të serbëve në veri të Mitrovicës” plus 9 more - Gazeta Dita

“Gazeta serbe: Shqiptarët, blerës masiv të pronave të serbëve në veri të Mitrovicës” plus 9 more - Gazeta Dita


Gazeta serbe: Shqiptarët, blerës masiv të pronave të serbëve në veri të Mitrovicës

Posted: 28 May 2018 01:41 AM PDT

Gazeta “Kurir” shkruan se shqiptarët po bëjnë presion gjatë blerjes masive të shtëpive dhe tokave, dhe sipas saj, këto veprime janë cilësuar si “arma më vdekjeprurëse” e përdorur nga shqiptarët e Kosovës deri më tani.

Sipas profesor Dushkos nga Mitrovica, shqiptarët e Kosovës kanë në plan të dëbojnë nga Kosova shumicën e serbëve të mbetur në pjesën veriore.

"Ata kanë filluar blerjen masive të pronës serbe dhe kushdo që nuk bie dakord t'i shesë ato është i detyruar nga kërcënimet dhe frikësimet", thotë ai.

Dushko thotë se shqiptarët synojnë ta ndryshojnë tërësisht përbërjen etnike të Kosovës veriore dhe ta kthejnë atë në një territor me shumicë shqiptare.

Ai deklaron për gazetën “Kurir” se më shumë se një milion komplote kadastrale janë uzurpuar, që është rreth 40 përqind e të gjitha parcelave kadastrale.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun thotë se kërcënimet dhe presionet që serbët të shesin pronën e tyre dhe të lënë Kosovën janë të përditshme, por jo pa arsye.

"Prona e serbëve është plaçkitja, djegia dhe vrasja. Policia nuk mbron as serbët, as pronat e tyre, dhe gjykatat i trajtojnë ata si qytetarë të rendit të dytë. Ka edhe grupe kriminale që frikësojnë dhe nxisin incidente, të cilat kanë për qëllim që serbët të largohen nga Kosova për të përfunduar pastrimi etnik", thotë Drecun.

s.a/dita

Platforma dixhitale “School Me” në shërbim të kurrikulës së re

Posted: 28 May 2018 01:34 AM PDT

I nderuar z.Thano

Gjatë vitit shkollor 2018 /2019, në 30 institucionetona të arsimit bazë (kl. I-IX), do të pilotohet platforma dixhitale "School Me".

Ajo është përgatitur si projekt europian, nga specialistë të teknologjive të informacionit, akademikë, mësues, ekspertë britanikë dhe ndërkombëtarë, të formuar në Oxford, Cambridge, University of London.

Për nevojat e kurrikulave të reja, që po zbatohen në Shqipëri dhe Kosovë, platforma është zhvilluar nga profesionistë të talentuar shqiptarë dhe evropianë të profileve shkencore, të mbështetur nga një grup mësuesish shqiptarë të përkushtuar dhe me eksperiencë.

Ajo drejtohet dhe menaxhohet nga Thames Online Education, një kompani me qendër në Londër. Pilotimi, që konsiderohet investim në shërbim të kurrikulës së reformuar, është miratuar nga MASR-i dhe do të lehtësohet e vlerësohet nga institucionet vartëse të saj. Procesi do të ketë edhe mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Platformat digjitale ose online (Facebook-u, p. sh., është një ilustrim), si pajisje teknologjike, integrojnë miliona aplikacione e sensorë. Përdoruest e panumërt mund t'i aksesojnë, njëherazi, nga një mori pikash hyrëse, për t'u lidhur, informuar, mbështetur dhe frymëzuar.

Për të qenë të dobishme, ato duhet të mbrojnë vlerat themelore të pranuarasi: të jenë të besueshme, transparente, të sigurojnë drejtësi, të mos diskriminojnë dhe të nxitin zhvillimet ekonomike e shoqërore, bazuar në të dhëna të sigurta, të besueshme dhe të vlefshme. Ndërveprimi i përdoruesve, grumbullimi dhe përdorimi i të dhënave për qëllime ekonomike, kërkimore, edukative ose argëtuese janë disa nga shërbimet e vyera që ato ofrojnëpërmes internetit.

E tillë është dhe platforma dixhitale "SchoolMe", e pilotuar tashmë në disa shkolla të Kosovës me logon "Më mëso mua". Platforma, me disa përditësime, do të pilotohet vitin e ri shkollor, në sistemin tonë arsimor. Ajo është konceptuar dhe zhvilluar për të ndihmuar përdoruesit e saj (më së pari, mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre) që zbatojnë kurrikulën e re.

Gjithashtu, platforma është e dobishme për zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në diasporë, veçanërisht për ndërtimin dhe ushtrimin nga nxënësit të kompetencave kyçe dhe specifike.

