Skip to main content

“Një dasmë si mesazh politik” plus 4 more Telegrafi Opinione

“Një dasmë si mesazh politik” plus 4 more Telegrafi Opinione


Një dasmë si mesazh politik

Posted: 23 May 2018 03:51 AM PDT

Konferenca e Londrës, në pranverë të vitit 1913, kishte ndaluar përkohësisht gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe iu kishte dhënë fund aspiratave serbe për Durrësin dhe për portet tjera shqiptare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kishin ardhur ditë të mira për shqiptarët. Përkundrazi. Gjenocidi kishte vazhduar që nga viti 1912 dhe ishte ndërprerë me invadimin austro-hungarez në Luftën e Parë Botërore. Pasi kishin marr frymë nën Perandorinë që do të shuhej pak vite më pas, shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze, më 1918, e gjetën veten prapë nën thikën serbe.

Të trimëruar se nga Lufta e Madhe kishin dal të rreshtuar me fitimtarët, serbët vazhduan vrasjet, deportimet, dhunën, kolonizimin, shtypjen dhe dehumanizimin e shqiptarëve, sidomos në Kosovë. Por, mrekullia e Zotit: shqiptarët nuk po jepeshin. Ashti i fortë i kësaj race të vjetër nuk po thyhej. Gjeni i fortë, vullneti i hekurt për jetë, familja e madhe dhe e bashkuar, lidhja e pashkëputshme ndërmjet vete, po e habisnin zullumqarin serb. Edhe pas goditjeve – si masakrat e pandërprera, vrasja sistematike e krerëve, zullumi i përditshëm dhe, sidomos, pas goditjes së kolonizimit që do ta shembte përdhe çdo popull – shqiptari vazhdonte të gjallonte, të punonte, të ndërtonte veten nën një gur që do t'ia zinte gjithkujt frymën. Por, jo atij!

Në këtë situatë, pas kolonizimit serbët hodhën në tryezë kartën e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Edhe kjo goditje ishte e rëndë dhe do ta shkatërronte çdo racë. Sidomos se vinte e manifestohej me masa krejt të tjera. Imagjinoni, një njeri që po e ngufasin me një litar në fyt dhe, në këtë situatë, po ia ofrojnë me "zemërgjerësi" shpërnguljen për në Turqi. Eh, kjo do ta zhbënte çdo racë, çdo etni. Por, çuditërisht, jo shqiptarin. E pashpjegueshme sidomos me kutin matës të shekullit XXI. Dhe, meritat për këtë janë ekskluzivisht të krerëve të atëhershëm të shqiptarëve të Kosovës. Po, ata kishin frenuar shqiptarët që mos ta lënin Kosovën. Shpesh, edhe me mesazhe të koduara dhe interesante. Sepse, nuk kishte struktura politike, nuk kishte shkolla, nuk kishte gazeta, nuk kishte media tjera për ta transmetuar një mesazh të tillë.

Më i njohuri dhe më karizmatiku nga krerët e kishte dhënë mesazhin në mënyrë shumë origjinale. Pa asnjë nevojë, kur po refuzonte të nënshkruante vendimin për shpërnguljen e shqiptarëve – për të cilin refuzim, serbët e kishin vrarë pastaj – kishte filluar të ndërtonte në Bllacën e tij një shtëpi dykatëshe, me tulla dhe me material e plan që deri atëherë nuk ishte i zakonshëm. Kur vinin njerëzit t'ia urojnë shtëpinë e re, befasoheshin dhe e "qortonin" pse po ndërtonte gjithë atë shtëpi, kur ata po përgatiteshin ta lëshonin Kosovën. Ramë Bllaca i siguronte se nuk ka kurrfarë plani të tillë. Dhe, nuk kishte mesazh më të mirë sesa ndërtimi i një shtëpie të tillë madhështore për ta plasuar vendosmërinë e tij për të mos e lëshuar këtë vend të bekuar. Dhe, ky nuk ishte mesazhi i parë kësisoj. 4-5 vjet më parë, Ramë Bllaca e krerët e tjerë kishin dhënë një mesazh interesant për të mos u larguar nga Kosova. Mesazhi u dha – shih çudinë – me një dasmë.

Diku në fillim të korrikut të vitit 1933, njëri nga krerët karizmatik të shqiptarëve të Kosovës, Banush Sedllari, kishte thirr prijësit e tjerë për (në shikim të parë) përurimin e odës së tij, por aty u biseduan gjëra shumë më të rëndësishme. Aty Banushi propozoi organizimin e një tubimi të madh popullor, që do ta emërtojnë "Dasmë", ku do të ftoheshin të gjithë prijësit, krerët, bajraktarët, deputetët e burrat e njohur të Kosovës. Hajrë Karaqica nga Vukoci tha se ai do ta organizonte këtë dasmë, për martesën e djalit të tij. Harxhimet do të ishin të tij, tha Hajra, ndërsa organizimi u mbetet atyre. Dhe, u caktuan krerët që do ta ftonin shqiptarinë në këtë dasmë.

