Skip to main content

“Treni përplaset me kamionin, 2 të vdekur dhe 25 të plagosur në Itali” plus 9 more - Gazeta Dita

“Treni përplaset me kamionin, 2 të vdekur dhe 25 të plagosur në Itali” plus 9 more - Gazeta Dita


Treni përplaset me kamionin, 2 të vdekur dhe 25 të plagosur në Itali

Posted: 24 May 2018 01:47 AM PDT

 

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në linjën Torino- Ivrea, në Itali.

Treni 10027 është përplasur më një kamion të madh të ndaluar në binarë duke lënë të vdekur 2 persona dhe 25 të plagosur.

Përplasja e rëndë ka shkaktuar përmbysjen e disa vagonëve.

Të vdekur kanë mbetur drejtuesi i trenit, Rober Madau 61 vjeç dhe shoferi m rumun i kamionit Stefan Aureliana, 39 vjeç.

Menjëherë në vend ngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, kryqi i kuq dhe karabinierët. Ndërsa mësohet se është edhe një grua e cila po lufton mes jetës dhe vdekje.

Nga të pranishmit aludohet se arsyeja e aksidentit është mos komunikimi i drejtuesve të trenit dhe kamionit.

l.h/ dita

INTERVISTA / Ambasadori i Zvicrës: Shqiptarët kanë talent për improvizim në zgjidhjen e çdo problemi!

Posted: 24 May 2018 01:41 AM PDT

 

Një intervistë në Dita me ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, disa ditë përpara se ai të përfundojë mandatin. Në 1 qershor ambasadori dorëzon çelësat dhe largohet për një tjetër sfidë në karrierën e tij. Si kanë qenë katër vitet e Graf në Shqipëri. Një zbulim nëpërmjet tij mbi Shqipërinë, natyrën, njerëzit dhe politikën…

 

Bisedoi: Entela Resuli

Me mbylljen e muajit maj, ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf, përfundon mandatin e tij 4-vjeçar në Tiranë.

Këto janë ditët e fundit që ai po kalon në rezidencën e tij në ish- Bllok.

Ai ngjit lehtë shkallët për në katin e dytë ku ka zyrën, në të cilën ka kaluar katër vite, por edhe ka njohur më tepër Shqipërinë. Duket një tip sportiv dhe këtë e tregon fiziku i tij.

Biseda me të fillon me një keqardhje për largimin nga vendi për të cilin thotë se do të ruaj kujtime shumë të bukura.

"Më vjen keq që po largohem nga një vend kaq interesant sa Shqipëria, por nga ana tjetër, jam i bindur që më pret një tjetër punë dhe eksperiencë interesante", na thotë ambasadori.

Mesa duket z. Graf e ka shijuar shumë këtë eksperiencë pune në Tiranë, por gjithashtu nuk mund të qëndrojë "peng" i një shijeje të mirë që i ka lënë ky vend, sipas tij, jeta ka shumë për të zbuluar dhe Shqipëria ka qenë një surprizë e bukur për të dhe familjen e tij.

Ajo që kuptojmë nga biseda me z. Graf është se ai e ka parë me një sy pozitiv Shqipërinë.

Vlerëson çdo ndryshim dhe përpjekje për përmirësim gjatë këtyre kohëve, por edhe dëshirën e njerëzve për të mësuar dhe për t'u zhvilluar shpejt.

Pothuajse e ka prekur të gjithë hartën e Shqipërisë me këmbë. Ka provuar detin dhe malin në vendin tonë. Ka shijuar ushqim shumë të mirë, pije interesante, por ka njohur edhe njerëz të cilët i janë dukur më mikpritësit në botë.

"Në përvojën time shqiptarët janë një nga popujt më mikpritës që kam njohur. Kudo ku kemi shkuar na kanë bërë një pritje të ngrohtë, qoftë në kontaktet formale apo në ato jo formale", tregon ambasadori zviceran Christoph Graf në një intervistë për Dita-n.

Ai dhe bashkëshortja e tij janë ndjerë si në shtëpi, sidomos në kontaktet që kanë patur me natyrën dhe gjatë ngjitjeve që kanë bërë në malet e veriut të vendit të cilat shpesh të ngjajnë me ato të Zvicrës.

Gjatë kësaj bisede, kërkova më shumë të kuptoja se me çfarë ndjesish do të ikte z. Graf nga Shqipëria, si e ka parë dhe njohur ai këtë vend dhe mbi të gjithë si është ndjerë në një vend të huaj që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Në këtë intervistë me ambasadorin nuk mund të mos prekja temën e Reformës në Drejtësi, politikën si pengesë apo shtysë, dhe mbi të gjitha çfarë duhet bërë që ky vend t'i çojë deri në fund reformat që ka ndërmarrë, ku në një pjesë të tyre, vendi që ai përfaqëson, ka dhënë një ndihmës të madhe.

Ambasadori na u përgjigj edhe për këto çështje… edhe pse me diplomaci. Në fund të fundit është profesioni i tij!

Në fund të kësaj bisede një gjë është e sigurt; Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën e tij dhe ai do të kthehet sa herë do të dëshirojë pak energji apo të shohë se si kanë ecur reformat e ndërmarra tashmë nga Shqipëria, vendi ku ai ka shërbyer 4 vite si ambasador…

 

-Ambasador Graf, ju jeni tani afër mbylljes së mandatit tuaj në Tiranë, si ndiheni?

Jam i lumtur që kam shërbyer për forcimin e lidhjeve midis dy vendeve tona; jam i trishtuar që po lë një vend dhe popull interesant dhe dinamik; dhe jam plot me shpresë se Shqipëria është në rrugën e duhur.

-Thonë që ambasadorët e huaj shpesh e kanë të vështirë të pranojnë emërimin në Shqipëri, por kur vijnë këtu, ata e kanë të vështirë të largohen. Po për ju si ka qenë?

Shqipëria gradualisht po e përmirëson imazhin e saj në botën e jashtme. Për shumë diplomatë ky vend shihet si ekzotik, por jo si një vend i rrezikshëm. Pasi kam shërbyer më parë në vende më të largëta dhe të rrezikshme unë u ndjeva i gëzuar me emërimin si kreu i Ambasadës në Tiranë. Dhe në fund të fundit këtu është Europë, dhe afër vendit tim.

-Ne në Shqipëri dëgjojmë me kuriozitet kur të huajt rendisin karakteristikat tona, qofshin pozitive, negative apo të çuditshme. Pas gati katër vitesh çfarë ju ka mbetur në mendje nga ky vend?

Ky është një vend dinamik, që gumëzhin dhe është gjithnjë në ndryshim. Njerëzit janë sanguinë, vitalë dhe shpesh edhe me tepri. Nga ana pozitive, Shqipëria ka shumë energji, lëviz shpejt, dhe sheh përpara- si nga aspekti njerëzor dhe aspekte të tjera. Nga ana negative kjo energji nganjëherë nuk kanalizohet siç duhet dhe situata është pak kaotike dhe jo-produktive, me një kulturë të polarizuar të debatit, e cila pengon gjetjen e zgjidhjeve të mira. Njerëzit janë plotësisht në favor të demokracisë dhe integrimit në BE dhe gjithnjë e më shumë po ngrihen për të drejtat dhe interesat e tyre.

-Z. Ambasador, shumë njerëz e kanë krahasuar Shqipërinë e veriut me Zvicrën për nga bukuria natyrore. Ju duhet të keni udhëtuar shumë nëpër Shqipëri. Si ju duket ky vend?

Shqipëria ka disa gjëra të përbashkëta me Zvicrën, bukuria natyrore është njëra prej tyre.

Zvicra dhe Shqipëria ndajnë gjithashtu faktin që janë vendet me burimet më të shumta ujore në Europë. Shumë pjesë të Shqipërisë së veriut ngjajnë me Alpet zvicerane, për shembull, kur bëja ecje në male, në Kelmend, u ndjeva si në shtëpi.

Shqiptarët janë me shumë fat sepse ata kanë gjithashtu edhe detin dhe plazhet me një bregdet të bukur, gjë që nuk e kemi në Zvicër.

-Gjatë qëndrimit këtu duhet të keni takuar shumë njerëz, të njohur dhe të panjohur, me pushtet ose jo… si do t'i përkufizonit shqiptarët?

Njerëzit në Shqipëri janë kuriozë, kërkues, gjithashtu edhe ambiciozë dhe që mësojnë shpejt. Ata janë gjithashtu krenarë si popull, krenarë për vendin dhe flamurin e tyre, shqiponjën me dy krerë. Lidhjet familjare dhe klanet janë shumë të rëndësishme, dhe të moshuarit respektohen dhe për ta tregohet kujdes.

-A mendoni edhe ju se ne jemi një popull mikpritës?

Në përvojën time shqiptarët janë një nga popujt më mikpritës që kam njohur. Kudo që kemi vizituar kemi gjetur një hapje dhe një pritje të ngrohtë, qoftë në kontaktet formale apo në ato jo formale.

-A ndryshojnë njerëzit që kanë një post politik nga njerëzit e zakonshëm në Shqipëri?

Politikanët zgjidhen nga populli dhe janë qenie njerëzore si të gjithë – me anët e forta, dobësitë, të mirat dhe të këqijat e tyre. Në demokraci është populli që drejton politikanët dhe jo e kundërta.

Nëse populli vazhdon të kërkojë më shumë transparencë dhe llogari, Shqipëria do të shohë më shumë përmirësim në cilësinë e politikanëve në kohërat e ardhshme.

-Ju lutemi na tregoni një ngjarje interesante nga Shqipëria, një bisedë, apo mesazh nga dikush që ju ka lënë përshtypje?

Kur njëherë harrova kuletën në dyqan, e zonja e dyqanit vrapoi menjëherë për të më dhënë kuletën. Ose kur një ekspert i huaj pas një trajnimi mbi emergjencat mjekësore më tha se të rinjtë shqiptarë janë studentët më të mirë, më të zellshëm dhe më të angazhuar të cilët ai ka trajnuar ndonjëherë.

Ambasadori i Zvicrës në vendin tonë, Christoph Graf, gjatë intervistës me gazetaren e Dita, Entela Resuli

Ambasadori i Zvicrës në vendin tonë, Christoph Graf, gjatë intervistës me gazetaren e Dita, Entela Resuli

-Çfarë mendoni për Tiranën, a ka ndryshuar gjatë kohës që keni shërbyer këtu si ambasador?