Në vijim, lexuesit informohen për karakteristikat tipike dhe vlerat eplatformës:

Në aspektin e përgjithshëm, ajo jetëson tiparet kyçe të çdo platforme dixhitale. Zëvendëson përdorimin e "lapsit dhe të letrës" me "tastierën dhe ekranin", lehtëson ndërveprimin aktiv të përdoruesve nëpërmjet situatave të posaçme (kuiceve, ushtrimeve, situatave problemore) dhe rrit ndjeshëm sasinë e informacionit të përpunuar në njësinë e kohës.

Platforma zgjeron konceptin tradicional për librin e shtypur si burimin kryesor të nxënies, duke përdorur, përveç tij, edhe burime të tjera alternative, në dobi të cilësisë së arritjeve të nxënësve.

Në aspektin konkret, platforma mundëson qasje të përhershme audio dhe video, në të gjithë aspektet kurrikulare. Për çdo klasë, përmbajtjet lëndore respektive dhe renditja e temave, përputhen me kurrikulën zyrtare, në sinkron me kalendarin shkollor. Lëndët e nivelit arsimor 9-vjeçar shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar. Ato shoqërohen me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike etj. Kjo shtjellon, thellon dhe përditëson të gjitha temat mësimore.

Platforma u ofron përdoruesve të saj mijëra video, të zhvilluara nga institucione arsimore e shkencore ndërkombëtare, për të thelluar dhe përfshirë në kurrikul dijet e reja dhe metodat bashkëkohore të nxënies. Funksionalitete të platformës janë dhe pyetësorët, mbajtja e shënimeve vetjake, krijimi i teksteve nga çdo përdorues dhe përgatitja e ditarëve nga mësuesit. Këta të fundit, mund të lidhen në forum, për të komunikuar dhe krijuar portofole të ndryshme. Mjafton një lidhje interneti dhe platforma bëhet e disponueshme në të gjitha pajisjet IT: kompjuter, laptop, tabletë, telefon celular, televizor (nëpërmjet kabllos USB ose direkt për TV internet).

"School Me" – komenton znj. Iris Gjinovci, Drejtore e menaxhimit të Platformës – shoqëron online, mësimin e zhvilluar në klasë (apo mjedise të tjera të nxëni), me filma, harta, laboratorë, imazhe. Teknologjia 3D, si thuhet tani, bëhet horizonti i ri për nxënësin. Asnjë shkollë në botë nuk mund të krenohet, të themi, se do tëdemonstrojë në laboratorët e saj ndërtimin e atomit, ose të ketë në dollap hartat e një kryengritje të vitit 1537, për të materializuar periudhën dhe çështjet e kohës. "School Me" e ofron këtë mundësi. Mjafton një ekran ose projektor i thjeshtë në shkollë, që të shihet eksperimenti, skena, personazhet apo dokumentet historike, relievi, planet, monumentet historike që e bëjnë njëngjarje të prekshme dhe të paharrueshme, apo të perceptohen vizualisht tablotë e piktorëve të mëdhenj që e kanë materializuar atë".

Kësisoj, platforma mund të përdoret nga mësuesi dhe nxënësi në klasë ose jashtë saj, në shumë mënyra: si mjet për nxënie ndërvepruese ose për vlerësimin e arritjeve të nxënësve aposi bazë materiale (dokumente, harta, eksperimente, laboratorë). Gjithashtu, ajo lejon që nxënësit të mund t'i shikojnë paraprakisht videot në shtëpi, për t'i diskutuar, më pas, në klasë ose mjedise të tjera të nxënies.

Në Kosovë, nga shtatori i vitit 2016, platforma ka filluar të pilotohetnë 16 shkolla. Ndërsa, gjatë këtij viti shkollor, atë e kanë përdorur 23 shkolla. Përvoja po tregon se demonstrimi ose komentimi i videos kryesore dhe i videove shtesë, e bëjnë mësimin tërheqës, çka lehtëson ndërtimin nga nxënësit të njohurive dhe tëkompetencave (asaj dixhitale, veçanërisht). Ata, me ndihmën e platformës, mund të konkretizojnë kuptimet që janë përpjekurtë ndërtojnë gjatënxënies, të përfitojnë nga shtjellimet alternative, nga pyetësorët apo nga trajtimi i situatave problemore që ofrohen, në të gjitha lëndët.

Meqenëse, zbatimi i nxënies online, përmes platformës "Më mëso mua", ishte risi për komunitetin e mësuesve në Kosovë, gjatë vitit të parë të pilotimit, në fokusin e Ministrisë së Arsimit, qenë aftësimi dhek ëshillimi i vazhdueshëm i mësuesve dhe drejtorëve, për përdorimin e saj në procesin mësimor.

Shkollat e Kosovës, me këtë platformë, po hyjnë me dëshirë dhe mendje të hapur në botën e arsimit audioviziv, që është risia më e fundit në Europë. Rezultatet e deritanishme tregojnë për ndikimin e platformës në rritjen e cilësisë. Kjo, në sajë të kuptimit më të mirë nga nxënësit të përmbajtjeve mësimore të konkretizuara, të lehtësimit të punëve për mësuesit, nxënësit dhe prindërit, të rritjes së veprimtarisë së pavarur të nxënësve në situata të larmishme dhe të kuptueshme, të rritjes së vetëbesimit dhe kureshtjes së nxënësve etj.

