Skip to main content

“Politikuajt” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Politikuajt” plus 1 more Telegrafi Opinione


Politikuajt

Posted: 25 May 2018 02:38 AM PDT

Leonora Laçi

Fillimisht po i kërkoj ndjesë kalit (që po i bie në qafë) si kafshë fisnike shoqërues i njeriut dhe bashkudhëtar i tij.

Kali është përdorur për transportim mallrash, është përdorur nga kalorësit në luftë, është zbutur e stërvitur për punë të ndryshme në zonat rurale, edhe Gjergj Kastrioti e përdori në betejat e tij.
Por, tashmë gjërat kanë ndryshuar, kuajt tanë kanë marrë status politik e i quajmë politikuaj. Po, po, politikuaj bashkëkohorë që flasin, japin mendime, i rrahin ato, pinë puro, hypin në mjete me katër rrota, nuk i tërheqin më ato me dy, kanë kostum, kanë imunitet, janë të rrumullakosur, e vetmja gjë që nuk i ka ndryshuar nga kuajt real është shikimi i kufizuar me mospasje të drejte për të parë majtas apo djathtas, imponimi i drejtimit nga i do qejfi udhëheqësit.

Politikuajt tanë vetëm hungrijnë për sportivitet e pa asnjë efekt të mëtejshëm. Politikuajt e shfaqjes së së enjtes të bëjnë të qeshësh e të qash. Të qeshësh me manjakllekun e tyre që bëjnë sikur i interesojnë interesat e shqiptarëve, dhe të qash kur vëren se sa fallco janë, sa stonojnë fjalët e tyre me veprimet konkrete, fjalët mbërrijnë finishin ndërkohë që veprat ende janë në nisje apo thjeshtë të hedhura keqas në letër.

Politikuaj që politika i ka kapërcyer në qafë, politikuaj që as vetë nuk e dinë për çfarë janë aty, në shenjë revolte ndërrojmë stacion televiziv kur i shohim, por nuk i mbyllim dot gojën, se mjafton të hapesh rrjetet sociale dhe i ke prapë live, janë bërë si e keqe e pashmangshme, por dalja në rrugë na e mëson të vërtetën që është shumë larg parlamentit e politikuajve.

Parlamenti vendzbarkimi i politikuajve duhet të jetë funerali ku i gjendesh pranë njerëzve për dhimbjet e tyre dhe jo vendi i gajasjes. Ka politikuaj që ende nuk janë të vetëdijshëm çfarë do të thotë të jesh përfaqësues, ka ca të tjerë që janë të gurdisur, e shohin si një pune part-time kur ndërkohë duhet të jenë aty ku elektorati i thërret, ti duhet të shkrihesh për ato vota që more dhe jo të mos shihesh më rrugëve të qytetit, jo të kesh bezdi nga kërkesat për punësim dhe nga shqetësimet e njerëzve.

Në emisionet humoristike ironizohen njerëzit e politikës sepse kanë "audiencë", por a nuk mjafton "audienca" që kanë çdo ditë, që t'i japim hapësirë dhe në vende që nuk i takojnë?!

Ndryshimi mes emisionit homoristik dhe parlamentit është se të enjtave në parlament luhet shfaqje pa regjisor, aktorët janë të natyrshëm, çdo perlë qe nxjerrin nga goja e kanë improvizim të çastit, shpesh herë.

Show me arrestime, show me negociatat, show me mediat, show me takimet, show me prerje shiritash, show me perkujtime të luftës e show me përkujtime të vuajtjes.

Teatri na është ftohur, aktorët profesionistë kanë hapur krahun, sepse politikuajt ia kanë marrë në kthesë artin e profesionin.

Vetëdija e politikuajve është në nivele të tilla sa askujt nuk po i bënë më përshtypje. Politikuajt bëjnë gjithçka përveç asaj për të cilën janë zgjedhur, bëjnë gjithçka mbrapsht, i kthejnë përmbys ligjet kur luftohen, i kthejnë përmbys institucionet e pretendojnë se janë Zoti mbi tokë ! Ndaluni, Shqipëria nuk është e juaja, nuk e krijuat ju, e gjetët këtu dhe si hordhi kalimtare po e shkatërroni.