Tirana është një qytet vibrant dhe gjatë katër viteve kam parë shumë ndryshime. Shoh një përmirësim të infrastrukturës publike, dhe më pëlqen sheshi "Skenderbej", një vend ku po ndodhin shumë aktivitete për publikun. Më pëlqejnë përpjekjet e bashkisë për të promovuar përdorimin e biçikletave dhe për të bërë qytetin më të gjelbër – Tirana ka nevojë për më shumë mushkëri për të marrë frymë. Gjithashtu, gjysmë-maratona e parë e qytetit ishte një sukses – jam i gëzuar që mora pjesë!

– A ka qenë gruaja juaj me ju në Tiranë gjatë shërbimit tuaj si ambasador? Si është ndjerë në Shqipëri?

Ajo është ndjerë si në shtëpi në Shqipëri dhe është pritur me përzemërsi. E ka shijuar zbulimin e vendit dhe të njerëzve. Ecja e saj e preferuar është shtegu përreth Liqenit Artificial të Tiranës. Ajo ka patur kënaqësinë të takohet me artistë dhe të vizitojë galeri arti, si dhe është angazhuar si vullnetare në një jetimore.

– Në çfarë niveli janë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Zvicrës? Dhe si i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve?

Zvicra dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Unë jam i gëzuar që në vitet e fundit shumë përfaqësues të nivelit të lartë nga të dy vendet kanë shkëmbyer vizita dhe ka një ndërgjegjësim më të madh mbi Zvicrën në Shqipëri, dhe mbi Shqipërinë në Zvicër. Vitin që shkoi ne festuam 25-vjetorin e hapjes së Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, dhe vumë re se marrëdhëniet dypalëshe janë rritur e forcuar. Në fushën ekonomike jemi ende nw një nivel modest, por ka shumë potencial për përmirësim. Shumë më tepër investitorë dhe turistë zviceranë mund të vijnë këtu, një volum më i madh tregtie mund të shkëmbehet, dhe lidhjet e biznesit mund të rriten. Për këtë gjithashtu duhet të përmirësohet klima e biznesit dhe investimeve.

– Pse është Zvicra e interesuar në përparimin e Shqipërisë?

Në sytë e Zvicrës, Shqipëria i përket Europës. Ne e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një rajon fqinj. Qeveria zvicerane është shumë e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim dhe Shqipëria është një nga pesë vendet parësore për marrjen e asistencës për zhvillim në këtë pjesë të botës. Një Shqipëri më me prosperitet, dhe në sensin më të gjerë edhe Ballkani Perëndimor, do të thotë më shumë paqe, prosperitet dhe mundësi edhe për Zvicrën.

– Cilat janë projektet më të rëndësishme që kanë ecur përpara përmes mbështetjes tuaj dhe që ju bëjnë më shumë krenar, dhe si e shihni ecurinë e vendit përkundrejt investimeve zvicerane?

Unë do të veçoja TAP – Gazsjellësin Trans Adriatik. Aty Zvicra është e përfshirë si qeveri ashtu edhe si sektor privat. Projekti për të forcuar kapacitetet e Shqipërisë për gazin ka shumë rëndësi për sektorin e energjisë. Gjithashtu, në sektorin e arsimit profesional, jam i kënaqur që ka patur ndryshime në nivel sistemi, një rritje të ndërgjegjësimit që shkollimi profesional është i mirë, dhe përmirësime në shkollat profesionale dhe ofertat e tyre. Ndërsa në fushën e qeverisjes demokratike, jam i kënaqur që mbështetja dhe ekspertiza zvicerane ka asistuar në reformën administrative dhe territoriale dhe në përgjithësi që po forcon funksionimin e qeverisjes vendore.

– Z. ambasador, Zvicra jep shumë mbështetje për Shqipërinë përmes projekteve, granteve dhe fondeve për organizata dhe individë që kanë ide apo projekte. Si siguroheni që këto fonde nuk abuzohen?

Ne i zgjedhim me kujdes ato agjenci që zbatojnë projektet. Dhe ndërtojmë mbi partneritete afat-gjata. Ne bëjmë vlerësime të rregullta jemi vazhdimisht në dialog, kërkojmë rezultatet dhe i monitorojmë ato.

– Sipas jush pse është e vështirë për Shqipërinë që të ecë përpara me reformat e rëndësishme si kjo e drejtësisë?

Në fakt unë shoh që Shqipëria si shoqëri po ecën shpejt dhe që vendi po ndërmerr shumë reforma. Por zbatimi dhe pronësia më e gjerë e reformave janë sfidë. Një demokraci e shëndoshë, drejtësia dhe prosperiteti kërkojnë dialog dhe pjesëmarrje. Reforma e drejtësisë kërkon vullnet nga politikanët dhe nga profesionistët e drejtësisë që të zbatohet. Por gjithashtu kërkon edhe një qëndrim më të fortë nga qytetarët për të patur një sistem drejtësia që funksionon si duhet. Lëvizjet aktive të shoqërisë civile janë të rëndësishme në këtë kontekst.

– A janë politikanët shqiptarë një pengesë për një hap më të shpejtë në progresin e vendit?

E përsëris: politikanët zgjidhen nga populli. Kur ka kontrolle dhe ekuilibra, politikanët kujdesen më mirë për të mirën publike, dhe veprojnë në interes të vendit dhe të popullit, dhe bëhen më të përgjegjshëm dhe më të përgjigjshëm. Përmes programit tonë të mbështetjes për qeverisjen demokratike ne përpiqemi të kontribuojmë me modesti për një kulturë më demokratike në Shqipëri.

– Shumë kanë deklaruar se integrimi në BE është çelësi për rritje ekonomike dhe mirëqenie në vend. A nuk do të ishte më mirë të merrnim shembullin e Zvicrës dhe t'i kryenim reformat për veten tonë, dhe jo sepse kërkohen nga zyrtarët e BE-së?

Unë e kam deklaruar qartë edhe më parë: Shqipëria nevojitet të kryejë reformat në radhë të parë për hir të popullit të saj. Integrimi në BE ende mbetet një gur kilometrik që udhëheq, por që nuk mund të jetë motivimi kryesor. Arsyeja e vërtetë për të përmirësuar standardet e vendit në çdo aspekt është interesi i qytetarëve shqiptarë. Ata meritojnë qeverisje të mirë, drejtësi që funksionon, dhe një ekonomi në prosperitet. Kjo përputhet edhe me rrugën për në BE.

– Dhe në fund, Z. Graf, a mund të renditni tre ose më shumë gjëra që keni pëlqyer më shumë në Shqipëri dhe që ndoshta do t'ju mungojnë?

Njerëzit mikpritës dhe miqësorë; pamja fantastike në Qafën e Llogarasë mbi detin Jon, dhe talentin për improvizim në zgjidhjen e çdo problemi të shqiptarëve!

DITA

Në drejtim të qeverisë së re, Presidenti italian mandaton Conten

Posted: 24 May 2018 01:32 AM PDT

Presidenti italian Sergio Mattarella ka dhënë një ditë më parë pëlqimin e tij ndaj të përzgjedhurit të “Lëvizjes 5 Yjet” dhe “Lega Nord”-it për postin e kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte.

Dy partitë politike bashkëqeverisëse nuk u zmbrapsën për propozimin e tyre, pavarësisht ngurrimit të presidentit përballë rezymesë së “zbukuruar” të juristit 54-vjeçar.

Conte ka marrë edhe bekimin e themeluesit të "5 Yjeve", Beppe Grillo, i cili shkroi në blogun e tij:

“Dërguam përpara presidentit të Republikës një njeri që nuk do të na e marrë fytyrën përpara botës, sepse tek ai nuk ka asnjë gjurmë posesiviteti nga ato që gjenim te shumica dërrmuese e paraardhësve të tij.”

Situata e krijuar sot në Itali është pasojë e mungesës së besimit te politikanët. Zgjedhësit në vend i quajnë politikanët me përbuzje "kastë", e si për t'i ndëshkuar sollën në pushtet populistët nacionalistë të së majtës dhe të së djathtës.

Ndërkohë, në Bruksel ekziston shqetësimi që populistët mund ta bëjnë Eurozonën të lëkundet shpejt, me një politikë të papërgjegjshme financiare.

s.a/dita

 

Opozita bllokon foltoren, Ruçi ndërpret seancën, Basha: Kushtetuta ka rënë!

Posted: 24 May 2018 01:31 AM PDT

 

Opozita edhe këtë të enjte ka ndjekur  të njëjtën strategji duke bllokuar punimet e seancës plenare.

Pas fjalimit të mbajtur nga kryetari i PD Lulzim Basha, ky i fundit ka refuzuar të lërë foltoren edhe pse koha mbaroi.

Në këto kushte deputetët e PD 'pushtuan' foltoren. Ata mbanin një parullë të madhe ku shkruhej "Jo qeveri e krimit dhe drogës".

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka vendosur ndërprerjen e seancës për 10 minuta.

Deklarata e Bashës:

"E gjitha kjo që keni parë është përpjekja e dëshpëruar e kësaj mazhorance të kapur në krim, e të zhytur në krim, për të dhënë përshtypjen e një fasade parlamentaro-demokratike. E vërteta është se Kushtetuta ka rënë, se Kodi Penal ka rënë, se Kodi i Procedurës Penale ka rënë, se Ligji Antimafia ka rënë sa kohë në atë karrige janë të ulur Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama që janë zbuluar para shqiptarëve si hartuesit e zbatuesit e një skenari kriminal që ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Fatmir Xhafajt, në mbrojtje të vëllait, një prej kokave të krimit".

l.h/ dita

“Daily Mail”: Historia e trishtë e shqiptares nënë e 3 fëmijëve, e deportuar nga SHBA

Posted: 24 May 2018 01:27 AM PDT

Një shqiptare, nënë e 3 fëmijëve sjell për "Daily Mail" historinë e saj të deportimit nga SHBA pas 18 vitesh qëndrimi në atje. Ajo ka rrëfyer për dhimbjen dhe shkatërrimin që i ka sjellë ndarja nga fëmijët e saj të mitur.