Përvoja e Kosovës provon se platforma, si pajisje teknologjike: a) u mundëson nxënësve shndërrimin e dijeve të kodifikuara në tekstet shkollore në njohuri të reja vetjake, përmes veprimeve të tyre në situata të larmishme online të cilave ua kuptojnë domethëniet;

b) zhvillon mënyra me të cilat krijohen dhe komunikohen kuptimet sot (imazhet, fjalët e shkruara ose pamjet vizuale, grafikët, tingujt, informacioni digjital ose ai mediatik); lidhjet, ndërveprimet dhe marrëdhëniet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të paraqitjes së njohurive që ndërtohen nga nxënësit;

c) respekton dallimet dhe shumëllojshmëritënë procesin e nxënies, duke mënjanuar qasjet uniforme që "i përgatitin të gjithë fëmijët me një kut". Njëherazi, ajo zhvillon proceset mendore, bazë për trajtimin kompetent të situatave jetësore, jo thjesht operacionet mendore të standardizuara që krijohen nga memorizimi i dijeve lëndore. Me fjalë të tjera, platforma siguron ndërveprimin efikas të nxënësit me situatat tërheqëse (mësimore ose jo) dhe kthen dijet e teksteve shkollore, nga qëllim i nxënies, në mjet për plotësimin e qëllimeve të reja arsimore.

"Më mëso mua" po dëshmon se e-learning, tashmë, është realitet në shkollën shqiptare. Njëherazi, ajo u mundëson nxënësve të gëzohen kur zbulojnë dhe ndërtojnë vetë njohuri dhe ushtrojnë kompetencat përmes kërkimit, por dhe të ndjejnë e kuptojnë që nuk ka gjë më të bukur se "një trokitje e lehtë" në njohuritë dhe në përvojat e njerëzve të tjerë, me të cilët ndërveprojnë online.

Nëse gjëja më e rëndësishme, që mbart çdo person, është dëshira e tij e lindur për të zbuluar, përmes platformësdixhitalekjo dëshirë zhvillohet më tej, duke bërë që ky thesar i veçantë, domethënë, dëshira për të nxënë në mënyrë të pavarur, të mos humbasë. Përkundrazi.

Prof. Asoc. Dr. Pëllumb Karameta

 

 

Prisnit faturë uji më të “kripur” në prill? Taksa e ndërtesës vazhdon të jetë…

Posted: 28 May 2018 01:27 AM PDT

Të gjithë ata që kanë marrë faturën e muajit prill nga Ujësjellës-Kanalizime në qytetin e Tiranës mund të jenë surprizuar kur kanë zbuluar se taksa e ndërtesës rezulton të jetë 100 lekë, të paktën për familjarët. Ndërsa për bizneset, taksa në faturë rezulton "zero" dhe kjo lidhet me faktin se detyrimin për këtë kategori e mbledh Drejtoria e Taksave Vendore.

Ujësjellësi shërben si agjent tatimor për arkëtimin e disa taksave të Bashkisë ku mes të cilave edhe ajo e ndërtesës, e cila duke nisur nga 1 prilli llogaritet me një metodologji të re. Fakt është që në faturën e prillit vijon të aplikohet taksa e vjetër. Kjo sepse Bashkia e Tiranës duhet që të përllogarisë në total detyrimin që ka secili nga qytetarët sipas metodologjisë së re, dhe këtë më pas ta kërkojë të zbatuar në sistemin e ujësjellësit për ta arkëtuar përmes faturës së ujit.

Burime nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë thanë për "Monitor" se duke qenë thjesht agjent nuk kanë informacion se në çfarë faze është puna në Bashki lidhur me taksën e ndërtesës ndaj për prillin është vijuar me taksën sipas metodologjisë së vjetër.

"Deri më tani nuk na ka ardhur kërkesë për të bërë ndryshime në sistem ndaj po vijojmë me taksën ashtu sikurse ka qenë edhe më parë, por se në momentin që Bashkia do ta kërkojë, do të vijohet me implementimin" u shprehën të njëjtat burime.

Kjo do të thotë që edhe për muajin maj fatura që do të merrni në qershor nuk do të përfshijë taksën e ndryshuar të ndërtesës, pasi na ndajnë vetëm pak ditë nga mbyllja e muajit dhe ndryshimet në sistem kërkojnë kohën e tyre.

Duke qenë një taksë vjetore, Bashkitë në përgjithësi, jo vetëm ajo e Tiranës, kanë mundësi që ta arkëtojnë edhe vetëm me një këst. Pra mund të mos e arkëtojnë muaj pas muaji por ta përfshijnë në një të vetme në fund të vitit. Kjo mund të jetë më e thjeshtë për to, por sigurisht, pesha do të ndjehet më shumë në xhepat e qytetarëve, të cilët do ta kishin më të thjeshtë pagesën me këste mujore të taksës.