Hajra paska thanë: "Ai shqiptar që merr vesh se kam dasmë e s'më vjen, mos t'i thotë vetit se jam burrë, se unë nuk kam vetëm dasmë, por edhe tubim të shqiptarëve". Një gjë e paparë deri më atëherë, familjarisht ftohen në dasmë të gjitha fshatrat përreth. Dikush thotë se kishin marr pjesë 8,000 dasmorë, ndërsa në një libër (Fehmi Pushkolli dhe Haxhere Godeni, "Ibrahim Banush Hoxha", Institutit të Historisë Bashkëkohor i Prishtinës, Prishtinë, 2002, f.56; këto shënime dhe disa detaje më poshtë për dasmën unë i kam marrë nga libri i Mehmet Rukiqit, "Tahir Berisha", Prishtinë, 2008), thuhet se ishin rreth 30,000 veta.

Disa detaje të kësaj dasme legjendare: u blenë 1200 kilogramë bukë në furrat e Prishtinës; Banush Sedllari solli si dhuratë dy pendë qe (dema) dhe 60 copë bagëti të imta; shumë mysafirë të tjerë po ashtu sollën desh e dele; nga pasuria e Hajrës u prenë 25 pendë qe (dema); tenda që u ndërtua për mysafirët zinte një hektarë (10,000 metra katrorë); vetëm për shërbime, pritje e përcjellje dhe për dhuratat e dasmorëve ishin caktuar mbi 1,000 vetë; aty ishin rapsodët e gjithë rajonit të prirë Bajram Sadiku e Ali Paci të Drenocit të Malishevës; kishte valle popullore, humor, lojëra humoristike e binxhinjtë luajtën atllarët edhe brenda tendës gjigante; dy bunarë ishin mbushur me sheqer për të nxjerrë sherbet me kova; mysafirët u shpërndanë për të fjetur në një rreze prej 10 kilometrash; kur Ramë Bllaca, Shaban Polluzha, Iljaz Agushi e krerët e tjerë po u prinin dasmorëve dhe kishin mbërri te miku në Komoran (nga Kishnareka), afër 12 kilometra, dasmorët e tjerë ende s'ishin nisur nga tenda në Vukoc; kishte 50 magjetore; disiplina ishte në nivel të lartë; asnjë nuk u hidhërua; asnjë fëmijë nuk u dëgjua duke qarë. ("Tahir Berisha", Prishtinë, 2008)

Kur e pyetën Hajrë Karaqicën për arsyen pse e kishte bërë këtë dasmë të madhe për martesën e djalit të tij, Ilazit, me nusen Sala Ferati, të bijën e Dah Feratit nga Komarani, Hajra iu përgjigj: "Sepse Banush Sedllari, Ramë Bllaca, unë e shumë dashamirë dëshiruam të gjejmë një mënyrë si t'i bashkojmë shqiptarët. Për ata, ia ngjitëm emrin 'Dasma e Madhe'! (po aty)

Kjo dasmë pati jehonë të madhe; për të kishin shkruar gazetat e Shkodrës dhe aty pati edhe gazetarë të huaj. Njerëzit e trajtuan atë si një miting të madh popullor, që kishte qëllimin të jap një mesazh. Një mesazh politik, një mesazh për t'u treguar shqiptarëve se ky ishte vendi i tyre dhe, pavarësisht dhunës, programeve, nxitjeve dhe presioneve të serbëve, shqiptarët duhet të mos lëvizin nga Kosova e bekuar. Dhe, pranohet botërisht se ky mesazh, bashkë me shumë të tjera – shtëpia e Ramë Bllacës, mes tjerash – ia ka arritur të ndalojë në masë të madhe shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës për në Turqi. Lagjet e Vukocit, sipas deklarimit dhënë autorit të librit që citova, paskan thënë se para dasmës së Hajrës e kishin qitë tokën në Pazar për të shkuar në Turqi.

Sa keq që sot, edhe pse në kushte shumë më të favorshme, nuk kemi krerë të tillë; përkundrazi sot e kemi një pari që me veprimet e veta po e zbraz Kosovën, tash në një drejtim tjetër – në Perëndim.
Sa keq që sot të rinjtë e Kosovës dinë për çdo detaj për dasmat e martesat glamuroze të familjeve botërore, por nuk dinë se në një fshat në qendër të Kosovës ka pasë një dasmë që për nga madhështia ka qenë mbretërore dhe për nga rëndësia, mobilizimi, organizimi e, sidomos, mesazhi, ka qenë pasuri kombëtare.

Pasuri kombëtare, prej sojit të të cilave kemi hequr dorë moti, vullnetarisht…

The post Një dasmë si mesazh politik appeared first on Telegrafi.