Quhet Cile Precetaj dhe është 46 vjeç. Nuk ka pasur rekorde kriminale dhe gjatë gati 2 dekadave ajo luftoi kundër largimit të saj. Ndërkohë ajo ndihmonte në menaxhimin një restoranti në Michigan së bashku me bashkëshortin e saj.

Autoritetet e emigrimit në SHBA vendosën që ajo duhet të largohej pasi i kishte ezauruar të gjitha të drejtat e saj për kërkuar qëndrimin në SHBA dhe i ishin refuzuar. Në intervistën e dhënë për Daily Mail, ajo ka zbuluar se vajza e saj është duke i shkruar, Zonjës së Parë, Melanie Trump duke i kërkuar mëshirë.

"Jam ende në gjendje shoku dhe nuk mund ta besoj që më kanë sjellë në vendin që e lashë ku kisha frikë të jetoja. Fëmijët e mi janë me milje larg dhe unë nuk e di nëse do t'i shoh ndonjëherë sërish. Si mundet që një vend të ndajë nënën nga fëmijët e saj? Si mundet ta bëjnë këtë?

Gruaja e Presidentit Trump, Melanie ishte një emigrante në një vend të ndërtuar nga emigrantët. Përse ata ia bëjnë këtë një nëne që e dashuron atë vend dhe nuk ka bërë asgjë të gabuar? Shkova në SHBA për një jetë më të mirë".

Cile thotë se nuk pushon së qari që kur e rikthyen në vendin e saj nga ku u largua në vitin 2000 pasi kushte frikë për jetën e saj.

"Fle vetëm 2 orë çdo natë. Zgjohem dhe mendoj për fëmijët dhe se si ata ndihen. Nuk jam ndarë kurrë prej tyre. As edhe një ditë të vetme. Ja ku jam tani mijëra milje larg tyre. Jeta ime dhe e fëmijëve të mi u kthye përmbys".

"Daily Mail" ka ardhur deri në Gradec, një fshat të Shkodrës që mban rreth 3 orë me makinë nga Tirana. Ajo u rikthye në fshatin ku u rrit pa pasur mundësi të përshëndesë bashkëshortin e saj Pete Gojcaj dhe 3 fëmijët: 16-vjeçarin Marash, 10-vjeçaren Megan dhe 8-vjeçarin Martin.

Bashkëshorti e mësoi nga një telefonatë e shkurtër që ajo i bëri në një ndalesë në Gjermani në kthimin për në Shqipëri. Tani Cile po qëndron në shtëpinë e një kushëriri të saj, larg nga jeta që bënte në SHBA. Pas 18 vitesh në SHBA ajo mundi të marrë me vete vetëm një valixhe të vogël. Thotë se një gjë e çmuar që mban me vete është një shall i dizenjuar sipas flamurit amerikan, citon lapsi.al.

"E vë ndonjëherë që të kujtoj SHBA-të. I vetmi ngushëllim është bashkimi me prindërit dhe motrën Liljana me të cilët nuk shihesha prej afër 2 dekadash. Sa herë mendoj për fëmijët e mi më thyhet zemra. Nuk e di çfarë do të ndodhë dhe kur do t'i shoh sërish. Jam gati e sigurt se nuk do të kthehem më kurrë në SHBA, vetëm nëse ata ndryshojnë mendje apo ndodh ndonjë mrekulli".

Përveç traumës së ndarjes së familjes dhe lënies së fëmijëve pas ajo nuk ka më as jetën e rehatshme të shtresës së mesme amerikane. Shtëpia e saj e tanishme nuk ka ujë të rrjedhshëm.

Tualeti është jashtë shtëpisë, një vrimë në tokë ndërsa ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Ajo jeton në një dhomë me çarje të mëdha në tavan në një shtrat me shufra hekuri. Nuk ka TV, valë telefoni celular dhe ajo që e frikëson më shumë është se nuk ka çelësa në derë. Fshati është i izoluar dhe nuk ka asnjë dyqan pranë. Rrugët nuk kanë emra, citon Daly Mail 700 banorët e fshatit jetojnë me më pak se 100 $ në muaj.

 "U largova në vitin 2000 nga ky fshat për shkak të frikës. Tashmë kam vetëm disa ditë dhe nuk ndihem e sigurt".

Ajo shkoi në SHBA si shumë emigrantë të tjerë, por historia e saj është paska më e komplikuar.

Ajo thotë se e la Shqipërinë në vitin 2000 pas frikës kur shoqen e saj e rrëmbyen për ta bërë prostitutë derisa e vranë. Ajo thotë se u ndie kërcënuar nga ish-i fejuari i cili e kishte kërcënuar pas ndarjes. Pa pasur mundësi të merrte një vizë amerikane ajo hyri në SHBA nëpërmjet Kanadasë duke përdorur një pasaportë false nën emrin Laura Firmini.

Nuk dinte të fliste asnjë fjalë anglisht ndërsa qëndroi në një familje të afërmish. Kontaktoi zyrën e emigracionit disa muaj pas mbërritjes në SHBA. Ndërsa kërkesa e saj po shqyrtohej ajo u njoh me atë që tashmë është burri i saj, Pete Gojcaj dhe lindën fëmijën e parë në vitin 2002.

3 vjet më vonë iu tha se duhet të largohej nga SHBA pasi kërkesa e saj për azil ishte refuzuar. Gjykata nuk ishte bindur se ajo kishte frikë për jetën e saj në Shqipëri. Cile apeloi ndërsa autoritetet e emigrimit ia mohuan qëndrimin në SHBA. Ndërsa ishte shtatzënë me vajzën Megan asaj iu tha se duhet të paraqitej në një zyrë çdo muaj. Gjatë kësaj kohe ajo ndihmonte edhe bashkëshortin e saj që kishte mbërritur në SHBA nga ish-Jugosllavia që kur ishte 5 vjeç. Së bashku ngritën një restorant të suksesshëm. As miqtë e saj të afërt nuk e dinin se ajo ishte nën kërcënimin e depërtimit.

 "Askush nuk e dinte. Nuk u thoja as fëmijëve të mi. Nuk dëshiroja t'i shqetësoja. Mendoja të vazhdoja me jetën si të vinte dhe ndoshta deportimi do të anulohej. Po jetoja jetën e një nëne të zakonshme amerikane. E pëlqeja jetën që bëja. Mendoja se qeveria amerikane do të shihte se çfarë kishte ndodhur në këto vite. Mendoja se sistemi amerikan do të ndryshonte. Presidenti Bush tha se nënat ilegale që kishin lindur fëmijë në SHBA nuk do të deportoheshin dhe pata shpresë".

Cile thotë se autoritetet e emigracionit e detyruan të pajisej me një pasaportë shqiptare dhe të kthehej vullnetarisht në Shqipëri, ose do të largohej me forcë gjë që do të pasohej me një penalizim për të mos shkelur më në tokën amerikane. Thotë se e ka vizituar disa herë ambasadën shqiptare në New York, por ata ishin të pafuqishëm për të ndërhyrë. Autoritetet e akuzuan më pas për zvarritje dhe e detyruan që të mbante një pajisje GPS me vete në kyçin e dorës në mënyrë që ta monitoronin 24 orë.

Çështja u komplikua pasi edhe bashkëshorti i saj u vu nën kërcënimin e deportimit. Ai kishte një Green Card, dokument që lejon emigrantët të jetojnë në SHBA, por ai iu revokua pas një dënimi 3 vjeçar me burg. Edhe ai nuk kishte një pasaportë të rregullt pasi e kishte lënë Jugosllavinë kur ishte fëmijë. Për këtë ai nuk është larguar kurrë nga SHBA pasi nuk do të lejohej më të hynte brenda. Pavarësisht kësaj, 3 fëmijët e tyre janë shtetas amerikanë.

Në SHBA janë 11.3 milion emigrantë ilegalë me 4.3 milion që kanë prindër pa dokumente të rregullt. Cile pranon se bëri edhe një mashtrim tjetër duke deklaruar se ishte divorcuar nga bashkëshorti për të zgjatur qëndrimin e saj në SHBA.

"Do të ishte e papëlqyeshme që të largohej nëna e vetme e 3 fëmijëve që tashmë nuk kanë me kë të jetojnë. E di që ishte gabim, por kjo ishte ajo që avokati im më këshilloi. Kur dola para gjykatësit ai më tha se kisha gënjyer dhe kjo do të rëndonte kundër meje".

Cile thotë se gjatë 18 vjetësh në procese gjyqësore ka paguar mbi 50 mijë dollarë për avokatët.

"Një avokat më kërkoi 2 mijë dollarë vetëm t'i hidhte një sy dosjes sime. E dëshpëruar ia dhashë. Pasi e pa më tha që nuk mund të më ndihmonte".

Një muaj më parë, gjatë një vizite rutinë në zyrën e emigracionit u mor në paraburgim. Thotë se vetëm dridhej kur u prangos. Për shkak të shokut i kishte rënë të fikët dhe për këtë u dërgua në spital. Më pas e transportuan në burg ku iu bashkua 20 grave të tjera që prisnin deportimin. 3 javë më pas iu tha se do të "shkonte në shtëpi".

"Nuk mund ta besoja. U thashë grave në qeli se mrekullitë ndodhin, pasi besoja se do të kthehesha në shtëpinë time dhe do të shihja fëmijët. Vetëm kur autobusi ku e kishin hipur doli jashtë Detroid kujtoi se po e kthenin në Shqipëri. Në atë moment kuptova që isha e pafuqishme dhe u dorëzova. Nuk kisha më mundësi të luftoja. Ata kishin fituar. Zemra mu godit. Gjithçka mendoja ishte fytyra e fëmijëve të mi të cilët nuk do të mund t'i shihja më.

Dy agjentë të emigracionit e shoqëruan deri në Shqipëri ku e prisnin babai 72-vjeçar, Pasho dhe vëllai, Arbeni.

"Tashmë ndihem si nj alien në vendin tim. Flas dy herë në ditë në telefon me fëmijët, por nuk mund t'i mbaj dot lotët. Nuk e di çfarë do të sjellë e ardhmja".