Bashkia e Tiranës duket të ketë edhe volumin më të madh të punës, lidhur jo vetëm me numrin e madh të ndërtesave që ndodhen në territorin e saj por edhe me larmishmërinë e çmimeve referencë për zona të ndryshme, duke e bërë të vështirë mbylljen afatshkurtër të të gjithë përllogaritjeve./Monitor

s.a/dita

 

Sondazhi: 62 për qind opinion pozitiv për policinë, 26 për qind negativ

Posted: 28 May 2018 01:27 AM PDT

Në kuadrin e projektit "Monitorimi i opinionit publik në Qarkun Tiranë (krahasuar me qarqet e tjera) mbi rolin e policisë në jetën e përditshme të komunitetit", të financuar nga Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA), AGENDA Institute zhvilloi në periudhën 21-25 maj 2018 sondazhin e parë elektronik, në serinë e sondazheve mujore të parashikuara në këtë projekt 12-mujor.

Sondazhi u realizua teknikisht nga statisticieni Eduard Zaloshnja, PhD. Metodologjia dhe gjetjet e këtij sondazhi janë përgjegjësi e autorit.

Nga sondazhi rezulton se mbi 60% e banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër) kanë opinion pozitiv për punën e policisë së qarkut të tyre.

Vetëm çereku i banorëve të qarkut kanë opinion negativ. Rezultate pothuaj identike vërehen në pjesën tjetër të vendit. Në rang republike, 62% e banorëve (16 vjeç e sipër) kanë opinion pozitiv për punën e policisë së qarkut të tyre dhe vetëm 26% kanë opinion negativ (12% kanë opinion asnjanës).

Deri më sot, SCPA ka zhvilluar vrojtime të thella statistikore me anketim në terren, në lidhje me opinionin e komuniteteve mbi punën e policisë në to.

Sado të vlefshme janë në terma afatgjatë, vrojtime të tilla kërkojnë shumë kohë për t'u kryer – nga dita që fillon anketimi deri në publikimin e rezultateve, mund të ketë kaluar një muaj.

Si rrjedhojë, ato nuk krijojnë mundësinë për një monitorim të vazhdueshëm të problemeve. Përmes projektit aktual, synohet të monitorohet çdo muaj opinioni i komuniteteve (në Qarkun Tiranë, krahasuar me qarqet e tjera) në lidhje me punën e policisë në to.

Vetë forma e sondazhit (elektronik) e krijon mundësinë për kryerjen e tij çdo muaj, brenda fare pak ditëve.

Në këtë mënyrë mund t'i jepet policisë një feedback i vazhdueshëm, që mund t'i vlejë asaj për përmirësimin e punës në komunitet./e.k-Dita

 

***

Në foton kryesore: Kastriot Skënderaj, Drejtor i Policisë në Qarkun e Tiranës dhe Ardi Veliu, Drejtor i Policisë së Shtetit.

Askush nuk është si ti

Posted: 28 May 2018 01:21 AM PDT

Ne jemi njerëz dhe çdo njeri në thelb ka paksa zili për të tjerët, sado të afërt t'i konsiderojë, apo sado t'i dojë ata.

Ndodh ndonjëherë të shohim fotot apo postimet e miqve tanë në rrjetet sociale dhe të ndihemi keq. Ndihemi keq se ne jemi duke kaluar në momente të vështira, ndërkohë duket sikur atyre gjithçka po u shkon vaj. Ndiejmë edhe paksa zili për ta, edhe pse nuk e shprehim hapur.

Pikërisht krahasimi i jetës sonë me jetën e tyre është një formë zilie.

Por pse themi ne: "Ata janë më të lumtur se unë", ndërkohë që nuk themi në momentin e duhur: "Ata janë më të mërzitur se unë dhe unë duhet t'i ndihmoj ata të jenë më mirë"?

Kjo gjë nuk ka kuptim. Ne duhet ta shohim suksesin e të tjerëve si diçka, për të cilën edhe vetë ne duhet të festojmë.

Një nga sfidat më të mëdha në jetët tona është se, duke mos e dashur veten tonë, duke mos e pranuar veten tonë, duke mos e nxitur veten tonë për t'u përmirësuar, duke mos u ndjerë pra rehat në lëkurën tonë, ne e gjejmë të vështirë t'i shohim këto cilësi edhe tek të tjerët.

Edhe ti ke për ta kuptuar se, që nga momenti kur të nisësh të përqëndrohesh tek vetja jote, nuk ke për të pasur kohë për t'i kritikuar të tjerët.

Sa më shumë të mësojmë të vlerësojmë dhe të njohim potencialet e vetes sonë, ne fillojmë të njohim dhe aftësitë e potencialet e të tjerëve.

Mos u shqetëso për atë që po bëjnë të tjerët.