Çohu Skenderbe e na drejto, se këta nuk ia kanë idenë e qeverisjes, na ço në dyert e Evropës me kokën lartë. Se dhe eshtrat nuk po t'i lëmë të të prehen qetësisht, e as shekujt nuk na kanë pjekur por na ka bërë më të brishtë. Kjo brishtësi reflektohet ndaq në politikbërje, ndaq në vendimmarrje, është si një sindrom kolektive.

The post Politikuajt appeared first on Telegrafi.

Për kriptovalutat dhe bankat: Pse ta rishpikim rrotën monetare?

Posted: 25 May 2018 12:25 AM PDT

Krizat ekonomike kanë qenë kohë bumi për eksperimente monetare dhe kolapsi ekonomik i vitit 2008-2009 nuk qe ndryshe. Kjo gjë lidhet me ndjesinë instiktive se problemet ekonomike duhet të kenë shkaqe monetare dhe për këtë arsye zgjidhje monetare. Ose ka shumë para që shkakton inflacion, ose shumë pak, që çon në depresion. Ndaj, qëllimi i reformuesve monetarë – mes të cilëve ka gjithnjë kokëfortë e sharlatanë – ka qenë "të mbahet paraja në rregull" dhe të parandalohen ulje-ngritjet e saj nga shqetësimi i ekonomisë "së vërtetë" të prodhimit dhe tregtisë.

Një motiv tjetër për reformë monetare ka qenë të ndërhyhet më thellë në rendin aktual. Nëse luhatjet monetare janë shkaku kryesor i luhatjeve ekonomike dhe nëse dikush mund të sigurojë sasinë e duhur të parave për të mbështetur aktivitetit normal të biznesit, nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje qeveritare. Ky ka qenë mësimi kryesor i ekonomistëve lidhur me tregjet e lira.

Pak e kujtojnë lehtësimin sasior (QE) që shënoi fillimin e Marrëveshjes së Re të presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt. Me SHBA-të në standardin e arit, Thesari bleu ar për të ngritur çmimin e tij dhe kështu rriti fuqinë blerëse të fermerëve të zhytur në borxhe. Pazari me arin e FDR-së, përshkruar në atë kohë nga John Maynard Keynes si "standardi i dehur i arit", është hedhur poshtë si joefektiv. Por, për të kundërshtuar kolapsin e vitit 2008, kryetari monetar i Rezervës Federale Amerikane, Ben Bernanke dhe bankierë të tjerë kryesorë e rigjallëruan atë në formën e blerjeve masive të obligacioneve qeveritare. "Politika jotradicionale monetare" – Keynes me siguri do ta quante "sistemi bankar qendror i dehur" – ishte mekanizmi standard i rikuperimit. Megjithëse shumica e parasë së re u la mënjanë ose u përdor për spekulim, lehtësimi sasior ia doli të ndalojë thirrjet për një politikë fiskale ekspansioniste.

Reforma bankare u promovua gjithashtu përpara të dyja krizave ekonomike. Në vitin 1933, Neni amerikan Glass-Steagall ndaloi pronarët e bankave tregtare nga spekulimi i depozitave të klientëve të tyre. Pas vitit 2009, legjislacioni amerikan Dodd-Frank, Raporti Vickers në Mbretërinë e Bashkuar dhe raporti Liikanen në Bashkimin Evropian synonin të bënin sistemin bankar më "të qëndrueshëm" përballë "tronditjeve". Megjithëse tronditjet e bankave ishin pasoja, jo shkaku, i tronditjeve në ekonomi, kjo u shpërfill: rikthe paratë dhe bankat në rend, argumentohej, dhe tronditjet do të ndalojnë.

Ky është konteksti në të cilin duhet kuptuar ngritja e kriptovalutës – shpërthimi më i fundit monetar. Këto "sisteme ekonomike elektronike mes dy njerëzve" synojnë të kurojnë sëmundjet ekonomike me mjete monetare, por këtë herë duke anashkaluar bankat. Përse na duhen këta ndërmjetësues të sëmurë, pyesin shpikësit e kriptovalutës, kur mund të krijojmë ruajtje elektronike dhe sisteme transaksioni, të siguruara për përdoruesit dhe të padukshëm për kontrolluesit e ardhshëm?