Tashmë po mendon që e gjithë familja të zhvendoset në Shqipëri, por fëmijët do ta kenë të vështirë pasi ata janë mësuar me jetën atje.

 "E kam të qartë që fëmijët do të vuajnë nga bulizmi pasi të përhapet fjala se nëna e tyre është ekstraduar. Fëmijët e mi po i shkruajnë Presidentit Trump dhe bashkëshortes së tij Melanie që të bashkojë familjen tonë".

Është pikërisht vendimi i Trump që të ndalet emigracioni ilegal dhe të shtohen deportimet e ilegalëve. Një zëdhënës i ICE i tha Daily Mail se Cile e dinte që në vitin 2005 se nuk kishte asnjë mundësi qëndrimi në SHBA, por ishte lejuar të qëndronte derisa ajo të përmbushte të gjitha mundësitë e saj legale për ta kundërshtuar deportimin. Pas vendimit të gjykatës ajo duhet të largohej menjëherë./lapsi.al

l.h/ dita

Arratisja nga salla e gjyqit, ndalohen dy punonjës të Policisë së Burgjeve

Posted: 24 May 2018 01:21 AM PDT

Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e dy punonjësve të Policisë së Burgjeve që shoqëronin të arrestuarin Mikel Kasaj. Ky i fundit u arratis nga salla e gjyqit ditën e mërkurë.

Të ndaluarit janë Gjolek Hodaj dhe Granit Zani.

Mikel Kasaj kërceu mbi tavolinën e të pandehurit dhe u largua nga dera e gjyqtarit, pasi mori vendimin e dhënë nga gjykata.

Policët shoqërues të burgut e ndoqën menjëherë, por Mikeli ia ka dalë të humbasë gjurmët nëpër korridoret e gjykatës. Më pas, Mikel Kasaj ka dalë jashtë ambientit të gjykatës duke vrapuar ( sikurse shihet më sipër).

s.a/dita

Ishin gati të mbillnin hashash, arrestohen dy vëllezër në Skrapar

Posted: 24 May 2018 01:09 AM PDT

Dy vëllezër janë vendosur në pranga në Osojë të Skraparit, pasi iu janë gjendur armë, municione dhe fara bimësh narkotike.

Pas një hetimi një mujor të policisë së Beratit, janë vënë në pranga vëllezërit, Kalem Muçaj, 51 vjeç dhe Elmas Muçaj 41 vjeç, nga Osoja.

Hetimet zbuluan se dy vëllezërit kishin armë zjarri dhe po përgatiteshin të kultivonin hashash.

Në shtëpitë e tyre u gjetën 69 fara bimësh Cannabis Sativa, dy armë zjarri automatike model 56, kalibër 7.62 mm, 4 krehëra automatiku dhe 4 711 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale, "Prodhimi dhe shitja të lëndëve narkotike", "Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve dhe municioneve luftarake".

s.a/dita

Fjalor i paradokseve

Posted: 24 May 2018 01:08 AM PDT

 

Nga Fatos Tarifa

 

Duke marrë si shembull Fjalorin e ideve të pranuara (Dictionnaire des Idées Reçues), të shkrimtarit të shquar francez Gustave Flaubert, redaksia e gezetës Dita i kërkoi sociologut të njohur Fatos Tarifa të hartojë për lexuesit e kësaj gazete një fjalor të ngjashëm, të cilin nisim ta botojmë sot, nën titullin "Fjalori i Paradokseve". Një pjesë e termave janë sugjeruar nga Redaksia, pjesa tjetër janë zgjedhje të vetë autorit. Renditja e tyre, si në çdo fjalor, është alfabetike.

 

A

 

AFERË

Asnjë martesë nuk është e imunizuar ndaj aferave jashtëmartesore.

 

Aftësi

Asnjëherë nuk mund ta dimë se ç'jemi të aftë të bëjmë, nëse nuk përpiqemi e nuk provojmë të bëjmë diçka.

 

Aktor

Shumica janë po aq të mërzitshëm e jo kreativë në jetë, sa edhe në skenë.

 

ALTRUIZËM

Altruizmi është një pjesë e gjendjes humane, ashtu si dhe e kundërta e tij, egoizmi. Empatia është një kusht i domosdoshëm, edhe pse jo i mjaftueshëm, për veprime altruiste.

 

E ardhmja

Vjen ditë pas dite, çdo ditë nga pak.

 

ART

Një formë terapie.

 

ARROGANCË

Tipar dallues i çdo pushteti.

 

Ateist

Dikush që beson në diçka më të madhe e më të përjetshme se Zoti.

 

Atdhe

Vendi për të cilin rreh zemra.

 

AUTOBIOGRAFI

Një rrëfim që s'është kurrë tërësisht i vërtetë, pasi e vërteta nuk është kurrë e përshtatshme për t'u bërë publikisht e njohur.

 

Autoritet

Pushtet i legjitimuar.

 

 

B

 

Barok

Një ndër dy llojet e seksit. Seksi klasik është romantik, refleksiv, serioz, emocional, moral, misterioz, spontan, i fokusuar në një person të veçantë dhe konvencionalisht feminin. Seksi barok është pop, i gjallë, eksperimentues, i ndërgjegjshëm, amoral, anonim, i qëllimshëm, i fokusuar në ndiesinë për hir të ndjesisë dhe konvencionalisht maskulin.

 

Bashkëbisedim

E gjejmë në tre lloje: si dialog (kur dy njerëz që bashkëbisedojnë shkëmbejnë mendime), si dualog (kur dy njerëz flasin me njëri-tjetrin por nuk komunikojnë) dhe si monolog (kur gjithnjë flet i njëjti njeri, ndërsa tjetri vetëm dëgjon, ose bën sikur dëgjon).

 

Beqar

Dikush që ende s'ka vendosur të martohet. Benedict: "Kur thoja se do të vdisja beqar, nuk mendoja se do të rroja deri sa të martohesha", (Shakespeare, Shumë zhurmë për asgjë).

 

Besë

Premtim për të cilin flasin më shumë ata që nuk e mbajnë.

 

Besim

Arma më e fortë për të arritur atë që duam.

 

BIOLOGJI

Biologjia e seksit te meshkujt dhe te femrat është shumë më e ngjashme nga sa është menduar deri vonë, kur mashkulli besohej se është biologjikisht poligam, ndërsa femra biologjikisht monogame.

 

Brando (Marlon)

Pothuajse gjithçka që ai bëri ishte revolucionare. Asnjë aktor tjetër nuk ka qenë origjinal si ai.

 

BURG

Vendi më i natyrshëm për kriminelët dhe politikanët.

 

 

D

 

Dashuri

Diçka të cilën e japim jo për të marrë, por për të dhënë. Në dashuri, ashtu si dhe në politikë, fjalët dhe veprat, në më të shumtën e rasteve, nuk janë e njëjta gjë. Ajo çfarë themi për dashurinë, ose në emër të saj, nuk është gjithnjë e njëjtë me atë që bëjmë për të, ose në emër të saj.

 

Demokraci

Një sistem politik, i cili nuk i mundëson askujt të bëhet më i fuqishëm se populli.

 

Det

Një botë e lirë, pa kufij, si çdo të dëshiroja të ishte bota në të cilën jetojmë. Njeriu-peshk i Anaksimandrit.

 

Dëshmitar

Një rol që s'është për t'u dëshiruar dhe ndonjëherë i rrezikshëm, pasi askush s'mund ta dijë se ç'pasoja mund të ketë dëshmia e tij.

 

TË DREJTA NJERËZORE

Njerëzit kanë identitete unike, që krijohen biologjikisht, shoqërisht e kulturalisht. Të drejtat e njeriut burojnë pikërisht nga kjo premisë, që njerëzit, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë të përbashkët një gjë esenciale—humanitetin—të qenët qenie njerëzore dhe të pasurit e aspiratave njerëzore. Këto të drejta janë "humane", sepse të gjitha qeniet njerëzore i kanë ato—njëlloj dhe në të njëjtën masë—për shkak të humanitetit të tyre, pavarësisht seksit, racës, moshës, pozitës shoqërore, klasës së cilës i përkasin, origjinës ose përkatësisë etnike, pavarësisht nëse janë të varfër ose të pasur, pavarësisht profesionit, talentit, meritave, fesë, ideologjisë ose përkatësive të tjera. Për shkak se kanë të bëjnë me humanitetin e çdo individi, të drejtat e njeriut janë universale; ato janë të patjetërsueshme dhe të padhunueshme. Këto të drejta nuk mund të transferohen, të mos i njihen, t'i mohohen, t'i hiqen ose t'i rrëmbehen askujt, as kur njerëzit nuk arrijnë dot që t'i ushtrojnë realisht ato.

 

Drejtësi

Drejtësia është e mira supreme; padrejtësia, e keqja më e madhe. Por drejtësia nuk është sinonim e ligjit. Gjykatat vendosin në përputhje me ligjin; ato nuk vendosin drejtësinë. Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Pas çdo ligji duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Rrjedhimisht, natyra dhe suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohen e maten me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë.

 

Dyshim

Gjithnjë më i mirë sesa besimi i verbër.

 

 

DH

 

Dhunë

Pavarësisht llojit të saj, dhuna kthehet gjithnjë mbi atë që e nis dhe e ushtron.

 

Dhuratë

Nuk është çmimi që e përcakton vlerën e saj, por mendimi që e shoqëron atë dhe njeriu që e jep. Një dhuratë, sado e shtrenjtë, nuk ka vlerë nëse ajo nuk përmban një mendim të bukur.

 

 

Ë

 

ËNGJëLL

Të gjithë fëmijët lindin engjëj. Përse atëherë në popullsinë e rritur ka kaq shumë djaj?

 

 

F

 

FAT

Marksi thoshte se "rrethanat i bëjnë njerëzit po aq sa njerëzit vetë krijojnë rrethanat e tyre". Edhe pse askush nga ne nuk është në gjendje që t'i zgjedhë rrethanat e jetës së vet, çdonjëri prej nesh e ka vetë në dorë formimin e karakterit të tij. Janë aftësitë tona relative dhe dobësitë tona relative ato që na mundësojnë të parashikojmë fatin tonë. E ardhmja e secilit prej nesh nuk është domosdoshmërisht diçka që përcaktohet nga jashtë nesh, ajo është në dorën tonë. Siç thoshte Shekspiri, fati ynë përcaktohet "jo nga yjet, por nga vetë ne".