Jeta jote ka të bëjë me rritjen e vetes, me investimin tek vetja dhe me arritjen e potencialit tënd maksimal.

Ti nuk je në garë me asnjë person tjetër dhe nuk duhet të ndihesh sikur je.

E di cila është gjëja më interesante? Askush nuk është si ti dhe kjo është fuqia jote më e madhe. Kjo gjë të bën ty unik/e.

Mos e harro kurrë këtë gjë.

n.s. / dita

“International puppet theatre festival Albania” , shfaqje falas në Teatrin Metropol dhe sheshin “Skënderbej”

Posted: 28 May 2018 01:18 AM PDT

Tirana po kthehet në një qendër të kulturës jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Për 6 ditë me radhë, kryeqyteti do të mirëpresë "INTERNATIONAL PUPPET THEATRE FESTIVAL ALBANIA"  që do të sjellë plot freski, origjinalitet, larmishmëri dhe lojë nga teatro të ndryshme të botës.

 Teatro dhe Kompani Teatrore nga Kina, Turqia, Spanja, Rumania dhe Shqipëria do të performojnë çdo ditë në Teatrin Metropol dhe sheshin Skënderbej për të prezantuar forma të ndryshme përdorimi dhe komunikimi nëpërmjet kukullave, shkëmbim eksperiencash, traditash dhe kulturash të vendeve të ndryshme.

 Shfaqjet fantastike pritet që të angazhojnë pjesëmarrjen dhe imagjinatën e çdo grupmoshe, ndërkohë që hyrja do të jetë falas.

 Prej tre vitesh, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të shtuar financimit dhe mbështetjes së projekteve të ndryshme të cilat synojnë të pasurojnë jetën kulturore dhe artistike në kryeqytet. Shfaqjet në Teatrin Metropol, shfaqjet e kukullave nëpër lagje, festivalet dhe koncertet, kanë qenë një pjesë e aktiviteteve që qytetarët e Tiranës kanë pasur mundësi të ndjekin, ndërkohë që nuk mungojnë dhe aktivitetet e tjera në natyrë.

 PROGRAMI:

 27 Maj – TURKEY 🇹🇷

Cengiz Ozek Shadow Theatre

“The Magic Tree”

11:00 Teatri Metropol

20:30 Sheshi “Skënderbej”

 

28 Maj – ROMANIA 🇷🇴

Puck Puppet Theatre

“The Street of Angels”

11:00 Teatri Metropol

19:00 Sheshi “Skënderbej”

 

29 Maj – ALBANIA 🇦🇱

Teatri Metropol

“Don Quixote”

10:00 Teatri Metropol

20:30 Sheshi Skënderbej

30 Maj – SPAIN 🇪🇸

Angeles de Trapo

“Error 404”

11:00 Teatri Metropol

20:30 Sheshi “Skënderbej”

 

31 Maj – CHINA 🇨🇳

Chinese Hand Puppet Performance

“The prodigal son”

“Knocking out the tiger”

“Daming Courtyard”

11:00 Teatri Metropol

20:00 Sheshi “Skënderbej”

 

1 QERSHOR

Festojmë sëbashku!

09:00 – 12:00

Sheshi “Skënderbej”

s.a/dita

Substancat letrare dhe metodat artistike

Posted: 28 May 2018 01:16 AM PDT

Nga Moikom Zeqo

Në rrafshin e krijimtarisë së mirëfilltë letrare mund të shikohet substanca letrare. Në mënyrë absolute në këtë substancë letrare nuk mund të ngurtësohemi as me formula dhe as me përcaktime jashtëletrare.

Substanca letrare i përket kohës shpirtërore dhe jo kohës kronologjike. Substanca letrare është e vetëmjaftueshme, ajo s'ka pse të tjetërsohet në rrafshin e shpjegimit. Shpjegimi është jashtëletrar. Shpjegimi lidhet me  ideologjitë, botëkuptimet, krahasueshmërinë. Shpjegimi është interpretim i tekstit në 100 pika shikimi. Kështu substanca letrare mund të dyzohet.

Por ajo që mund të thuhet për substancën letrare nuk është asnjëherë identike me substancën letrare. Kjo optikë konceptuale është kryesore. Substanca letrare nuk njeh kohë dhe emra autorësh në mënyrë të ngushtë, as hapësira, etni dhe gjuhë të ndryshme.

P.sh. Homeri ka shkruar në epokën e skllavopronarisë të bazilenjve dhe të skllevërve. Substanca letrare e Homerit nuk është e përcaktuar nga metodat as nga sistemi ekonomiko-shoqëror i kohës së tij. Substanca letrare e Homerit është po aq e lexueshme sot dhe ndoshta do të jetë më e lexueshme në shek. XXII.

Dalim këtu tek një rrafsh tepër i diskutuar, ai i metodave artistike dhe letrare. Në ç'metodë do të fusim krijimtarinë e tragjedianëve të mëdhenj grekë, Eskilit, Euripidit dhe Sofokliut? A mund të bëhet një formulë për ta? Për mua s'ka asnjë rëndësi kjo gjë. Kujt metodë letrare i përkasin poetët e mrekullueshëm botërorë kinezët Du Fu dhe Li Bo? Apo Lao Ce?