Presidenti dhe Sellma

Posted: 23 May 2018 03:46 AM PDT

Kështu pra, u rrit më në fund edhe paga e Presidentit. Kryeministri dhe njëzetenjë ministrat dhe dy herë nga dyzet zëvendësministrat, duhet të presin edhe pak. Veç derisa të këndellet ekonomia jonë. Këmishë e kollare ka mjaft edhe sa për këtë mandat. Dilemat se kah me i marrë paret për me i rritë pagat, kur ekonomia nuk po e ndjek ritmin e debateve nëpër portale, televizione e në Parlament, është dilemë e paqenë. Për kryet e punës gjendet mënyra. Deri tash politika ka marrë nga donacionet, nga buxheti, nga ndërmarrjet publike, nga krejt çka është publike, e tash nuk ka më se nga, kështu që jemi në krizë… prej nga me i rritë rrogat?

Për me e rrit rrogën e presidentit duhet të ulen rrogat në biznese, qofshin ato publike apo edhe private, sepse edhe privatit i rritet haraçi që duhet të paguajnë te politika, dhe për të mbijetuar ata nuk do të ulin fitimin e vet, por gjithsesi do prekin te rrogat. Propaganda gjithëpërfshirëse, me gëzimin masiv për uljen e pagave në kompani publike, i ka rehatuar edhe sindikatat në kompanitë private të cilat sikur nuk ekzistojnë kur është fjala për kushtet e mjera dhe pagat mikroskopike në sektorin privat. Punëtorët e kanë kuptuar se aq e ka kaçikun biznesi ynë. Shteti është superfuqi. Kur nuk mundet shteti, ku privati. Ani pra kompanitë private po i gëlltisin ato publike. Fillimisht bëhen publiko-private, pastaj krejt private. Pronë e politikës, me një fjalë.

E, presidenti po, ai duhet gjithqysh me u dukë perfekt kur të takohet me bosët e tjerë të rajonit. Edhe ne kemi kalë për garë, thotë fjala e moçme. Fytyrë është kjo. Ai i përfaqëson si është më së miri krejt komplekset tona kolektive. Luks dhe shkëlqim për oligarkinë dhe të gjithë ne duhet të punojmë për këtë. Pakashumë, politika është si dita e grave në dasmë. Të hënën duhet me i renditë nuset dhe nuk bënë me u koritë. Po të jetë nevoja duhet me e shitë edhe lopën që milet, e me ble dukat. Krejt me kujtua që jetojmë si familja mbretërore angleze. Jemi apo nuk jemi shtet?

Pastaj, ne jemi vend kapitalist dhe socializmi ka vdekur. Nga socializmi na ka mbetur vetëm mendësia politike dhe trashëgimia politike. Edhe fiset janë (rin)gjallë. Kombinim fatal!

Nejse, populli ynë ka edhe gajle të tjera të cilat me ndërhyrjen edhe të faktorit ndërkombëtarë dalëngadalë po i zgjedh. Për shembull kjo puna e grimit doli të jetë po aq me rëndësi jetike, se edhe falimentimi i mundshëm i kompanive publike, apo dialogu në qorrsokak.

Kush ka të drejtë: Arbana apo Sellma? Qysh me fjet njeri me këtë dilemë? Po të pyesje se cila duket më bukur, ndoshta dilema do të kishte më pak, por kur pyet se kush ka të drejtë kjo po që është dilemë, sepse po dalin në sipërfaqe dilema jo veç estetike, por edhe etike, e besa edhe politike. Plot dilema jeta jonë! Përfundimisht mediat nuk na lënë me fjet, janë bërë aleatët më të mëdhenj të krimit dhe të industrisë së paorganizuar farmaceutike. Apo është organizuar tashmë, pas sulmeve kundër revolucionare të Hetemit, në sistem?

Nejse, stres, pagjumësi, pastaj vijnë pasojat e "ëmbla" të stresit dhe njeriu po mbushet, po trashet, po shton në peshë dhe përfundon domosdo në programe ushtrimesh apo në dieta ekstreme. Bukuria është biznes. Ndërkohë që fytyra e politikës shëmtohet, pa grim, duhet me shkua te Sellma. Kemi hyrë ne rreth vicioz nga i cili nuk dilet. Pra, Arbana apo Sellma? Harroji dilemat e paqena të politikës, grindjeve në ekran e puthjeve pas ekrani.

Ra martesa e princit britanik, si sebep, dhe u alarmuan edhe grimueset e famshme te ne, sidomos për çmimet e tyre astronomike, bashkë me dizajnerët e shumë profesione të tjera të cilat gjallërojnë dhe begatohen falë parapolitikës tonë dhe snobizmit të saj. Përpjekje mitike me e ba të bukur, politikën! Politikë me fytyrë, tallava. Arbana edhe nga Amerika po e përzien detin.

Mos e dhashtë Zoti të kujtohen miqtë tanë, e vëllezërit e politikës tonë, ata nga Lindja, me ndërhy në këtë luftë dhe me e ringjallë traditën tonë otomane të lyerjes së politikës me të bardhë të zhivës, se ashtu vdes krejt mega-biznesi i zbukurimit të oligarkisë vendore dhe segmenteve të tjera mbarëkombëtare, e ndërkombëtare që zbukurohen përmes Kosovës.