 

Fëmijë

Gra e burra që nuk piqen me moshë.

 

FILOZOF

Filozofi dallon nga politikani sepse i pari shtron pyetje, ndërsa i dyti pretendon se ka përgjigje për çdo gjë.

 

FilozofiA

Nis si habi, mbaron si spekulim.

 

Fjala

Pasqyrë e shpirtit dhe terapi. Prej saj mund të njohim njeriun që flet. Një fjalë e ëmbël mund të kurojë dhe të shurdhin.

 

FrikA

Një krijesë e mendjes sonë; ajo nuk ekziston realisht jashtë mendjes. Pra është në mendjen tonë ku frikën edhe mund ta vrasim.

 

 

G

 

GëNJESHTËR

Të gënjesh është njerëzore (To lie is human). Të gjitha qëniet njerëzore gënjejnë. Diogjeni, filozofi i lashtë grek, edhe pse tërë jetën e kaloi duke kërkuar një njeri të ndershëm, i cili të mos gënjente, vdiq pa gjetur një të tillë.

 

Greqisht

Çdo gjë që unë s'e kuptoj (It's Greek to me).

 

Guxim

Baza mbi të cilën mbështeten të gjitha virtytet e tjera të njeriut.

 

 

H

 

HABITUS

Habitusi ynë ka të bëjë me kulturën dhe vetë kultura, siç thoshte John Stuart Mill, ka të bëjë me jetën e ndjenjave (life of feelings), me eksperiencat e brendshme dhe me perceptimet subjektive, të cilat nuk kanë vend në botën utilitare të marrëdhënieve ekonomike. Të gjitha këto, në kushtet e modernitetit, ndryshojnë, duke krijuar, nëse përdorim një shprehje të Giddens-it, një "luftë civile" mes kulturës dhe shoqërisë. Edhe pse moderniteti duhet kuptuar në një nivel institucional, transformimet që mundësojnë dhe realizojnë institucionet moderne të shoqërisë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e individit, për shkak të fragmentarizimit të paevitueshëm të eksperiencave jetësore individuale. Për të parën herë me modernitetin krijohet, ose del qartazi në pah problemi i identitetit personal të individit.

 

HapËsirË

Gjithnjë e mjaftueshme nëse dimë ta shfrytëzojmë, edhe pse shumica e njerëzve ankohenpër mungesën e saj.

 

Higjenë

Qytetërim.

 

HIPERKULTURË

Një kulturë që lëviz shumë shpejt për të qenë humanisht e dobishme. Në jetët tona sundohemi nga pushteti i së tashmes, nga pushteti i një së tashmeje insistuese që s'njeh asnjë dimension tjetër kohor. Në një shoqëri të tillë, pak gjëra zgjasin, ose mendohet se duhej të kishin jetëgjatësi. Në të kundërt, ne rrethohemi nga një fluks i pandërprerë dhe, për rrjedhojë, duket se nuk ka vend për një përkushtim pasionant, përsa kohë që nuk ka asgjë të përhershme së cilës t'i përkushtohemi.

 

HIPOKRIT

Sa herë që një shkrimtar lavdëron veprën e një shkrimtari tjetër, ai tregohet hipokrit.

 

Homoseksualitet

Një prej variacioneve normale të mundshme të orientimit seksual.

 

HUMANITETE

Humanitetet janë ruajtësit e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Përmes tyre ne njohim, çmojmë dhe shijojmë thesaret e paçmuara që përmbajnë artet, letërsia, historia, filozofia.

 

Humanizëm

Humanizmi afirmon aftësitë dhe përgjegjësitë tona si individë në raport me veten dhe me shoqërinë, duke informuar e frymëzuar te çdo njëri nga ne parimet e një jete etike të shëndetshme, të jetuar mirë, të lumtur e të dobishme.

Manastiri i Ardenicës, qendër e rëndësishme fetare, historike dhe kulturore

Posted: 24 May 2018 01:06 AM PDT

 

Nga Ilirjan Gjika

Në perëndim të rrethrrotullimit të Kolonjës përgjatë autostradës Lushnje-Fier ngrihet vargu kodrinor i Ardenicës. Pikërisht aty, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit ndodhet në një pozitë dominuese mbi fushën e gjerë, manastiri ''Lindja e Hyjlindjes'' së Ardenicës.

Objekti i kultit mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë. Edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm, manastiri, fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në ''labirinthet'' e historisë së tij aq më shumë dalin në pah vlerat dhe misteret e tij.

1

Historia e këtij manastiri i ka rrënjët që nga mesjeta por data e saktë e ndërtimit apo themelimit të tij nuk dihet. Kështu, Anthim Aleksudhi mitropoliti ortodoks i Beratit, në librin e tij "Përshkrim i shkurtër historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit", botuar në Korfuz në vitin 1868, tekson se manastiri duhet të jetë ndërtuar vonë gjatë mbretërimit në Epir dhe në Shqipëri të hegjemonëve dhe perandorëve të Kostandinopojës (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 74).

Ndërkohë që ekziston një gojëdhanë se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit (Stilian Adhami, Një ansambël monumental në Myzeqe, Tradita Ndërtimore në Shqipëri, ''8 Nëntori'', Tiranë 1981, f. 18).

Po kështu rreth origjinës së tij, studjuesit më në zë të monumenteve të kulturës në Shqipëri theksojnë se manastiri është ndërtuar në mesjetën e mesme ( A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj. Karaiskaj, P. Thomo, Historia e Arkitekturës Shqiptare, maket, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1979, f. 279). Por mendimi që vjen nga të dhënat e studimeve të bëra në vitet 80' të shëkullit të kaluar thekson se manastiri është themeluar diku në shekujt XIII-XIV ndoshta në kohën e zotërimeve në Myzeqe të familjeve feudale të Muzakajve dhe Matarangëve (Reshat Gega, Arkitektura dhe restaurimi në manastirin ''Fjetja e Shën Mërisë'' në Ardenicë, Monumentet, 1, Tiranë 1988, f. 157).

Kurse të tjerë mendojnë se ai mund  të jetë ndërtuar edhe në kohën e Despotatit të Epirit në shekullin e XIII (Skëndër Mihalçka, Manastiri i Ardenicës dhe konservimi i skulpturave murale të tij, Monumentet, 2, Tiranë 1986, f. 77). Të tjera hipoteza aludojnë se manastiri mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Një gjë të tillë e përforcon fakti se pranë manastirit në perëndim të tij, në rrëzë të kodrave të Libofshës dikur kalonte një nga degët jugore të rrugës antike Egnatia, e cila gjatë mesjetës u quajt fillimisht si ''Rruga Mbret'' dhe më vonë ''Rruga e Muzakias''.

Ndërkohë që të tjerë studjues e lidhin emrin e Ardenicës me atë të qytetit antik të Arnisës e cila shënohet në hartat në krahun e majtë të Shkumbinit (Piro Thomo, Një ansambël monumental në Myzeqe, Tradita ndërtimore në Shqipëri, Tiranë 1981, f. 19).

Ndërsa Theofan Popa në librin e tij ''Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë'' thekson se ''Fjala Ardenicë vjen nga fjala greke që do të thotë freksuese, në kuptimin që Shën Mëria me lutjet e saj i freskon besnikët nga zjarri i mëkateve (Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 95).

2

Manastiri i Ardenicës vërtet i përket periudhës bizantine por formën e tij të sotme ai e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Në librin e tij, Anthim Aleksudhi, na dëshmon se kisha e Shën Mërisë u rindërtua në vitin 1743, ndërsa manastiri u restauruan në vitin 1778 (Alexoudes, f. 74). Ndërsa Llukë Karafili që shkruante me emrin Bardhyli në artikullin e tij të vitit 1938, kur përmend manastirin e Ardenicës thekson midis të tjerave se, Kurt Pasha ''…urdhëroi ndreqjen e dhomave dhe të kthyerën e Portës nga Juga që më parë ish nga Veriu bashkë me konakët mbi portën…'' (Bardhyli, Historija e Bibljotekave në Shqipërie, Hylli i Dritës, 1938, nr. 4, f. 168).

Por mbishkrime të tjera brenda manastirit tregojnë se gjatë shekullit të XVIII ka patur edhe rindërtime të tjera. I tillë është edhe ai i hajatit perëndimor që tregon se ai së bashku me çardakun u rindërtua në vitin 1754 (Theofan Popa, f. 101).

Përsa i përket mbishkrimeve të cilat janë të gjithë në gjuhën greke, më i vjetri në kohë, është ai i datës 1 maj 1477 (Aleksudes, 74). Ky mbishkrim gjendet mbi hyrjen qëndrore të Manastirit që gjendet në drejtim të lindjes dhe ka të bëjë me një rindërtim të manastirit. Një mbishkrim tjetër ndodhet në brendësi të naosit mbi portën kryesore të tij dhe na jep datën 1743-1744, që është edhe periudha e pikturimit të kishës së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVIII. Njëra pllakë, është ajo e mësipërmja e datës, ndërsa tjetra që mbart datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet të ndryshme kishte edhe në kambanat që përdorte manastiri apo kandilët e ikonostasit (Theofan Popa, f. 94-101). Po kështu datime kishin edhe kandilët dhe kambanat. Aleksudhi na bën me dije se në kambanore, këmbana e madhe datonte në vitin 1708 ndërsa kambana e vogël në vitin 1738 (Aleksudes, 74).

3

Manastiri i Ardenicës zë një sipërfaqe prej 2.500 m2 së bashku me objektet e tij si dy kishat, konakët dykatësh, depot, qilarët, furra, stalla, mulliri i vajit, sterat e ujit dhe hyrja në formë galerie e mbuluar me qemer cilindrik (Reshat Gega, f. 141).

Po kështu, manastiri konsiderohet nga studjuesit edhe edhe si ''ansambël unikal arkitektonik'', ku përveç objekteve të tjera ishte i pajisur edhe me dhoma dhe hajate për banim, dhoma për klerikët, qeli për murgjit si dhe kishte edhe ndërtime që shërbenin për qëllime kulturore si shkolla dhe biblioteka (Skëndër Mihalçka, f. 77).