Po metoda letrare e Dantes si mund të klasifikohet? A është kultura dhe arti barok i shek. XVII një metodë? Bogdani dhe Budi janë shkrimtarë të mëdhenj, të nivelit evropian të shkrimit barok.

Kujt metode letrare i përkasin? Si quhet metoda letrare e Uanishadave apo e librave të shenjtë iranikë të Zarathustrës, apo e vargjeve të "Librit të të vdekurve" të Egjiptit, apo Psalmet poetike të Biblës së Shenjtë? "Libri i Jobit" mund të quhet sot një vepër postmoderniste. Si mund të klasifikohet krijimtaria e Shekspirit apo e Servantesit, apo e Bllejkut dhe e Erza Paundit? Me ç'metodë ka shkruar Uollt Witmani dhe Sent Xhon Persi. Kritikët dhe historianët e artit le të bëjnë klasifikimin.

Të gjitha këto janë një mbishtresë e dytë. Të gjitha ikonografitë formojnë shkolla e metoda, p.sh. ikonografia babilonase, egjiptiane, bizantine, por arti është diçka tjetër. Metoda e klasicizmit e ka një kult që quhet Molier. Nga mënga e Molierit doli Balzaku, që klasifikohet si i realizmit kritik. Bajroni dhe Kitci janë romantikë, por Oskar Uajlldi ka më shumë lidhje shpirtërore me Niçen, është po aq rebel sa Herakliti duke qenë poet si Shekspiri.  Xhek London është ithtar i letërsisë socialiste si hermetizëm në fillim të shek. XX.

Por kjo nuk do të thotë që Gorki është tërësisht emblemë e realizmit socialist në krijimtarinë e tij. As Majakovski dhe as Kadare dhe as Agolli. As Aragoni dhe as Pablo Neruda nuk mund të emblementohen me një metodë të caktuar.

Nuk ka patur metodë artistike më të përcaktuar gjeometrikisht dhe nga pikëpamja heriatike se sa ikonografia bizantine. Po ama ne sot mahnitemi nga një Onufër dhe nga Panselinosi. Metoda e realizmit socialist qe një shpikje ideologjike e kritikëve zyrtarë, që pati ndikime negative sidomos në krijimtarinë e talenteve mediokër.

Talentet nuk varen nga metodat as nga epokat, as nga politikat. Nëse Shekspiri lindi në periudhën elisabetiane kjo nuk do të thotë që në periudhën e sotme postindustrialiste të Anglisë të lindë medoemos një talent më i madh se Shekspiri. Migjeni është një gjeni konceptual që nuk mund të klasifikohet me formula letrare. As Xhojsi dhe as Gabriel Markezi, as Borgesi dhe as Saramago nuk mund të klasifikohen në emër të metodave letrare.

Metodat letrare janë konvencionale, por janë më tepër një mundësi e pakufishme interpretimi dhe nuk janë një realitet i mirëfilltë letrar. Shkrimtarët e ndryshëm në kohëra të ndryshme mund t'i përjetosh dhe t'i lexosh në çdo çast. Ata janë gjithnjë si tërësi dhe sintezë dhe jo veç e veç. Unë nuk besoj tek metodat letrare, nuk kam besuar kurrë tek realizmi socialist.

Metodat letrare le t'ua lemë atyre që nuk janë letrarë, por që shpesh duan monopol mbi letërsinë d.m.th. kritikëve dhe historianëve të artit. Ka diskutime të skajshme për përcaktimin e letërsisë dhe artit dhe të esencës së talenteve. Një tezë e vjetër e Brynetierit, që thotë se në art bëhet fjalë për kanone estetike par exsellence, pra kanone morfologjike-estetike të disa modeleve artistike, imitime që janë primordiale dhe për artistët, gjithsesi subjektivisht më të rëndësishëm se sa baza ekonomike, apo marrëdhëniet shoqërore në një sistem politik.

Kjo tezë ngjalli mërinë e polemistëve të ashtuquajtur të majtë në gjysmën e shek. XX siç ishte Aragoni apo dhe Malroja, që nisur nga një dogmatizëm i egër e quajtën tezën e Brynetierit si tezë idealiste dhe kundërrevolucionare. Kjo polemikë të kujton diskutimet e egra teologjike të Bizantit, ku merrej seriozisht çështja nëse kishin apo nuk kishin seks engjëjt apo dhe vetë Krishti.

Teza se gjoja arti varet nga baza ekonomike është absurde. Karakteri subjektiv i artit nuk mund të përcaktohet nga një objektivitet shoqëror thjesht ekonomik. Kjo do të thotë që realiteti ekonomik i socializmit totalitar në Shqipëri nuk mund të modelohet lehtësisht dhe të përcaktonte artin dhe substancën letrare. Kështu Brynetieri do të tallej nga ata që duke hedhur poshtë me të drejtë metodën e realizmit socialist, të mohonin letërsinë e vërtetë të krijuar nën këtë epidermë artificiale, sipërfaqe politike e propagandës zyrtare.