Por, përse në titull, presidenti dhe Sellma, do pyesni? E pse jo? Kot! Duket se parim bazik i Olimpit te ne është se kë e kritikon më shumë, e do më shumë. Ose do ta duash në të ardhmen. Kështu që mund të pritet së shpejti të shohim Arbanën të bërë akull, duke dalë prej sallonit të Sellmës krah për krah, e duke qeshur me të madhe me këdo që këtë (mos)marrëveshje çasti e kishte pa si një armiqësi të re pikante, në skenën tonë qytetare e (mbarë)kombëtare. Politika nuk mbijeton pa lemzë e pa stres. Të gjithë duan me i përmend, qoftë edhe kot…! Lartmadhëri, më shaj në vesh, e luste dikur Nastradini mbretin!

Presidenti po ankohet se mediat po merren me të. Edhe për fara të kungullit po të shkruajnë, presidentin e përmendin. E qysh mos me u marrë? Olimpi për gjithçka ka faj! Për gjithçka që pretendon se ka merita…!

The post Presidenti dhe Sellma appeared first on Telegrafi.

Sa është vlera e shtëpisë tuaj dhe ku është vendi më i shtrenjtë në botë për të jetuar?

Posted: 23 May 2018 01:30 AM PDT

Alan Fox

Ka statistika të shumta në lidhje me vendet më të shtrenjta në botë kur bëhet fjalë për blerjen e shtëpive. Disa thonë se Monako është vendi më i shtrenjtë, ndërsa të tjerë pretendojnë se është Hong Kongu, Nju Jorku ose Londra.

Përgjigja e saktë është e thjeshtë. Është Londra, e cila është shumë larg nga vendet tjera, dhe ka shumë arsye pse. Nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë mes dy pronave të ngjashme në zonat luksoze të Londrës dhe Nju Jorkut, ne mund ta kemi një ide se si funksionon vërtet kjo.

Një apartament luksoz me një dhomë gjumi në Lincoln Square Manhattan, përafërsisht me 100 metra katrorë do t’ju kushtojë rreth 1.8 milion euro, ndërsa një pronë me madhësi të ngjashme në Belgravia London do të kushtojë rreth 4.2 milion euro.

Në anën tjetër, në Monako do të kushtojë njëjtë si në Londër, përveç se në Monako ju do të keni një pamje mahnitëse të Mesdheut, ndërsa në Londër dhe Nju Jork ju do të merrni frymë në një përzierje mes monoksid karbonit dhe naftës deri në ditën që ju vdisni.

Por, ka një ndryshim të madh, dhe të gjitha këto kanë të bëjnë me ligjet shumë arkaike të pronësisë që ekzistojnë në Britaninë e Madhe, në vend se vetë vlera e pronës.

Kur blini një shtëpi në Nju Jork, Monako ose Hong Kong, bëhet e juaja. Ti e zotëron atë plotësisht dhe është e jotja përgjithmonë.

Kur blini një apartament në Londër, ajo me siguri do të jetë në një qera, që do të thotë që ju kurrë nuk do ta zotëroni atë, dhe ky është çmimi i fshehur që e bën Londrën aq të shtrenjtë.

Një qira në Londër mund të ndryshojë diku midis 5 dhe 125 vite mesatarisht, edhe pse natyrisht ka përjashtime. Një kontratë qiraje është si një licencë e cila është hartuar në kohë feudale për të mbrojtur pronarët e tokës që lëshojnë vendin me qira. Ky ligj shumë i lashtë ekziston edhe sot për të njëjtën arsye. Natyrisht, mund ta zgjasni qiranë ose ta blini atë pronë, por kjo gjithashtu mund të jetë shumë e shtrenjtë varësisht nga sasia e kohës që iu mbetet në qira. Dhe nëse nuk jetoni në atë pronë, atëherë nuk do të keni të drejtë për ta blerë atë. Kompleks dhe i mençur, ky ligj ishte projektuar për të mbrojtur të pasurit, dhe funksionon.

Londra ka qenë gjithmonë një qytet shumë dinamik, veçanërisht kur vjen puna te prona. Mes viteve 1998 dhe 2008, çmimet e pronave në Londër gati u trefishuan. Që nga viti 2008, kur krizat globale financiare gati rrëzuan ekonomitë të tëra, çmimet e banesave të Londrës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme me pothuajse 15-20% rritje. Kjo ka qenë kryesisht për shkak të numrit të madh të blerësve të huaj, kryesisht kriminelëve rusë që përdorën tregun e pronës së Londrës si një mënyrë për të pastruar paratë e tyre, dhe natyrisht furnizimin dhe kërkesën e përgjithshme.

Gjatë 20 viteve të fundit, bankat kanë ofruar shuma të mëdha parash në dispozicion në mënyrë specifike për të dhënë hua për blerjen e pronës, me norma shumë interesante të interesit, ndonjëherë deri në 1.5%. Me norma të tilla të ulëta interesi, kanë bërë blerjen e një prone të përballueshme dhe të gjithë arritën në shkallën e pronësisë. Çmimet e shtëpive u ngritën.

Tregu i pronësimit në Kosovë, sidomos në Prishtinë po zhvillohet gjithashtu me shpejtësi të madhe. Por, çfarë drejtimi po merr, kur do të mbarojë, dhe më e rëndësishmja, si ndikon në xhepat tonë.