Në qendër të këtij objekti kulti ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar me gurë shtufi dhe të bardhë. Ndërsa absida është punuar me gurë të bardhë me elementë dekorativë (Skënder Mihalçka, f. 78).

Kisha e Shën Mërisë është një bazilikë trenefëshe me përmasa 24.35 m gjatësi dhe 10.80 m gjerësi. Ajo është ndërtuar në vitin 1743 në kohën e mitropolitit të Beratit Metodit. Një gjë të tillë e tregon mbishkrimi i vendosur në pjesën e jashtëme të murin lindor të sa (Theofan Popa, f. 97).

Kisha zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi dykatësh, dhoma e pagëzimit, hajati perëndimor, hajati jugor dhe këmbanorja (Reshat Gega, f. 145).

Naosi përbëhehet nga tre anijata, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri dhe përbëhet nga tre hyrje si ato që ndodhen në veri, jug dhe në perëndim të tij. Ai veçohet nga altari me anë të ikonostasit ndërsa dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri gëlqeror. Në qëndër të naosit ndodhet një rozetë e punuar me pllaka guri ( Po aty, f. 145).

Në pjesën perëndimore të nartekstit (parasallës) ndodhen edhe dy varret e peshkopëve të Beratit, Joasafit dhe Metodit (Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi, KOASH, Tiranë 2000, f. 80). Anthim Aleksudhi na tregon se kjo kishë e shkatërruar nga faktorët natyrorë u rindërtua në vitin 1743, ndërsa ''qoshet e manastirit, dhomat dhe qelitë e tij'' u restauruan në vitin 1778 (Alexoudes, f. 74).

Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuqit, në Myzeqe dhe në malin Athos në Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme. Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt”, etj.

Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve dhe muratorëve vozkopojarë, ç’ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.

Pikturat janë ekzekutuar mbi një shtresë suvaje që mbulon sipërfaqen e brendëshme të mureve (Skëndër Mihalçka, f.78). Suvaja ka një trashësi prej 10-13 mm dhe përbëhet nga dy shtresa. E para me trashësi 10 mm përbëhet nga gëlqere e lidhur me kshtë gruri. Ndërsa e dyta ku janë elzekutuar afresket përbëhet nga gëlqere me trashësi prej 2-3 mm (Skënder Mihalçka-Marita Beci, Rezultate të Ekzaminimit dhe të Punimeve restauruse në pikturën murore të manastirit të Ardenicës gjatë viteve 1984-1985, Monumentet, 2, Tiranë 1988, f. 107)

Po kështu një tjetër objekt është edhe kambanorja. Ajo është 22 m e lartë dhe ndodhet në jug të hajatit perëndimor të kishës (R. Gega, 148).

Ndërsa kisha e Shën Triadhës është një kapelë e cila shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7.50 x 3.70 m. Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapelës është mbuluar me hark guri (Reshat Gega, f. 145).

Kisha e shënTriadhës është rindërtuar në vitin 1922 (Skëndër Mihalçka, f. 76). Në faqen e jashtme të murit jugor të saj janë vendosur disa spolie antike të marra nga Apolonia si dhe një reliev që paraqet ndoshta Shën Gjergjin mbi kalë.

Po këtu gjendet edhe një mbishkrim i gdhëndur në një pllakë guri që mban datën 1 maj 1778. Ai tregon ringritjen nga themelet të godinave përqark të manastirit të cilat u bënë në kohën e peshkopit Joasaf të Beratit (Theofan Popa, f. 107). Ky duhet të ketë qenë Joasafi II i cili e drejtoi Mitropolinë e Beratit në vitet 1772-1800. Ndoshta ky është kleriku i lartë që është varrosur pranë pjesës së jashtëme të absidës së kishës së Shën Mërisë, për varrin e të cilit na njofton imzot Irine Banushi (Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi: martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, KOASH, Tiranë 2000, f. 80). Irineu, peshkopi i Apolonisë, kaloi disa kohë në këtë manastir kur ndodhej i internuar vitet 1960 (Andrea LLukani, Krishtërimi në Shqipëri, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, f. 323).

Ndërkohë që dy Mitropolitë të tjerë kanë qenë edhe Metodit që e drejtoi këtë mitropoli në 1736-1751 dhe Joasafit që e drejtoi në dy periudha: 1752-1759 dhe 1765-1767 (Andrea LLukani, f. 320). Si duket këta janë dy kerikët e lartë që janë varrosur në narteksin e kishës së Shën Mërisë.

Imzot Irineu, thekson se në vendin ku është ngritur Shën Triadha ndodhej kisha e parë e manastirit (Kristofor Beduli, f. 81).

Ndërkohë që në mungesë të burimeve ujore manastiri përdorte stera për mbledhjen e ujit të shiut. Janë katër të tilla nga të cilat mund të përmendim sterën pus, atë jugore që ndodhet ngjitur me kishën e madhe, sterën ngjitur me kishën e vogël, etj (Reshat Gega, f. 149-150).

4

Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të madh librash gjatë shekujve XVII – XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë voskopojase “Shoqata e Manastirit të Ardenicës”, e cila i sillte librat jo vetëm nga Europa Perëndimore, por edhe nga Hungaria e Polonia.

Anthim Aleksudhi i cili ka parë korrespondencën që ekzistonte në arkivin e manastirit se për këtë institucion fetar, vinin ndihma financiare gjatë shekujve XVII-XVIII, nga një shoqatë me qëndër në Hungari dhe Poloni. Anëtarët e saj ishin voskopojarë që merreshin me tregti në këto vende dhe ndihmat që mblidhnin në këto vend ja dërgonn manastirit me miqtë dhe të afërmit e tyre ne Shqipëri. Emrat e tyre ishin shkruar në diptikun e manastirit dhe përkujtoheshin me nderim edhe në ceremonitë fetare që organizoheshin në Ardenicë (Alexoudes, f. 75).

Kjo bibliotekë, që ishte një thesar i çmuar kulturor me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në vitin 1932. Për ekzistencën e kësaj bibliotekë na dëshmon arkeologu i njohur Leon Rei, drejtuesi i misionit arkeologjik francez të Apolonisë në vitet 1924-1938. Në ditarin e tij ai na tregon se, diku nga fundi i viteve 1920, kur kishte nisur të organizonte fushatat e gërmimeve në Apolloni, e lajmëruan në mënyrë konfidenciale se, në bibliotekën e Manastirit të Ardenicës ishte një kodik i vjetër, që fliste për hitorinë e Apolonisë. Për të parë këtë kodik, Leon Rei shkoi në Ardenicë ku nga studimi i tij ka lënë edhe shënimet përkatëse, në të cilin flitej për historinë e krishtërimit në Apoloni dhe murgun Polian  (Leon Rei, Hyjnitë kishin të drejtë, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë 2013, f. ).

Por manastiri i Ardenicës ka qenë edhe një vend arsimi dhe kulture. Shkolla e tij u hap në shekullin e XIII. Deri në vitn 1684 këtu shkolloheshin klerikët e Myzeqesë dhe Beratit nga të cilët mund të përmendim Dionisin, Joasafin, Metodi dhe Metodi II (Bardhyli, f. 169).

Gjatë Rilindjes Kombëtare, shkolla e Manastirit të Ardenicës, do të bëhet një nga vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku do të dalin një brez i tërë shkollarësh. Në fillim të shekullit të XX në këtë shkollë dha mësim të fshehta të gjuhës shqipe edhe Jani Minga, një nga personalitet e periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare.

Po gjatë kësaj kohe krahas në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli në shkollën e Ardenicës gjejmë si mësues një sërë personalitete rë arsimit  të krahinës së Myzeqesë si: Anastas Laska, Kozma Dhima, Spiro Saqellari, Papa Isaia, etj (Naun Kule, Rrëfimet e Ardenicës, KOASH, Tiranë 1999, f. 66).

Në këtë periudhe, shkruan autori Naun Kule, ''…shkolla e Ardenicës kishte mbi 200 konviktorë, shkollë me gjuhë të dytë frëngjishten dhe me drejtor Mësuesin e Popullit Jani Mingën'' (Naun Kule, Mësonjtorja e parë shqipe në Myzeqe, Globur R, Tiranë 2008, f. 18)

Kjo shkollë si ç'shihet edhe nga një sërë dokumentash të kohës dhe pamjesh të fiksuara në foto do të ushtronte aktivitetin e saj në manastirin e Ardenicës edhe gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX.

5

Së bashku me vlerat arkitektonike dhe historitë e tij, sot, manastiri i Ardenicës shërben si një muze i hapur për të gjithë. Vizitorët mund të shohin nga afër kishën e Shën Mërisë, afresket e saj, ikonostasin, anvonin dhe fronin peshkopal të gdhëndur me dru are, varret e tre peshkopëve: Metodit, Joasafit dhe Joasafit II.

Të tjera ambiente janë edhe kapela e shën Triadhës, hajatet, këmbanorja, mbishkrimet, spoliet dhe relievet antike të murosura. Po kështu në hyrje të manastirit sapo futesh në portën e tij ndodhet mulliri i vajit, një vepër e mirëfilltë e ''inxhinjerisë popullore''. Në bodrumin e mbuluar me qemer ku gjendet ai mund të gjesh një sërë objektesh antike. Të tilla janë një gur miljar i rrugës Egnatia, disa anfora vaji, trungje kolonash, kapitelesh, kryqe të dikurshëm varresh, relieve me mbishkrime, etj.

Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe e dhëna burimore se në altarin  kishës së Manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut me Donika Arianitin. Ceremoniali mendohet se u zhvillua në mesditën e 26 prillit 1451, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë të dhënë verbale e përmendin për herë të parë në shkrimet e tyre një sërë autorësh të huaj dhe shqiptarë të të shekujve XX-XXI.

Po kështu nga Ardenica mund të shihen lehtësisht edhe Dajti, mali i Tomorrit, malet e Labërisë, bregdeti i Adriatikut, laguna e Karavastasën dhe gjithë Myzeqeja. Të gjitha këto e bëjnë manastrin një vend të vizituar edhe për turizmin shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret përrreth tij. I tillë ka qenë dhe mbetet manastiri i Ardenicës, një vend pelegrinazhi jo vetëm fetar por edhe historic dhe kulturor.