Letërsia shqipe ka një lloj autonomie të saj, që nga Buzuku e deri më sot dhe kryeveprat e letërsisë shqipe ndonëse janë të ndryshme dhe të dallueshme kanë më tepër lidhje brenda për brenda këtij sistemi autonom letrar, pa përjashtuar këtu edhe vetë letërsinë e quajtur si të realizmit socialist.

Kështu ndikimi i Gjon Buzukut dhe Bogdanit, i De Radës dhe Naim Frashërit ka qenë i pashmangshëm brenda për brenda të njëjtës substancë letrare, pavarësisht profileve të ndryshëm artistikë. Kjo autonomi e brendshme e vetë letërsisë shqipe duhet studiuar seriozisht. Ajo mund të shpjegojë gjithçka.

Një çështje tjetër shumë e ndërlikuar është ajo e lindjes së talenteve. Kombi shqiptar e ka në magmën e tij sekretin që e di vetëm ai, kur duhet të nxjerrë nga gjiri talentet e mëdha dhe ato të zakonshmet. Nuk mund të thuhet pse Kadare dhe Agolli lindën në gjysmën e parë të shek. XX dhe nuk lindën fjala vjen në gjysmën e dytë të shek. XXI.

Nuk mund të thuhet pse Onufri lindi në shek. XVI, dhe nuk lindi psh në shek. XII, ashtu siç nuk mund të thuhet pse Servantesi lindi pikërisht në Spanjë dhe nuk lindi në Kinë, ose pse Witmani lindi në Amerikë dhe nuk lindi në Norvegji. Këto janë sekretet e magmës së vetë njerëzimit.

Përsa i përket artit të programuar ai bazohet në sistemin e mbyllur dhe jo të hapur. Është e çuditshme që në historinë e artit dhe të letërsisë ka ekzistuar me fuqi të gjatë në hapësirë dhe në kohë një shumësi ikonografish programore. Ikonografitë programore shpesh janë modeluar nga struktura perandorake të mëdha si p.sh. në Egjypt, Romë dhe në Bizant. Ikonografia programore qe në mesjetë gati totalitare. Ikonografia programore qe edhe në perandorinë komuniste.

Por këto më tepër i përkasin superstrukturës politike. Letërsitë dhe artet kombëtare dhe të njerëzimit përherë e më shumë synojnë drejt autonomive të mëvetëshme, qoftë edhe në epokën globale e mbase edhe në epokën postglobale.

Një kthjelltësim i tillë na bën më të matur për të mos bërë përmbysje të kota dhe pa asnjë kuptim të vlerave të mirëfillta letrare dhe artistike, pavarësisht nga tiranitë dhe dogmat e metodave të ndryshme artistike. Kjo vlen edhe për Shqipërinë siç vlen edhe për vetë njerëzimin. Amen!

Janar 1991

POST SCRIPTUM: Po ribotoj kete shkrim qe nyjezon-artikulon nje problem konceptual te vecante per kulturen, letersine dhe artet.Mbas kaq vitesh shoh (kuptoj) se nje optike e tille semantike eshte e domosdoshme per vleresimin e rivleresimin e e monumenteve shqiprterore te kombit shqiptar.

Prej dy vitesh, Serbia mban të bllokuar linjën energjetike Kosovë-Shqipëri

Posted: 28 May 2018 01:06 AM PDT

Linja e interkoneksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë ka dy vjet që është inaguruar, por ende mbetet jofunksionale për shkak të bllokimit të lëshimit në qarkullim nga ana e Serbisë, thonë zyrtarët në Qeverinë e Kosovës.

Kjo linjë është shpallur e përfunduar, inauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Linja interkoneksionit 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka një shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Kjo linjë ka ka kushtuar 75.5 milionë euro. Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova dhe 42 milionë të tjera nga Shqipëria.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka thotë se trysnia e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi është rritur shumë.

Sipas tij, Beogradi po pengon zhbllokimin e linjës, duke insistuar që marrëveshja energjetike të ngrihet si çështje diskutimi në bisedimet Prishtinë – Beograd, që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

 "Jemi në diskutime e sipër. Në takimin e fundit që kemi qenë se bashku jemi pajtuar që të shikojmë edhe në një takim në nivel politik në Berlin, në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e ish ministrit gjerman për të shikuar zgjidhjen e problemit në mënyrë sa më të shpejtë", ka thënë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Po për Radion Evropa e Lirë, ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri vlerëson se në këtë drejtim po mungon një angazhim më serioz i Qeverisë së Kosovës, por që edhe Bashkimi Evropian, sipas saj, nuk po bën presion sa duhet ndaj Serbisë.