Shihet se kosovarët kanë një oreks të madh për blerjen e pronave, dhe kjo është një gjë e mirë. Pronësia ka qenë gjithnjë shumë e inkurajuar në Britani dhe Amerikë gjatë 30 viteve të fundit dhe pavarësisht nga disa recesione, tregu i pronës ka qenë gjithnjë pjesa e parë e ngritjes së ekonomisë, dhe kur ekonomia ngritet, çmimet mbërrijnë majat.

Nëse keni blerë një apartament me dy dhoma gjumi në zonën 2 ose 3 në Londër, 20 vjet më parë, do të keni paguar 70.000 euro për atë. Sot, ai apartament i njëjtë mund të jetë me vlerë 800,000 euro, varësisht nga zona se ku ndodhet. Pra, nëse nuk mendoni se prona juaj do të rritet në vlerë, thjesht prisni.

Çelësi i çmimeve të banesave është likuiditeti në sistemin bankar dhe si bankat bëjnë kreditimin e pronave më të përballueshme dhe shumë më të lehtë për të aplikuar, atëherë oreksi për blerje do të rritet.

Dhe nuk ka dyshim se bankat në Kosovë po bëjnë një ndryshim. Në vitin 2005 normat e hipotekës në Prishtinë ishin përafërsisht 10% -12%, që sigurisht ishin mjaft të larta. Sot këto norma janë të ulëta deri në 3.99%, dhe ato mund të zbresin edhe më shumë.

Një tjetër gjë, që sigurisht ndikon në blerjen e një prone është shuma e depozitimit që nevojitet, e në Kosovë është ende midis 20-30%, ndërsa në Britaninë e Madhe mund të jetë aq e vogël sa 5% për blerësit e parë.

Pra, varet tek banka për ta stimuluar tregun, dhe me norma interesi më të ulëta dhe depozita më të ulëta, atëherë tregu mund të lulëzonte për vite me radhë.

Në fund të fundit kjo është e mirë për të gjithë, sepse një treg që lulëzon, do të thotë më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura për komunën. Dhe mos u shqetësoni për recesionet, sepse ato janë gjithmonë të përkohshme.

Për momentin duket se ka furnizim të bollshëm të apartamenteve në Prishtinë, por kërkesa është ende e fortë dhe cilësia e ndërtimit duket se po përmirësohet ngadalë. Nëse jeni në treg për të blerë banesë, atëherë kërkesa është gjithmonë e njëjtë. Lokacioni, lokacioni, lokacioni, i ndjekur nga dizajni i mirë dhe ndërtimi cilësorë. Qëndroni me këto rregulla të thjeshta dhe shtëpia juaj pothuajse me siguri do të dyfishohet në vlerë gjatë 10-15 viteve të ardhshme.

Sot, një dhomë gjumi në periferi të Londrës mesatarisht do t’ju kushtojë rreth 400,000 euro si çmim fillestar. Në anën tjetër natyrisht që është e kundërta. Le të pretendojmë se jeni oligarkë rusë pa kufizim në buxhetin tuaj dhe krahasoni çmimet ndërmjet Londrës, Monakos dhe Nju Jorkut. Në majën më të lartë të tregut të pronës, është një apartament 3000 metra katror në La Tour Odeon Monako, i cili do t’ju rehatojë për 270 milion euro. Krahasoni atë me apartamentin më të shtrenjtë që ofrohet në Shtëpinë e Admiralty në Londër, me vetëm 1500 metra katrorë, dhe do t’ju kushtojë173 milion euro.

Pra nuk është një ndryshim shumë i madh, do të mendonit. Por sigurisht që është, sepse në fund të ditës, apartamenti i Shtëpisë së Admiralit në Londër nuk do të jetë me të vërtetë i juaji, dhe kur qiramarrja të mbarojë, kështu do të jetë edhe e drejta juaj për të jetuar atje.

(Alan Fox, zhvillues urban dhe themelues i ChelseaPoint & Bernica Park)

The post Sa është vlera e shtëpisë tuaj dhe ku është vendi më i shtrenjtë në botë për të jetuar? appeared first on Telegrafi.

Miliarderi Soros – emigrant bamirës apo demagog i majtë?

Posted: 22 May 2018 01:58 PM PDT

Jefferson Chase

Miliarderi amerikan me origjinë hungareze, Xhorxh Soros, shihet si shpirti i bamirësisë për disa, ndërsa për të tjerë është një djall i maskuar. Emigranti 87-vjeçar, prej vitesh një miliarder amerikan, është tashmë një nga figurat më të debatueshme në botë. Sorosi lindi në Budapest, me emrin Gijorgi Shvarc, në vitin 1930. Prindërit e tij ishin familje laike e shtresës së mesme, të cilët e ndryshuan emrin në diçka që tingëllonte më pak hebraike, Soros, pas rritjes së anti-semitizmit në Hungari. Kur Gjermania naziste pushtoi Hungarinë, në vitin 1944, familja falsifikoi dokumente të krishterësh dhe u nisën sa më larg të mundeshin nga vdekja e Holokaustit.