 

* Artikulli botohet përpunuar pas publikimit të tij të parë në vitin 2002, me titullin ''Manastiri i Ardenicës, tetë shekujt e metamorfozës''.

“Rrëfimi letrar përmes historisë” (Nga “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit tek “Shkodra e Rrethueme” e Ndoc Nikaj)

Posted: 24 May 2018 01:05 AM PDT

Dr. Dorian Koçi*

Ballkani është një trevë e Europës, që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaleidoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm. Kultura është pashmangërisht e lidhur me historinë.  Herodoti, historiani i parë dhe nga më të shquarit në historinë e njerëzimit para se të jetë një raportues dhe mbledhës faktesh është një kulturolog i madh, që në udhëtimet e veta përshkruan vende, popuj, zakone e rite të tyre. Kjo traditë herodiane u bë baza për gjithë etnografinë europiane në vijim.[1] Edhe pse përshkrimi i Herodotit në vazhdim ka hasur në kritika të ndryshme, larshmëria e popujve në Ballkan dhe raporti i tyre me pushtetin otoman ka krijuar paradigma dikotomie të përshkruara dhe në letërsitë përkatëse. Herodoti përfaqëson, pra në një këndvështrim kulturor, që mund të përkufizohet si "para orientalist" në kuptimin e zhvilluar nga orientalisti amerikan Edëard W. Said si një dallim ontologjik dhe epistomologjik i bërë midis Lindjes dhe Perëndimit.[2]  Këto tipare, të nisur që herët në kulturën e rajonit janë pasqyruar dhe në letërsitë e Ballkanit. Ligjërimi historik i trajtimit  të së shkuarës otomane të Ballkanit është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe zhvillimet historike kulturore të marrëdhënieve të popullsisë ballkanike me Perandorinë Otomane, por edhe identifikimin e prototipeve letrare, që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Zhanri i romanit historik, duket se është zhanri letrar, që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në romane historike. Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirëfilltë. Edhe ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar.[3] Ky proces, që në Europë fillon me romanet e William Scotit, nuk mund të rri pa influencuar shkrimtarët e Ballkanit, kur ata përfshihen nw proceset shtetformuese të shteteve tyre kombëtarë. Shkrimtarët e Ballkanit në mëyrë të pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të vendeve të tyre në romane historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.[4]

Paradigma historike letrare, që krijoi Herodoti në vetvete ka lënë një shenjë të rëndësishme në qytetërimin europian pasi është krijoi një shkollë historike letrare të quajtur shkollë herodiane, ku  janë të përfshirë shkrimtarët, të cilët kanë në vetveten e tyre sa hulumtimin, sa njohjen e një bote tjetër, po aq edhe rrëfimin e tyre artistik të lidhur ngushtë me historinë.  E para vepër historike, që na vjen si një lloj memorie kolektive kulturore, por edhe si një vepër e botuar është poema "Ali Pashaida" e shkruar nga Haxhi Sherreti. Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. "Alipashaida", e shkruar sipas modelit të poemave të gjata epike, i njihet autori, çka e bën më të plotë atë, nga dy poemat e tjera të gjetura deri më tani për Ali Pashën. Të dhënat biografike për Haxhi Shehretin janë të pakta, kryesisht dëshmi të tërthorta, që vijnë nga veprat e udhëtarëve të huaj, bashkëkohës të tij dhe disa dokumente administrative  të Pashallëkut. Ai lindi në Delvinë dhe ishte bashkëmoshatar  dhe i njohur me Aliun, që në rininë e tij. Shërbeu për vite me radhë pranë oborrit të Pashait, derisa dha grahmën e fundit.  Mbi shpatullat e tij patën rënduar hallet e një familjeje prej dymbëdhjetë fëmijësh dhe mjerisht vdiq i verbër dhe në varfëri të plotë. Në një pasazh të historianit grek S. Aravantino mësojmë se poeti është varrosur në vendlindjen e tij, në Delvinë  (Koçollari. I (1997) Alipashaida e Haxhi Shehretit. Tiranë: Onufri, faqe 15). Vlen të përmendet këtu, që historianët më të famshëm grek, të cilët shkruajtën jetën dhe veprën e Ali Pashë Tepelenës i referohen shpesh herë si një pjesë e vërtetë e një ngjarjeje, që ka ndodhur në atë kohë. Nëpërmjet  teknikave të reja të dokumentacionit, që janë të njohura tashmë për historianët nëpërmjet arkivit të Ali Pashë Tepelenës është arritur, që të identifikohet se sa pjesë të vërteta ka, sidomos në historikun e ngjarjeve të njëpasnjëshme dhe kronologjinë. Sigurisht, që nuk duhet  të biem në kurthin për të besuar se çdo gjë, që thuhej aty është e vërtetë pasi të gjitha ato çfarë mund të jenë ditirambe të ndryshme poetike përsa i përket jetës dhe veprës së Ali Pashë Tepelenës duhet të lihen mënjanë, por thelbi i ngjarjeve historike është i atillë që bën të mundur për të sjellë tek lexuesit këtë lloj narative historike, që na vjen nëpërmjet këtij rrëfimi letrar, poetik të kohës.  Në fakt, "Ali Pashaida" është një nga veprat shumë pak të njohura në Shqipëri. Ajo është përkthyer në vitin 1997 dhe nuk ka botime të tjera.  Një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie kulturore edhe pse në gjuhë të huaj ka humbur dhe kërkohet të shpluhuroset për të dalë në dritë.

Vitet e mëvonshme në narrativën historike- letrare, në letërsinë shqipe shfaqen dy poetë të mëdhenj, njëri është Jeronim De Rada me "Këngët e Milosaos" më 1836, që shënon dhe fillimet e romantizmit shqiptar dhe tjetri është  Gavril Dara i Riu me poemën "Kënga e Sprasme e Balës".  Sigurisht që tek "Këngët e Milosaos" kemi të bëjmë më një poemë, e cila në vetvete rikujtohet dhe rivjen ndër ata që e lexojnë si një kujtesë kolektive e një bashkësie të vogël, siç qenë arbëreshët në Itali, por ka të ndërthurur në të dhe një pjesë të rëndësishme të një elementi historik. Ky element historik tashmë vjen i përmendur përmes rrëfimit letrar romantik.  Kjo përqasje e letërsisë së kultivuar  me poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill i yni, por një nga elementët themelorë të botëkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin. Për të krijimtaria e mirëfilltë poetike, por edhe puna e mbledhësit të folklorit ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar. Të dyja këto përmasa, poezia e kultivuar që i atribuohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt që romantikët gjermanë e quanin "Volksgeist", ndërsa letërsia globale, që do dilte nga kjo shkrirje, duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e politike të tij. (Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të Millosaut. Tiranë;2014, fq. 26)

Romantizmi, rryma letrare dhe politike të përhapur kudo në Europë krijonte heronjtë e vet. Karakteristikë e rëndësishme e heroit romantik është fakti që ai është hero në jetën e tij të përditshme i mbytur nga rrethanat dhe sentimentalizmi. Ashtu është në të njëjtën kohë  dhe një hero ndaj fatit të atdheut. Këto dy tipologji karakteristikash do të jenë përcaktuese për veprat e tjera të mëvonshme të romantizmit shqiptar-arbëresh. Ajo çka mund të themi me plot gojën është fakti që me krijimtarinë e De Radës krijohet një shkollë e perceptimit të narracionit letrar nëpërmjet historisë. Milosao, sigurisht që nuk ka koordinata të caktuara dhe të drejtpërdrejta historike për t'u identifikuar si personazh historik, por epoka ku vepron ka elementë të rëndësishëm siç është konflikti arbër-osman, një konflikt shumë i madh, i cili ndihet kudo në poemë. Në letërsinë arbëreshe  nuk do të linim pa përmendur një poemë shumë të rëndësishme, siç është "Kënga e sprasme" e Gavril Darës, e cila është në të njëjtën frymë si ajo e De Radës, por në vetvete përmban dhe ka një narrativë tjetër. Ashtu si  De Rada, të dyja janë komplet imagjinare, janë pjesë të kujtimeve të një bashkësie kolektive dhe janë pjesë, të cilat nuk i përshtaten drejtpërdrejt realitetit historik siç është "Ali Pashaida" e Sherretit,  por bëjnë të mundur, që në një kontekst më të gjerë europian dhe ballkanik të sjellim para lexuesit gjithë detajet dhe atmosferën e madhe të konfliktit me osmanët. Ne, si lexues jemi të dashuruar me personazhet e këtyre poemave, qoftë me Milosaon, qoftë me Rinën, qoftë me vajzën e  Lalës, apo me toponime, që janë të rëndësishme dhe që ndonjëherë vijnë nëpërmjet kujtesës kolektive siç është Moreja, vende të ndryshme të shqiptarëve arvanitas në Greqi, por kurrsesi nuk mund të biem në kurthin e marrjes së një narrative letrare si një e vërtetë historike e drejtpërdrejtë. Përse e them këtë? Sepse duke e lidhur me kohët e sotme, shpesh herë edhe me tezat e reja që qarkullojnë dhe riqarkullojnë për origjinën e lashtë të popullit shqiptar merren si të vërteta historike ndonjëherë edhe ato që janë drejtpërdrejt trille fantastike apo fiction të vetë poetëve dhe që jo domosdoshmërisht shprehin të vërtetën historike sipas dokumentacionit. Duhet ta kuptojmë që epoka e romantizmit dhe mënyrës se si tentohej të shkruhej historia dhe letërsia, duke rikujtuar të kaluarën e lavdishme të popullit e duke krijuar  heronj romantikë, jo shpesh herë i përgjigjej realitetit drejtpërdrejtë historik dhe kronologjisë së ngjarjeve historike. Në këtë drejtim Milosao dhe Plaku Balë janë frut i fantazisë dhe trille letrare të mbështetura mbi kujtesën kolektive arbëre rreth konfliktit arbëro-osman të sheullit  XV. Pikërisht nga gjiri i këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme të iluminizmit, luftërave napoloniane dhe romantizmit do të lindte dhe do të merrte udhë  sendërtimi i një identiteti të veçantë kulturor e kombëtar, që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë skënderbejane të shekullit XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër përtej detit. Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kësaj elite arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e tij, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij "Këngët e Milosaos" 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studimi dhe analizat e ndryshme letrare, që ia janë bërë "Këngëve të Milosaos", që nga botimi i parë e deri më sot, përpos faktit që kanë pasuruar leximet e ndryshme të saj, kanë lënë disi në hije kontekstin historik e gjeografik  të pasqyrimit të kohës historike, në të cilën De Rada vendos ngjarjet, toponiminë e vendeve të përmendura në poemë dhe simboleve kulturore të veçanta. Në të njëjtat gjurmë të De Radës do të ecte dhe Gavril Dara i Riu në krijimin e heronjve të vet Plakun Balë, Nik Petën dhe Pal Golemin.