Tani kur Kosova e ka filluar procesin drejt zbatimit marrëveshjes së Asociacionit, shprehet ajo, është koha që edhe Serbia të zbatojë marrëveshjen energjetike, por edhe marrëveshjet e tjera të arritura të cilat nuk po i zbaton. Ajo tha po ashtu se Beogradi po zvarrit zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Prishtinën.

Nga moszbatimi i marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, shteti i Kosovës humb rreth 25 milionë euro në vit, thotë në anën tjetër, ministri Lluka, duke përfshirë këtu edhe bllokimin e linjës energjetike Kosovë- Shqipëri.

"Rreth 10 milionë euro nga inkasimi i tarifave të transmisionit, që energjia kalon transit përmes Kosovës, kurse Serbia i inkason mjetet në emër të Kosovës. Kemi deri 11 milionë euro që qytetarët e veriut nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar, 2 milionë euro humbin për shkak mos aktivizimit të linjës dhe po ashtu rreth 2 milionë euro që paguhen për kthimin e kredisë që është bërë investimi në rrjet", tha Lluka.

Në bazë të kësaj marrëveshje kusht për Serbinë është edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë më energji konsumatorët në katër komunat veriore më shumicë serbe. Edhe pse autoritetet kompetente të Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për regjistrimin e kësaj kompanie, Serbia nuk po  ndërmerr veprime akoma.

s.a/dita

Kjo shishe verë e 1774-s u shit këtë fundjavë për…

Posted: 28 May 2018 12:53 AM PDT

Një shishe e Vin Jaune (verë e verdhë) nga vreshtat e Jura-s, vjelje e vitit 1774 ka arritur shifrën prej 103.400 euro këtë të shtunë në një ankand në lokalitetin francez të Lons-le-Saunier dhe dy shishet e tjera të të njëjtit vit u shitën për 76.250 euro dhe 73.200 euro.

"Nuk besoja që shishet të shiteshin kaq shtrenjtë, rekordi i fundit ishte i vitit 2011 me shifrën 57.000 euro," – u shpreh shumë e kënaqur Brigitte Fénaux nga shtëpia e ankandeve Jura Enchères, organizuese e ankandit.

Të tri shishet me datë 1774 mund të jenë shishet e verës më të vjetra në botë në treg.

Brenda kanë një Vin Jaune të prodhuar nga Anatoile Vercel (1725-1786) që vinte nga një hardhi e kultivuar gjatë periudhës së Luigjit të XV dhe e vjelur gjatë mbretërimit të Luigjit të XVI.

Blerësit janë kanadezë. Shishet janë të tipit "bourgogne", pra me bazë të sheshtë dhe me qafë të hollë fine dhe me sasi prej 87 centilitër.

Janë ruajtur për më shumë se 200 vite nga pasardhësit e Anatoile Vercel në një kantinë të nëndheshme në Arbois, kryeqytetin e verërave të Jura-s.

Një degustim i kësaj vere të thatë u organizua në 1994 në Château Pécauld në Arbois nga 24 profesionistë vere. Me ngjyrë okre, me një shije arre, erëza, kerri, kanellë, vanilje dhe fruta të thata, pija e çmuar mori notën 9.4 nga 10 të plota nga specialistët.

Dy shishe nga e njëjta vjelje u shitën në 2011 në Arbois për 57 000 euro dhe në 2012 në Gjenevë për 46 000 franka zviceriane.

n.s. / dita

Tahiri, sot në Apel. Treshja e gjyqtarëve, e njëjta që i ktheu pasaportën

Posted: 28 May 2018 12:52 AM PDT

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pritet të vendosë sot nëse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duhet të vazhdojë të qëndrojë në "arrest shtëpie" apo jo.

Tre gjyqtarët e Apelit për Krime të Rënda që do të vendosin masën e sigurisë së Saimir Tahirit janë kryesuesja Saida Dollani dhe anëtarët, Sokol Binaj e Fehmi Petku.

Kjo treshe gjyqtarësh është thuajse e njëjtë me atë që i ktheu ish-ministrit të Brendshëm pasaportat që i ishin bllokuar nga Shkalla e Parë në dhjetor të vitit të kaluar, si dhe i mundësoi fitoren e betejës ndaj dy vendimeve që e ndalonin të udhëtonte përtej kufijve.

I vetmi ndryshim në këtë grup gjyqtarësh është zëvendësimi i Nertina Kosovës me Fehmi Petkun. Gjyqtarja Kosova mësohet se ka dhënë dorëheqjen.

Në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, avokati Maksim Haxhia dhe ish-ministri i Brendshëm kanë këmbëngulur për heqjen e masës së sigurisë që u dha në dy data të ndryshme.

Kanë qenë gjyqtarët Saida Dollani, Sokol Binaj dhe Nertina Kosova të cilët e kanë pranuar kërkesën e tyre, pas argumentit se nuk ka patur prova të mjaftueshme.

s.a/dita

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more