Babai i Sorosit njihet si personi që u ka shpëtuar jetën shumë hebrenjve të tjerë hungarezë. Në vitin 1947, Sorosi hyri në Shkollën Ekonomike të Londrës, ku studioi me filozofin e njohur austro-britanik, Karl Popper, një mbrojtës i fuqishëm i demokracisë liberale dhe kritik i njohur i sistemeve totalitare e autoritare. Popper ka reklamuar edhe parimin e refleksivitetit, që thotë se veprimi i të vëzhguarit e ndryshon objektin nën vëzhgim, një parim që Sorosi e ka përdorur në ekonomi. Sorosi e ndryshoi logjikën tradicionale, atë që çmimet reflektojnë bazën e ekonomisë, duke argumentuar se çmimet janë ato që drejtojnë zhvillimin ekonomik. Në librin e tij, "Sorosi për Sorosin", në vitin 2005, ai shkruan: "Ideja mbizotëruese është që tregu ka gjithnjë të drejtë. Qëndrimi im është i kundërt. Unë nisem gjithnjë me mendimin që tregjet e kanë gabim. Edhe hamendësimi im është ndonjëherë gabim. E përdor si hipotezë pune". Sorosi u bë investues gjatë viteve 1960 dhe bëri miliona dollarë me fonde investimi. Gjatë viteve 1990 bëri miliarda duke shitur aksione të huazuara nga sterlina britanike, për të cilën mori nofkën "njeriu që theu bankën e Anglisë". Sa më shumë rritej pasuria, aq më shumë i shtonte veprimtaritë bamirëse, duke ngjallur po aq debate. Në vitin 2017, vlera e bizneseve të tij arrinte 21 miliardë euro, duke u renditur mes 30 personave më të pasur në botë. Por 80% të asaj shume e ka falur për bamirësi, kryesisht nëpërmjet shoqatave.

Fondacioni Shoqëria e Hapur është një grup shoqatash bamirëse, aktive në të gjithë botën, që merren me "praktika demokratike", "të drejtën për t'u informuar dhe të drejtat digjitale", si dhe "Reformën në Drejtësi dhe vendosjen e rendit ligjor". Shoqatat e mbështetura prej tij kanë prirjen të pasqyrojnë idetë liberal-demokratike e progresiste të Sorosit, të bazuara në formimin e tij personal. Sorosi ka nisur të mbështesë organizata demokratike në Europën Lindore që para se të binte sistemi komunist. Në vitin 1984 ai nisi të dhurojë makina fotokopjesh, të paguara prej tij, për grupet disidente në Hungari. Që atëherë ka ngritur fondacione e ka dhuruar me qindra miliona dollarë për organizatat pro-demokratike në të gjithë lindjen pas-komuniste.

Sorosi ka themeluar edhe Universitetin Qendror Europian, që ka degë në Nju Jork dhe Budapest. "Rreziku politik është shumë i madh, dhe rritja e së djathtës ekstreme, me shovinizëm e ksenofobi, është zhvillim shumë shqetësues", tha ai për Financial Times në vitin 2009. Fondacionet e Sorosit kanë mbështetur nisma për paqe në Lindjen e Mesme dhe s'është ndonjë adhurues i madh i Izraelit. Një herë ka thënë për Nju Jorker Magazine: "Nuk e mohoj të drejtën e hebrenjve për të pasur ekzistencën e tyre kombëtare, por nuk dua të bëhem pjesë". Në të njëjtën kohë ka shkruar: "Jam krenar që jam hebre. Edhe pse duhet ta pranoj që më është dashur pothuajse një jetë që të arrij në këtë pikë".

Vitet e fundit, Soros është angazhuar në shumë çështje të politikës progresive në SHBA. Fondacioni i tij i ka dhuruar fonde organizatës MoveOn, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Në një intervistë të datës 2003 ai ka deklaruar se "Partia e Republikanëve të Amerikës ishte kapur një nga tufë ekstremistësh". Sorosi ishte gjithashtu kundërshtar i fortë i Brexit. Ai ka dhuruar fonde për shumë grupe që vepronin kundër shkëputjes së Britanisë nga BE-ja. Por në kundërshtim me këtë, në vitin 2013, Sorosi tha që Gjermania duhej ta linte monedhën e përbashkët, Euron, që shtetet anëtare në vështirësi të kishin më shumë fleksibilitet në përpjekjet për t'i shpëtuar borxheve të stërmëdha.

Të thuash që këto ide i kanë dhënë Sorosit shumë armiq të fuqishëm, është pak. Pikëpamjet që ka i kanë vënë kundër zemërimin, shpesh shumë helmatisës, të udhëheqësve të së djathtës ekstreme nga e gjithë bota, që nga Viktor Orbani i Hungarisë e deri te Benjamin Netanjahu i Izraelit, si dhe të populistëve të tjerë në SHBA, Britani dhe kudo tjetër. Orbani e vuri Sorosin në qendër të fushatës për t'u rizgjedhur kryeministër i Hungarisë, duke luajtur me stereotipat anti-semitike, dhe duke e akuzuar amerikanin se po përpiqej ta shkatërronte shoqërinë tradicionale hungareze duke mbështetur emigrimin në masë të të huajve në vend.