Detajet teknike të sistemeve të brezit të parasë së re janë të vështira për t'u kapur; frymëzimi i tyre jo dhe aq. Lansimi i Bitcoin-it në janar 2009 rastisi njëkohësisht me krizën bankare. Bankat falimentuan ose u shpëtuan nga falimenti prej taksapaguesve. Është e kuptueshme që njerëzit donin të gjenin një mënyrë për të mbajtur paratë dhe transkasionet e tyre financiare larg bankave në dështim dhe autoriteteve taksuese të pangopura. Kriptovaluta e re ofronte një zgjidhje.

Shumë motive ndodhen pas shfaqjes së Bitcoin-it, jo më pak mundësi për spekulim, trafikim droge dhe pastrim parash. Por, pas motiveve të pista fshihet ëndrra e Friedrich Hayek për një treg të lirë të parasë. Hayek e prezantoi propozimin e tij për valuta konkurruese të krijuara privatisht gjatë krizës inflatore të mesit të viteve 1970, që ai ia atribuoi kreditit tepricë të krijuar nga bankat qendrore. "Nëse duam që të mbijetojë sipërmarrja e lirë", argumentoi ai, "nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të zëvendësojmë monopolin qeveritar të valutës dhe sistemet valutore kombëtare me konkurrencën e lirë. Qeveria nuk mund të ndalohet nga keqpërdorimi i parasë, shkroi Hayek. "Qeveria ka dështuar, duhet të dështojë dhe do të vazhdojë të dështojë të furnizojë me para për mirë".

Bitcoin-i mund të shihet si një përpjekje për të përdorur teknologjinë e re të ndalojë paranë nga keqpërdorimi. Për shembull, furnizimi total i Bitcoin-ëve është fiks, siç do të ishte – pak a shumë – për një valutë të mbështetur nga ari. Paradoksalisht, megjithëse është krijuar nga hiçi, nuk do të ofrojë mundësi për "krijim" parash. Bitcoin do të "shfrytëzohet" në sasi të vogla derisa të sterrojë në vitin 2040, pasi të ketë shpërndarë 21 milionë monedha digjitale. Me fjalë të tjera, nuk ka elasticitet në valutë. Kjo do të thotë se përpara se të shterojë miniera, valuta do të kalojë në të njëjtat probleme si ari standard: duke mos ofruar mjaftueshëm para për të mbështetur një ekonomi dhe popullatë në rritje. Kjo do të përkeqësohet nga çdo tendencë për të mbledhur Bitcoin.

Në të njëjtë kohë, kriptovalutat nuk ofrojnë siguri kundrejt inflacionit. Hayek mendoi se një sistem konkurrues valute do të çojë me kalimin e kohës në një monopol që do ta mbante më mirë vlerën e tij. Por, ne kemi kaluar nëpër të njëjtin proces të dëbimit të valutave inflatore përgjatë historisë dhe përfunduam me bankat qendrore. Është e çuditshme që dikush ta shohë të nevojshme rishikimin e këtyre hapave, për të përfunduar në të njëjtin vend.

Fakti është se shoqëritë njerëzore nuk kanë zbuluar mënyrë më të mirë për ta mbajtur vlerën e parasë konstante veçse duke u mbështetur te bankat qendrore për të ushtruar kontroll mbi këtë çështje dhe për të vepruar direkt ose indirekt në vëllimin e kreditit të krijuar nga sistemi bankar komercial. Diagnoza Hayekiane e krizës së fundit – krijimi me tepricë i kreditit nga bankat – është korrekte për aq sa mund të gjykohet. Por duhet pyetur pse ndodhi kjo për të kuptuar se nuk ka përgjigje mekanike ndaj pyetjes apo zgjidhjeve të problemit. Nuk është e vërtetë të themi "kujdesu për ekonominë dhe paraja do të kujdeset për veten". Por është më pranë të vërtetës sesa besimi se reforma monetare në vetvete do të kurojë problemet e një ekonomie të sëmurë. /Project Syndicate/BIRN/

The post Për kriptovalutat dhe bankat: Pse ta rishpikim rrotën monetare? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more