Gjithsesi ky konstatim vlen  përsa i përket letërsisë së kultivuar, sepse me të drejtë siç  mund tw vwrhet lehtw  tek "Bleta shqiptare" (1878) botuar nga  Thimi Mitko në Kajro, është disi e çuditshme se si në këngët popullore të mbledhura të kemi një varg, që reflekton një të kaluar historike shumë të afërt siç janë kryengritjet e mëdha të Labërisë  të vitit 1847 dhe që shpreh një koine shpirtërore, kulturore, politike dhe administrative të shqiptarëve si komb.  Vargu katër rrokësh që në të vërtetë përbën habi për atë që mund të quhet bashkim shpirtëror dhe historik i shqiptarëve është:

 

U trete Gjolekë, u trete

Sos për mua,

sos për vete

Por për katër vilajete.

Këto vargje në të vërtetë nënkuptojnë, një territor të përcaktuar qartë, që ishte tërësia territoriale e shtrirjes së shqiptarëve  në atë kohë dhe që çuditërisht në vargjet e këtij këngëtari popullor, të mbledhur nëpërmjet Mitkos, na vjen e drejtpërdrejtë si pjesë e një realiteti historik. Ky konstatim përmes këtyre vargjeve është krejt e kundërt përsa i përket realiteteve historike nëse e krahasojmë me narrativen historike që kanë "Këngët e Milosaos" apo dhe "Kënga e sprasme e Balës", të  cilat janë të ngarkuara  me motive të drejtpërdrejta letrare, por që nuk i referohen gjithmonë të vërtetës.

Një vepër shumë e rëndësishme e rrëfimit historik-letrar  në letërsinë shqipe është poema "Istori e Skënderbeut" e Naim Frashërit, (1898), e botuar dy vjet para se të vdiste Poeti Kombëtar. Nuk mund të mungonte Frashërlliu i madh pa i kushtuar edhe poemë Heroit tonë Kombëtar. Në këtë mënyrë ajo (historia) e ruan të kaluarën dhe ua kujton breznive të ardhshme që ta njohin dhe të marrin mësim prej saj. Megjithatë, ajo është vetëm dëshmitare. Kohët dhe njerëzit që mbesin në fletët e saj janë përjetë të ngurëzuara. Poetët besojnë me të drejtë se periudhat dhe shëmbëlltyrat historike mund të shihen më thellësisht vetëm me anën e artit, prandaj, faktet historike i fisnikërojnë me imagjinatën krijuese. (Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 8-9).

 

Ku mund ta ketë gjendur Naim Frashëri burimin historik të veprës së vet? "Historia e Skënderbeut", në fakt është një poemë,  e cila mund të jetë mbështetur në leximet e ndryshme të Naim Frashërit për Skënderbeun, qoftë të Barletit të përkthyer në frëngjisht, në gjuhën që ai  lexonte shumë mirë apo dhe burime të tjera në gjuhët europiane. "Istori e Skënderbeut", është një lloj testamenti politik, me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t'u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit turk. Ajo u lexua dhe u mësua përmendësh nga breza të tërë shqiptarësh, duke u kthyer në një tekst të preferuar edhe për faktin se ishte shkruar në tetërrokëshin e njohur popullor. Poema të tjera të bashkëkohësve të Naimit nuk patën të njëjtin fat dhe adhurim mes popullsisë shqiptare.

Përse e them këtë gjë? Sepse pati tentativa të mëparshme për të shkruar një histori të Skënderbeut nga autorë të tjerë,  siç është një tentativë pak e njohur e Jani Vretos e shkruajtur në gjuhën greke, por që nuk ka arriti të mbizotëronte dhe asimilohej nga publiku i pakët shqiptar i asaj kohe. Kjo për arsyen e thjeshtë se poema e Naimit në radhë të parë ishte në gjuhën shqipe dhe tingëllonte në gjuhën e nënës. Në rradhë të dytë ndiqte një rrëfim të drejtpërdrejtë në vargje të historisë së Skënderbeut, të asaj se çfarë kishte ndodhur dhe brenda saj kishte dhe kumte për të shkuarën e Shqipërisë,  por sigurisht edhe për të ardhmen e saj. Naimi në vetvete i largohet qëllimisht  ndonjëherë faktit historik e krijon edhe personazhe, të cilët nuk janë personazhe historikë. Nëse kur e lexojmë veprën "Historia e Skënderbeut" për herë të parë e presim, që të gjejmë një histori e kronologji historike , lexuesi edhe mund të zhgënjehet,  pasi Naimi krijon edhe  personazhe, të cilët nuk janë historikë si është rasti i Kamanit. Personazhi Kaman ka mbetur ende i padefshifruar se kujt i përket , ndonëse shpesh herë është menduar e gjykuar se në vetvete ai përfaqëson  vetë poetin. Kamani duket  të jetë dhe të luajë rolin e korit antik, njëlloj si tragjeditë e vjetra greke, ku roli i tij është të kumtojë  të vërtetat që mendon Naimi dhe duhet të dinë lexuesit.

Pra, Naimi në fund të shek. XIX dhe fillim shek. XX nuk është aspak i penduar për aksionin e Skënderbeut kundër osmanëve siç mund të shikojmë sot për fat të keq disa historianë apo njerëz të letrave, të cilët e vënë në dyshim aksionin e Skënderbeut dhe  përpjekjen e tij kundër otomanëve nëse ia vlejti apo jo për të mirën e etnosit arbër. Naimi përmes Kamanit i jep përgjigje kësaj mëdyshje me vargjet monumentale thënë dërgatës osmane kur ata kërkojnë që tu dorëzohet Kruja.

Jo nuk vdiq Shqipëria

Nuk vdiq por është gjallë

Tjatër përgjigjie Turqia

Nuk do përveç me pallë

 

Mesazhi i Naim Frashërit është i qartë. Lufta e armatosur e drejtpërdrejtë ndaj osmanëve çka përkon dhe me aksionin e Skënderbeut, që kishte mbetur gjallë në memorien e kolektive të shqiptarëve e që vazhdon të jetë edhe sot pjesë e memories sonë kolektive. Marrëveshje me osmanët për një popullsi shumë të vogël siç ishin Arbërit do të thoshte dënim me vdekje dhe në fakt ashtu siç shfaqet në narrativën historike letrare  të mëvonshme të shkrimtarit tonë Ismail Kadare tek romani "Kështjella" në bisedën midis dy kronistëve turq, kryeveqilharxhit dhe kronikanit turk. Kryeveqilharxhi, i cili në roman përfaqëson botën intelektuale osmane e kohës thotë diku që "Thuhet se Skënderbeu, e ka braktisur emrin e tij Skënderbe dhe mban vetëm emrin Gjergj Kastrioti dhe po lufton për të ardhmen". Pra, nuk po lufton më për të sotmen por për të ardhmen. Kronikani Mevlan Çelebi, sigurisht që është i habitur, i thotë: "Si ndodh kjo gjë? Njeriu lufton për të sotmen, nuk lufton për të ardhmen", dhe ai i thotë: "jo, ai raportin e ka me të ardhmen, nuk e ka me të sotmen, prandaj ne duhet ta mposhtim që sot". Pra, në një farë mënyre kjo lloj trajektore historike, e cila tek Ismail Kadareja vjen pasi ai e di historinë dhe jo drejtpërsëdrejti në kohën e Skënderbeut, na shërben për të kuptuar dhe për të nxjerrë një narrativë tjetër e cila shfaqet në shek. XX në letërsinë shqipe po fillojnë refleksionet historike të drejtpërsëdrejta përsa i përket të shkuarës.

Romani më i rëndësishëm  në narrativën historike-letrare është "Shkodër e rrethueme" e Ndoc Nikaj në vitin 1913, i cili është një përshkrim i ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë në luftrat ballkanike. Rrëfimi ngjan më tepër si pjesë e një reportazhi të një lufte dhe në të njëjtën  kohë ka dhe histori të mirfilltë të Shkodrës dhe rrethinave të saj. Nëpërmjet rrëfimit të narrativës historike të Ndoc Nikaj, që është edhe shkrimtar, por edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, duket që krijohet një lloj përqasje e re letrare historike në letrat shqipe. N. Nikaj së bashku me Stefë Curanin mbahen si hedhësit e themeleve të historiografisë shqiptare. (Aurel Plasari , Gjinaj M.; Mele M.; Elmazi M., “Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 185).

Për fat të keq në kohët e sotme romani historik konsiderohet një roman demode, një roman që nuk tërheq një audiencë të madhe. Sigurisht, që letërsia ka ligjet e zhvillimit të saj, por ajo që unë dëshiroj të theksoj është se  rrëfimi letrar përmes historisë nuk duhet të humbasë dhe duhet inkurajuar për historianët shkrimtarë.  Pavarësisht faktit se ndonjëherë krijon heronj të idealizuar si Milosao apo Nik Peta, në fakt kjo lloj letërsie shërben për të memoralizuar ngjarje të rëndësishme kombit,  dhe nëse ne duam të kemi një kujtesë kolektive të vazhdueshme, atëherë kjo nuk mund të mbijetojë pa rrëfimin letrar përmes historisë.

***

*Autori është Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Artikulli është leksioni i hapur i mbajtur në skenën multimediale në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Festivalit  "Ditënetët e librit", 16-20 maj 2018

[1]Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, fq , 94

[2]Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identiteve kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, fq 96-97

[3] Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identitevekombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, f fq 162

[4]Thiesse .A.M .(2004)Krijimi i identitevekombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë:Dukagjini, , fq 163

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more