Qeveria e Orbanit ka miratuar ligje kundër veprimtarive të Sorosit në mënyrë të posaçme, duke ia mbyllur dyert organizatës "Shoqëria e Hapur" në Budapest e duke i detyruar të zhvendosen në Berlin. Ministri i Jashtëm izraelit e ka akuzuar Sorosin se përpiqet vazhdimisht të minojë qeveritë e zgjedhura me vota demokratike në Izrael, duke financuar grupe që baltosin shtetin hebre e duke mohuar të drejtën e izraelitëve për t'u vetëmbrojtur. Populistë të djathtë në Amerikë, si drejtuesi i emisioneve mediatike, Glenn Beck, kanë folur për teori komploti të sofistikuara, duke e quajtur Sorosin "truri" që tërheq fijet për të imponuar agjendën progresiste nëpër botë, kundër dëshirës së popujve.

Olga Deutsch, Drejtoresha e NGO Monitor Europe, një grup pro-izraelit në Jerusalem, thotë për DW se Fondacioni Shoqëria e Hapur shkakton debate për faktin sepse është një aktor i fuqishëm në proceset politike të vendeve të ndryshme të botës, dhe shpesh pa transparencë. Por edhe kritikë të Sorosit, si NGO Monitor, e pranojnë se ndaj tij ka armiqësi të pajustifikuar, sidomos në Hungari, e cila ka qenë shqetësuese dhe me elemente anti-semitike. Thuhet gjithashtu që Sorosi ka shumë mbështetës nëpër botë që shërbejnë si shpifës. "Unë e njoh shumë mirë Fondacionin Shoqëria e Hapur dhe ata janë model për transparencën", thotë Felix Oldenburg, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Federale të Fondacioneve në Gjermani. Armiqësinë ndaj Sorosit ai e quan "përçmim i ulët ndaj të pasurve". Në vitet e fundit, si avokat i vetëshpallur i "shoqërisë së hapur", Sorosi ka tërhequr vetë vëmendje të madhe, duke i përçarë politikanët e majtë e të djathtë në debatin për mënyrën se si duhet të jetë demokracia e kohëve moderne. /TCH/

The post Miliarderi Soros – emigrant bamirës apo demagog i majtë? appeared first on Telegrafi.

Kur vendi mbulohet nga nata

Posted: 22 May 2018 12:39 PM PDT

Është një poezi e famshme e Bodëlerit (Baudelaire) me titullin "Spleen" që shenjon melankolinë e thellë, mërzitjen pa shkak, një lloj neverie që e kap njeriun ndonjëherë edhe pa asnjë arsye. Veçanërisht një vuajtje të papërballueshme e kanë quajtur kritikët gjendjen shpirtërore që shfaq kjo poemë e tij.

Po sidomos katër vargjet e para vizatojnë një imazh të errët e të trishtë që vështirë të ndeshet kund : « Kur qielli i rëndë dhe i ulët rëndon si një saç/mbi shpirtin që lëngon në mërzitje pa fund/ Dhe nga horizonti që mbyllet si një rreth/ derdhet mbi ne një ditë më e zezë se nata. » (Ky është një përkthimi i lirë i imi.) Pra, përfytyroni një qiell të errët, të nxirë, që ngjet me një kapak gjigand, një horizont të mbyllur si një rreth i zi dhe që andej jo të lindë, po të derdhet një ditë që nuk është me dritë, por e zezë dhe më e errët se nata.

E solla këtë strofë të Bodëlerit i bindur se çdo krahasim çalon, por i sigurtë që në qoftë se do të donim të krijonim një imazh të shpirtit të shqiptarëve që lëngojnë në këta vjet nën regjimet që u instaluan pas rënies së diktaturës, në të gjitha rastet, kush e kush më shumë nxiton të hedhë një rrëke të zezë mbi këtë vend për ta paraqitur atë, ashtu siç thotë Bodëleri, me një ditë më të zezë se nata. Mirëpo veçanërisht në këto vite, pra qysh kur Sali Berisha u largua nga qeverisja dhe Lulëzim Basha u emërua prej tij kryetar i PD-së, në këtë vend, thuajse në çdo sekondë e minutë, në çdo orë e ditë, mbi fytyrën tonë bien copëra plehrash, mbetjesh fjalësore, klithma çnjerëzore dhe tinguj që vizatojnë një Shqipëri makabre, një vend që, nëse i merr seriozisht ato që hidhen nga horizonti i mbyllur si një çark, dëshpërimi i Bodëlerit do të dukej një luks. Me të drejtë ka ardhur koha të pyesim seriozisht, ne shqiptarët jemi të gatuar kështu keq, pra nuk njohim institucionet dhe nuk na e ndien për to apo kjo është një fazë kalimtare.

E njëjta histori edhe në Kosovë. Edhe atje ligjërimi publik e ka ndarë klasën politike në dy kampe, në banditë dhe në ëngjëj të trishtuar. Në Shqipëri opozita e përdalë dhe e çartur mendsh ka pesë vjet që reciton nga mëngjesi në darkë të njëjtin tekst, krim, drogë, mafie, dhe tani në fund edhe Babale. Në Kosovë, edhe atje, banditë që kanë vrarë, kriminelë të rinj me kollare që kanë vjedhur pasurinë publike dhe të dyja vendet, nëse i merr seriozisht, të ngjajnë me lagjet e Palermos apo të ndonjë qyteti meksikan ku njëri grup i mafies lufton kundër grupit tjetër.

E kam shumë të vështirë të kuptoj se çfarë është ky sistem shoqëror që po jetojmë. E kam të pamundur të kuptoj se çfarë është roli i opozitës në një vend normal. Cila është pesha e institucioneve të tjera në një vend të tillë. Po Parlamenti ky është ? Ky që shohim tani ? E them me plot gojën, nëse ky është parlamenti që ne paskemi ëndërruar kur përmbysëm diktaturën, unë e refuzoj dhe do të parapëlqeja çdo formë tjetër të organizmit të jetës politike, por jo këtë demokraci dhe jo këtë Parlament.

Nëse ka një shqiptar të arsyeshëm që mund të thotë një fjalë pozitive për këtë Parlament, unë i tërheq fjalët e mia. Si është e mundur që njerëzit më të paguar në këtë vend, mblidhen një herë në javë dhe japin shfaqjen më të shëmtuar, më të ndyrë dhe ua errësojnë jetën shqiptarëve duke u derdhur mbi fytyrë një natë të errët më të errët se errësira.

Fjalët që njerëzit nxjerrin nga goja janë në të njëjtën kohë edhe nxitëse për veprim, por mund të kthehen edhe në ndotje të rrezikshme për ambientin. Filozofët e ligjërimit kanë vënë re me kohë se veprimet që kryejnë njerëzit janë të ndryshme nga rrëfimet që ata bëjnë për to. Njerëzit jetojnë në dy realitete paralele ; njëri është ai që e jetojnë fizikisht, pra të shkosh në plazh, të lexosh, të flasësh në auditor, shkurt, të gjitha veprimtaritë që kryejnë njerëzit në një kohë të caktuar dhe jeta tjetër është rrëfimi i këtyre veprimeve. Gjëja e parë që kanë vënë re filozofët e ligjërimit është konstatimi për autorin e rrëfimit apo të rrëfimeve.

Siç mund ta marrim vesh nga kjo paraqitje e shkurtër, jetën e gjithsësecilit nga ne nuk e tregojmë dot, por ama gjithësecili nga ne e ka një rrëfim të vetin për atë që kryen. Ndërkaq, në vendet demokratike, mediat e gjithëfarëllojshme e nisin veprimtarinë e tyre për të treguar atë që ndodh në jetën e njerëzve. Mirëpo, meqenëse ajo që ndodh është një shumësi e madhe, atëhere mediat, normalisht, vendosin kriterin e përzgjedhjes dhe ky kriter përcaktohet më së shumti edhe nga parapëlqimet e autorit apo të autorëve e të pronarëve të këtyre mediave. Në një demokraci banale si kjo e jona, partitë politike hyjnë me arrogancë në rrëfimin e jetës së shqiptarëve dhe bëhen ato autore të rrëfimit të jetës së tyre. Mirëpo, meqenëse këto parti politike nuk janë ndërtuar mbi asnjë platformë besimi dhe meqenëse në to, në shumicën e herës mësyjnë njerëz pa integritet moral, rrëfimi i tyre mbështetet mbi gënjeshtrën dhe manipulimin.

Popujt e mëdhenj dhe të qytetëruar kanë disa cilësi morale të shenjta që nuk preken. Një prej tyre është kjo që popullin tënd nuk duhet ta gënjesh, që kushtetuta është e shenjtë dhe Shqipëria mbi të gjitha. E shoh që edhe vetë po bie në romanticizëm abstrakt dhe e di që sot është modë të shash e të shkatërrosh me fjalë gjithçka. E di këtë. Ajo që ende nuk arrij ta kuptoj është kjo : si ka mundësi që një forcë politike apo një opozitë e tërë, e ngre gjithë veprimin e saj politik mbi dhunën e fjalëve, mbi gënjeshtrën dhe manipulimin.

Si ka mundësi që një opozitë e tërë pretendon se e ka ajo monopolin e së vërtetës kur dihet që ka shkaktuar Marsin e vitit 1997, Gërdecin, ka vrarë në Bulevard 4 demonstrues dhe ka vjedhur 220 million euro në Rrugën e Kombit. Nëse kjo opozitë e konsideron vetën si kapomafia e gjysmë qytetiti meksikan apo të ndonjë qyteti siçilian, atëhere paskemi marrë fund të gjithë dhe nuk e paskemi ditur se duke rrëzuar diktaturën do të instalonim banditët dhe injorantët me kollare.

The post Kur vendi mbulohet nga nata appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more